Fatura 1 miliardë lekë e Bashës, është përgjegjësi personale

0
671

Nga Mero BazeTemA

Pagesa për lobistët amerikanë në Shqipëri nuk është një “krim”, por një traditë për të kompensuar problemet që liderët politikë shqiptarë prodhojnë me politikën zyrtare të SHBA. Në përpjekje për t’u futur nga dritarja, kur i zbojnë nga dera, ata paguajnë miliona tek lobistë që në të vërtetë tallen me paratë e një vendi të varfër.

Rasti i Lulzim Bashës është tipik. Ai mund të paguante dhe nga paratë e PD për kompaninë e lobimit, por çmimi është aq i madh, sa nuk e justifikon dot zyrtarisht.

Po përse duhet të paguante?

Siç mund të kuptohet lehtë nga dokumentet zyrtare, Lulzim Basha ka paguar kompanitë e lobimit për të bërë realitet një paranojë, që përhapi si tezë politike në fillim të këtij viti, kur hyri në çadër. Nuk e di pse pas fitores së presidentit Trump, opozita shqiptare u çmend në atë farë feje, sa shpiku disa kauza, pas së cilave harxhoi jo vetëm energji politike, por siç shihet, dhe miliona lekë.

Së paku, tre teza qesharake dominuan politikën e saj dhe i kushtuan përveç humbjes elektorale, edhe miliona të paguara.
E para, ishte ideja që fitorja e Trump-it, ishte automatikisht dhe fitorja e PD-së dhe Lulit në Shqipëri.
E dyta, ishte që armiqtë e Trump-it kishin miq në Shqipëri që duheshin shfarosur.
Dhe e treta, që ishte dhë me e marra, ishte ilustrimi i këtyre dy tezave me njerëz ordinerë të paguar nga SHBA, që flisnin në çadër për të njëjtat marrëzira.

Të treja këto kauza të PD, që i kushtuan shtrenjtë asaj dhe vetë Bashës, në fakt ishin projekt personal i Bashës, që ilustrojnë jo vetëm një mendje të thatë, pa asnjë ide, por dhe një njeri që vrapon pas kauzave të shpikura nga nivele qesharake të shoqërisë.

Kështu, kauzën e parë për t’u identifikuar me Trump-in, ai e nisi duke ndërruar emrin e një rruge në Kamëz, nga “Rruga e Lirisë” në “Rruga Trump”. Pastaj u shkroi lobistëve, se ai e kishte bërë këtë akt në mirënjohje të presidentit Trump, dhe siç e përshkruan gazeta “New York Times”, kur lobisti takoi Bashën në Uashington, pyetja e parë që bëri ishte se “ku binte Shqipëria” dhe nëse ajo “ishte demokraci, apo “mike e Amerikës”.

Pra, kur shikon se sa joserioz është një kryetar opozite në idetë e tij për t’u kthyer në pushtet, të vjen më keq për të, se sa për 1 miliardë lekët e paguara.

Kauza e dytë qesharake ishte ajo anti-Soros. Ajo injektoi gjithë homologët e Bashës e Berishës në Ballkan, përfshi Gruevskin në Maqedoni, me të cilin ndanë shpenzimet për këtë fushatë. Paranojën anti-Soros e çuan deri në Bruksel, gjetën dhe aty eurodeputetë pro Sorosit që mbronin Shqipërinë, pastaj e çuan në Uashington si trofe lufte, duke paguar sërisht miliona.

Marrëzia e tretë ishte produkti që lobistët dhanë për këto para. Ata dërguan dy-tre greko-amerikanë në çadër, që recitonin marrëzitë, për të cilat kishte paguar Lulzim Basha. Pra, Lulzim Basha është i vetmi lider që paguan jo vetëm për kauza qesharake, por dhe për të gjetur aktorë, t’ua demonstrojnë njerëzve të tij marrëzitë që shpik.

Në këtë aspekt, pagesa prej 1 milardë lekësh nuk ka pse të jetë në ngarkim të PD-së. Prokuroria duhet të sekuestrojë sot regjistrat financiarë të PD-së, dhe nëse ato pagesa nuk rezultojnë aty, duhet te merret personalisht me Lulzim Bashën si person fizik.

Ai është një projekt personal i Lulzim Bashës, për të cilat ka paguar para të zeza dhe ai duhet të hetohet personalisht dhe t’i ngarkohen personalisht ato para. PD jo vetëm që nuk ka marrë ndonjë vendim politik pro këtij projekti, por as nuk fitoi gjë nga ai projekt, por humbi dhe më keq. Kësisoj, Basha duhet të hetohet për burimet financiare të këtyre parave. Nëse ato rezultojnë para të PD, atij i duhen bërë ngarkim si njeri që i ka shpenzuar për marrëzira. Nëse rezulton se janë para të zeza, i duhet shtuar dhe akuza e pastrimit të parave.

Dhe për t’u siguruar që kjo duhet të ndodhë, Prokuroria duhet të bëjë publike faktin, nëse i ka sekuestruar regjistrat financiarë të PD-së sot, apo do presë sa t’i rregullojë Kunati. Jo për gjë, por jemi në kohën që, siç ka thënë dhe Basha, duhet bërë Vetting financiar për financimin e partive. Helmut Kol ka dalë nga politika për 35 mijë marka, që dikush kishte paguar në partinë e tij jashtë rregullave. Lulzim Basha nuk gjen dot kush ja ka paguar 1 milardë lekë për një foto me Trump-in.