Xixat e strallit

0
741
X - ilustrim nga Dea Halimi

Ilustrimi nga Dea Halimi

Dea Halimi

Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën X

Dea Halimi
Dea Halimi

I vura penës xinën dhe fillova të shkruaj tregimin për shkronjën X. I afrohesha fundit të librit, pikërisht siç e kisha paraparë; për secilën shkronjë të mësuar të shkruaja një tregim. E pranoj, ndonjëherë nuk isha e kënaqur me ndonjë tregim, por nuk i lejoja vetes ta këpusja rrjedhën. E shkruaja tregimin për tingullin e tridhjetedytë të alfabetit, shumë e kënaqur pse tashmë e kisha ecur pjesën më të madhe të udhës, aspak të lehtë. Më duhej të ecja vetëm dhe pak e t`i ngjitesha kodrës në majë, t`i jepja fund udhëtimit të mrekullueshëm me shtatë zanoret e njëzetenëntë bashkëtingëlloret, të cilat – secila me magjinë e vet, e mbushnin zemrën time me veçantinë dhe sngjyrën e njënjëshme. Shkruaja, e – ja, papritur, dëgjova ca pëshpëritje te dera e dhomës sime.
– Të ikim, ta lëmë të kryej ajo punën e vet, – e njoha zërin e thellë të Shkronjës.
– Jo. Do të hyjmë brenda. Pse morëm mundin të vinim deri këtu, – iu përgjigj Xixëllonja.
Në atë çast dera mori të hapej ngadalë e aty dallova fytyrat e buzëqeshura të Xixëllonjës e të Shkronjës. Secila me ca libra e fletore në duar.
– Pse ngrys fytyrën Dea, – foli njëra.
– Pse nuk na pret me zemër, – tha tjetra.
– Nuk të lajmëruam dhe ashtu – papritur, vendosëm të vinin t`i bënim detyrat bashkë, – folën me një zë.
– Unë ka kohë i kam përfunduar detyrat, – i shikova me habi.
– A nuk ta thash këtë gjë, – i ra me këmbë dyshemesë Xixëllonja.
– Mirë… Nuk ndodhi ndonjë gjë e keqe, – tha pa asnjë brengosje Shkronja. – Mund të luajmë pak!
– Çfarë loje?! Unë po shkruaj!
– Mund të shkruash më vonë. Tash të luajmë pak xixare, – foli prapë Shkronja, – ja i kam sjell dhe gurët e strallit.
– Të nxjerrim xixa pra, – tha Xixëllonja.
– Pse nuk keni pak respekt për tjetrin? Unë veç sa fillova të shkruaj një tregim, – thash unë.
– Ooo, çfarë flet Dea? Lëri tregimet, eja të nxjerrim xixa, shiko sa qejf është… – Përplasi ajo gurin me gur.
– Unë kam marr me vete dhe urorin e gjyshit, – tha Xixëllonja.
– Më duhet të shkruaj, – thash unë preras.
– Ke kohë mjaft të behësh shkrimtare, – ndërhyri Shkronja. – Nuk ke nga t`ia mbash; mamanë shkrimtare, babin shkrimtar. Patjetër do të behësh dhe ti shkrimtare, – tha Xixëllonja.
Nuk më lanë udhë tjetër, veç të pajtohesha me to dhe të luanim lojëra, çfarë na binin në mend. E bëmë dhomën xëc. Nuk shihja të ma fusnin gishtin në sy. Ato qeshnin dhe herë njëra e herë tjetra i binin me uror strallit, të nxirrnin xixa. Xixëllonja ndalej dhe merrte frymë ndonjë herë, ndërsa Shkronja nuk pushonte për asnjë çast. Ajo dhe shkrepte pandërprerë, qeshte dhe herë herë e ngrehte zërin lart e më lart.
Papritur dera e dhomës u hap dhe bashkë me një dizgë të dritës hyri mami.
– Çfarë po ndodhë këtu, ç`është kjo zhurmë, pse e keni bërë dhomën xëc.
– Po luajmë xixare, – tha Xixëllonja, – shih sa shumë xixa nxjerr guri i Shkronjës.
– O… po kjo lojë është e rrezikshme. A nuk të ka thënë gjyshi të bësh kujdes me këtë që bën… Ai ta dha urorin? – tha mami dhe e ndezi dritën.
– Ai nuk ma dha, unë e mora vetë. Më pëlqen të bëj xixa me të.
– Ajo është një lloj shkrepëse. Nuk mund të luash me të, – i hapi dritaret mami, ndërsa Xixëllonja dhe Shkronja morën librat e fletoret.
– Vetëm luanim, – e dëgjova të thotë Shkronja, – ne jemi fëmijë.
– Natyrisht, – ia përkëdheli flokët mami dhe e mbylli dritaren. Ato ikën e unë iu ktheva shkrimit. Bëra përpjekje të shkruaj tregimin për shkronjën X, por nuk rridhte gjithçka siç duhej. Shkrova diçka, por kjo nuk ishte ajo që unë pata në mendje para se të vinin Shkronja dhe Xixëllonja.