Cili është kontrabanduesi dhe matrapazi më i madh në LDK!?

0
911

Shkruan: Florim Zeqa, 24.07.2017

Vizita e liderit të AAK-së, njiherit i nominuar i koalicionit PAN për kryeministër të vendit, zotit Ramush Haradinaj në familjen e presidentit historik Ibrahim Rugova, ngjalli reagime dhe emocione të shumta “Pro” dhe “Kontra”.

Ashtu sikurse që dihen motivet e vizitës së z. Haradinaj në familjen Rugova, dihen edhe motivet e mbështetjes dhe kundërshtimet e asaj vizite.
Megjithatë edhe përkundër të gjitha opinioneve hipotetike, i mistershëm mbetet epilogu i asaj vizite, sikurse që të mistershme mbeten edhe deklaratat “Pro” dhe “Kundër” të Teuta Rugovës!

Padyshim, ndër të parët që reaguan ndaj vizitës së Haradinajt në familjen Rugova, ishin ata që pretendonin se ushtrojnë monopol mbi atë familje. Kjo i bie, sipas logjikës së tyre të mjerë, çdo kush që dëshiron të vizitoj familjen Rugova, paraprakisht duhet të merr “vizën” në LDK, gjegjësisht tek organet uzurpuese të LDK-së, “mbrojtëse” të frymës rugoviane.

Nuk ka hipokrizi më të madhe se sa ajo e Isa Mustafës, e humbësit serik të katër palë zgjedhjeve, rrënuesit në themel të frymës rugovioane në LDK dhe manipuluesit më të madh me familjen Rugova, të kritikoj të tjerët për “matrapaz” në menaxhimin e vizitës së Haradinajt në familjen Rugova, respektivisht për kontrabandimin e mundshëm të votës së deputetes, zonjushes Teutë I. Rugova, kur vet është kontrabanduesi më i madh i vullnetit të elektoratit rugovian të LDK-së.

Ky është pak më tepër se standard i dyfisht, kur mirëfilli dihet se askush tjetër më “mirë” se Isa Mustafa nuk e ka luajtur rolin e matrapazit në kontrabandimin e vullnetit të elektoratit të LDK-së pas zgjedhjeve të vitit 2014 e këndej.

E kam thënë edhe herave të tjera, po e përserisë prap, LDK-ja asnjëherë nuk është dëmtuar nga oponentët e saj poltik, as nga fushatat e ndyta siq i quan zërat kritik Isa Mustafa, por është pikërisht pabesia e tij ndaj elektoratit rugovian të LDK-së dhe manipulimi me vullnetin e qytetarëve të vendit që e mbajti në pushtet PDK-në (edhe kur LDK-ja ishte në opozitë) nga viti 2010 e këndej, e katapultoi Hashim Thaçin në postin e presidentit dhe faktorizoi Kadri Veselin në skenën politike…

Kështu vepron vetëm një njeri që shkelë mbi të gjitha vlerat morale dhe etike, duke manipuluar me elektoratin besnik të LDK-së dhe familjen e presidentit Rugova.

Këtë e kam cekur dy vite më parë në një shkrim autorial të datës 31 korrik 2015 me titull; “Loja djallëzore e Isa Mustafës me djalin e presidentit Rugova!”, e që për lexuesit po e shkëpus vetëm një pasus të atij shkrimi; “Pas komprometimit politik që i bëri LDK-së me lidhjen e kurorës qeverisëse me PDK-në, si duket Isa Mustafa ka vendosur të kompremetoj edhe familjen Rugova. Në asnjë rrëthanë politike, përfshirja e djalit të presidentit Rugova në qeverisjen aktuale nuk i bënë nderë familjes Rugova dhe vet Mendimit si djalë i një babai të përgjegjshëm, siq ishte Ibrahim Rugova simbol i lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë”.

Thënë të vërtetën, pas denigrimit moral që Isa Mustafa i bëri LDK-së, deri në përmasat e shkatërrimit me lidhjen e kurorës me kapësit e shtetit, kam pritur një përgjigje tjetër nga familja Rugova ndaj uzurpuesit dhe rrënuesit të LDK-së post-rugoviane.

Kam pritur atë përgjigje që familja e Adem Jasharit i dha Hashim Thaçit, as më pak dhe as më shumë, ta ndëshkojë me të njëjtën masë Isa Mustafën për tradhëtinë që i bëri LDK-së dhe elektoratit të saj, me ç’rast LDK-në nga një parti të besës dhe shpresës shqiptare e shndërroi në të kundërtën e saj-në tradhëtare.

Meqenëse nuk ndodhi ajo që duhej të ndodhte, po vazhdon loja e dyfisht e Isa Mustafës me këtë familje emblematike dhe me të tjerët që tentojnë të vazhdojnë traditën e mirëbesimit në funksion të ndërtimit të institucioneve të shtetit.

Pas humbjes së katërt me radhë të LDK-së në zgjedhje dhe frikës së humbjes së monopolit në parti, Isa Mustafa e ka nuhatur edhe humbjen e monopolit që kishte krijuar mbi familjen Rugova përmes përdorimit dhe lojës djallëzore me familjarët e presidentit Rugova.

Kështu lideri aktual (diktatorial) i LDK-së, duke e vrejtur humbjen e primatit në parti dhe rolin e ndikimit ndaj disa deputetëve të sapozgjedhur për Kuvendin e Republikës së Kosovës nga partia e tij, shpërtheu si zakonisht në rrjetin social (Facebook) në stilin e tij tradicional, me gjuhën e urrejtjes patologjike, presionit dhe shantazhit politik ndaj të zgjedhurëve të popullit.

Postimi i Isa Mustafës në Facebook; “Institucionet e shtetit duhet të ndërtohen, por jo me matrapazë,…do të jetë i mjerë ai shtet, ajo qeveri, ajo parti dhe ajo derë që lejon që dy matrapazë t’ia bëjnë politikat, të kontrabandojnë votat dhe të flasin për rugovizmin dhe rugovistët… “! Kjo s’është gjë tjetër veqse një tendencë e sëmurë e tij, e cila për qëllim ka rehabilitimin e tij personal e jo bërjen e shtetit me instituicione, e aq më pak kthimin e besimit të elektoratit në LDK.

Kështu Isa Mustafa, mjerimin e tij intelektual dhe njerëzor dëshiron ta shpërndaj tek të tjerët, siq tenton të shpërndajë përgjegjësinë për humbjen dhe katandisjen politike të subjektit që ai drejton.

Vërtetë i mjerë është ai shtet dhe ajo qeveri (e Kosovës), e mjerë është ajo parti (LDK) dhe ajo derë (familja Rugova) që e lejojnë edhe më tutje një monstrum politik të luaj me moralin jo vetëm të tyre, por edhe me fatin e qindramijëra qytetarëve të ndershëm të këtij vendi.

Isa Mustafa me nëntokën e tij politike, është duke u munduar që të prolongoj deri në pambarim krijimin e institucioneve të reja të shtetit, deri në krijimin e një optimumi të përshtatshëm politik për përfshirjen e tij në ato instituicione, pavarësisht çmimit që mund të paguaj partia tij dhe qytetarët në të ardhmen.

Karrieristët e sojit të tillë, nuk e kanë objektiv forcimin e shtetit, por marrjen e pushtetit me të gjitha mjetet, qoftë edhe përmes krizave të gjata artificiale në dëm të shtetit dhe qytetarëve.

Përfundimisht, për t’ua ç’jerrë maskat matrapazëve dhe hequr të gjitha dilemat për mundësinë e kontrabandimit të votave të LDK-së, për lexuesit e nderuar, dëshiroj të parashtrojë pyetjen logjike: Cili është kontrabanduesi dhe matrapazi më i madh në LDK!?