Zadrima, vendlindja ime

0
1224

Kurse Atdheu ynë është qielli, nga presim se vjen si Shëlbues Jezu Krishti Zot”. (Fil. 3, 20)

Disa të dhëna të përgjithshme

Zona e Zadrimës shtrihet në veri të qytetit të Lezhës dhe, sipas historianëve, fillon tek ura “Plak Gjon” poshtë fshatit Mërqi dhe shkon deri në malin e Zadejës.
Sidoqoftë, kufiri verior nuk duhet të jetë kështu, sepse edhe në veri të Vaut të Dejës kemi fshatra deri në Rrenc, si: Spatharin, Ganjollën, Gurin e Zi, Jubanin e të tjerë, që kanë të njëjtat veshje e zakone me Zadrimën.
Mendohet që emri Zadrimë ka ngelur që nga pushtimet sllave të shekullit të XIII˗të: në fakt etimologjia e fjalës Zadrimë vjen nga Za Drina, që përkthehet “Matanë Drinit” ose “Përtej Drinit”.
Në pjesën lindore, Zadrima kufizohet nga male, duke filluar nga mali i Mërqisë, më pas vazhdon me Malungu dhe kulmon me majën më të lartë, Velën, me lartësi 1171 m mbi nivelin e detit. Në pikën më të lartë të malit të Velës, don Antonio Sciarra, misionari i palodhur italian, i cili kushtoi rreth 20 vitet e fundit të jetës kryesisht për rimëkëmbjen e popullit të Zadrimës, vendosi një trupore të Zojës së Bekuar, të cilën e quajti Zoja e Velës.
Ky vargmal i sipërpërmendur vazhdon me Kreshtën deri te Shita e Hajmelit. Në perëndim kufizohet me lumin Drin, por edhe ky kufi nuk duhet të jetë i saktë, sepse edhe në perëndim të Drinit kemi fshatra me veshje e zakone të ngjashme, nga Kukli e deri në Bërdicë.
Si zonë i ka tri format e relievit: malor, kodrinor dhe fushor. Por, për nga sipërfaqja, kryeson relievi fushor, i cili fillon nga lindja rrëzë maleve dhe vazhdon deri në lumin Drin. Por, edhe relievi fushor ka mjaft kodra, duke filluar nga kodra e Rraboshtës, e Kishës dhe e Vezirit në fshatin Piraj. Kodrat vazhdojnë edhe në fshatrat Blinisht, Baqel, Kodhel, Kotërr, Dajç e Dragushë. Kodrat më të larta janë në Kodhel e Dragushë.
Në lidhje me strukturat e tokës, Zadrima ka tri: super˗argjilore, argjilore dhe argjilore˗ranore. Ndërsa toka humusore ka shumë pak.
Tokat super˗argjilore kanë zonat sipër kanalit të ujërave të larta që fillon poshtë fshatit Nënshat e vazhdon deri në Lezhë ku derdhet në lumin Drin. Po këtë strukturë toke kanë edhe kodrat e zonës fushore. Këto toka kanë edhe zall, duke filluar nga Rraboshta e deri në Hajmel. Tokat poshtë kanalit të ujërave të larta në përgjithësi janë toka argjilore deri në afërsi të lumit Drin ku kanë strukturë argjilore˗ranore. Edhe në malet e kësaj zone, përveç masave shkëmbore, toka është super˗argjilore.

Klima

Zona e Zadrimës ka klimë mesdhetare me dimër të butë e verë të thatë. Bora bie shumë rrallë dhe zakonisht ajo zgjat 2 deri në 3 ditë dhe jo më shumë. Reshjet kryesore janë reshje shiu e nganjëherë bie edhe breshër. Ka raste që breshëri bie edhe në stinën e verës dhe shkakton mjaft dëme, sidomos në frutikulturë dhe në bimët e arave. Sasia më e madhe e reshjeve bie në gjysmën e dytë të vjeshtës dhe gjatë dimrit. Pjesa tjetër është në gjysmën e parë të pranverës.
Muaji më i ftohtë është janari, por jo shumë i ftohtë, sepse temperature mesatare nuk bie në 7ºC. Muaji më i ngrohtë është korriku, ku temperatura më e lartë arrin në 40ºC (mesatarisht është 24˗25ºC). Sasia e reshjeve në këtë zonë është më e lartë se mesatarja e Republikës. Sasia mesatare vjetore e reshjeve ndryshon nga 1300 deri në 1800 mm. Zonën e Zadrimës e përshkojnë disa rryma ajrore, por më të shpeshta janë verilindja që njihet me emrin Murlan dhe jugperëndimi që njihet me emrin Shirok. Këto erëra e kanë ardhjen nga gryka e Zadenjës (Murlani) dhe nga gryka e Lezhës (Shiroku).
Këto erëra shpeshherë shndërrohen në stuhi duke shkaktuar edhe dëme. Por ka edhe rryma të tjera ajrore që emërtohen sipas drejtimit nga vijnë. Juglindja emërtohet Velnjake, lindja merr emrin Kreshtane, sepse vjen nga Kreshta. Era që vjen nga veriu emërtohet Shkodrinë dhe veriperëndimi Kuklane (se vjen nga drejtimi i Kuklit).

Ujërat

Për ujërat mund të themi se përmblidhen sintetikisht në 4 grupe:
Burimet (janë më të përhapura), Përrenjtë, Lumenjtë e Kanalet, Rezervuarët.

Vendburimet më të mëdha janë në zonat malore. Nga krojet malore më të mëdhenjtë janë: kroi i Shën Eufemisë në Kallmet (që buron nga Altari i Shenjtërores së Eufemisë dhe përshkon gjithë Kishën që është cak për mijëra shtegtarë nga gjithë Shqipëria pikërisht se ai krua konsiderohet si krua mrekullibërës nga të gjithë besimtarët që e njohin atë vend), në krahun verior të Velës dhe Gurra e Hajmelit në veri të Shitës së Hajmelit. Kjo e fundit, kur ka shumë reshje, turbullohet e në verë shkon drejt tharjes. Sipas studiuesve hidroteknikë, po të pritet shpati, prurjet e tij janë 100 litër/minutë. Vendburimi i Shën Eufemisë, u diskutua në vitin 1978 që t’i rritej kapaciteti prurës i ujit në mënyrë që të furnizonte gjithë Zadrimën me ujë të pishëm, por projekti nuk u zbatua. Fakti që ky projekt për ta bërë Kroin e Shën Eufemisë si ujësjellësin më të madh të Zadrimës nuk u realizua la shumë dyshime dhe krijoi legjenda të ndryshme në popull. E vërteta është se, meqenëse atëherë, shteti totalitar komunist, duke mos pasur aftësitë financiare për të kryer këtë vepër, nxori justifikimin se uji është gëlqeror. Mendohet se edhe punëtorët, duke mos dashur ta përdorin këtë burim mrekullibërës për projektin e sipërpërmendur, në respekt të normave të besimit popullor, lejoi të kalojë ky justifikim duke bërë që uji i Kroit të Bekuar të kufizohet vetëm për fshatin e Kallmetit. Kroi i Shën Eufemisë është një Legjendë e vërtetë, dhe në këtë aspekt mund të konsiderohet si një kapitull më vehte, e në një moment tjetër mund të thellohet e zgjerohet historiku i tij.
Krojet e tjera janë më të vogla e thahen gjatë verës. Zona malore përshkohet nga shumë përrenj duke filluar nga fshati Mërqi e deri në Shitën e Hajmelit. Janë përrenj shumë të rrëmbyeshëm e mjaft të rrezikshëm. Përrenjtë më të mëdhenj janë në zonën e Kallmetit (përroi i Qershisë dhe i Mallojës). Përroi më i rrëmbyeshëm është përroi i Gjatores (lagjja në pjesën jugore të fshatit Kallmet i Madh).
Në perëndim fusha e Zadrimës kufizohet nga lumi Drin, i cili përshkon gjithë zonën nga Vau i Dejës e deri në Lezhë. Në periudhën e vjeshtës dhe të pranverës prurjet e këtij lumi janë të mëdha, saqë shpeshherë del nga shtrati, bllokon kanalet dhe përmbyt fushat.
Lumi tjetër është Gjadri, që fillon nga zona Vig˗Mnelë dhe përshkon gjithë zonën veriore të Zadrimës, derisa derdhet në Drin në fshatin Gjadër. Deri në vitet 1960 ka shkaktuar përmbytje. Në vitet 1960 u ndërtua argjinatura sipër fshatit Naraç, duke i zbutur shpejtësinë, duke i ndalur kështu vrullin e rrëmbyeshëm. Në dimrin e vitit 1963 Gjadri fatkeqësisht theu argjinaturën dhe përmbyti gjithë zonën.
Territori i Zadrimës përshkohet edhe nga 3 kanale të mëdha kulluese:
1) Kanali i ujërave të larta, që fillon nga fshati Nënshat e shkon deri në Lezhë, ku derdhet në Lumin Drin;
2) Kanali poshtë kodrave, që fillon mes fshatrave Kotërr e Dajç dhe derdhet në Dri, poshtë fshatit Rraboshtë;
3) Kanali i zonës fushore, që fillon poshtë fshatit Dajç dhe derdhet në Dri, poshtë fshatit Piraj (te Ura e Shkinës).
Kjo zonë ka edhe 3 rezervuarë: një në Kallmet dhe dy në Fishtë. Më i madhi është rezervuari i Kallmetit me kapacitet vaditës 900 ha.

Gjallesat: bimët dhe kafshët

Në këtë zonë rriten rreth 200 lloje bimësh spontane, ku dominojnë bimë të familjes bishtajore dhe bimë të familjes kompozite (latinisht: Compositae).
Në këtë zonë ka rreth 130 lloje bimësh mjekësore, ndërsa drurët do të mund t’i ndanim në dy grupe, sipas relievit:
1) Drurët e zonës malore, që janë: Dushqet (lisi i butë, qarri e më pak bunga e zezë), Frashëri i Zi, Shkoza, Panja (kjo pothuajse është zhdukur nga prerjet).
2) Drurët e zonës fushore, që janë:
Plepi, Shelgu, Frashëri i Bardhë, Vidhi, Dardha e Egër (në kodra), Mrina e Kuqe (shumë pak), Murrizi njëbërthamësh.
Nga shkurret kryesojnë në zonën e fushës: Ferrmana (me frut të zi, e më pak ajo me frut të kaltër), Mrina e Bardhë, Driza (që në këtë zone njihet me emrin Ferrkuqe).
Në zonën malore nga shkurret, përveç tyre, ka edhe Shqopë, Mare e pak Shkeme.
Në botën e kafshëve nga jo˗rruazorët, dominon për nga numri i llojeve, klasa e kandrrave (insekte).
Tipin e rruazorëve e ndajmë sipas klasave:
˗ Peshqit: Dominojnë krapi, mëlyshi, ngjala e në periudhën e verës edhe qefulli e levreku. Pas viteve 1980 ka shtim të madh të karasit.
˗ Amfibët: prej tyre ka pak lloje dhe janë Bretkosa Ballkanike dhe Thithëlopa e Bretkosa e Gjelbër.
˗ Zvarranikët: me gjymtyrë (Hardhuca e Gjelbër apo Zhapiku dhe Hardhuca e zakonshme); pa gjymtyrë (Gjarpri i ujit, i gardhit, Rrëshaja e Nëpërka apo Skrapthi).
˗ Shpendët këtu janë shtegtarë dhe të përhershëm. Shtegtarë: Dallëndyshja, Lejleku, Pata e Egër, Rosa e Egër; të përhershëm: Skifterët, Sorra, Laraska, Harabeli, Trumcaku, Qyqja, Kukuvajka.
˗ Gjitarët: Grabitqarë (mishngrënës) janë Ujku, Dhelpra, Nusja e Lalës (Bukla), Lundërza (në ujë); Barngrënës: Lepuri i egër, Iriqi dhe Miu.

Në vend të mbylljes: një Falënderim!

Nuk ka gjë më bukur besoj, që në mbyllje të kësaj përmbledhjeje të dhënash mbi Krahinën e Zadrimës, të citoj një tekst biblik, që është një Himn i mrekullueshëm falënderimi ndaj Krijuesit të Gjithësisë. Është ftesa që të gjitha kijesat e Zotit ta falënderojnë Zotin:
“I bekuar je, o Zot, Hyji i etërve tanë, i lavdishëm e tejet i lartësishëm në shekuj! I bekuar emri shenjt i lavdisë sate… I bekuar je, ti që shqyrton humnerat e që rri mbi kerubinë, i lavdishëm e tejet i madhërueshëm në shekuj! I bekuar je në kupën qiellore, i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj! Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj! Bekojeni, o qiej, Zotin, lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj! Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Diell e hënë, bekojeni Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Yjet e qiellit, bekojeni Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Zjarr e vapë, bekojeni Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Acar e vapë, bekojeni Zotin, lëvdojeni e bekojeni në shekuj! Vesë e brymë, bekojeni Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Akull e cegëm, bekojeni Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Breshra e bora, bekojeni Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Net e ditë, bekojeni Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Vetëtima e re, bekojeni Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Toka e bekoftë Zotin, e lëvdoftë dhe e madhëroftë në shekuj! Bekojeni, o male e kodra, Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Dete e lumenj, bekojeni Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Bekojeni, burime, Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra, bekojeni Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Bijtë e njeriut, bekojeni Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Bekoje, o Izrael, Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Shenjtër e të përvuajtur në zemër, bekojeni Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, lëvdojeni e madhërojeni në shekuj! Sepse Ai na shpëtoi nga Nëntoka, na nxori nga pushteti i vdekjes, na liroi nga furra e skuqur, na shpëtoi nga mesi i flakëve! Falënderojeni Zotin, sepse është i mirë, sepse e amshueshme është dashuria e tij! Të gjithë ju që e druani Zotin, bekojeni Hyjin e hyjnive, lëvdojeni e falënderojeni, sepse e amshueshme është dashuria e tij!”. (Danieli 3, 52. 55˗90).

Nikolin Sh. Lëmezhi
Vëllazëria Jeruzalemi i Ri