Shumë përkrahje e pak kritika për Jusuf Buxhovin, shkrimtarin dhe historianin e shquar

0
443
Gjergj Kabashi

Nga: Gjergj Kabashi, Revista Drini13 Korrik 2019

Lufta e UÇK-së s’ka qenë e pastër”, – ka thënë shkrimtari dhe historiani i Kosovës, Jusuf Buxhovi… Këtë “papastërti” e ndërlidhë me vrasjen e aktivistëve të LDK, më saktësisht, të 102 prej tyre, siç pretendon ai. Por, shkrimtari e historiani ynë çuditërisht ka harruar t’i përmend edhe të thuash 200 ushtarë të vrarë të UÇK-së, siç është thënë sa e sa herë, edhe ata bij e bija nënash, të vrarë po ashtu pabesisht e në rrethana tepër misterioze. Ai në të vërtetë foli për 92 pjesëtarë të vrarë të UÇK-së.

Krejt çka shkruan Jusuf Buxhovi e lexoj me vëmendje e kurreshtje të shtuar, sidomos shkrimet e tij historike.

Mirëpo, si gazetar që duhet t’i hulumtoj e vërtetoj faktet e dëshmitë, të vërtetat e gjysmëtëvërtetat, akuzat dhe pseudoakuzat, Jusuf Buxhovi i shprehu edhe disa mendime deri diku paushale, të ashpra, tendencioze dhe ende të pavërtetuara. E vërteta është që të gjitha këto krime janë bërë nga pseudoçlirimtarët dhe bastardhët shqipfolës, pra shumë krime e poshtërsi kanë ndodhur për shkak të shtyrjeve me “brryla” dhe tendencave për ta kapur me “thonj” pushtetin, qoftë nga përfaqësuesit e pseudoçlirimtarëve apo të pseudopaqësorëve.

Pseudopaqësorëve u ka takuar edhe vetë Jusuf Buxhovi, që bënte jetë “mbretërore” si gazetar në Gjermani, tashmë si i “dërguar” nga banda e LDK-së, që e “udhëhiqte” Kosovën e paraluftës, në kohën kur “kolegët e tij” vriteshin, rriheshin, gjymtoheshin, duke mos e pasë as bukën e mjaftueshme në Kosovë.

E vërteta është që UÇK-ja dhe masa e madhe e LDK-së, nuk kanë bërë krime ndaj të vetëve. Krime kanë frymëzuar e bërë vetëm ata që janë identifikuar së tepërmi me UÇK-në “si çlirimtarë të vendit” dhe me LDK-në, si “parti institucionaliste”.

Ekzekutimet e njerëzve të pafajshëm janë bërë nga mercenarët e shtytur prej tyre, i nderuari Jusuf Buxhovi, e jo nga dikush tjetër.

* * *
Në të vërtetë ky shkrim filloi si një status i shkurtër në FB, status që fillimisht është bazuar në një një informatë të pjesëshme nga biseda e Jusuf Buxhovit në KTV, ku “Bota sot” e thekson deklaratën e tij, duke e shkëputur nga konteksti i bisedës së plotë të tij! Diçka e papritur nga shumëkush, kur dihet se Buxhovi ka qenë kuadër i njohur i LDK-së, politikën e së cilës e përkrah me decenie “Bota sot”. Tash sikur i përkrah ata që i kritikon Buxhovi: “bandat” e Llapit”, “Gjilanit” dhe të “Dukagjinit”, që vijnë nga tri “feudet” e LDK-së, sipas Buxhovit!

Bisedën e plotë të Jusuf Buxhovit me Adriatik Kelmendin në KTV e ndëgjova mbrëmë me vëmendje pas kritikave me vend të disa miqëve të mi, se nuk e kisha informatën e plotë për atë që e kishte thënë Buxhovi në intervistë. Pas dëgjimit të vëmendshëm të asaj interviste mund të them se pajtohem me shumicën e të dhënave që i ofroi ai në debat, qoftë për luftën politike me metoda brutale në Kosovë, të udhëhequr kryesisht nga Hashim Thaçi, apo qoftë për mbikqyrjen e LDK-së e VV-së nga strukturat e infiltruara të PDK-së, siç aludon J. Buxhovi. Në këtë bisedë, deri diku gjithëpërfshirëse, Jusuf Buxhovi mund të thuhet se e “çmontoi” Hashim Thaçin, duke e paraqitur si një figurë perverse politike me synime antishqiptare, për shkak të frikës që mund ta ketë nga Dosja që i rëndon në ndërgjegje. Edhe komentet e tij për luftën në Maqedoni dhe degradimin e shqiptarëve në pozitën e një pakice “kombëtare” – religjioze “islamike” atje, e shtjellon hollësisht.

Në fund, personalisht mbetëm pranë kritikës sime se Buxhovi nuk ka të drejtë ta shpjegojë me argumente aq jobinëse çështjen e vrasjeve të shumëta, pa u thelluar në atë se si dhe pse ndodhën ato. Ato kanë ndodhur për shkak se të dyja grupimet, ky i “paqësorëve” të LDK-së dhe ai i “luftëtarëve” në anën tjetër, kanë qenë të manipuluar nga shërbimet sekrete armiqësore, kryesisht të atyre që kanë punuar për Serbinë, të cilët e sollën pothuaj një “luftë civile” në vend pas çlirimit të Kosovës. Këto dy parti që e “sunduan” vendin para e pas luftës, në realitet e “ndanë” me njëra-tjetrën ish-shërbimin sekret të Kosovës, që ishte pjesë e UDB-së jugosllave vite më herët, për të cilën Jusuf Buxhovi është akuzuar për bashkëpunim nga të burgosurit politikë të kohës.

Sherret, intrigat dhe provokimet e atyre degëzimeve ish-UDB-ashe u bartën “në popull” dhe tek “partitë politike” me gjithë fërkimet e ngacmimet ndërshqiptare të së kaluarës, duke forcuar qëllimisht kauza antishqiptare të fanatizmit partiak. Nuk qëndron as etiketa për SHIK-un si strukturë paramilitare, pasi ajo mund të ketë qenë e tillë vetëm nëse edhe UÇK-ja ishte e tillë. Dhe UÇK nuk ka pasur si të ishte forcë paramilitare, por ushtri çlirimtare, me të gjitha mundësitë e kapacitetet modeste që i kishte. SHIK, ishte shërbim sekret i saj, si çdo shërbim sekret i ushtrive çlirimtare në botë. Njëjtë sikurse ai i LDK-së.

Edhe në rast se programuesit e frymëzuesit e veprimtarisë antishqiptare të mbledhur në shtabet vrastare kanë qenë “në krye” të SHIK-ut apo të PDK-së, prapëseprapë, veprimtaria antishqiptare e vrasësve nuk mund t’i mveshet as UÇK-së e as SHIK-ut, por vetëm kriminelëve të caktuar, që në çdo rast nuk mund të jenë aq shumë sa të identifikohet një strukturë e tillë me krimin.

Qoftë ajo e “çlirimtarëve” apo “paqësorëve” …

Identifikimi i tillë mund të jetë me pasoja dhe shkakton mospajtim e grindje, siç e vërejtëm pas intervistës së Jusuf Buxhovit, ku shpërthyen mjaft kritika me vend e pa vend ndaj disa pjesëve të intervistës së Jusuf Buxhovit, pasi çështjet e vrasjeve janë shumë më komplekse, se sa që provohen të shpjegohen ato, qoftë edhe nga Jusuf Buxhovi, ndaj të cilit shpërthyen kritika përkujtuese për “bëmat” e tij në favor të UDB-së së Kosovës dikur.

Dikush mund të thotë që në bazë të kësaj “LDK” i paska vrarë të vetët”, që nuk mund të jetë aspak e vërtetë, pasi të gjitha këto vrasje të aktivistëve të LDK-së e UÇK-së, janë rrjedhim i fërkimeve të përmendura për mbajtjen “me çdo kusht të pushtetit” dhe tentim marrjes së atij “pushteti me metoda puçiste”. Nuk i ka vrarë LDK “të vetët”, por i ka lënë “në lloq” (baltë) në ndonjë rast, kur ka hi “n’mal pa sakicë”?!…

Këtu nuk duhet përzier as “popull”, as parti politike, as SHIK, as SHILDK; pasi krimet i kanë planifikuar, frymëzuar e bërë vetëm disa kriminelë. Janë shumë të pakët ata sa të futet i gjithë një popull në kurthet e grindjeve dhe në “pyllin e errët” të krimit të tyre.

Pse ata kriminelë nuk u zbuluan as njëzet vjet e më shumë pas luftës?

Sepse nuk don askush: As LDK e “lidhur” nga strukturat e PDK-së, siç verejti me të drejtë Buxhovi, as kjo e fundit (PDK-ja), që synon ta mbajë, po të jetë e mundur, sa më gjatë pushtetin, në mënyrë që të harrohen një herë e përgjithmonë krimet e bëra, qoftë edhe me kusht të vazhdimit të dëmtimit të shtetësisë së Kosovës, siç u veprua deri tash.
Fatkeqësisht…

Jusuf Buxhovi kishte shumë të drejtë për shumëçka që e tha në këtë intervistë, por ai nuk mund të jetë neutral dhe kritika e tij nuk ka mundësi të jetë kritikë objektive, e paanshme, jopartiake, siç i takon të jetë në vlerësime të këtilla të ndjeshme, pasi fatkeqësisht edhe vetë Jusuf Buxhovi është pjesë problemesh që i trashëgojmë, për të cilat ai deri tash nuk foli kurrë. Jusuf Buxhovi jo vetëm që nuk u deklarua asnjëherë për akuzat e panumërta të bazuara apo të pabazuara qofshin ato rreth “punës e angazhimit të tij për UDB-ën”, por nuk ka folur as për probleme të tjera.

Meqenëse e kam njohur nga gazeta Rilindja, ku kemi punuar së bashku pothuaj 20 vite, kuptohet ai me të vetët duke jetuar hypur “n’kalë shale”, e ne të tjerët të munduar rrugëve e rrugicave të Kosovës, mund të them që, së paku në gazetën Rilindja, shkrimtari dhe historiani i madh Jusuf Buxhovi ia ka mbajtur anën krimit dhe kriminelëve ekonomikë, sidomos atij që ka qenë sinonim i këtij krimi, Mehmet Emërllahut, “bashkëpartiakut” të tij “institucionalist” nga LDK-ja, që në atë kohë e mbante “pushtetin paralel”, të ruajtur nga Serbia përpara luftës!

Sidoqoftë, Jusuf Buxhovit duhet t’i njihet merita e deklarimit kaq të hapur në intervistën e tij me Adriatik Kelmendin, pavarësisht asaj se sa ia qëlloj apo nuk ia qëlloj, ndërsa nëse kishte të tillë, që e kërcënuan hapur për deklaratat e tij, që nuk iu pëlqyen, me ta duhat të mirret drejtësia në Kosovë.

Ajo drejtësi që nuk e dëgjuam e pamë të gjallë, që mbi dy decenie në vendin tonë! Ajo drejtësi që nuk merret me hetime as kur dikush pretendon se flet me fakte, duke e cilësuar Jusuf Buxhovin si “operativist të UDB-së”, as kur engjëlli Jusuf Buxhovi flet për vrasjet e aktivistëve të LDK-së.

Gjergj – Bajram Kabashi, ish gazetar dhe zv/Kryeredaktor i gazetës Rilindja në vitet 1998/1999