EURO, kosto e borxhit të jashtëm shtetëror dhe masat administrative jashtë tregut!

0
452

ELVIN MEKA · 14 maj 2018

Në debatin atkual, të zgjatur tashmë prej tre muajsh, lidhur me luhatjet e kursit të këmbimit, kryesisht të EURO-s në raport me LEK-un, është thënë dhe argumentuar gjithshka rreth faktorëve madhorë dhe minorë, që kanë ndikuar apo po ndikojnë në një zhvlerësim të tillë atipik për EURO-n në Shqipëri. Thuhet ATIPIK, pasi luhatje të tilla janë të zakonshme gjatë situatave të paqëndrueshme makroekonomike, apo në kuadër të shpërthimit të krizave të ndryshme ekonomike dhe financiare, por situata aktuale në Shqipëri përjashton faktorë të tillë.

Natyrisht shumë është folur për ndikimin e ekonomisë informale, që pashmangshmërisht ndikon në një sjellje të tillë të kursit të këmbimit, poe efekti i saj kurrsesi nuk shpjegon nj reagim kaq nervoz, si ai i fundit të MARSIT 2018 dhe fillimit të PRILLIT 2018. Patjeter që të tjerë faktorë japin kontributin e tyre në një zhvlerësim të tillë të Euros, si: fluksi i qëndrueshëm në rritje i turistëve, investimet në rritje në pasuri të paluajtshme nga jorezidentët, qëndrueshmëria e dërgesave të emigrantëve, e gjithashtu, edhe veprimtaria spekulative, ato transaksionet e mëdha nga institucionet financiare.

Pa u zgjatur më tej në analiza dhe interpretime, tashmë të ezauruara, rreth zhvlerësimit të shpejtë të Euros gjatë 3 muajve të fundit, është e rëndësishme të trajtohen dy çështje, në dukje periferike, por që meritojnë vëmendje, që të paktën të mos keqpërdoren, apo përdoren si kapital i pavlerë, kryesisht në fushën politikës, e më tej në debatin ekonomik kombëtar.

Kosto e borxhit shtetëror dhe ulja e pretenduar e tij

Një nga çështjet ku tehu i debatit, sidomos atij politik, mprihet si shpata e samurait, është pikërisht pretendimi i një “loje”, apo porosie nga “lart” për të zhvlerësuar me qëllim kursin e këmbimit në favor të Lek-ut, madje duke pohuar që qeveria po kursen dhjetëra miliona euro nga ky forcim i Lekut. Këtu kemi nevojë të bëjmë disa llogaritje:

Sipas dokumentit zyrtar të qeverisë:
STRATEGJIA AFATMESME E MENAXHIMIT TË BORXHIT 2018-2020 (http://www.financa.gov.al/files/userfiles/Borxhi/Strategjia_afatmesme_e_menaxhimit_te_borxhit_publik_20152017redaktuar_2/Strategjia_Afatmesme_e_Menaxhimit_te_Borxhit_2018-2020.pdf), deklarohet që stoku i borxhit shtetëror shqiptar arriti 1,012.2 miliardë Lekë, nga i cili 32.1% e tij është në Euro.

Ndërkohë, kosto mesatare e gjithë borxhit të huaj në këtë periudhë (fund 2016) është 2,3%.

Le të bëjmë disa llogaritje të thjeshta, ku në parantezë bëjmë këto supozime:
1. Stoku i borxhit të jashtëm vijon të jetë i pandryshuar deri më sot dhe pjesa e borxhit të huaj në Euro mbetet po në të njëjtat nivele,
2. Kosto e borxhit në euro është i barabartë me koston e mesatare të borxhit të huaj
3. Zhvlerësimi aktual i kursit të këmbimit të Euros (1 EUR = 127 Lek) është rreth 6%, në krahasim me fundin e vitit 2016 (1EUR = 135.2 Lek).

Pra:
– Borxhi i jashtëm në Euro: 325,000,000,000 leke (325 miliardë lek) = 1,012,200,000,0000 x 32.1%
– Interesi = 2.3%
– Kosto= 2.3% x 325,000,000,000 leke = 7,473,000,000 lekë (55.27 milionë euro me kurs 1EUR = 135.2 LEK)

Nëse do të marrim të mirëqenë faktin që qeveria ka ndikuar dhe është përpjekur të ndikojë dhe zhvlerësojë vlerën e Euro-s, atëherë “kursimi” nga forcimi i Lek-ut do të jetë:
Kursimi = 6% x 325,000,000,000 leke = 448,380,000 lekë, ose 3,530,500 Euro

Përmbledhtazi e gjithë kjo “sipërmarrje” e qeverisë prodhon, për gjithë vitin, një kursim prej 3,5 milionë EURO!!!!!
Për lehtësi krahasimi, mjafton të theksojmë se këtë kursim qeveria mund ta sigurojë thjesht duke ulur me 0.1% koston mesatare vjetore te borxhit të brendshëm!!!

Masat administrative që i kërkohen qeverisë

Ndërkohë, së fundi sipërmarrja private i ka kërkuar Ministrisë së Financave që të marrë masa për të ndaluar zhvlerësimin e euros! (“Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë u bën thirrje Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për ngritjen e menjëhershme të një grupi pune për analizimin e kësaj situate, si dhe marrjen e masave për të ndaluar zhvlerësimin e monedhës së huaj në vend”, përfundon letra – MONITOR).

Në këtë kuadër, duket se ende nuk kuptohet qartë ekonomia e tregut dhe roli që ka qeveria apo autoriteti monetar. Biznesi shqiptar, e kryesisht eksportuesit, nuk po arrijnë të kuptojnë se në treg punohet me instrumentet dhe mekanizma tregu dhe jo ndërhyrje administrative. Kjo kërkesë e eksportuesve është njëlloj sikur qeveria shqiptare 3-4 vite më parë t’u kërkonte eksportuesve që, meqenëse kursi i këmbimit në ato kohë ishte 16% më i lartë se ai në vitin 2009, të fillonin të rrisnin administrativisht dhe me zor pagat e punonjësve, apo investimet, pasi kanë fituar mekanikisht nga kursi i këmbimit.

Biznesi shqiptar duhet te kuptoje se ka ardhur koha të përdorë instrumentet e tregut, për të menaxhuar rreziqet e biznesit, qofshin këto dhe rreziqe që vijnë nga kursi i këmbimit. Bota ka mbi 500 vjet qe i përdor, kurse neve përtojmë të lexojmë dhe kuptojmë se çfarë janë këto instrumente derivate që përdoren për menaxhim risku dhe zgjedhim rrugën më të shkurtër: QEVERINE!!!