Autoportret i avancuar – nga Gjekë MARINAJ

0
1427
Gjekë Marinaj

Gjekë MARINAJ

AUTOPORTRET I AVANCUAR

Marlowe më ka bërë shumë nder me Faustus;
Tani i njoh mirë vlerat e shpirtit, kostot e dijes.
E dalloj më pastër vijën e lakuar të ekuatorit
Dhe njësimin humano-kafshëror të centaurëve.

Segmenti optik i kulturës së vuajtjes,
Zbërthimi i bërthamave të atomit klandestin,
Eksplozivi kimik dhe rezultati i shpërthimit,
Mbeten strategjia ime e mësymjes,
Sistemi mbrojtës nga forca shtytëse e gazeve.

I lodhur nën mbikëqyrjen e paqes vetëm në letër,
E kam ndërtuar veten përtej ngritjes së trupit,
Ujit të bekuar që shtrydhi poetin Philip Sidney
Të belbëzojë: “Thy need is greater than mine”.

Me më pak shkrola e me më shumë të bardhë
Sytë ma shtyjnë botën në të kundërt të logjikës,
Rreth balancës së rrezikshme: dashuri-dhimbje.
Lind dhe perëndoj me diellin e planetit kiçelev
Që të mos trazoj gjurmët e astronomëve në hënë.

Atmosfera ime është një shtresë e hollë jete e vdekje.
Hidrosfera më mbetet tërësia e djersëve dhe gjakut.
Biosfera më nxit neutronet të veprojnë së bashku,
Më ndihmon litosferën; fytyrën që mbroj nga turpi.

I parrëfyer fare para kodeve të errësirës së Kaosit
Urrej nga afër efektet e çdo prelude për pushtim;
Shkatërrimin e njërit si mundësi e qetësisë së tjetrit:
Të më falë Miltoni, por për mua do të ishte më mirë
Të jem shërbëtor në parajsë sesa sundues në ferr.


Purgatori
(Në vend të një balade të shkruar me vonesë)

Ajo qe një lule e freskët
Që priste lejen e mëngjesit për të çelur.
Ai qe i dashuri i saj.
As që donin t’ia dinin se si njëherë
Françeska pat rënë në dashuri sekrete me Paulon.
Pa i lexuar njëri-tjetrit asnjë pjesë nga tregimi
Rreth Lancelotit dhe Guiniverës,
U bënë pjesë e një dashurie të ndaluar.

Ndjenjat e tyre nuk kishin asnjë lidhje
Me dashurinë arturine.
Edhe emocionet e tyre
Shpërthyen nga gryka,
Tek po imagjinonin diçka që shoqëria
Gabimisht do e krahasonte
Me puthjen e parë të Lancelotit dhe Guiniverës.

Ç’rëndësi ka se kush i spiunoi të dashuruarit!
Diçka të bukur dhe të pafajshme
Vranë brenda tyre
Para se të kenë mundësinë
Për t’i kërkuar falje dashurisë.
Madje as Dantja
Nuk hodhi dritë mbi dramën e tyre,
Nuk e trajtoi atë
Si një nga kualitetet e romancës tragjike.

Ndëshkimi i të pafajshmëve
Nuk u sinkronizua me mëkatarët e vërtetë:
Askush nuk doli dëshmitar
Për të shpjeguar vuajtjet
E këtyre shpirtrave të brishtë
Në gjyq me vetveten.
E vërteta, gjoja nuk duhej të dënohej
Sepse zakonet
Nuk duhej të iknin nga simpatizimi.

Njerëzit e injoruan
Rënien e perdeve të zeza
Të teatrove të errët antikë
Që i ndanë ata nga e drejta
Për të gëzuar ligjet më ordinere të natyrës.

Për ta roli i famës dhe i prestigjit
Në jetën humane
E fshiu esencën shenjtërore
Që digjte një qiri mbi fjalën dashuri.

Gati çdo element jetësor reflektoi mbi ta
Një aspekt të dhimbjes së dashurisë
Së shtrydhur gjer në deformim.

Sa për ta
Dantja më mirë ta linte
Të pabotuar “Komedinë Hyjnore”:

Ata do t’ia shtonin edhe një rreth të ri “Purgatorit”.
Qenë aq njerëz
Sa mëkatarët e vërtetë do i rënkonin me keqardhje.


Udhëtim me lundrën e Akeronit

Lumenjtë e mbretërisë së nëntokës,
Pa i ulur zërat për askënd,
Vazhdojnë gurgullimet trishtuese të fjalëve,
Ndërmarrin një vërshim arterial
Në trupin e zverdhur të muzgut.

Mesazhet marrin jetë
Brenda membranës së flluskave,
Sqarojnë për fajtorët
Skicat e skalitura në portalet e ferrit:
Nëse je lindur
Je fajtor
Nëse e lexon këtë mesazh
Je këtu.

Mësohet se delta e lëvizjeve
Mbetet vetëm një lojë mundimesh:
Jeta na qenka
Më parë një frymënxjerrje,
Pastaj një frymëmarrje.

Gjithçka midis tyre
Vetëm një mundësi
Për të kryer mëkate.

Po qëndrimet neutrale,
Bamirësitë në ç’databazë janë regjistruar?
Sipas “skicës” janë shkrirë
Nën llambadarët e trazimeve mendore,
Janë derdhur në kanalet shkumuese
Që la pas lundra e Akeronit,
Në të njëjtët Kallëpe
Ku derdhen monedhat e argjendta
Shkulur nga goja e shpirtrave më të vjetër
Para se të hidhen në “Had”.

Në këtë nën-ajrosje,
S’do mend,
Zagushia fryn hirin e ferrit,
Deklaron natyrën me re
Të të çakërdisurve antikë.

Aty çekani i instiktit obskurantist
Mpreh inatin mbi
Qëllimin e fitimit
Nga udhëtimi me të vdekurit.

Xhudhinjtë projektojnë të ardhmen
E qytetërimit mbitokësor:
Duhet të gjendet një libër
Më i vjetër se Bibla, që e
Përshkruan gjeografinë e qytetërimit të ri
Si një tabaka mbuluar me pluhura bojë hiri.

Aty ferri është
Një pjesë e ekzistencës gjeografike
Që mban mure rrethuese
Për kufizimin e lumit
Të shpirtrave të vdekur.

Ç’mendonte Virgjili
Kur e përshkruante ferrin
Si qyteti i Zotit!

Gdhendja e këtyre portave të detyrueshme
E portretizon atë
Si një vend i shprehjes së hidhërimit,
Pendimit të përjetshëm.

Në këtë vend,
Në këtë jetë
Ferri është e kundërta groteske e parajsës.
Një vend prej të cilit kurrë nuk ka ikje.


Sot u lind Frederik Rreshpja

Sot u lind Frederik Rreshpja. Ose jeta,
Siç e njohim ne, iku me ngut prej tij.
Vetëm vdekja u ul gjer në dhé, që ta
Kuptonte: i hodhi dy çarçafë të zi mbi sytë
Që nuk shikonin veçanërisht diku,
Ia spërkati me errësirë sipërfaqen e tokës
Ku shtrihej, e mori në grykë dhe iku
Duke shikuar mbi supe si hajdutët e
Portreteve të Rembrandit. Vetëm vdekja
Duket se ia njohu vlerat e vërteta poetit.

Ligjet qenë dhe mbetën në libra. Drejtësia
Qe dhe mbeti një interpretim. Mizoritë
Antike qenë dhe mbeten flakadanë triumfi.
Valët e tingujve poetikë nuk reaguan
Në akord me prurjet e perëndimit të fundit.

Metamorfoza e profecisë më në fund e humbi
Kontrollin absolut mbi poetin, mbi epokën
E tij prej burri. Karbonet kristalore nuk
Formuluan teori të reja për interferencën
E hapjes dhe mbylljes së syve të poetit –
Fjongo të zeza qafe lidhur nyje –
Fytyra të frikshme skulpturash, që
Qortojnë të projektuara në muret e Rozafës.

Poetit i pat humbur me kohë harmonia e trupit
Me mendjen. Koordinimi i shpirtit
Me vargun, jo. E gjithë kjo në platformën
Që Luciferi pat projektuar për poetët shqiptarë.

Aventura dhe tirania e mospërfilljes ndaj jetës
Iu bënë aspirimi dhe arritja e qetësisë. Në
Ndërgjegjen e tij kaloi një linjë e pashpjegueshme
Intelekti: evoluimi i shpirtit të vet dhe i të tjerëve.
Për të ditët qenë të paoperueshme. Ato qenë
Dobësitë e brendshme të njeriut të rinovuar.

Vetëm sot, në qelitë e frymë-nxënies, mushkëritë iu
Kthyen në lundra me vela të ngrira drejt njohjes.


Me Nerudën pranë Atlantikut

Sa herë që jep shpirt një poet diçka vdes brenda meje.
Me Nerudën iu drejtova Atlantikut.
Zbukuruar me sytë e dragoit më të kaltër,
Me mençurinë më të sofistikuar,
Me krahë-hapjen më të gjerë,
Me seriozitetin më sublim,
Me kujtimet më frymëzuese të shënuara në dallgë
Atlantiku shfletoi pa pra fletët diellore të bregut,
Dhe lirikat e dashurisë së Nerudës.

U ulëm këmbëkryq dhe u ngritëm prapë.
Sy më sy me pafundësinë e tij vezulluese,
Unë buzëvarur murmuris diç në shqip,
Ai i ngrysur bëlbëzon diçka në oqeanisht,
Në çast, dallgët u përplasën më të matura,
Fotografuan portretin e poetit në kopertinë.

U sollën me më sumë delikatesë rreth meje
Tek ia arkivuan sytë në molekulat më sekrete oqeanike.
Si shishe të sapohapura shampanje në rrotullim
Dallgët nxorën shkumë të bardhë nga gryka.

Të bukurat e detit vallëzuan rreth vargjeve të poetit.
Një vals të vjetër huazuar nga magjistaret greke,
Nën muzikën që Mozarti pat kompozuar fshehurazi,
Si himn mirëseardhje për artistët e vërtetë në parajsë,
Për Neftali Ricardo Reyes Basoalto që edhe
Atlantiku e pranoi si më të gjerë e më të thellë se vetja.

11 Maj 2009