EMRI I RI I SHTETIT TË MAQEDONISË EDHE NË GJUHËN SHQIPE

0
467
Abdulla Mehmeti

Abdulla Mehmeti

DO TË JETË PJESË E BISEDIMEVE NË ZGJIDHJEN PËRFUNDIMTARE TË KËSAJ ÇËSHTJE

Në funksion të sigurimit të informatave të besueshme për rrjedhën e bisedimeve mes palëve, për zgjidhjen e kontestit për emrin e shtetit të Maqedonisë me Greqinë, një ditë para ardhjes në Shkup për këtë çështje të presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Junker, si dhe euro-parlamentarëve, Ivo Vajgel, Eduard Kukan dhe Knut Flekenshtajn, dje kam realizuar një takim informativ në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë, në funksion të përgatitjes së Memorandumit shqiptar për zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë.

Propozimi ynë që krahas zgjedhjes së emrit të ri të shtetit, të përfshihet edhe emërtimi i shtetit në gjuhën shqipe, si në dokumentet përfundimtare të marrëveshjes, në përdorim të brendshëm dhe të jashtëm, përfshirë edhe OKB-në dhe organizatat tjera ndërkombëtare, do të jetë pjesë e këtyre bisedimeve.

Këto takime njëherësh dëshmojnë se, mes faktorit shqiptar, politik, intelektual dhe akademik, kemi arritur të ndërtojmë QËNDRIM UNIK në lidhje me këtë çështje. Uroj që kjo frymë e bashkëpunimit dhe koordinimit të forcohet edhe më tej, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së emrit të shtetit, por dhe për çështje të tjera me interes të përgjithshëm kombëtar dhe shtetëror.

(Shkup, 23.2.2018)