UJËVARË MAGJIKE E RRËFIMIT POETIK

0
266
Anton Nikë Berisha - Ujëvarë drite në zemër

Remzije J. Zekolli

Anton Nikë Berisha, Ujëvarë drite në zemër. Katërmbëdhjetë pamje të hirit hyjnor të Agneze Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, Tiranë 2009.

Me librin “Ujëvarë drite në zemër” që ia kushton Nënës Tereze, Anton Nikë Berisha sado pak e ka shlyer një borxh moral, si bir i kësaj toke, për bijën më të madhe që kombi shqiptar ia dhuroi njerëzimit, Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze. Shtjellimi i këtij vëllimi poetik është bërë në katërmbëdhjetë pamje të hirit hyjnor të Agneze Gonxhe Bojaxhiut Nënës Tereze, siç i ka pagëzuar autori, dhe një shtojcë kushtuar Papës Gjon Palit II, me rastin e vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1993.

Libri “Ujëvarë drite në zemër”, shpërfaq ujëvarën magjike të rrëfimit poetik; shpreh fuqinë e vargut poetik të Antonit të kryqëzuar me pamje biblike që lexuesi e percepton sipas shijes dhe shpirtit të vet. Të shprehurit lirik të mprehtë shpërfaq portretin engjëllor të Nënës Tereze, e cila është frymëzim i njerëzimit për paqe dhe mirëkuptim. Libri e nxit lexuesin për ndryshime rreth jetës, humanizmit, besimit, veprimit; të jemi sa më afër Hyjit dhe dashurisë së tij. Ja ky është hiri i bijës më të madhe të kombit ton liridashës.

Gjatë leximit të librit “Ujëvarë drite në zemër” më ndodhi një mrekulli: shkrova hiç me shumë e hiq më pak se 22 strofa me nga katër vargje secili, për dashurinë; ky shqiptim i dashurisë më erdhi si vegim i leximit mbresëlënës të këtij vëllimi, i cili më futi në magjinë e krijimit të rrëfimit poetik.

Kujtimet për fëmijërinë në formën poetike

Libri fillon me një hyrje të autorit, ku rrëfehet për frymëzimin e poetit për hartimin e këtij vëllimi, që mund të cilësohet një vepër monumentale në vargje për Nënën Tereze, kësaj gruaje humane, përmes së cilës, bota po na identifikon me virtytin e paqes, flijimit dhe humanizmit; ajo është një personalitet i rrallë shqiptar, që hyri në historinë moderne të botës dhe përfaqësim fisnik i kombit tonë.

Në pamjen e parë të librit shpërfaqen kujtimet fëmijërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze për nënën Drane, vendlindjen, lumin dhe bjeshkët.

Atëherë si sorkadhe mali
kaptoja shpateve të thepisura
e luginave gjelbërore
dhe nga gjiri i bardhë i zanave
pija qumështin magjik
e bëhesha xixëllonjë lozonjare
që synon shprishjen e territ.

(f. 22 – 23)

Nga këto vargje, mësojmë gjakimin e saj për t’u njësuar me bukurinë e natyrës dhe dritën, për t’u bërë një yll që do të ndriçojë përherë.

Kujtimet nga pamja e parë e librit përmbyllen me kthimin te nëna që ushqehet me zjarrin e dashurisë, që i ngjason një ujëvare që përhap dritë në zemrat e të varfërve.

Edhe në pjesën e dytë dhe të tretë të librit, vazhdojnë kujtimet për nënën që e lindi, e rriti dhe e edukoi me dinjitetin më të madh.

Pamja e tretë e librit paraqet një tablo të veçantë të frymëzimit: kujtimin e rrëfimit të nënës Drane që na dërgon në thellësinë e disa nga ngjarjet e rëndësishme të historisë shqiptare.

Fshehtësitë e jetës
nëna Drane m’i zbulonte…
Më rrëfente
për besimin e të Parëve
për Kuvendin e princave të arbëror
mbajtur në kishën e Shën Kollit në Lezhë
ku hiri i Hyjit zbriti në ta
dhe ua përndriti mendjen;
me besën e Zotit i lidhi
Atdheun e shtrenjtë ta mbajnë
si dritën e syve

(f. 27)

Këto vargje shpërfaqin, rrëfimin e nënës për ngjarje të rëndësishme kombëtare që ndryshuan rrjedhën e proceseve historik të fiseve shqiptare të asaj periudhe të cilat u bashkuan për ta luftuar armikun e përbashkët.

Fillimi i veprimit të Nënës Tereze si misionare dhe rolin dhe rëndësinë e lutjes drejtuar Hyjit shprehet në pamjen e pestë.

Lutja është
përligjje e besimit
burim në kthjelltësisë së mendjes
puthje e dritësimit ngashënjyes
që me blerimin e pranverës
ribënë tek unë
çdo gjë:
ajo më jep fuqi
t’i shmang gabimet;
nga zemra t’i heq
lakminë
smirën

(f. 36)

Sipas Nënës Tereze, të lutësh domethënë të jesh më i fortë, të jesh më shumë njeri i mirë, t’i ndihmojmë tjetrit dhe të lëmë vepra të mira pas vetes, pra:

Lutja është vetë jeta
e ngjizur në mua.

Qenësinë e rolit të misionares, Nënës Tereze, e shohim në pamjen e tetë të kësaj vepre poetike, që dëshmon një simbolikë profetike, kuptimore me një lidhshmëri të fisme me Biblën. Flakërim i grishjes së saj, që e receptohet si dritë plot zjarr e ftesës; vallë ku mund të na shpjerë ajo ftesë për atë dritë të zjarrtë, pos te hiri i Hyjit. Dashurinë për Hyjin Nëna Terezë e kishte qysh si e re dhe e pati të tillë gjithë jetën.

Hyji im, Jezu, …
je limfa
që në çdo Kungim
etjen për jetë
ma ringjallë.

(f. 50)

Përmes këtyre vargjeve, pasqyrohet besimi në Hyjin, limfa është lëngu që furnizon trupin me rruaza të bardha, gjatë ritit të Kungimit, është vetë ringjallja për jetën. Këto ndjenja shpirtërore të Nënës, poeti i ka skalitur mjeshtërisht në vargjet e mëposhtme: Zërat e të varfërve e gozhdojë Nënën si e gozhduan dikur kundërshtarët Krishtin.

Grishja e heshtjes së akullt
dimër më shtreson në shpirt
dhe ankthi bredharak
si suvalë deti
klithjet i tundëson
i përplas rrugëve lot-tharë
ku ndërgjegjja e njeriut
ndër ethe kotet

(f.54)

Shprehja metaforike, heshtja e akullt, shpërfaq shqetësimin e Nënën Terezës për të varfrit edhe për njerëzit sëmurë, por edhe për luftërat ku pësojnë njerëzit e pafajshëm.

Në këtë vëllim poetik të Anton Nikë Berishës, vend të rëndësishëm zë edhe Kalkuta, qyteti ku Nëna Tereze pjesën më të madhe të jetës së saj e dëshmoi misionin e shenjtë.

Ndërsa në qytetin e Kalkutës
vapa përcëllon
në zemrat tuaja akullsimi shtresohet
si në majat e Pashtrikut tonë
nëpër ndërrim motesh

(f. 64)

Vargjet: Në zemrat tuaja akullsimi shtresohet si në majat e Pashtrikut tonë, shprehin lidhshmërinë mes vuajtjeve të popullit të Kosovës dhe vuajtjeve të njerëzve të Kalkutës.

Kuptimësia e kujtimeve për nënën Drane

Në pamjen e trembëdhjetë të librit “Ujëvarë drite në zemër”, poeti na rikthen te kujtimet për nënën Drane. Pena e tij përfton peizazhe lirike e biblike të kujtimeve fisnike të Nënës Tereze, portretin dhe këshillat e saj. Gonxhja shpreh falënderimet dhe mirënjohjet më të thella për nënën që i hapi rrugëtimin në humanizëm, që të jetë sa më afër Hyjit dhe njerëzve nevojtarë.

Nënë
shembull i besimit në heshtje
etje jetë e pashuar ….
ti me buzëqeshjen hyjnore
i mbledh dhimbjet e lodhura të secilit
dhe i kthen
në gurë të shpresëdhënës

(f. 75)

Pamja e katërmbëdhjetë e këtij vëllimi poetik i kushtohet Hyjit, krijuesit të botës, para të cilit përulemi dhe lutemi në rrugën e shpëtimit.

Hyji është kërkimi i lirisë
është liria vetë;
është Zëri
që rilind vijimisht
në zërat tanë;
është krua i dëshirave
dhe i ëndrrave
që s’kanë mbarim.

(f. 78)

Libri “Ujëvarë drite në zemër”, përmbyllet me një poezi që poeti ia kushton Papa Gjon Palit II, pas vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1993; Shqipëria sapo kishte hyrë në botën e demokracisë, ku feja para kësaj ngjarje ishte një mollë e ndaluar, ishte vendi i vetëm ateist në botë; misionarët e feve u persekutuar nga sistemi monist dhe diktatorial. Ishte ndaluar e drejta themelore e njeriut, e drejta e besimit. Hyjezimin e vizitës së tij e shohim përmes të shprehurit të menduar e metaforik.

Atëbotë
shikimi të treti kah Pashtriku i lashtë
dhe të grishën klithjet e fëmijëve të Kosovës
ofshamat e pleqve,
vajet e plakave
që e bartin peshën e jetës
si gjarpri nën gur-

(f. 87)

Përfundim

Katërmbëdhjetë pamjet poetike të këtij libri të autorit tonë të mirënjohur, Anton Nikë Berishës, mund t’i përjetosh vetëm duke lexuar me kujdes çdo varg e shprehje librin; “Ujëvarë drite në zemër” nuk është pamje e një lumi apo bjeshke, është pamje fisnike e një kujtimi e gdhendur në letrën e bardhë nga maestro i vargut, janë pamjet e besimit në Hyjin, pamje mirësie, humanizmi, paqeje dhe dashurie mes njerëzve, kudo që ata jetojnë.

Pamje na vijnë si ylbere mahnitës përmes të shprehurit poetik që ndërlidhen me kujtimet e bijës më të madhe që kombi shqiptar pati deri në ditën e sotme, Nënës Tereze.

Libri lexohet me një frymë dhe bëhet njëherit frymëzim fisnik për lexuesin.

[ Kopertina e librit në italisht, Cascata di luce nel cuore – në PDF]