VJOSA VURI PIKËN MBI – I –

0
520
Vjosa Osmani

IDRIZ ZEQIRAJ

“Strukturat vendimmarrëse, prej shumë viteve nuk janë provuar me votën zgjedhore të anëtarësisë. Rrjedhimisht, u mungon legjitimiteti i partisë, për marrjen e vendimeve në emër të saj”, – deklaroi nënkryetarja e Kryesisë të LDK-së, Vjosë Osmani, në një televizion të Kosovës.

Realisht, këtë të vërtetë e kemi thënë dhe përsëritur, përtej një dekade, si një absurditet për një parti, që thirret dhe lavdërohet për një demokraci të brendshme të lartë partiake. Por, për të nxitur reagimin e atyre që atakohen, nga kjo e vërtetë e hidhur, duhet të kesh një çik pushtet e pozitë.

Deklarata e Vjosës denoncon të vërtetën e heshtur, të fshehtën publike, e cila ka qenë ndër vite burim i së keqes për LDK-në. Kjo e keqe e madhe, është mbuluar me votën fiktive aklamative. Për një votim të tillë mashtrues, është përgaditur edhe logjistika përkatëse: “Votimi bëhet me votë të fshehtë, por, Kuvendi mund të vendosë edhe ndryshe, pra, me votim të hapur, aklamativ, ngritje dore!” Thënë troç: votim alla komuniste!

“Peshku qëlbet në kokë”, – thotë populli. Dhe, vërtet, anashkalimi i votës së fshehtë, zëvendësimi me atë aklamative, filloi në Kryesinë Qendrore të LDK-së, për t`u shtrirë në Degë, Nëndegë, Aktiva. Dhe, kjo mënyrë votimi u shoqërua me përjashtimin e debatit, mungesën e konkurrencës së ndershme dhe kulmoi me votimin e hapur, aklamativ, duke e braktisur votimin e fshehtë demokratik. Që këtej fillon zbehja e frymës rugoviane, krijimi i klanit brenda Kryesisë, etja për karrierë, që shpie në përçarjen, që kulmon me ndarjen e saj.

Ndryshimi i statutit, dhënia fuqi mbretërore kryetarit, konsolidimi i po atij klani që ndau LDK-në; anashkalimi edhe i Kryesisë, deri ke marrëveshja me PDK-në; shkelja e amanetit të Presidentit Rugova “të mos lejohet ngritja e Hashimit në pozitë, sepse është i rrezikshëm për Kosovën”, fundosi rugovizmin në LDK-e, duke ruajtur vetëm emrin dhe braktisur përmbajtjen.

“Me çfarë kuti matë Dauti”?!

“Është difekt i madh rrëzimi i qeverisë së PAN-it”,- deklaroi anëtari i Kryesisë Skënder Hyseni, duke rënë në kundërshti të hapur me strukturat e partisë, përfshi edhe Kryesinë. Dhe, askush nuk e gjykoi. Përkundrazi, “në vend të kafshimit, e puthën”, duke e bërë sekretar për marrëdhënie të jashtme të LDK-së.

“Mos bërja e koalicion me VV-në, do të ishte gabim historik i LDK-së, – bëri thirrje Vjosë Osmani, përgjatë bisedimeve, pothuaj se, idioteske, për krijimin e qeverisë VV-LDK. Dhe, u bë nami! Krahasoni heshtjen e deklaratës fatale të Skënderit, me atë reale të Vjosës! Dhe, këtu vjen në shprehje ajo pyetja rimore: “Me çfarë kuti matë Dauti”?!

Mocioni i mosbesimit, për vetërrëzim të Qeverisë VV-LDK, është një bllof i madh i LDK-së, përkatësisht, i klanit Mustafa. Bërja e Mocionit për Qeverinë Kurti, fillimisht, fshehurazi Vjosës dhe ndoca të tjerëve në Kryesi, flet për mujëshinë e klanit, nëntokën e tij, flirtet me PAN-in, mbrojtjen e interesave vetjake e grupore klanore. Dhe, kjo, tashmë, është e lexueshme dhe dëmton skajshëm LDK-në.

Lëreni Vjosën në fisnikërinë e saj, merruni me problemin!

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, me klanin e tij, qëllimshëm, merren me Vjosën, gjithnjë në përgaditjen e anëtarësisë dhe të opinionit, për goditjen e saj. “Vjosa po kritikon, po sulmon LDK-në; po kundërshton zbatimin e vendimeve të saj!” “Zonja Osmani ka devijuar nga kursi që mbanë LDK-ja!” E deri ke thirrja për linçim: “Ata që kundërshtojnë vendimet e partisë, s`mund të mbajnë poste drejtuese!” Dhe, këtu kulmon faza e eleminimit politik. Mendje akademikësh, por, veprime e fjalë prapanice!

Qëndrimet e Vjosa Osmanit nuk lidhën me individë të caktuar, por me një klan të stazhionuar, uzurpues të partisë dhe flirtues me PAN-istët, që i lidhë biznesi korruptiv. Për rrjedhojë, klani brenda Kryesisë të LDK-së, është fort i shantazhuar nga Hashimi dhe SHIK-u i tij. Sforcimi i presidentit aksidental, për ta bërë pjesë të Parlamentit NISMA-n dhe AKR, si dhe bërjen e zorshme të Qeverisë Hoti, nëpërmjet organizmave zyrtare, të përzgjedhura nga ai, (Hashimi), janë dëshmi e konspiracionit të pistë Isa-Hashim.

Pikërisht, këtu fillon plani për dështimin e koalicionit fitues! Këtu fillojnë edhe flirtet konspirative të klanit, brenda Kryesisë të LDK-së, me dy partitë të bandës PAN, përkatësisht, AAK dhe NISMA, madje, fshehurazi të partnerit LVV! Dhe, kjo e implikon dhe e vë në krye të fajësisë LDK-në, për prishjen e parathënë të koalicionit jetëshkurtër LVV-LDK. Taktizimet e tilla mashtruese, besëprera dhe skajmërisht të turpshme, nuk i ka njohur kurrë më parë LDK-ja.

“Nuk kanë qenë kundërshtimet ndaj partisë, por, ndaj koalicioneve të gabuara, që fondamentin e kanë pasur në krim e korrupsion. LDK e ka ditur për qëndrimet e mia, para se të më kandidojë për kryeministre”, – deklaron Vjosë Osmani. Më qartë dhe më dinjitetshëm nuk ka si të shpjegohet.

Realisht, Vjosa është mbrotësja më e madhe, më dinjitoze, pikërisht, e LDK-së dhe e elektoratit të saj. Ajo, me guximin intelektual dhe qytetar, edhe pse e vetme, po reziston, për ta mbrojtur LDK-në dhe Kosovën, nga oligarkët, tashmë, uzurpues të të gjithë spektrit partiak politik në Kosovë. Ata janë bashkuar, si kurrë më parë, në mbrojtje të pozitave të tyre partiake, pushtetare dhe biznesore.

Prova dhe fakte të reja dëshmojnë se prishja e koalicionit VV-LDK, Mocioni i mosbesimit, deri tek shkarkimi i Qeverisë Kurti, nuk ishte as taksa dhe as shkarkimi i një ministri. Të gjithë kësaj i priu marrëveshja konspirative Hashimi-Isa, me primatin drejtues dhe realizues presidentin fatal, të kurorëzuar me votat e LDK-së, nën presionin kriminal e rrugaçëror ndaj deputetëve të klanit Mustafa.

Vjosa është prodhim natyral i rugovizmit të dlirë, parimor, stoik e konsekuent. Nëse 165 mijë votat e 6 tetorit 2019, ishin të LDK-së, si bartëse e listës zgjedhore, të 64 mijë votat e zgjedhjeve paraprake, ishin të Vjosë Osmanit. Sepse, ajo i fitoi këto vota, duke qenë e listuar me numrin rendor 81! Ndërkohë që votuesit mund t`i shpërndanin tek 99 kandidatët tjerë për deputetë.

Shumësia e votave, besimi i madh ke Vjosa, sikur në gjallje të Rugovës, e shpëtoi LDK-në nga rënia e lirë që kishte, pikërisht, në prag të zgjedhjeve. Në këtë rënie LDK-në e kishte katandisur klani, brenda Kryesisë, në krye me mjeshtrin e kalkulimeve intriguese, Isa Mustafën. Simpatia e anëtarësisë dhe e elektoratit, deri në adhurim, për Vjosë Osmanin dhe brezin e Republikës, reformatorët në perspektivë të LDK-së, i tmerroi klanorët. Angazhimi i rinorëve, me frymëzimin rugovian, shtoi entuziazmin dhe ringjalli shpresën për rimëkëmbjen e LDK-së dhe shpresën për ndryshime në Kosovën tonë.

Vjosë Osmani vendosi të jetë e drejtëpërdrejtë. Ajo nuk preferoi të bëjë diplomaci me anëtarësinë e LDK-së, me votuesit, elektoratin, popullin e Kosovës. Premtimin e dhënë e mbajti, nuk e bëri zhele, si klani i Mustafës. Dhe, vuri pikën mbi “i”, duke denoncuar paligjshmërinë drejtuese në partinë e Rugovës, në partinë e saj LDK-e. Me këtë denoncim zyrtar, risi për të gjithë skenën politike të Kosovës, të cilët e kanë plot gojën demokraci, por, në fakt, e kanë dhjerë atë, pikërisht, me rizgjedhjet partiake aklamative, 99 %-she, siç bënin Stalini, Hitleri, Enveri dhe soji i tyre kriminal e rrugaçërorë.

Njerëzit që duan të vërtetën, më shumë se vetën, jo rrallë sfidohen në jetë. Megjithatë, asnjëherë në jetë nuk i kam bishtënuar sfidës. Në vitet `60-a, duke lënë modestinë me një anë, unë, natyrisht, me shokë, isha i pari që u përballa me pushtetin, me kërkesat që do të shpaloseshin në demonstratat e vitit 1968.

Në Shqipëri, edhe pse isha student dhe mësues i privilegjuar, kundërshtova mungesën e demokracisë, diktaturën e egër staliniste dhe e pësova me humbjen e rinisë burgjeve politike.

Në Kuvendin e 9-të Zgjedhor të LDK-së, duke parë maskaradën zgjedhore, ku u shkelën tri parimet bazë të demokracisë, si: debati i munguar; konkurrenca e përjashtuar dhe votimi i fshehtë demokratik i mohuar, isha kundërshtues i zëshëm i vetëm, me thirrjen e bërë në sallën e Kuvendit: O skllevër të shekullit digjital, këndelluni, mos heshtni, reagoni, kundërshtoni këtë maskaradë zgjedhore të klanit të Isa Mustafës!

Vuajtjen time jetësore, e kam kompensuar me ngushëllimin e madh se e vërteta ka qenë gjithëherë në anën time.

Shpëtimi i LDK-së – legjitimimi i strukturave vendimmarrëse të saj

Andaj, ftoj anëtarësinë e LDK-së, Nëndegët dhe Degët e LDK-së, në Kosovë dhe Mërgatë, deputetët, Këshillin e Përgjithshëm, Kryesinë e LDK-së, ta lënë Vjosën në parimësinë dhe fisnikërinë e saj dhe të merren me problemin e madh, që e ngriti, pikërisht, rugovistja Vjosë: paligjshmërinë drejtuese të LDK-së, strukturat e saj, t`i bëjnë të ligjshme, nëpërmjet kthimit të statutit rugovian: debatit të lirë, konkurrencës së ndershme dhe votës së fshehtë demokratike.

Klani Mustafa e ka mbushur kupën me kohë. Mes mëkateve tjera, e bëri Hashimin president; tërhoqi zvarrë veprimtarën më të shquar për Kosovën në Mërgatë Donikë Gërvallën dhe, së fundi, shkarkon Vjosë Osmanin, kurban të rugovizmit, simbol të parimeve dhe frymës rugoviane.

Megjithatë, klani duhet ta pranojë humbjen. Të reflektojë dhe të bashkëpunojë me brezin e Republikës, reformatorët, për ta organizuar Kuvendin e jashtëzakonshëm Zgjedhor të LDK-së, për ta ligjësuar udhëheqjen e saj, me votën e fshehtë demokratike.

Klanorët aktual, me gjithë prapësitë e bëra, me “leçitjet” rankoviçiane dhe diferencimet millosheviçiane, fituesit e ardhshëm, me votën zgjedhore demokratike, nuk do ta kenë ndjenjën tuaj hakmarrëse. Përkundrazi, me fisnikërinë e tyre, me dashurinë, për LDK-në dhe Kosovën, do të jeni të trajtuar të barabartë, qoftë në procesin zgjedhor, qoftë në udhëheqjen e mëtejmë të partisë. Është në vartësinë tuaj, për të lënë edhe gjurmë pozitive, ashtu siç pranohet merita e udhëheqësit komunist Ramiz Alisë, qasja reale ndaj votës së lirë pluraliste. Shqiptarët harrojnë lehtë të keqen. Ata ia falën Alisë, edhe varjen në litar të bashkëvuajtësit tim, në Burgun e Burrelit, profesorin dhe poetin Avzi Nela, krejt në prag të demokracisë!

Thirrja e kryeparlamentares, Vjosë Osmani, në njerën nga seancat kuvendore të marsit, “ta heqim taksën, por, edhe presidentin, i cili, në konspiracion me Vuçiqin, po rrezikon Kosovën”, ngjalli zemratën e Hashim presidentit. Për tre muaj radhazi presidenti komplotoi kundër saj. Pjesë e këtij komploti u bënë edhe Mustafa me klanin e tij, si pulanë të lagur, në shërbim të Hashimit. Por, të fortë e mujësharë, brenda LDK-së, për të goditur cilindo që guxon të denoncojë pisllëqet e tyre. Klanorët festuan, në një restorant të Podujevës, shkarkimin e simbolit të partisë rugoviane, Vjosë Osmanin! Thonë se “turpi nuk ka mbytë askënd!” Edhe zvarranikët do vazhdojnë të frymojnë.

Anëtarësia e LDK-së, e shpërfillur dhe e poshtëruar, nga uzurpatorët e partisë, pa fije legjitimiteti, është shokuar nga goditja e radhës. Të shantazhuar nga PAN-i dhe SHIK-u i tij, klani brenda Kryesisë të LDK-së, harroi dhe shqëlmoi, të paktën, 6 (gjashtë) premtimet e bëra përgjatë fushatës elektorale. Megjithatë, anëtarësia e LDK-së, por, edhe elektorati i zhgënjyer nga klanorët dhe abstenues në zgjedhje, duhet t`i bashkojnë forcat, për ta ringritur moralin dhe besimin në LDK-në klasike të kryetarit Rugova. E ardhmja u përket qendresëtarëve dhe assesi ikanakëve. LDK-ja ka qenë dhe mbetet e vetmja shtëpi e jona. Ndaj, ta ruajmë familjen tonë të madhe.

Mos harroni porosinë e Presidentit Rugova: “Ne s`kemi njerëz për të humbur”. Aq më pak luftarakën dinjitoze, Vjosë Osmani, e cila, së fundi, trazoi shpirtërat e krimit dhe kriminelëve, madje, pavarësisht përkatësive partiake: “Unë me Albinin, (por edhe me dreqin e të birin), do të luftoj, deri në fund, për çkapjen e shtetit të Kosovës!” Vjosa, tashmë, është dëshmuar për mbajtjen e premtimit, të besës së dhënë. Ndërkohë që Mustafa dhe Hoti thonë se “nuk kemi ardhur në pushtet, për t`i shkarkuar bordet!” Kauza, diametralisht, të kundërta me Vjosën. Dhe, “këtu flen lepuri!” Të tjerat janë zhurmime, për ta kamufluar një të vërtetë fort të hidhur.