Astiri, zona e re ngritur mbi gërmadha të vjetra

0
2776

Dionis Xhafa

Zona e Astirit në kryeqytet tashmë është bërë e njohur. Për ata që nuk e dinë se ku ndodhet orientimi është i thjeshtë: Nëse gjendesh në qendër të Tiranës, merr rrugën për të “Pallati me Shigjeta”, ecën pak më tutje dhe se pa mbërritur te Dogana, gjendet zona e Astirit.

Nëse kurrë nuk e ke parë këtë zonë, e sigurt është se do të habitesh disi me pallatet e mëdha shumë katësh, ndërtuar në një vend, që dikur ka pasur hiç më shumë sesa disa fusha të lëna ashtu djerrë. Në fakt, kjo është sot një zonë përplot me jetë. Kanë ardhur këtu për të banuar njerëz nga e mbarë Shqipëria, nga veriu në jug e se madje edhe nga emigrimi kanë ardhur disa syresh.

Në këtë vend ka një kontradiksion të madh. Kemi popullatë shumë të madhe, të vendosur këtu në një kohë kaq të shpejtë. E, unë mendoj se ka dy anë ky lloj kontradiksioni.

E para, jeta këtu është e lumtur disi, krahasimisht me zona të tjera të kryeqytetit dhe të mbarë vendit.
E dyta është se duke qenë se në zonën e Astirit janë mbledhur tok për të jetuar edhe njerëz të mirë, edhe njerëz të dyshimtë, ndoshta ka dhe kriminelë të liruar, bën që moraliteti më e pakta të mos jetë në kushte të përsosura. Por se sidoqoftë, me aq sa e kam vizituar zonën, është një popullatë në përgjithësi e qetë.

“Jetë e re”, gërmadha të vjetra

Panorama e përgjithshme, së paku në dukje ngjan e qetë, ambient i këndshëm, me banesa disi të pastra dhe lokale të mbushura përplot njerëz, në të shumtën e herëve. Mund ta quash një “lindje të një jetë të re” me një mjedis të ri, njerëz që kurrë s’i ke parë në jetë e në këtë vend ka lokale me zbukurime që shkojnë për nga moderniteti.

Në këtë “jetë të re”, siç edhe e përmenda nuk mund të përjashtohen edhe fenomenet negative, ku hyn imoraliteti shoqëror, cigarja, droga, alkooli, bixhozi etj. Mendoj se kjo vjen edhe për shkak se në zonën e Astirit është kopjuar Perëndimi, të cilin gjithnjë e marrim si model, duke e besuar qorrazi e duke mos ia parë dot anën e errët, fatkeqësisht.

Sidoqoftë, të pirit kafe në zonën e Astirit është kënaqësi, si në flladin e orëve të para të mëngjesit, ashtu edhe mbrëmjeve të freskëta. Por për të kuptuar se kjo “jetë e re” në Astir është ngritur mbi gërmadha, mjafton që të shkojmë pak më tutje. Aty ka llucë, ka shtëpi me tulla, që një kat e kanë të përfunduar e tjetrin të lënë përgjysmë. Aty ka edhe varfëri, rrugë të pashtruara, anë të errëta të Shqipërisë së vërtetë që shpesh herë di të mashtrojë bukur.