ZHVILLIMI I GJUHËSISË SË TEKSTIT NË HAPËSIRËN SHQIPFOLËSE

0
2425
Zymer Mehani - bibliotekë

Shkruan prof. Zymer Mehani

Në hapësirën shqipfolëse, studimet në gjuhësinë e tekstit kanë filluar në fund të viteve ’90. Botimet e para në këtë fushë të re për gjuhësinë shqiptare, kanë qenë ashtu sikurse dhe pritet, në kuadrin e paraqitje së kësaj disipline përpara studiuesve shqiptarë. “E futur rishtazi në kurrikulën e studimeve universitare, dhe botimi i parë në këtë fushë mund të konsiderohet

“Gjuhësi teksti”, botim i vitit 1999, me dy bashkautorë: Klodeta Dibra dhe Nonda Varfi. Vetë specifika e këtij botimi, i konceptuar nga autorët “në përputhje me programin e kësaj lënde në universitet” për t’u shërbyer “studentëve dhe specialistëve të gjuhës” ka përcaktuar dhe strukturën e këtij teksti, si një tekst hyrës në këtë disiplinë gjuhësore.”

44 Autorët kanë bërë një paraqitje kronologjike të kuadrit historik të lindjes së gjuhësisë, duke i dhënë një vend të veçantë trajtimit të konceptit ‘tekst’, për të cilin, ndër qasjet e ndryshme dhe përkufizimet e ndryshme të konceptit tekst,ata janë ndikuar kryesisht nga autorët francezë.

Ndërsa në trajtimin e kategorive të ndryshme në lidhje me tekstin, një vend të veçantë autorët i kanë kushtuar qasjes procedurale të De Beaugrande/Dressler-it dhe progresionit tematik. Duhet thënë se duke qenë një libër i bazuar kryesisht në trajtimin e dukurive gjuhësore brenda tekstit, në gjuhë të tjera, autorët janë përpjekur të japin përkatësit e tyre në gjuhën shqipe, pa hyrë në analiza më të thella, për të përcaktuar nëse dhe në gjuhën shqipe këto elemente kanë të njëjtat funksione, si në gjuhët e tjera. Ndarja tipologjike e teksteve dhe karakteristikat e tyre, e bazuar në shembuj të shqipes, është një pjesë e rëndësishme e këtij teksti universitar.

“Një botim i dytë, i vitit 2004, është teksti i botuar në Prishtinë, nga studiuesi Hasan Mujaj, me titull “Gjuhësia e tekstit”, një tekst ky i ndikuar kryesisht nga autorët gjermanë, dhe i fokusuar në marrëdhëniet e gjuhësisë së tekstit me disiplinat jashtëgjuhësore, të cilat janë konsideruar më se të nevojshme për të parë funksionin e gjerë të gjuhës.”

Nën ndikimin e autorëve gjermanë të gjuhësisë së tekstit, vjen në vitin 2005 dhe botimi i Arbër Çelikut “Koherenca tekstore-hyrje në konceptet bazë të gjuhësisë së tekstit nëpërmjet një qasjeje krahasuese të shqipes me gjermanishten”.

Ky libër është konsideruar “një libër i rëndësishëm sepse jep një paraqitje të vlefshme, jo vetëm për studentët, por edhe për një kategori më të specializuar lexuesish si: asistentë e pedagogë, si dhe specialistë të gjuhës shqipe e të gjuhëve të huaja ”

46. Ashtu si dhe në tekstet e mëparshme, autori ka dhënë një paraqitje të drejtimeve dhe qasjeve kryesore të gjuhësisë së tekstit, koncepteve bazë të koherencës dhe kohezionit, si dhe ka bërë një përpjekje për të dhënë në plan krahasues mjetet e ndërtimit të tekstit në shqip dhe në gjermanisht. Si një risi e këtij teksti është dhe një shtojcë me një listë të lidhëzorëve të tekstit në qasje krahasimtare shqip-gjermanisht, sigurisht pa i analizuar në mënyrë më të plotë.

“Botimi i vitit 2011, “Gjuhësi teksti”, i Tefë Topallit, që sikurse e konsideron vetë autori mund të konsiderohet si “libri i katërt në literaturën tonë gjuhësore që bën objekt studimi tekstin, si kategori ligjërimore” është fokusuar kryesisht në aktin e komunikimit, në tekstet gjuhësore dhe në tipologjitë e teksteve, duke i dhënë një vend të veçantë analizës së tekstit narrativ dhe atij poetik.”

Studime të tjera në gjuhësinë e tekstit janë kryesisht në nivelin përqasës-krahasues, të mjeteve që ndërtojnë tekstin në gjuhë të tjera dhe në gjuhën shqipe, ku elementet e shqipes janë parë kryesisht si format gjegjë se, pa qenë ato objekti kryesor i studimit.

Përfundime mbi zhvillimin e gjuhësisë së tekstit Gjuhësia e tekstit është një disiplinë relativisht e re e gjuhësisë, e zhvilluar së pari në vitet ’60 të shekullit XX.

Mund të thuhet se ajo zuri pozicionin e saj në gjuhësi, si një fushë studimi e veçantë në vitet ’70. Si pararendëse të gjuhësisë së tekstit konsiderohen retorika dhe stilistika, të dyja disiplina që kanë pasur ndikimin e tyre në lindjen dhe zhvillimin e gjuhësisë së tekstit.

“Në fushën e gjuhësisë ka pasur drejtime që janë marrë me nivelin e tekstit, si glosemantika e Hjelmslev-it dhe Tagmemika e Kenneth Pike-ut.

Në zhvillimin e gjuhësisë së tekstit dallohen tri faza të rëndësishme:

1) qasja transfrastike, e cila u përqendrua në mjetet gjuhësore, me anë të të cilave fjalitë krijonin rrjedhë koherente. Hierarkia e njësive të sistemit gjuhësor (fonema, morfema/fjala, fjalia) u zgjerua me njësinë tekst. Synimi i studimeve në këtë periudhë është që të përcaktonin kushtet dhe rregullat për ndërtimin e tekstit.

2) qasja komunikative-pragmatike, në të cilën teksti nuk u pa më si një renditje fjalish të përbëra nga njësi gjuhësore të vogla, por si një tërësi që luan një funksion të caktuar komunikativ. Nën ndikimin e drejtimit pragmatik, në fillim të viteve ’70, gjuhësia e tekstit u largua nga përpjekjet për përshkrimin e strukturës së brendshme të teksteve, dhe u përpoq ta shihte tekstin në procesin dhe situatën komunikuese.

Analiza e funksioneve komunikuese u realizua brenda teorisë së Aktit të të Folurit të Austin-it dhe Searle-it, ku teksti nuk u pa më si fjali të lidhura nga ana gramatikore, por si veprim gjuhësor, me anë të të cilit folësit ose shkruesi përpiqet të ndërtojë një marrëdhënie komunikuese me dëgjuesin ose lexuesin. Në këtë mënyrë, gjuhësia e tekstit e orientuar nga komunikimi u mor me qëllimet të cilave u shërbejnë tekstet në komunikim, duke analizuar në këtë mënyrë, funksionin komunikues të teksteve.

3) qasja kognitive-studimet në shkencat kognitive, ndikuan dhe në studimet për gjuhësinë e tekstit, të cilat filluan të fokusoheshin në proceset kognitive të përpunimit të njohurive, të prodhimit dhe të marrjes së tekstit. Ky orientim i gjuhësisë së tekstit u konsiderua si “ndryshimi kognitiv”

Gjuhësia e tekstit është parë nga njëra anë si një nëndisiplinë gjuhësore brenda gjuhësisë, dhe nga tjetër si një qasje më e gjerë, e cila është përpjekur të trajtojë dhe të zgjidhë të gjitha problemet e gjuhësisë që kanë të bëjnë me tekstin.

Gjuhësia e tekstit është zgjeruar si një fushë studimi ndërdisiplinore, ku janë integruar rezultatet e studimeve në fusha të tjera si ato të teorisë së veprimit apo të shkencave kognitive, për ta studiuar tekstin jo thjesht si produkt, por dhe për të kuptuar procesit e prodhimit dhe të përpunimit të tij. Po ashtu, studimet e bëra në gjuhësinë e tekstit janë përdorur dhe vazhdojnë të përdoren në disiplina të tjera si në didaktikë, në mësimdhënien e gjuhëve të huaja, në analizën e teksteve mediatike etj.

Ashtu sikurse, u theksua më lart, gjuhësia e tekstit merret me aspektet e ndryshme të ndërtimit strukturor dhe funksional të tekstit, me klasifikimin e teksteve, etj, por për këto kategori të gjuhësisë së tekstit, autorët kryesorë të kësaj fushe kanë sjellë përkufizime specifike, shpesh të ndryshme nga njëri-tjetri.

Madje dhe për objektin bazë të studimit të gjuhësisë së tekstit, vetë tekstin, ka një sërë përkufizimesh dhe qasjesh, të cilat do të trajtohen më hollësisht në vijim.