FAZAT E STANDARDIZIMIT TË GJUHËS

0
3087
Fjalor i gjuhës shqipe

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Rruga e standardizimit të një gjuhe duhet të kalojë nëpër disa faza, të cilat janë: përzgjedhja, kodifikimi, pranimi i standardit, përpunimi i normës dhe vlerësimi.

1. PËRZGJEDHJA është hapi i parë drejt standardizimit të gjuhës.
Se cili dialekt a variant duhet të vihet në bazë të gjuhës standarde është çështja më delikate, sepse po qe se zgjidhet drejt, do të realizohen me sukses të gjitha fazat tjera të standardizimit. Për caktimin e bazës së standardit gjuhëtarët duhet të kërkojnë përgjigje nga faktorët jashtëgjuhësorë (faktori politik dhe faktori ekonomik), sepse përgjigjet linguistike nuk mjaftojnë.

2. KODIFIKIMI fillon me përshkrimin e normës së gjuhës: bëhet hartimi i gramatikës dhe i fjalorit. Kodifikimi nënkupton caktimin e rregullave të veçanta të drejtshkrimit, me hartimin e gramatikës, të fonetikës dhe të fjalorit normativ. Me anë të këtyre mjeteve caktohen rregullat, të cilat i obligojnë pjesëtarët e bashkësisë folëse që tu përmbahen gjatë ligjërimit në gjuhën e shkruar letrare.

Mjetet e kodifikimit të gjuhës standarde shqipe janë:
– “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, Tiranë, 1973;
– “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe”, Tiranë, 1976;
– “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”, Tiranë, 1980
– “Gramatika e gjuhës shqipe, I, II”, Tiranë, 2002.

3. PRANIMI I STANDARDIT duhet të bëhet nga të gjithë pjesëtarët e kombit. Kjo fazë e standardit ka karakter socio-politik dhe varet kryesisht nga faktorët jashtëgjuhësorë (faktori politik dhe faktori ekonomik).

4. PËRPUNIMI I NORMËS është fazë që zgjat më së shumti. Duke u përpunuar, gjuha standarde aftësohet që t’i kryejë të gjitha nevojat e komunikimit në të gjitha situatat dhe stilet, si dhe përfshin të gjithë lëmenjtë shoqërorë: shkencën, artin, jurisprudencën, administratën, gazetarinë, arsimin, kulturën etj.

5. VLERËSIMI është i vazhdueshëm. Kështu realizohet mekanizmi i kontrollimit dhe bëhet VERIFIKIMI i shkallës së përshtatshmërisë së gjuhës me nevojat aktuale të komunikimit të shoqërisë.