VËSHTRIM PËR POEZINË E POETIT SAHIT SHALA

0
1172
Zymer Mehani - Sahit Shala, uragan

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Në qiellin poetik të diasporës sonë tanimë është duke shëndritur edhe një emër i dashur për lexuesin shqiptar. Është ky poeti, Sahit Shala, që jeton dhe vepron larg atdheut tonë, në Norvegjinë mike.

Edhe poezia e poetit Sahit Shala përpiqet që t’i “shërojë” plagët e mërgimit. Me vargun e tij të skalitur bukur, poeti Shala bën përpjekje që të “gjallërojë” edhe rënien e dëshmorëve të lirisë dhe të martirëve, t’i veçojë ata edhe përmes vargut, në varre, nëpër pllaka përkujtimore dhe nëpër lapidarë t’ua dërgojë që të gjithëve nga një copëz pavdekshmërie.

Ky krijues letrar me talentin dhe stilin e tij të të shkruarit, vargjet që i kultivon ua nënshtron ligjeve estetike dhe teoriko-letrare, duke u dhënë poezive të veta kështu përmbajtje dhe formë.

Edhe pse mendimi i poetit në ndonjë varg a strofë, por edhe në ndonjë poezi komplete mund të na duket i paqartë dhe i pakuptueshëm, kjo ndodhë jo për farë dobësie, por për shkak sepse poeti këtë e bën me qëllim dhe për arsye të shprehjes së kamufluar, që arrin ta ndërtojë me sukses.

Për poetin Sahit Shala poezia është shprehje e drejtëpërdrejtë dhe ajo është ndërmjetësuese e ngjarjeve shoqërore dhe historike, e krahas kësaj, edhe vetë autori këtu na del organizator i vetëdijes shoqërore dhe arkitekt i shpirtit të njeriut në përgjithësi, e i lexuesit të tij në veçanti.

Në çdo varg dhe në çdo poezi të poetit Sahit Shala hetohet qartë dhe s’mund të fshihet ndikimi vendimtar i faktorit shoqëror, e që kjo i jep formësim poezisë së tij dhe artit poetik.

Mendojmë se bashkë me elementin e pakontestueshëm kohë, poezia e Shalës ngërthen edhe diçka që e tejkalon edhe kohën dhe është e amshueshme, e pikërisht kjo është përjetësia, që e kalon aktualitetin duke mbetur prore aktuale. Është aktualiteti, pra, ai që flet përmes vargjeve të poetit Sahit Shala mbi ndryshimet historike, kombëtare dhe mbarënjerëzore.

Autori Shala jo rrallë kërkon mirëkuptimin mes njerëzish, si virtyt, vëllazërinë kombëtare dhe unitetin kombëtar, pse jo edhe ribashkimin e kombit.

Në vëllimin poetik “Valët e jetës” poeti Sahit Shala ka sjellë shumë motive, si motivin e kurbetit, të atdhedashurisë, të dashurisë intime, motivin e natyrës nëpër stinë të ndryshme etj.

Gjuha që poeti Sahit Shala ka përdorë në poezitë e tij është e pasur, e kulluar, pa ngarkesa krahinore a dialektore dhe kryesisht, për ndërtimin e vargjeve të tij, poeti e ka përdorë gjuhën standarde.

Poezia e këtij autori është e pasur me figuracion poetik, ku dominojnë krahasimi, metafora, hiperbola, por ka edhe figura tjera poetike. Vargjet janë rrokjesh dhe rimash të ndryshme.

Ne poetit Sahit Shala i urojmë suksese të mëtejshme në krijimtarinë e tij letrare, e juve, lexues të dashur, ju urojmë lexim të këndshëm!

Prof. Zymer Mehani, Podujevë, më 14.II.2017


TA NJOHIM POETIN, SAHIT SHALA

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

(Këtë material biografik ma ofroi poeti Sahit Shala gjatë një bisede në fb)

Sahit Shala është një poet dhe autor këngësh i njohur. Është lindur në fshatin Dubovik të komunës së Deçanit. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, pastaj i ka vazhduar mësimet në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Pas mbarimit të shkollës së mesme, ka vazhduar mësimet në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës për një vit, si student në Degën e Gjuhës dhe të Letësisë Angleze, mandej ka vazhduar studimet edhe për tri vite të tjera, në Degën e Gjuhës dhe të Letësisë Shqipe.

Në vitin 1989 ka emigruar në Norvegji, bashkë me familjen e tij. Pas shkuarjes në Norvegji, ka punuar si mësimdhenës në gjuhën shqipe për dhjetë vjet me radhë. Ndërkohë ka studiuar edhe për tri vite të tjera në drejtimin e pedagogjisë pranë (UIA-Universiteti Agder) në Kristiansand. Tani punon si mësimdhënës në gjuhën norvegjeze.

Në vitin 2000 ka botuar përmbledhjen me titull “Lahuta e Kosovës”, kurse në vitin 2015 përmbledhjen me titull “Zëri i shtegtarit”. Në fillim të vitit 2016 ka shkruar përmbledhjen “ Malli e brenga”. Tani në proces të botimit ka përmbledhjen me poezi “Valët e jetës” nga Shtëpia Botuese “PROKULTPRESS” e Prishtinës!
Poeti Sahit Shala jeton dhe vepron në Norvegji.

Zymer Mehani