Çupa me buzëqeshje të artë

0
395
Nexhat Halimi

Nexhat Halimi

Pandërprerë bie shi i imtë. Ikin bula uji, ngjashëm me lotët fytyrës, rrëshqasin njëjtë për xhama të dritares… Heshtja, me qerren e vet të mallëngjimit, ik e kthehet përgjatë vetvetes, e thyhet, digjet, humb. Prapë shfaqet. Dëgjohet vetëm fër-fër nga përpëlitet gjysma e një fluture e dalë nga gjaku im, gjysma tjetër nga zemra e vajze, të bëhet një e tërë e të fluturojë, të fluturojë… Ja, fluturon, fluturon, fluturon… E kërkon qiellin e vet, lart, të bëhet yll. E kërkon qiririn e vet brenda heshtjes.

– Secili ka zemër. Ka gjak, peri i të cilit i mban në jetë!
– Ama, megjithatë, s’mund t’i ndodh secilit njëjtë. Çdo njëri ka rrëfim të veçantë, fat të veçantë, udhë të veçantë në jetë…

E kujtoj këtë ngjarje e njëjtë bie shi.
Bie shi i imtë. Para meje ec një vogëlushe. Me një shportë prej xunkthi në dorë.
– Do njeri vezë të ziera? – ngadalë e thellë, sikur me teh të thikës, bie zëri në mua. E shikoj, pak e hajthme në fytyrë, me flokë të ndritshme, të krehura me kujdes. – Vezë të ziera, – thotë e një buzëqeshje e lehtë-me një nuancë të pikëllimit, i varet në buzë.
– Po, unë dua, – i them.
– Një, dy… Sa kokrra i do? – me shikon me kërshëri, e frikësuar, mos do të ndërrojë mendje. – Sa kokrra i do, – e përsërit prapë.
–Dua të flas pak gjë me ty, – i them.
– Jo, – më shikon e ec me nguti.
Ngutem ta zë.
– Prit, prit…
– Fol, çfarë do? – është e vogël , e lag shiu i imtë.
– Më parë të më tregosh, pse e bën këtë gjë, – dua ta zë për dore.
– Harroje, – flet e xhindosur.
– Cila je ti? – këmbëngul të flas me të, i ec krah për krah.
– Lindia V., – ul kokën. Mësyn të ikën prapë, e skuqur.
– Çfarë ke, – ia bëj.
– Nuk ndihem mirë, natyrisht, s’është kjo punë për mua!
– S`ke aspak pse turpërohesh.
– Jo, jo… – ec me shikim para vetes. – Ngutem, më pret mësimi. Ndoshta shes diçka e kthehem menjëherë në shtëpi.
– Në cilën klasë mëson?
– Në klasë të katërt, në shkollën e Zatriqit, në kryeqytet. Tash e sa kohë, kam harruar lodrat, kam harruar lojën, kam harruar argëtimin. Veç mësimit dhe daljes rrugë më rrugë, shesh më shesh, të shes ndonjë kokërr ve të zier, s’bëj gjë tjetër.
– Prit, unë do të të blej ca kokrra vezë…
– Sa i do? – ndalet, e lëshon shportën prej xunkthi në trotuar, ia heq mbulesën, e më sheh në sy.
– Merri, atëherë… sa kokrra do?
– I dua dhjetë, – i them. – A s’i ke shumë, – qesh e gëzuar. – Kjo s’më ngjet shpesh. Çdo paradite, në kohën deri në fillimin e mësimit në shkollë, vërvitem nëpër qytet, ndoshta fitoj ndonjë metelik për familjen.
– Kaq e vogël, të bartësh barrë hallin e gjallërimit të familjes? – i them i mbytur në hidhësinë e të përditshmes së vogëlushes.
– Jo vetëm unë… por dhe vëllai më i madh, por dhe motra më e vogël. Babai është i sëmurë rëndë…
– Çfarë ka?
– Ai ka një lëndim… – Një copë mali me drurë të dendur, e priste. I priste, një po, një jo. Të mos e dëmtonte kaq shumë malin. I priste drurët me mjete primitive, me sharrë dore e sëpatë e i shiste. Ngjau, papritur, një dru i vjetër, i gjatë, të binte e ta lëndonte.
– E zuri druri?
– Ai bëri përpjekje t`i ikte, ama druri ia zuri këmbën. Kjo gjë e lidhi për shtrat tash e një vit. Varra iu infektua…
– E dërguat në spital?
– Zgjidhje tjetër s’ kishte, Ose t’ia presin këmbën, – thanë mjekët, – ose nuk do ta ketë të gjatë!
– I dëgjoi mjekët?
– Jo. Nuk pranoi ta humb këmbën. E mbush me lloje e lloje barërash, e kot.
– A ka ndonjë përmirësim. – Aspak.
– Natyrisht, i është thyer këmba, apo jo?
– I është thyer!
– Kjo nuk mund të përfundojë mirë… – e shikova ndërmjet një pikëllimi e dhembje të thellë.
-Ka ilaç, ka… – ndërhyri një plak nga Gallapi, pa pritur. Mos të brengoset, ngaqë ai është mjeshtër dhe do t’ia punojë një jaki…
– Ç’është jakia?
– Llapë e punuar me të bardhën e vezës, me sapun, me lesh, me qepë e vaj, e cila lihet të ngurtësohet në një kohë të shkurtër dhe me disa dërrasa shumë të holla vihet më pjesën e ndrydhur a të thyer të një gjymtyre; për ta shëruar.
– E me kohë i kalon, pa i lënë shenjë, asgjë?
– Asgjë, – tha çupa me flokë të ndritshme, mbi të cilat binin pika të imta të shiut, të ngjanin në margaritarë.
– Ja pse unë shëtis rrugët, me ca vezë të ziera.
Me çdo mëngjes, patjetër, çdo ditë… sa për ndonjë kothere të bukës.- Nuk ndihmon ndopak kush tjetër? – më mbushen sytë me lot. – Në derën e shtëpisë trokitën njerëz të mirë. Na sollën ndihmë një herë, dy herë… të tretën herë babai u tha të mos vinin më. Nuk i pëlqente dot të mbante vesh, kush do të trokiste në derë të na jap ndonjë send për mëshirë.
– Dilni, – tha babai, – blini vezë të freskëta në treg. Do t’i ziejmë e të dalim t’i shesim… – më shikoi e habitur çupa.
– Çfarë u bë, – i them i befasuar.
– Sa është ora? – më shikon. I tregoj.
– Kam dhe ca kohë, – qesh.
– Në ora dymbëdhjetë më fillon mësimi. Më duhet të ik…
– M`i jep vezët, – i them.
– Dhjetë, apo jo? –
-Të gjitha m`i jep! Më shikon e hutuar, më pastaj i vë vezët në një qese e m`i afron. Ia paguaj e ajo me mirënjohje merr të ik.
– A mund të të shoqërojë dhe pak, – e shikoj. Ajo tund kokën, e ngashëryer pse shiti vezët pa humbur shumë kohë. Ecim krah për krah gjatë një pjese të rrugës.
– E do puna, deshëm a s’deshëm, të ngarkohemi kështu dhe në këtë moshë, – thotë e ngutet për në shtëpi, t’i marrë librat e të ikën për në shkollë. Unë e ndoqa me dhembje përderisa më humbi nga fusha e shikimit e në të njëjtën kohë ndieja një shtrëngim të fortë, një ftohtësi në zemër…
Pandërprerë bie shi i imtë. I mbyll sytë. E ik mendjes dhe një herë vogëlushen me shportën prej xunkthi në dorë-në vërtitje qytetit t`i shes vetë e ziera e prapë ndiej shtrëngim në kraharor. I çel sytë, prapë hija i përhihet nga ngarend, ngado – në secilin send shfaqet e vogël, flokë ndritur, më pastaj më ik sysh, humb…
– Ç’u bë me ty Dre`, – më përmend zë i afërt. Ngreh kokën. Ajo qesh.
Është e njëjta çupë, veç këtë herë pa shportën prej xunkthi.
-Të ndihmoi jakia e plakut… vëllai do të jetë shëruar!…
Ajo hesht e hutuar, në kujtim.
– Hë, ç`u bë…
– Askush s` është tjetër që të flisja me të, – qesh ajo prapë.
– Eh, -qesh dhe unë, – s`dihet kurrë kush është e kush s` është, mund të jetë e të mos shihet, mund të shihet e të mos jetë…
-Ai plaku nuk qe i padukshëm. Më ndihmoi mua, të mos bredhja qytezës me shportë në dorë të shes ndonjë vezë të zierë… I ndihmoi vëllait, mua dhe mbarë familjes. Kam dalë ndoshta e takoj dhe t’i fale nderohem…
-Ka njerëz bë mirës, ka.
-Falë atyre jeta në këtë botë është kaq e bukur.
-Tashmë ti ndjek shkollën.
-I kam të gjitha notat pese, – buzëqeshi dhe iku buzëqeshjes së vet të ngrohtë.