SHENIM: “Peshku i madh” ndërkohë është në rrjetë

0
446

TemA

Në dritën e fakteve të reja që shtypi po nxjerr rreth ish- kryeprokurorit Adriatik Llalla, po anashkalohet fakti që lidh përgjegjësinë e tij si kryeprokuror, me ndalimin dhe lirimin e pronarit të “Arbi Garden”, i cili është ndërkohë i shpallur në kërkim për 613 kilogramë kokainë.

Edhe pse shumë detaje të çështjes nuk janë bërë publike, një gazetar që ndjek raportimet nga Prokuroria, Flamur Vezaj, detajoi se “mesditën e 22 dhjetorit 2015 pranë Kryesekretarisë së Prokurorisë për Krime të Rënda, Policia e Shtetit sjell një material referues për shtetasin Arbër Çekaj, pronar i kompanisë që importonte nga vendet e Amerikës latine banana.

Në material ndër të tjera thuhej ‘se ne port është kapur një kontenier me banane brenda të cilit po me dysheme të modifikuar u gjetën 90 kilogramë kokainë dhe se kontenieri po vinte në Shqipëri për llogari të kompanisë së A.Çekajt’.

Ky material u regjistrua në Prokurori me numër protokolli 12041 dhe 12041/1 për rastin në fjalë.”

Ky fakt dhe zhvillimet e mëpasme që e lanë të lirë biznesmenin e rikapur tashmë me kokainë, implikon ish- kryeprokurorin e Përgjithshëm dhe ish- prokurorin e çështjes.

Por për ironi të fatit, Besim Hajdarmataj, i cili ka qenë atëhere prokuror i kësaj çështje, të mbyllur në mënyrë të dyshimtë, është sërisht prokuror i çështjes, i të njëjtit autor recidivist.

Tani ai ka urdhëruar arrestimin e tij dhe hetimet intensive po vazhdojnë.

Ky është rasti që më shumë “pendito” se sa kriminelët, tek ne duhet të bëhen prokurorët.

Qëndrimi i ndryshëm i të njëjtit prokuror, ndaj të njëjtit grup trafikantësh kokaine, në distancën e dy viteve, tregon, ose që në rastin e parë prokurori i çështjes ka qenë nën presion nga kryeprokurori, ose minimumi është bashkëfajtor më te.

Por fakti që në rastin e dytë ai po vepron, do të thotë që ka më shumë gjasa që ai të ketë qenë i penguar ta bëjë këtë gjë nga kryeprokurori, për shkak edhe të fuqisë ligjore që ka pasur kryeprokurori për të pushuar çështje, ose për të rekomanduar arkivimin e tyre.

Kjo e kthen kryeprokurorin Llalla në “Peshkun e madh” dhe që e lidh atë me rrjetin më të madh të trafikut të kokainës në vend.

Biles faktet e tjera që po publikojmë për të, prona të pafundme të blera lirë e shitur shtrenjtë me nxitim, janë të gjitha në funksion të mbulimit të gjurmëve të parave që nuk vijnë nga fitime normale.

Edhe pse kemi një muaj që bëjmë humor me “Peshkun e madh”, ky në fakt është realisht një rast që kërkon hetim për kryeprokurorin dhe raporti që ai ka pasur me prokurorin e çështjes në rastin e kokainës më 2015, për të kuptuar se kush ishin garantët e trafikantëve të kokainës në drejtësinë shqiptare.