Vitin e ardhshëm bëhen 10 vite që nga botimi i librit të parë nga shkrimtari dhe krijuesi i mirëfilltë Fejzë Demiri

0
82
Fejzë Demiri

Eseja e Fejzë Demirit i ngjet poezisë: është lënda personale e përzgjedhur, intimisht e trajtuar, ligjëron, posi në poezi, me zërin e tij, i ndërron kahet e mendimit lirshëm, pa u kufizuar te ndonjë paralajmërim a njoftim paraprak.

Ndryshe nga shumë eseistë të sprovuar, Fejzë Demiri e parapëlqen atë ese që nuk meret me fluturime imagjinative, por që mbështetet në rrënjët e realitetit e të jetës, përjetimit dhe përvojës personale. Madje, ai arrin që subjektin ligjërues, vetveten, ta shndërrojë në realitet të tillë të përvojës, e ku na shfaqen prirjet për ta thurë e ushqyer mendimin, përjetimin. Pikërisht pse ai shkruan me një stil lirik, eseja e tij më shumë anëson kah shkrimi letrar, i ndërthurur me esenë meditative-filozofike.

Janë ese, pse jo, të mirëfilltë, pikërisht, pse shkrimi i tillë kërkon individualitetin, botën personale, profilin personal të meditim-përjetimit, ku shpesh e shpesh ligjëron edhe zemra krahas mendjes. Ai nuk ndien nevojë të futet shumë në abstraksione a në metafora anekdotike, sikundër veprojnë eseistë të rryer, as të jepet pas thurjeve ekzibicioniste të fjalive, ku brenda një thënieje shfaqet një paradoks jetësor a meditativ, e, megjithatë, ai arrin të përzgjedhë aso mjetesh të thjeshta shprehëse e meditative që e zgjojnë kureshtjen dhe lirinë e përsiatjes.

Nuk përdor citate, mbase, kësisoj, eseja referencë ka vetë autorin e mendimin e tij të lirshëm. Eseja e Demirit i ngjet poezisë: është lënda personale e përzgjedhur, intimisht e trajtuar, ligjëron, posi në poezi, me zërin e tij, i ndërron kahet e mendimit lirshëm, pa u kufizuar te ndonjë paralajmërim a njoftim paraprak. Ai është zot i kësaj lënde, sillet ashtu si ai mendon dhe shkruan si ai përjeton, mediton për ta dhuruar edhe porosinë aspak të imponuar.

Dhe lexohet me një frymë, ashtu si lexohet një poezi.
Pikërisht pse eseja kërkon lirinë e vëzhgimit, autori ndjehet i lirë në lëndën që e eseizon dhe për të cilën reflekton.

Prend Buzhala