“Shpresa është fjala, që Zoti e ka shkruar në ballin e çdo njeriu.”

0
428

KRISTAQ TURTULLI

Eh, ç’më shtyve në shungullimën viteve të dikurshme o hije e errët e së djeshmes, me ngricje, skërmitje, kafshim pas veshit, veshur me kostumin laraman të së sotmes.

Dikur im atë thoshte: Nëse të do ose të urren dikush, të dyja janë në favorin tënd. Nëse të do, do jetë përherë në zemrën tënde. Nëse të urren, do jetë përherë në mendjen tënde. Pastaj trishtimi është si; fruti të cilin Zoti nuk e vendos mbi degë që janë të brishta për ta mbajtur.”

Këto thënie të tim ati mendoja dhe kujtimet e pakëndshme, u zgjuan, erdhën lodhshëm në mendje, ngaqë ngricjen, skërmitjet, lëndimet e dikurshme i kisha flakur prej kohësh në honin e harresës, me dëshirë dhe shpresë mos përsëriteshin më. Me pandehmën se kohët dhe mendësitë ndryshuan, me ardhjen e demokracisë.

Ne morëm rrugët e kurbetit, ramë në kontakt me perëndimin zhvillimin, kujtuam se u ndryshuam, u fisnikëruam. Askush s’do marrë mundimin të zgjojë ndodhitë dhe momentet që dikur kanë lanë shije të keqe dhe vlagë në shpirt, siç ndodhi në moshën time më të bukur, të brishtë, plot ëndrra dhe impulse rinore. Por që shpesh here dhe qëllimshëm të bëjnë pre e hijeve. Të ndjekin ngado, të shtrëngojnë fytin, të mbajnë frymën. Për hije të holla, të lëvizshme më folën dikur prindërit e mi kur na përgjonin nën dritare lakenjtë e rrezikshëm të sigurimit. Atëherë të gjithëve na mundonte dhe na mbante të mbërthyer ankthi, pasiguria.

Reagimi jo dashamirës por i qëllimshëm ndaj analizës profesionale dhe me përgjegjësi intelektuale të shkrimtarit, kritikut, analistit, botuesit të Prokult Press, zotit Fatmir Halimi Prishtinë , Kosovë, për Sagën time të madhe Shqiptare: ZËRAVE DHE ZHURMAVE. Instinktivisht dhe kundër dëshirës sime më erdhën në mëndje dallgët e tërbuara, Hijet që u turren drejt meje këtu e 40 vjet më parë, kur mediokriteti, smira, dashakeqësia fanatizmi dhe provincializmi u ngritën me tërbim, shungulluan, të më kallkanosnin, lëndonin, plagosnin, të linin gjurmë të thella më memorie, dhembje në zemër. Ika i rënduar nga pesha e gurëve dhe era e rëndë e kërqellës. Eca gjatë në rrugicat që të çonin në kodrat e qytetit, për mbushur me frymë, gjetur pakëz ajër të freskët, por ngado ishte ndehur të zinte frymën hijerënda merimangë…

Por ja që reagimi i qëllimshëm ndaj shkrimit të nderuarit shkrimtarit, analistit Fatmir Halimi, kundër dëshirës më kujtoi hijet dhe ndodhinë e ulët plot vrer, hidhësi, smirëzi, dashakeqësi denigrues dhe, fanatizmin e shëmtuar 40 vjet të shkuara:

Ishte viti 1980. “Për të krijuar të ardhmen, nuk ka asgjë më të mirë se sa një ëndërr.” Më thoshte shpesh nëna ime. Ndaj prisja me ankth përgjigje për librin me tregime e novela dërguar një vit më parë në shtëpinë botuese: ‘Naim Frashëri’.

Kur po humbisja shpresat P, Zoto më vë në dijeni se pritej të vinin në Korçë disa nga drejtuesit e shtëpisë botuese dhe shtoi me fshehtësi: Vijnë për ty, për librin tënd n’drejtori Ismet Cipaj, përgjegjësi i redaksisë të tregimit Sami Çabej dhe redaktorja Tatjana Haxhimihali.

U befasova! Kjo shpurë e rëndësishme vinte për mua, për një djalë të ri të panjohur, të diskutonin librin tim së bashku me degën e lidhjes së shkrimtarëve, Korçë. Takimi do zhvillohej në katin e dytë të pallatit të kulturës.

‘Hej kokë, s’ka bërë vaki të zbresin në provincë të mëdhenjtë botues,’ më tha një miku im dhe shtoi: “Qeshu de, e qeshura është Dielli që dëbon dimrin dhe mendimet e këqija nga fytyra e njeriut”.

S’i ktheva përgjigje. Seç më mundonte parandjenja dhe kisha të drejtë. Salla u mbush me anëtarë dhe kandidatë të degës së lidhjes, shumë prej tyre burra të vjetër me thinjë, Sa herë i ndeshja në rrugë, i përshëndetja me respekt dhe admirim.
Por për habinë time këta krijues me thinja, pa parë nga unë dhe me ton të rëndë, filluan të hidhnin gurrë e shkëmbinj mbi krijimet e mia. Aq sa n’drejtori Cipaj u detyrua të thoshte:
‘Prisni, shpenzuam që erdhëm këtu. Menduam ky djalë është i talentuar dhe libri është premtues.’

P. Zoto mbështeti mendimin e n’drejtorit Cipaj, por tashmë e kishte marrë ferra uratën, dega e lidhjes i dinte mirë këto punë. Redaktorja Tatjana Haxhimihali zë lodhur, u detyrua të bënte analizë ndryshe nga ajo që kishte përgatitur për botimin e librit.
G, Miçinoti më pëshpëriti në vesh:

‘Të kisha librin tënd do ndjehesha krenar, por fajin ta ka biografia. Tirana s’të njeh kush je, këta të njohin dhemb e dhëmballë, po të duan të nxijnë. Murxhot s’mund të flasin në sy për biografinë, je i deklasuar, borgjez, ndaj përdorin hilenë vjetër, pabesinë, hedhin në shportë një vepër të mirë për moshën që ke’.

Shtrëngova grushtet, doja të bërtisja, munda; Çfarë biografi, kur familja ime ka luftuar për Komb e Shqipëri, ka bërë bamirësi sa askush tjetër në Shqipëri e Ballkan. Ka nxjerrë figura të shquara si Mihal Turtulli, përfaqësues i Paqes në Paris, ministër i Punëve botore në qeverinë e Sulejman Delvinës. Thoma Turtullin, bamirësin më të madh Ballkanik, që i ndertoi dhe i dhuroi Korçës vepra të rëndësishme si: Bibliotekën, Liceun e famshëm, Spitalin, Mitropolinë, Shtëpinë e jetimores e plot bamirësi të tjera. Gjyshja ime Dhoksi Turtulli patriote e madhe, luftoi me pushkë në dorë krah përkrah komitëve dhe mjekonte bijtë e plagosur. im atë Petraq Turtulli qysh në moshë të re, 16 vjeçare luftoi krah për krah me Themistokli Germenjit, Xhaxhai im Llambi Turtulli tenor i fashëm, këndoi në teatrot më të mëdha të botës: La Skala, Paris, Berlin Boston… Eh, sa para bënte, kush dëgjonte, rreth e qark kishte akullsi, shurdhëri, poshtërsi.

Njerëzit kanë maninë të lumturohen me vuajtjen e tjetrit!
Dërgata e shtëpisë botuese iku, pa më përshëndetur, me mendimin ndryshe nga ajo që erdhën. Dera e madhe e shtëpisë botuese u bë më e vogël se një vrimë gjilpëre, derisa u mbyll. Por nuk qe e panjohur, edhe më parë kur botoja poezi e tregime shkonin me ngut hafijet e partisë lajmëronin botuesit për biografinë borgjeze, dera përplasej përpara syve të mi. Më kot shpresova që më në fund plasi e liga sajë talentit tim, por e liga gjithnjë është mes nesh dhe nuk plas kurrë. Hijet e përthyera, të deformuar, të holluar, u zbythën, u fërkuan me nxitim mbas mureve të qytetit, si ti shtynin ose të hynin në të.

Hijet nuk ndiqen, nuk shtypen, por injorohen, përbuzen, duke u afruar dritën, shpresën. Hijet gjithnjë kanë qenë pjesë e pandarë e gjallesave. Por natën ato marrin përmasa të frikshme, mbasi janë në marrëveshje të përhershme me terrin. Ngrita sytë lart në qiellin e rënduar nga retë e plumbta, nuk kishte më hënë aty lart edhe pse dikur ishte tmerrësisht e hollë si një kosore e vjetër e varur në çengel. Pemët shushurinin, gurët ishin lyer me zift dhe muret ofshanin.

Kur më pa nëna ashtu të dërmuar shpirtërisht më tha:
Shpresa është fjala, që Zoti e ka shkruar në ballin e çdo njeriu.