Si na shfaqen Vegimet e fundit

0
2833

Nga burime konfidenciale, libri me titull “Vegimet e fundit” (tregime), i autorit shkodran Meritan Spahija, i shkruar në një gegnishte të pastër, ka dalë në finalen e konkursit “Libri më i mirë i vitit“, organizuar nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës. Fituesi do të shpallet në javën e parë të dhjetorit.

Libri me tregime i autorit Meritan Spahija është përzgjedhur ndër 5 më të mirët nga 8.000 libra të botuar në shqip, në fushën e prozës dhe poezisë për vitin 2016. Ky është një vlerësim tjetër i rëndësishëm për autorin në fjalë, pas shkrimit dhe vlerësimit, që bëri gazetarja e Radio Vatikanit për përkthimin e Meritanit në gegnisht të veprës së plotë të Dante Aligerit: KOMEDIA HYJNORE

Më poshtë po japim parathënien e librit të shkruar nga Prof.as.dr. Vinçens MARKU

Prof.as.dr. Vinçens MARKU,
Drejtor i Departamentit të Letërsisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër

Problemi i artistit dhe raporti me produktin e tij, janë thelbi i tematikës së veprës Vegimet e fundit të autorit Meritan Spahija. Vepra është e konceptuar nga ana formale si një trilogji në prozë, në të cilën vegimet e shkrimtarit, në perceptimin e realitetit të brendshëm dhe të jashtëm, janë të pjesëzuar, siç duket, sipas një rendi kronologjik të përjetimit të tyre: Vegimet e para, Përmes vegimeve dhe Vegimet e fundit. Uniteti formal i tyre nuk mbështetet vetëm nga këndvështrimi kronologjik, por mbi të gjitha në evoluimin letrar dhe konceptues të vetë autorit.

Nëse te pjesa e parë kemi në përgjithësi ndonjë luhatje për njohjen e vetes së tij si artist i letrave, te e dyta vetëdija për një gjë të tillë është më e plotë, ndërsa tek e treta pjekuria është më e madhe dhe ndihet thellësisht i shenjtëruar si i tillë. Madje te tregimet e pjesës tretë kemi trilogjinë me tregime Lulet e kumbullës, përbërë nga tregimet: Lulet e kumbullës, Shkarpat dhe Odat, që në unitetin e tyre formal qëndrojnë si një e tërë, sepse trajtojnë një subjekt të vetëm.

Te pjesa e dytë Përmes vegimeve janë vendosur copëza nga prozat tashmë të botuara në veprat e mëparshme, që megjithatë rrinë mirë në tërësinë e veprës, pa cënuar aspak harmoninë e saj. Digresionet e mundshme janë të gjitha funksionale në shtjellimin e temës së përgjithshme dhe të qëndrimit të vetë autorit për botën, e cila kapet pikërisht në pikat më të rëndësishme për njeriun-artist, së pari në identifikimin e dhuntisë, së dyti në trajtimin e temave universale, si dashuria, jeta dhe vdekja. Si rrjedhim, duket e drejtë të themi se uniteti i veprës është siguruar më shumë sesa nga një ndarje e qëllimshme, nga fryma artistike dhe pëmbajtësore e librit.

Realizimi artistik i kësaj vepre është arritur përmes një debati të përhershëm të autorit me shqetësimet e natyrës së tij prej artisti. Në asnjë vend të librit nuk shohim ndonjë kujdesje të tepruar për kuptimshmërinë e produktit të tij nga publiku. Përkundrazi ai, i zënë rob nga frymëzimi mbytës, është kujdesur të hedhë në letër ngacmimin e gjetjes, që në shumë raste janë përjetime, që e bëjnë atë të ndryshëm, të huaj, dhe mosreagues ndaj mjedisit, në të cilin ai jeton.

Këto tregime janë në përgjithësi fryt i përjetimeve rreth një dekade e gjysmë të kohëve të fundit, pra janë mjaft të freskëta. Individi i gjendur i paralizuar në rrjetën e institucioneve të shprishura dhe në një kaos vlerash, ndihet i paaftë të reagojë ndaj tyre. Çon një jetë pasive. Është i paorientuar në rendin e ri shoqëror, i cili në rrugën e tij kalimtare e vendos individin në një situatë absurde dhe të pakuptimtë.

Një gjë e tillë trajtohet përmes tregimit të shkël-qyeshëm Fletët e një ditari të humbun, që është vendosur në fillim të librit. Tregimi fillon me përgatitjen e lexuesit për ditarin e pritshëm, i cili gjehet rastsisht në një rrugë të qytetit dhe zgjon kureshtjen e mprehtë të personazhit-artist, i cili me padurim pret kthimin në shtëpi për ta lexuar dhe për ta shfrytëzuar si lëndë për artin e tij. Pasi e lexon, sheh të udhës të mos ndërhyjë në të, por të na e paraqet ashtu siç është në ato fletë të humbura.

Në ditar autori flet në vetë të parë ashtu si në shumë tregime të tjera. Në këtë tregim rrëfehet duke u nisur nga ai që shkruan (autori i tregimit), pastaj kalohet (përsëri në vetë të parë) tek ai që shkruan ditarin dhe, së fundi, objekti i shkrimit të ditarit, personazhi i çuditshëm që shkon e blen një varr. Drama e identitetit të humbur, preket dhimbshëm, duke filluar nga personazhi i çuditshëm e që përshkon edhe të tjerët (shkruesin e ditarit dhe shkruesin e tregimit), duke na lënë në mëdyshje edhe të vetë tregimtarit:

“Kush asht ky e ç’ka bahet? Çka janë këto fletë? A asht me të vërtetë një ditar? Apo një sajim i rastsishëm. Fort dyshojmë. Kush t’i ketë shkrue këto rreshta? Pse ai i marri që takova, shkonte tue kërkue rrugës? Në atë që, unë, sapo “diçka” gjeta. A thue një i marrë shkruen për një të marrë tjetër? Apo për vetveten? Nuk e di.”

Në këtë tregim, loja mes jetës dhe vdekjes, normales dhe anormales (të cilat këmbejnë rolet në varësi të këndvështrimit, duke lënë të lirë lexuesin, jo vetëm për një qëndrim subjektiv, por edhe për shkak të kësaj, edhe meditativ), apo njeriut dhe “humbjes së identitetit”, na shfaqet tragjikisht me këtë “personazh” të trazuar e që fare mirë mund të jetë secili prej nesh i përfshirë, qoftë edhe pjesërisht, sepse të gjithë vuajmë nga humbja e aftësisë së matjes së vlerave, meqë “vlerë”, për shkak të mungesës së “modelit”, shpesh quhet antivlera dhe mediokriteti, saqë njeriu (i çuditshmi, që në kushte të tjera mund të ishte një njeri krejt tjetër, në pozicionin e tij meritues), vendos të vërë një kapak vlerave të veta të pavlerësuara (për shkak të mungesës së etalonit), mbi të cilin shkruan edhe një epitaf…

“Këtu prehet një llambë e vogël që desht me ndriçue në këtë botë, e cila, e mulueme terrinash, e shuejti atë.”

Beteja e lashtë me të cilën është përballuar njeriu: vlera dhe antivlera, normalja dhe anormalja, jeta dhe vdekja të përziera. Nuk dihet filli i njërës dhe fundi i tjetrës; nuk dihet ku mbaron jeta dhe ku fillon vdekja. Lojë e lashtë tragjikomike dhe gjithashtu edhe e njeriut modern, pa një pikë reference, pa një bosht etik të qëndrueshëm. Individi që ka humbur arsyen e të jetuarit e ndihet i vdekur, sepse atij i është shuar shpresa, i janë shuar motivet, vlerat që mbajnë në jetë ekzistencën e tij. Tronditës është fati i qytetarit që duhet t’i përshtatet këtij realiteti me vlera diametralisht të kundërta. Ai sheh diferencat, por nuk mund ta bëjë përmbysjen që në origjinë e tyre, sepse ajo që për të është një etikë universale e vetërealizimit të tij, tashmë është kthyer në antivlerë, si rrjedhim i gjendjes kaotike, në të cilën i duhet të jetojë.

Tregimet me temë dashurinë japin ndijimin e artistit/letrar në lidhje me personin që ai dashuron. Bëhet një hetim i hollësishëm i ndjenjës së natyrshme për femrën. Ajo, femra, madje jepet si motivi kryesor i poetit për të shkruar, nëse nuk ka se kujt t’i shkruaj ai nuk gjen dot as arsyen për të shkruar. Kjo trajtohet përmes tregimit Kristali i një gote të thyeme, ku autori përpiqet të evokojë kohët e puthjeve të vjedhura. Shoqëritë e pastra e të gëzuara, që japin shkas të lindin ndjenja të fuqishme. Më e ndjeshme bëhet situata, kur pjesëtar i këtyre grupeve është një artist. Pikëpamja estetike e autorit për trajtimin e tematikës së dashurisë është se, të jesh poet i dashurisë, nuk mjafton të jesh artist, por duhet të jesh i dashuruar.

Te tregimi Ndarje autori luan me dhimbjen e thellë të ndarjes dhe e trajton atë të njëkahshme. Nuk marrim vesh se çfarë përjeton gruaja, të cilën dashuron artisti, por ripërjetojmë thellësisht dhimbjen e humbjes që ndien ai. Humbje që vendoset në kohë mes të shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes. Dhimbja brengëlënëse e dashurisë që nuk i përgjigjet njëri kah, ka një ton elegjiak filozofik te ky tregim, i cili për nga ana teknike është mbështetur te përsiatja racionale/irracionale e çastit të ndarjes.

“Ajo çka rreth meje ekzistonte, ngjante me një masë të qullët dhe të rrjedhshme. Unë, në mesin e saj. Pa rrjedhë. Po, veç, sa fillue. Nuk isha i sigurtë se, kur, atë grue, e kisha takue: në të shkuemen, apo në të ardhmen time.”

Përgjithësisht, tek të gjithë tregimet, fjala është vendosur mirë në rrjedhën e ligjërimit të brendshëm, pa krijuar kërcitje formale, emocionale dhe ideore. Ndjenja dhe mendimi, posaçërisht te tregimet me temë dashurinë, ruajnë një harmoni të natyrshme pa pasur dominimin e njërës mbi tjetrin apo anasjelltas.

Trilogjia te tregimeve Lulet e kumbullës, Shkarpat dhe Odat trajton jetën e artistit në mjedisin familjar, i cili si i dënuar i përjetshëm për të vëzhguar çdo gjë që ndodh rreth tij, s’resht së medituari për gjithçka. Në një moshë rinie të pacaktuar i ndodh të takohet me humbjen e njeriut të afërt. Elementi tragjik, që e shoqëron këtë ngjarje është përshkruar si një efekt i ngjarjes tek artisti, i cili ndihet më tepër sesa pjesëmarrja aktive në ngjarje, një perceptues i padukshëm i saj. Edhe këtu si në shumë tregime të tjera, ndodhia jepet si përjetim i artistit dhe jo si një përshkrim i ndodhisë. Institucionet që në përgjithësi janë rregulluese të mbarëvajtjes së jetës së zakonshme, këtu paraqiten si kufizime paralitike të individit të zënë ngushtë nga disa rregulla, të cilat, në vend që të kryejnë rolin e tyre brenda familjes, bëhen pengesë për të.

Tek Odat, riti i pritjes së vizitave, si një detyrim i qytetarit ndaj qytetarit, por që në zbrazëtinë e tij ka humbur funksionin e vet, gjë që e kthen atë në një zakon fosil, ngarkuar me efekte zakonore të pakuptimshme, shihet nga personazhi/artist si një heqje lirie dhe si pengesë. Njeriu artist dallon nga ai i zakonshmi edhe brenda familjes, sepse ai nuk është i zakonshëm për të zakonshmen. Edhe pse dhimbja është e fortë edhe për të, triumfi i dashurisë për jetën dhe të jetuarit intensiv të saj janë më të forta tek artisti, i cili nuk don t’i mungojë dëshmimit për të cilin është i thirrur.

“Dora qё vazhdonte me mbёrthye krahun tim mё tregonte se duhej tё tregoja ma shumё durim e tё pёrballoja vuejtjen, ashtu siç ma kёrkonte detyra. Qysh i vogёl i isha bindё pa diskutim, sikur tё mos ishte vёllai im i madh, por shumё ma tepёr. Mё erdhi ta pёrqafoja e qё shfreja me lot nё supin e tij, ashtu siç bajsha dikur. U mbёshteta nё shpinoren e poltronit tim dhe pёrfundimisht u dorёzova.”

Dhimbjen nuk e sheh si fillimi i një dhimbjeje, por si fillimi i një rifillimi a shprese, e cila do të shkaktojë dëshirën për vazhdimin e rrjedhës së saj duke përjetuar tashmë çastet e tjera të jetës që duhet të gëzohen prej tij.

Siç është shprehur më sipër, mund të themi se tregimet e veprës Vegimet e fundit kanë në qendër të tyre tematikën e njeriut/artist në një botë kaotike dhe paralizuese, e cila e ka kthyer artistin anonim ose i ka dhënë atij tashmë një rol dytësor a diçka më pak. Artisti, i ndier si i marrë peng nga institucionet e botës moderne, kërkon të fitojë lirinë përmes hapësirave të tyre. Tani, ai nuk synon të bëjë zëdhënësin e të tjerëve por vetëm zëdhënësin e vetvetes, duke u marrë me një hetim të thellë të botës së tij dhe duke kërkuar shkaqet e shqetësimeve. Temat e mëdha universale të shpeshrrahura nga artistët shfaqen këtu si një pasojë e ndodhisë sesa si ndodhi në vetvete.