Çfarë përfitoj unë?

0
815
Arian Galdini - LDE

Arian Galdini, LDE – Lëvizja e Re Politike, 8 gusht 2019 ·

Kjo është pyetja themelore, më këmbëngulëse dhe më e shpeshtë që dëgjon në çdo kafene e bisedë kudo, ngado e me këdo nëpër Shqipëri, kur ti u flet për Ndryshimin.

Ti u thua: Unë kam një ide, kam një nismë, kam një lëvizje, kam një parti, ku dua të bashkoj më të mirët, meritorët, të papërlyerit.
Ata të thonë: U bone ti? E kush je ti? E çfarë je ti? Po pse ti?

Ti u thua:
Jam askushi. Jam një i thjeshtë, shumë i thjeshtë si ty. Thjesht kam një ide, një nismë, një lëvizje një parti dhe dua të bashkoj më të mirët, meritorët dhe të papërlyerit. Nëse ti nuk më ke qejf mua, nuk ka problem. Por a të pëlqejnë idetë e mia dhe qëllimi e vizioni im?
Nëse ti nuk më ke qejf mua, nuk ka problem, eja dhe bashkohu me mua dhe më udhëhiq ti mua.
Nëse ti nuk ke besim a vlerësim tek mua, nuk ka problem, eja dhe më udhëhiq ti mua.

Sepse vetëm në Shqipëri ndodh kjo, që kur dikush ka një një nismë a një ide, i turren me sulme e sharje e pyetje të tipit: U bone ti? E kush je ti? E pse ti? etj, etj.

Kudo në botë, gjithkush kur sheh a dëgjon dikë që ka një ide a një nismë ka vetëm 3 reagime:

1. I thotë nismëtarit apo ideshpallësit se e mendoj njëlloj si ty dhe unë mundem të bëj këtë apo atë gjë, që kjo ide e përbashkët të ketë sukses.
Pra i bashkohet idesë dhe nismës.
2. Nuk e pëlqen idene e për rrjedhojë e rrëzon me argumenta ose e konkuron me një ide më të mirë.
3. E di që vetë nuk bën dot asgjë për idenë ndaj edhe së paku ka mirësinë të heshtë.

Në Shqipëri as të bashkohen, as të konkurojnë, as heshtin.
Në Shqipëri vetëm të kërkojnë llogari kot së koti.
Të bëjnë vetëm pyetje skualifikurse të tipit: Po kush je ti? Po pse je ti? U bone ti? E plot të tjera a të tilla pyetje poshtëruese e dekurajuese.

Kur ti u thua, po ja unë jam ai i thjeshti si ty që kam kurajon ta shpall idenë time, ta mbroj idenë time, t’i qëndroj idesë sime, të sakrifikoj për idenë time, të konkurroj me idenë time përballë kujtdo, të përballem me këdo, këta të thonë:
Po sa lekë ke? Çfarë përfitoj unë?
Ky është pothuajse fundi i çdo bisede.

Ajo që unë u them të gjithëve është e thjeshte fare:
Unë kur kam pranuar të jem Kryetar i kësaj partie, kam pranuar dhe vendosur të udhëheq sakrificat dhe ata që sakrifikojnë.
Qofshim pak apo pak fare, mua kjo nuk më shqetëson.

Duam të bashkojmë ata që nuk e duan ndryshimin e Shqipërisë as nga facebook, as nga Amerikanët e BE, as nga ankimimet e kafeneve, as qyl, as me shpërblim, por me mund e sakrifica.

Ose bashkohemi për të sakrifikuar për ndryshimin e vendit tonë, ose kush do shpërblim a përfitim personal për tu bërë pjesë e ndryshimit të Shqipërisë, le të shkojë të 127, a më shumë partitë e tjera.

Kush thotë se e pëlqen idenë tonë, por nuk ka kohê se ka shumë punë, apo se do përfitim, faleminderit por nuk kemi nevojë për ta.
Shqipëria nuk ndryshon me urdhër peshku, as nga lart.
Shqipëria ndryshon kur secili nga ne bën sakrificën e vetë.
E di që do thonë se, se kanë vuajtur e sakrifikuar 30 vite dhe janë zhgënjyer e lodhur…

Por përgjigja ime është po e thjeshtë:
E vërteta është se ne kemi bërë të gjithë dorëzimin tek e keqja si fakt i kryer.
Nuk kemi sakrifikuar për vendin. Kemi sakrifikuar për partitë dhe udhëheqësit që kanë bërë plaçkë mbi ne e mbi vendin. Dhe u jemi gëzuar e kemi mbyllur gojën duke punuar e sakrifikuar për plaçkaxhinjtë.
Prandaj nuk kemi më asnjë justifikim.

Ose do ngrihemi vetë në këmbë për t’u bashkuar me më të mirët, të papërlyerit dhe meritorët, ose kurrë nuk do të ndryshojë asgjë.
Reforma në Drejtësi dhe SHBA e BE, godasin e ndryshojnë Aktorët, por jo Shqipërinë.
Shqipërinë e ndryshojmë ne.

Reforma në Drejtësi dhe SHBA e BE, godasin e ndëshkojnë këta plaçkaxhinjtë që na kanë vjedhur e sunduar në këto 30 vite, por Shqipërinë e shpëtojmë dhe ndryshojmë ne.

Po nuk u bashkuam e po nuk u ngritëm sot me sakrifica e për përballje, këta që po ikin me paratë e fuqinë që kanë, do pranojnë të ikin vetë se nuk e ndryshojnë dot më fatin e tyre, por do tju Emërojnë Kaqola të Rinj që do tju vjedhin e sundojnë 40 a 50 vitet e ardhshme.
SHBA dhe BE po kërkojnë nga ne, që të bashkojmë më të mirët dhe meritorët e të papërlyerit.

Shqiptarizma dhe Kombëtarizmi ynë e kërkojnë bashkimin e më të mirëve, meritorëve dhe të papërlyerve.
Por ky bashkim nuk bëhet me pyetje dekurajuese: Kush je ti? U bone ti? Pse ti?
Ky bashkim nuk bëhet as me pyetjen: Çfarë përfitoj unë? Sa e kemi buxhetin? Sa lekë kemi? etj., etj.

Ky bashkim vlen dhe mund të bëhet vetëm, nëse secili prej nesh gjen kurajon personale dhe familjare për sakrifica madhore, përballje të forta e ndoshta thyerje turinjsh e dështim.

Po nuk u përgatitëm të përballemi me të keqen, me sakrifica e humbje të mëdha, kurrë nuk do të vijë asnjë ndryshim.
Biletë në të ardhmen nuk ka më as qyl e aq më pak me përfitim.
Bileta për në të nesërmen fitohet me mund e sakrifica, përballje e vështirësi pafund, kurajo e qëllim-mbarësi.

Unë kështu e mendoj LDE, që po transformohet në LRE.

Kush i bashkohet këtij vizioni e mënyre të menduari është i mirëseardhur.
Kush ka pyetje, le t’ia bëjë së pari vetes njëherë, e pasi ti këtë dhënë përgjigje vetes, le të vijë me pyetje për ne.
Prandaj unë jam krenar simbolikisht për ato 7 votat e Kukësit.
Sepse ato 7 vota janë 7 vota guximtare, jo 7 vota përfituese apo ankimtare.

Shqipërinë e ndryshojnë veç guximtarët.

Kush ha bukën e plaçkaxhinjve dhe i bën duva të nesërmes, është duke jetuar Harmoninë e Hipokrizisë.
Ndarja morale dhe radikale me plaçkaxhinjtë kërkon kurajo e guxim dhe sakrifica të mëdha, por edhe është e vetmja mënyrë për ta merituar të nesërmen.
Kaq.