Tokë drenicase

0
599
KS - Drenica

Zymer Mehani

Truall i Drenicës –
Çerdhe shqipesh
Thurur me plumba,
Me bomba,
Me varre…
Me rrënjë ilirike,
Me ngjyra dardane
E zemër bujare
Rrënjët e lirisë i kërkove,
I gjete thellë trupit tënd
Në rrugë e sipër
Drejt fitoresh
Lundër mynxyrës e plojës
Me betim të Adem Jasharit,
Të SANDOKANIT
E të Antigonës
Gatuar në zemrën e popullit,
Në eshtarat e trollit
E në sytë e fëmijëve
Të burrëruar në zjarr të betejave
Edhe pse lodrat fare s’i provuan
Por nga djepi zgjatën duart
Tek armët dhe te flamuri kuq e zi
E në përqafim të çlirimtarëve
Armikut shekullor
Në shtatin tënd,
Drenicë shqiptare
Derdhi hekur e zjarr
Nga qielli e nga toka
Por ti rrufetë i prite
Me gjoksin tënd të çeliktë
Shqiptarisht
Barbarët u shfrynë në ty,
Ku jeta vritej në gur
Në pragjet e shtëpive,
Në mal dhe në kullë
E helmi i barbarit
Shplahej me gjak të heronjve
E lulëkuqet e kësaj toke
I çelën petalet nga besa e dhënë
E flamuri u skuq
Nga gjaku i tyre që rrodhi si gurrë
Andaj ti, Drenicë
U ngrite mes flakësh
E paepur për gjuhë e flamur…
E ti je dashuria ime,
Që nuk zbehet kurrë!…


Për këtë tokë…

Gjyshi im ra
Për këtë tokë
Dhe vëllai këtë tokë
Mbrojti me kokë
Ah, dhe një shok
Për këtë tokë ra
E mua t’mjerit
Një krah m’u tha
Edhe një motër
Mbrojti këtë votër
S’e lejoi hasmin
Këtu t’bëjë lodër
Për këtë tokë
U flijuan shumë
– Në cilin front
Do të vdes unë?!!!


O vëlla, më trego

Si të mos jem i pikëlluar
O vëlla, më trego
Kur shoh e ç’nuk shoh
Në këtë kohë të pakohë
Nëna me përparëse të arnuara
Baballarë me këpucë të grisura
Fëmijë të varfër –
Sy engjujsh të tretur
Duar të shtrira për lëmoshë
Njerëz hipokritë sa të duash
Vjedhës, të korruptuar plot
Ah, ruana prej tyre, o i Madhi Zot!
Si të ndjej gëzim
M’thuaj, vëllai im
Kur fqinjit i mungon buka
Atij tjetrit- barnat
Këtij, këtu i ka humbur shpresa
Ku mbeti nderi dhe besa?!
Pse gjithë kjo e keqe mes nesh
Gjithçka është bërë li e lesh
A ka kush që e merr vesh?!!!


KUR ISHA I VOGËL…

Kur isha i vogël,
Vocërrak, çilimi,
Zili seç ua kisha
Moshatarëve t’mi.

Kishin lodra t’ndryshme,
Topa e gjithçka,
Ne të tjerët s’kishim,
S’ishim si ata.

Ne ishim të varfër,
As libra nuk kishim,
Edhe pse të vegjël,
Mirë këtë punë e dishim.

Kish shumë Lula t’Vocër,
Të Varfra, shumë Lagje,
Kishte dhe Zenela,
Me lotë nëpër faqe.

Njëherë pyeta nënën:
– Pse s’kem bukë të bardhë?!
Ajo m’përqafoi
Me lotë duke qarë:

– Babi është n’kurbet
Dhe ende s’ka ardhë…
Ai diku ka shkuar,
Kurrë s’ke për ta parë!…