SALI BASHOTA DHE PËRKUSHTIMI SHPIRTËROR E KRIJUES

0
869
Dr. Sali Bashota

Dr. Sali Bashota

(Fragmente nga një studim më i plotë)

Shkruan: Xhemail Peci

Në vend të hyrjes

“Një personalitet krijues që i ka merenditë me cilësi të lartë e të mbaruar, me nivel të lartë artistik e shkencor prirjet e tij krijuese e kritiko-studimore…Sali Bashota ndien përgjegjësi dhe përkushtim ndaj fjalës poetike.

Sali Bashota është i njohur në letrat e sotme shqipe si poet dhe studiues i letërsisë. Të lexosh poetin nga libri i parë “Album i grisur” (1986), duke vazhduar me veprat poetike “Zogu me profil vjeshte” (1989), “Plagomë” (1994), “Dalje nga trishtimi” (1999) e deri te librat e fundit poetikë “Bukuri e nëmur” dhe “Ëndrra në parajsë” (2006), nga njëra anë dhe të lexosh njëherësh edhe kritikun e studiuesin me librat kritiko-letrarë e studimorë “Shqipshkrimi kritik” (1997), “Kuteli-poet-prozator-kritik” (1999), “Domethënia e ideve letrare” (2001) e deri te ky i fundit “Proza e filleve të modernitetit” (2006), nga ana tjetër, kjo do të thotë të vështrosh, të ndjesh, ta zbulosh dhe ta shohësh një profil krijues në dy hapësira të shkrimit letrar, duke e shtruar fillimisht pyetjen: çka ka ndodhur për këto dy decenie rresht në literatureë, nga njëra ana dhe në jetën tonë nacionale, nga ana tjetër”. (Prend Buzhala: Opusi krijues e studimor i Sali Bashotës)

***

“Shpirti i fjalës nuk gjendet vetëm në tekstet e shenjta, por edhe në tekste të këtilla kritike që përfaqësojnë opinionin e huaj për shpirtin shqiptar…Sali Bashota nuk është vetëm një poet i shquar i bashkëkohësisë, por edhe një njeri i shquar i kulturës, studiues i letërsisë, si dhe drejtues i një instutucioni shumë të rëndësishëm, siç është Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës.

Sali Bashota dëshmon se i njeh problemet e stilistikës letrare dhe se është një poet i pasur me mjete gjuhësore, se është i pajisur me aftësi të rralla për ta hetuar natyrën dhe botën, para së gjithash, ai zotëron një aftësi kombinatore të elementëve përbërëse të poezisë së tij.

Poezia e Sali Bashotës nuk mund të klasifikohet lehtë si: erotike, kombëtare, historike etj., poezia shndërrrohet menjëherë në një poezi universale-njerëzore. Një element përbërës i detajeve inspiruese të Bashotës është ëndrra. Ëndrra nuk është një dukuri fiziologjike në tekstin poetik, por më shumë si një realitet onirik i kashtosur me realitetin”. (Luan Toçiu, Shpirti fisnik i një poeti të jashtëzakonshëm. Kur të tjerët flasin për poetin tonë Sali Bashota)

***

“Lansime shqiptare në kryeqendrën rumune. Lidhur me përurimin e librit Ekzili i shpirtit, më 23 qershor 2005 në Bukuresht:
Sali Bashota është shqiptari që di t’i mobilizojë njerëzit, institucionet, atdhetarizmin dhe frymëzimet. Në vargjet e tij ndjehet përshpëritja e truallit shqiptar.

Në nëntitullin: Poeti është shpirt në shpirtin e kombit të tij:
U potencua me këtë rast se Sali Bashota është poeti i parë shqiptar nga Kosova, të cilit i organizohet një lansim libri në Bukuresht. Fjala është për një vepër të suksesshme, ku reflektohet poetika magjike shqiptare, e cila brenda një kohe të shkurtë qe kurorëzuar me 15 recensione të botuara, duke pasur për autorë emra të njohur, si: Luan Topçiu, Octavian Soviany, Adrian Majuru, Aurelian Qivu, Mihai Antonescu.

Në vargjet e Sali Bashotës fshihet kushtrimi për të qëndruar në zemër të historisë…(Baki Ymeri, Një poet vlerash universale, për librin e përkthyer në gjuhën rumune “Shiu pa Ty”). Vargjet e Sali Bashotës janë margaritarë ku ndjehen përshpëritjet e truallit shqiptar… Frymëzime të thella që e pasurojnë thesarin e lirikës moderne shqiptare”. (Baki Ymeri, poet, eseist, përkthyes dhe editor, Bota poetike e një jete të pavdekshme, për librin “Jetë me vdekje”)

***

“Lirika e shqiptarit Sali Bashota, njëri nga penat më të shquara të bashkëkohësisë së juglindjes europiane, është ajo e një poeti të jashtëzakonshëm. E trajtuar nga perspektiva e një koncepti të dhembjes e të durimit kosovar, krijimtaria letrare e kësaj ane të kontinentit veçohet në përgjithësi përmes një etosi nën horizontet e të cilit ajo shndrit si një vlerë shpirtërore e historisë në frymën e së cilës gjallëron, në formë të kondensuar, gjë që i detyrohet një epoke”. (Mircea Vulcănescu).

***

“Koncepti përmes të cilit tentojmë t’i trajtojmë poezitë e Sali Bashotës, paralajmëron faktin se Europa është jo vetëm Perëndim, por edhe Lindje, dhe, plus kësaj, siç pohojnë analistët, nënvizon edhe nevojën e domosdoshme për të portretizuar ekzistencën e një profili shpirtëror të përbashkët.
Magjia e fjalëve të një shpirti fisnik”. (Dan Anghelescu. Poet, kritik letrar dhe profesor universitar. Poetika midis metafizikës, historisë dhe bashkëkohësisë).

***

“Lirizmi i Sali Bashotës, i një dramatizmi fisnik, i pakrahasueshëm për nga zëri i tij, integrohet në mënyrë harmonike me zërat e poetëve të mëdhenj, të mëdhenj dhe të papërsëristshëm…
Poet i vuajtjeve kosovare…misionar i shpirtit shqiptar”.(Georgeu Gibesku, poet rumun, kritik letrar, profesor universitar: Ndërmjet antikës dhe historisë, për librin “Ekzili i shpirtit”)

***

“Sali Bashota konsiderohet si njëri ndër përfaqësuesit më të rëndësishëm të poezisë shqipe në Ballkan”. (Victoria Milesku, poete dhe eseiste rumune: Ndjenja e besimit dhe zemërgjerësisë njerëzore, shkruar për librin “Ekzili i shpirtit”)

***

“Temperament poetik dhe ndjeshmëri dardane”. (Lucian Gruria, poet dhe eseist rumun: Poezia monolitike, për poemat në prozë të Sali Bashotës)

***

I. Nga shtëpia e Zeusit të Vajmarit te vatra e pashuar e atdhetarizmës shqiptare
Sali Bashota është krijues i cili shquhet për nderimin, vlerësimin dhe lartësimin e figurave eminente leterare dhe historike. Duke evokuar kujtimet e tij nga vizita që i kishte bërë shtëpisë-muze të poetit të madh botëror, ai është shprehur gjithë pietet lidhur me përmasën e përjetësisë së këtyre figurave:

“Në vitin 2004, kur e kam vizituar studion e punës krijuese, dhomën-muze të Gëtes në Vajmar, kam menduar me vete se poeti është qenie e mbinatryrshme, i cili shndërohet në Figurë të Përjetshme. Ngjashëm më ka ndodhur kur kam hyrë në kafenenë e Xhojsit në Dublin, por edhe në shtëpinë-muze të Emily Dickinosnit në Amherst, apo kur kam vënë lule të bardha mbi varrin e Lasgush Poradecit, apo kur kam marrë kumtin në Shëngjin për vdekjen e Ali Podrimjes.”

Një përmasë e tillë për Sali Bashotën ngërthen në vete edhe përmasën e ndikimit dhe të frymëzimit krijues, e cila shpesh është pjesë përbërëse e formimit të një individualiteti krijues:
“Kam menduar se mabse do të ndikohem nga udhëtimi i jetës së tyre krijuese përbrenda botës së artit, duke paragjykuar se madhështia e shëmbëlltyrave krijuese i ngjason njëra tjetrës. Kështu do të mund të kuptohej procesi i ndikimit, apo dëshmisë apo edhe sipas imagjinatës së poetit”.

Nëpërmjet anaforës poetike të përdorur në funksion të shtresimit të fjalës së latuar përgjatë një bashkëbisedimi mjaft të larmishëm, Sali Bashota ka shpalosur fare natyrshëm prjekcionin e të sotmes dhe të së ardhmes:
“Kam menduar se të gjithë shkrimtarët kanë synuar gjithmonë ta ndërtojnë një të tashme për të ardhmen e njerëzimit”. (Ego)

Duke rendur gjurmëve të pararendësve tanë, të ciliët e bënë Shqipërinë me hir o me pahir, Sali Bashota nuk e ka lëshuar rastin pa takuar e pa u çmallur me ata që e mbjatën gjallë flakën e dashurisë për mëmëdheun. Takimin e tij me përfaqësuesit e breznive orëmira, e ka skalitura aq bukur në penën e tij brilante, përkthyesi i veprës së Sali Bashotës e veprimtari i pandalshëm me kontributin e tij prej një rilindësi të mirëfilltë, Baki Ymeri:

“Përgjatë ditëve të qëndrimit të tij në Bukuresht autori realizoi një sërë vizitash protokollare e miqësore në Bibliotekën Nacionale të Rumanisë, në Bibliotekën Universitare të Bukureshtit, në Bibliotekën e Akademisë Rumune, si dhe në institucione të tjera të kulturës, duke vizituar ish-kishën shqiptare të Bukureshtit, në të cilën Fan Noli mbajti meshën e parë shqipe (1911), hotelin “Continental” ku u mbajt mbledhja historike e Kolonisë Shqiptare me delegacionin e Ismail Qemalit, ku u vendos që Shqipëria të shpallet e lirë dhe e mosvarme (1912). E vizitoi, po ashtu, shqiptaren më të moshuar të diasporës së këtushme shqiptare, zonjën Anastasia Gjergji, 95-vjeçare, e bija e ish-presidentit të Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Rumanisë (Nikolla Gjergj Pallamida).

Me këtë rast, ditën e dytë të këtij manifestimi, Ambasada shqiptare e Bukureshtit në bashkëveprim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë organizoi një takim me diasporën dedikuar 600-vjetorit të lindjes së Skëndërbeut, rast me të cilin qe përkujtuar edhe Kosova nëpërmjet mysafirit të saj në Bukuresht, dr. Sali Bashotës. Përveç ambasadorit shqiptar dhe profesorëve Maksuti, Miku e Nikolla Çakiri, figurën legjendare të Skëndërbeut e evokoi edhe autori i “Ekzilit të shpirtit”, i cili bëri fjalë mbi veprat e Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut nga shek. XV-XVIII, si dhe koleksionin e zonjës Patricia Nugee nga Londra, lidhur me librat e legjendës mesjetare shqiptare”.

II. Poezinë e dua gjithmonë dhe përpiqem të jem vetëm poet

Pyetjes: “Si mund ta përfytyrojmë poetin pa shtëpi, pa bibliotekë, me dorëshkrime të djegura”, Sali Bashota i është përgjigjur me dhembshurinë e theksuar që ka njeriu dhe poeti për studion e tij krijuese: “Është e dhembshme, vërtet e dhembshme. Është dhembja e poetit për librin e djegur, malli i tretur për vetminë, fëmijërinë, rininë, dashurinë e humbur në atë studion e krijuesit, që quhet parajsë shpirtërore, ku thureshin trazimet e brendshme dhe zhvillohej beteja me jetën a vdekjen. Unë e kam pasur një bibliotekë të pasur në katin e dytë të shtëpisë që e quanim kullë, sepse ndërtesa u ngjante kullave të moçme shqiptare, sipas arkitekturës së jashtme por edhe brendisë. Biblioteka i kishte raftet prej druri me ngjyrë të kuqëreme. Tash ka mbetur vetëm në imagjinatën time bashkë me vetminë e shoqëruar me librat, kujtimin e ringjallur për të dhe zhurmën e fëmijëve që ndonjëherë e prishnin qetësinë time dhe padurimin. Unë kam mall për librat kurse ata për fotografitë e djegura. Kjo është gjendje e trishtueshme që njeriu i letrave mund të riprodhojë në kujtesën e vet: ishte 2 gusht 1998 dhe Ceroviku, vendlindja ime digjej nga barbarët serbë.

Nëse më lejohet po i kthehem artit të të shkruarit, procesit të krijimit dhe po prezantoj disa vargje nga poezia “Dhe tani digjen librat”: Ferri është më i bukur se jeta/ Lamtumirë trishtim/ Dhe tani digjen librat. Poezia vazhdon duke e ruajtur shtresën e fortë të malenkolisë dhe të tmerrit, por nuk mbaron…”

Ndërkaq, pyetjes: “Lexuesi e di se shkruani në disa zhanre. Keni botuar poezi, kritikë dhe studime letrare. Cilin zhanër e preferoni më tepër?”, ai i është përgjigjur sërish duke theksuar anën shpirtërore prej poeti dhe prej krijuesi:

“Frymëzimet krijues përpiqem t’i projektoj, t’i vizionoj dhe t’i sistemoj përbrenda një hapësire ku mbizotëron dritësimi për të zbuluar misterin e fatit njerëzor apo zjarrminë e botës sime shpirtërore. Dihet, poezia e krijon mitin për njeriun. Kësisoji, imazhet dhe simbolet e mia poetike i kam formësuar brenda atyre rrathëve që na burgosin, duke e kërkuar gjithmonë, nëpërmjet fjalës poetike, lirimin prej dhembjes, vetmisë, tmerrit. Krijuesi, pra qenien njerëzore e përcepton dhe e modelon ndryshe nga të tjerët. Ai gjithnjë kërkon shtegdalje nga gjendja ekzistuese, kërkon dritë për të tjerët, mbijetesë. Puna krijuese është sakrifica që ka diçka të magjishme.”

E duke folur për raportet mes krijuesit dhe veprës, Sali Bashota me të drejtë e ka vënë theksin sa tek dhuntia po aq edhe tek përsosmëria, sa tek pasioni po aq edhe tek përkushtimi:

“Pra, origjinaliteti dhe përsosmëria janë dy faktorë të domosdoshëm esencialë në laboratorin krijues…

Krijuesi gjithmonë insiston të mbërrijë rezultatin poetik duke shkruar vepra të mira, të pëlqyera që të mos ngjasin njëra me tjetrën, të mos ketë përsëritje apo rrotullim të pasioneve rreth vetvetes.

Borhesi ka thënë: “meqë arti i letërsisë sajohet me këmbimin e fjalëve, duhet që të ketë një lloj ekuilibri midis këtyre tri elementeve: ndjenja, frymëzimi dhe ritmi. Ato janë thelbësore.

Krijuesi është gjithmonë në kërkim të përsosmërisë. Shkrimtari u drejtohet të gjithë njerëzve – ka thënë Sartri, por të gjithë nuk e kuptojnë, nuk e besojnë, nuk e pranojnë njësoj. Kjo kohë i kërkon krijuesit e ditur, të talentuar, ata që punojnë me seriozitet e përkushtim.”

III. Në sofrën dardane

Duke u përgjigjur në një nga pyetjet e veçanta, e cila lidhet me një pjesë të mirë të krijimtarisë së tij si studiues i përkushtuar i letrave shqipe: “Ju jeni laureat i çmimit më të lartë letrar në Kosovë “Pjetër Bogdani”, që e jep Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës për librin më të mirë të botuar brenda vitit 1999. Si u lindi interesimi për veprën e Mitrush Kutelit dhe si e pritët këtë çmim letrar?”, Sali Bashota ka folur në mënyrë mjaft të shkoqur për ndikimin letrar të Mitrush Kutelit:

“Qëkur isha student i letërsisë shqipe në vitet e tetëdhjeta, më lindi dashuria dhe m’u shfaq interesimi për veprën e Mitrush Kutelit. Në vendlindjen time, në një dhomë të vogël gjumi, gjithnjë në mbrëmje i lexoja me zë, herë librin e rrëfenjave Net shqiptare, herë Poemin kosovar. Kureshtja më smadhohej saqë i magjepsur nga këto krijime, jo befas, i shfletoja ato, madje edhe në sforën e bukës. Kështu vepra e Kutelit dhe shembëlltyra e tij dalëngadalë bëheshin pjesa më e dashur e jetës sime krijuese e shkencore në atë bibliotekën e vockël që shpesh nisi të rritej, të bëhej e madhe, por që barbarët serbë e dogjën dhe e bën shkrumb e hi. Mirëpo, tashti më mjafton vetëm ky kujtim: pse dorëshkrimi për Kutelin i shpëtoi zjarrit dhe asgjësimit…”

Nuk do mend se një përmasë të tillë ndikimi ai do ta çonte më tej, e që do të bëhej kështu një prej studimeve më serioze dhe më të merituara për Mitrush Kutelin:

“Duke i kërkuar idetë esenciale për pjesën e letërsisë së pastudiuar, pa asnjë ngurrim interesimi im filloi të përqëndrohej edhe në rrafshin e studimit. Prandaj, në dimrin e vitit 1988, proza e Kutelit u mbrojt si punim i magjistraturës. Këtu filloi të ndërtohej mendimi im kritik për veprën e këtij autori të pëlqyer për të mos mbërritur asnjëherë në fundin e kërkimeve letrare, por në hulumtimin sistematik të artit të tij.

Me vite të tëra dashuria e pakrahasueshme për veprën e Kutelit vazhdonte të më rrëmbente sikur t’i ngjante një ngazëllimi të çuditshëm fëmijëror. Kësisoji, tiparet kryesore të prozës së tij, rrëfimi dhe stili, bënin jetë në mrekullimin tim të pambaruar për rëndësinë dhe origjinalitetin që kishte vepra e Kutelit, sidomos tregimtaria”.

Kështu, në këtë prizëm vlerësimi dhe adhurimi, vizioni dhe misioni i rilindasve shkrihen dhe bëhet një, si në kohë ashtu edhe në hapësirë, prandaj Sali Bashota sërish e vë theksin tek forca ripërtërirëse e krijimtarisë së tij letrare:

“Ky çmim letrar gjithsesi, e ka simbolikën dhe domethënien e veçantë. Së pari, ky çmim jepet në rrethana të lumtura kur Kosova tashmë është e lirë. Po kështu jam shumë i gëzuar pse çmimi i jepet veprës monografike që është shkruar për njërin ndër prozatorët më të mirë shqiptarë të shekullit njëzet. Me këtë rast le të thuhet se këtë botim e bën më të dashur edhe emri i botuesit tonë të mirënjohur “Rilindja”.

Këto të dhëna më gëzojnë dhe më nxisin që ta ruaj forcën e dashurisë për letërsinë dhe që ta mbaj ritmin dhe gjallërinë e krijimit edhe për vepra të tjera të reja.”

IV. Kundër tiranisë së medikoriteteve e në mbrojtje të vlerave të mirëfillta

Duke bërë fjalë për probleme dhe dukuri bashkëkohore në fushën e kulturës, letërsisë e veçmas në fushën e botimeve, në shkrimin e titulluar Dukuri aktuale të letërsisë shqipe (në librin “Shqipshkrimi kritik”), si studiues dhe ligjërues i letërsisë, Sali Bashota ka shpalosur një të vërtetë tepër të hidhur, e cila mjerisht po e përcjellë jetën kulturore në vazhdimësi: “Edhe në 50 vjetët e fundit janë botuar libra që s’duhej të shkruheshin dhe janë shkruar libra që s’duhej të botoheshin.”

Pra, Sali Bashota flet me një shije sa të formuar po aq edhe të stërholluar estetike. Një mendim i tillë, i shpalosur kaq bukur e si një postulatë filozofike, jo vetëm që e thotë të vërtetën e një realiteti të hidhur letrar dhe kulturor por na shpie vetvetiu tek betejat mendore që bënin intelektualët e mirëfilltë në kohë të ndryshme.

Fjala vjen, kritiku i madh francez Sent Bevi, në artikullin e titulluar Letërsia dhjetë vjet më pas, të shkruar më 1 mars 1840, vinte në pah se letërsia moderne është në rrezik për t’u shndëruar në komercializëm: “Shkrimtarët e rinj nuk mendojnë aq shumë për artin sa për suksesin dhe profitin. Standarded e industrializmit dhe të komercializmit, rrezikojnë ta rrënojnë traditën letrare dhe integritetin krijues të shkrimtarëve. Çdo gjë duket si një konspiracion për ta korruptuar poetin apo shkrimtarin e ri – dëshira për publicitet dhe sukses, dëshira për para, apo edhe influenca e salloneve, të cilat edhe pse ndoshta mund ta zhvillojnë shijen e tyre letrare, në fund të fundit po e dëmtojnë origjinalitetin e tyre.”

“Ah Francë!”, do të shkrunate Sent Bevi një vit para vdekjes së tij, “gjithmonë e kënaqur me veten tënde, gjithmonë duke i thënë vetes se gjykatat tua janë më të pakorruptueshmet, se armata jote është më trimja, madje edhe se priftërinjtë e tu janë më të dlirët, dhe se gjykimi yt në shije dhe dije nuk lë asgjë për të dëshiruar!”.

Në po këtë prizëm sikurse Sent Bevi, do të shprehej edhe poeti, nobelisti e diplomati meksikan Oktavio Paz, në librin “Flaka e dyfishtë, ese për dashurinë dhe erotizmin”, duke vënë në pah shqetësimin e tij të drejtë për prishjen e harmonisë së dikurshme: “Ekuilibri në mes trupit dhe shpirtit është prishur. Trupi në vazhdimësi është kthyer në mekanizëm, dhe e njëjta gjë ka ndodhur edhe me shpirtin. Një sëmundje si kjo po e godet edhe kulturën nëpërmjet komercializmit të artit – në mënyrë të veçantë pikturën dhe romanin – dhe gjithashtu duke u shtrirë në përhapjen e modës jeshtëshkurtër letrare dhe srtistike, e cila përhapet aq shpejt sikurse epidemitë mesjetare, duke lënë prapa kaq shumë viktima.”

Nuk është pra rastësi, pse libri “Ego” i Sali Bashotës, përmbyllet me një mision kaq të rëndësishëm siç është misioni kundër tiranisë së mediokriteteve:

“Parapëlqej mendimin e Herman Heses, i cili kishte vazhduar “betejën e tij kundër mikrobeve të shpirtit në fushën e letërsisë”.

***

Një misioni të tillë, sa të veçantë po aq edhe aktual, Sali Bashota ia shton më tej edhe përmasën e dinjitetit personal dhe kombëtar. Në vështrimin eseistik Situata e poezisë shqipe sot, (në librin “Shiqpshkrimi kritik”), duke e ritheksuar mendimin e njohur të Ernest Koliqit se poezia është një kryengritje, ndërsa poeti është një hakmarrës, Sali Bashota e ka shpalosur edhe më të plotë misionin fisnik të poezisë: “Do të thosha kryengritje sublime e ndjenjave, mendimeve, ideve, shpirtit krijues…, i cili ëndërron lirinë dhe dinjitetin individual dhe kombëtar. Ky do të ishte shqiptimi i parë i kuptimit”.

Sali Bashota është gjithashtu krijues i cili ka shkruar për raportet, përkatësisht përplasjet e letërsisë me pushtetin, për vlerat dhe pseudovlerat, për traditën dhe bashkëkohoren, për shtresimin e ideve krijuese, për qartësinë e thënies poetike, për domethënien poetike të historisë dhe aktualitetit, për përjetimin estetik të poezisë dhe të prozës shqiptare, për vetëdijen shkrimore si pararendëse e vetëdijes kombëtare, për artin naimian si dhe për artin fishtian.

Ai ka shkruar me admirim dhe me përkushtim të veçantë për Jeronim De Radën si poet, duke potencuar se: “Vepra e tij bëhet burim tematik për autorët e romantizmit shqiptar. Nuk është vetëm ndjenjësore por edhe mendimore” (Jeronim De Rada – Poet, në librin “Studime letrare”), ka shkruar me adhurim të njëjtë edhe për Zef Sermeben dhe poezinë e tij erotike, por në mënyrë të veçantë e madje krejtësist origjinale nga studiuesit dhe krijuesit e tjerë, Sali Bashota ka shkruar për poetin kombëtar Naim Frashëri, duke e pagëzuar për vizonaritetin e tij dhe madhështinë e tij krijuese, me njërin prej epiteteve më të veçanta: Shqipërikrijues.

Sali Bashota ka shkruar me një zotësi të rrallë për Naim Frashërin si poet i përveçëm i kombit, ka shkruar për shembëlltyrën e tij fisnike dhe atdhetare, por edhe për madhështinë e tij krijese si dhe për poezinë e tij rrezatuese, madje ai ka shkruar në përmasën e një admirimi të denjë për çdo lakmi.

Ai ka shkruar për shkrimtarët e rëndësishëm të traditës, si Faik Konica; për Gjergj Fishtën (si poet, si estet dhe si kritik), për ato që ai i ka quajtur “mjeshtërinë briliante dhe universin magjepsës fishtjan”, duke e lartësuar me të drejtë heroizmin epik të Oso Kukës si “gati hyjnor”, dhe duke lëshuar zemërthirrjen se: “Fjala e tij murmurit deri pavdekësia”.
Si studiuesi i letërsisë shqipe, ai ka shkruar gjithashtu për prirjet moderne të prozës brilante të Faik Konicës (shtresimi i ideve dhe personazhin e vetëdijes kritike), për Ernest Koliqin-për prozën e tij si dhe për të e për dy shkollat letrare shkdorane, për shkrimtarët me prirjet e veçanta-tregimtaria e Mithat Frashërit dhe e Mehdi Frashërit (si romancier e dramaturg), për veçoritë e tregimtarisë së Mitrush Kutelit si dhe për poezitë e tij të fundit, por gjithsesi edhe për perlat-poema të tij “Poemthi kosovar” dhe “Poemi i Shëndnaumit”.

Në mënyrë të veçantë, studimi i Sali Bashotës “Kuteli prozator, poet, kritik” është një studim historiko-letrar dhe teorik mjaft unik, si me qasjen, metodoligjinë po ashtu edhe vlerësimin kritik të veprës kuteliane.

Duke depërtuar thellë në anataminë krijuese të shkrimtarëve shqiptarë të etapave dhe periudhave të ndryshme, ai ka shkruar me një qasje origjinale dhe me kritere të një kritike të argumentuar bukur dhe qartë edhe për ligjërimin profetik të Vinçenc Prenushit, për “Udhën e shqiptarizmës” së Vangjel Koçës, për librin publicistik “Formula e neoshqiptarizmës” të Bramko Merxhanit, për veprën e Anton Harapit “Kulla e Babelit”, për librin “Misioni i Shekullit XX” të Tajar Zavalanit, për “Librin e Burgut” të Arshi Pipës, për përmbledhjen poetike “Tufa” të Latif Berishës, për Kosovën si gjakim i përjetshëm krijues dhe për Kosovën si metaforë poetike; për fatin e krijuesit, për djegien e dorëshkrimeve, për plagomën shqiptare, për dhembjen e bekuar, për Ismail Kadarenë, për Rexhep Qosjen; për format përkatësisht kodet e narracionit dhe prirjet moderne në letërsinë shqipe, për poetikën e personazhit, për idetë letrare dhe përmasat e tyre në vizonin e përfytyrimeve atdhetare, për realitetin dhe mitin në letrat shqipe, si dhe për një numër të shkrimtarëve të traditës apo bashkëkohorë (tek libri më i ri “Enigma e shkrimit”), për dukuri dhe fenomene aktuale në letërsinë shqiptare, për temë-dilemat krijuese dhe për fatit e krijuesit shqiptar, ku ka çmuar vlerat-duke i afirmuar ato, dhe ku i ka fshikulluar pseudovlerat-duke i vënë në pah ato.

Fjala vjen, duke i analizuar, intrepretuar dhe vlerësuar në mënyrë kritike dhe krahasimtare modelet e prozës së Faik Konicës, Ernest Koliqit, Mitrush Kutelit dhe Migjenit, prirje me të cilat lidhen fillet e modernitetin të prozës shqipe të shekullit XX (në librin “Proza e filleve të modernitetit”), me një prizëm mjaft origjinal dhe me një qasje metodologjike të veçantë shkencore, me një stil mjaft konciz e me një mendim të mprehtë kritiko-estetik, me një gjuhë mjaft të rrjedhshme e me një terminologji moderne të kritikës letrare, me qasjen e theksuar për të shpalosur lidhshmërinë e tekstit dhe të nëntekstit letrar, të traditës me bashkëkohësinë, ai i ka riafirmuar këto vlera të mirëfillta krijuese.

Në të pesë veprat e tij studimore: “Shqipshkrimi kritik” (1997), “Kuteli-prozator-poet-kritik” (1999), “Domethënia e ideve letrare” (2001), “Proza e filleve të modernitetit” (2006), “Studime letrare” (2008), si dhe në librin më të ri, të titulluar “Enigma e shkrimit” (2018), ai mbetet ithtar i madh i parimit të shpalosur me një qartësi sa transparente po aq edhe domethënëse, se: “Afirmimi i vlerave të një kulture apo letërsie është e ardhmja e një kombi” (në librin Ego).

V. Një Parathënie Programatike për Shqipërinë Etnike

Në librin e tij “Shqipshkrimi kritik”, botuar nga “Rilindja” më 1997, në shkrimin e tij nga më të veçantit dhe gjithsesi nga më të përkryerit, shkrim të cilin jo rastësisht e ka titulluar Mërgimi – plagë e pambyllur për shqiptarizmin (eseja është parathënie e librit Malli i Atdheut -poezi për mërgimin, Prishtinë, 1995), Sali Bashota ka shkruar në të vërtetë një programatikë të përshkuar jo vetëm me poetikë.

Nuk ka dyshim se një poet i cili është vlerësuar lart dhe gjykuar drejt nga kritika bashkëkohore shqiptare, si dhe një individualitet krijues të cilin kritika rumune e ka quajtur me të drejtë “poet të vuajtjeve kosovare e misionar i shpirtit shqiptar” (George Gibescu në shkrimin Ndërmjet antikës dhe historisë), temperament poetik dhe ndieshmëri dardane (Lucian Gruia, në shkrimin Poezia monolitike), por edhe për të cilin është thënë me aq shije se: “Edhe pse fizikisht nuk është i shpërngulur, shpirti i tij ndjehet i këtillë” (Vasile Moldovan, në shkrimin Ekzili i brendshëm i një poeti kosovar), Sali Bashota e ka shkrirë gjithë dhuntinë e tij krijuese duke krijuar një perlë të papërsëritshme të këtij zhanri shkrimor.

Rëndom, numrat që përdor Sali Bashota në sistemin e tij poetik, janë numrat 3 dhe 9; ndarje në tri pjesë, përkatësisht 333 poezi tek vëllimi “Dhembje e bekuar”, apo “Rruzulimi i zjarrit” në nëntë kaptina, gjegjësisht edhe 99 poezi, tek libri më i ri “Në fillim ishte drita”.

Në librin e tij “Ego”, duke i zbërthyer kodet e tij diskursit të tij krijues, ai ka sqaruar domethënien e përdorimit të numrave përkatës në krjimet e tij letrare:

“Përmes poezisë dëshiroj të dalë nga situatat e mitizuara, nga ajo legjenda e kujtimit midis ëndrrës e zhgjëndrrës, midis realitetit e fiksionit, midis sitautave të zakonshme dhe të pazakonshme, midis jetës e vdekjes, për të sprovuar një parim krijues me ide, vargje dhe imazhe simbolike të numrave: 333.

Përmes poezisë dëshiroj t’i gjej pikëtakimet e vetmisë dhe të dhembjes, të fatit dhe të fatalitetit, të etikës dhe estetikës, të motivuara përbrenda fanitjeve refleksive në kohën dhe hapësirën e vet.”

Ky shkrim-sa manifest poetik po aq edhe testament etnik, të cilin jo rastësisht ai e ka ndarë në tri pjesë-ashtu siç ishte e ndarë edhe harta e atdheut në vitin 1995 (kur Kosova nuk ishte shpallur shtet), dëshmon mjaft qartë se Sali Bashota e ka shkruar një triptik tipik poetik për mëmëdheun, dhe se brenda këtij shkrimi shkrihen dhe bëhen një poeti dhe studiuesi, profesori dhe intelektuali, duke gjakuar në pafundësi për një Shqipëri natyrale në kufijtë e saj normal.

Në pjesën e parë të shkrimit në fjalë, shpaloset një si prelud i qëndresës historike të shqiptarëve kundruall barbarëve. Lufta është sa e pabarabartë, po aq edhe e padrejtë dhe mizore nga ana e tyre që kanë lakmuar dhe mjerisht po i lakmojnë ende padrejtësisht tokat tona stërgjyshore:

“Pika e shikimit e tërhequr dhembshëm në prapavështrimin historik. Ardhja e pushtimeve vargëzore romak, bizantin, serb, turk dhe prapë serb për të gjunjëzuar e shprishur farën iliro-shqiptare. Grindja e shekujve: shpërngulja, shpopullimi, kolonizimi, konventat. Lakmia e shtuar pushtuese për t’i copëtuar trojet tona etnike. Dhe qëndresa shqiptare, përfytyrim i moçëm në kërkimin e lirisë”.

Me një gjuhë poetike të gërshetuar me tematikë dhe motive epike, autori shfaq tablonë e ndeshur aq shumë tek poetët arbëreshë, atë të dheut të huaj. Mërgimi shfaqet në jetën e shqiptarëve si një fat i zi, ku tragjikja e ndjekë si hije sa të panjohurën po aq edhe të papriturën:

“Po, mbi të gjithë, çelja e udhës së mërgimit për shqiptarët është një fat i zi në kohën e paharruar. Gjithashtu, edhe dheu i huaj i lagur me lotët e mërgimit për të rritur bimën e huaj e përplotëson këtë skenografi të tragjicitetit, e vijëzon botën personale dhe kolektive përmes një universi të panjohur…”

Në verbin poetik të Sali Bashotës shfaqet gjuha shqipe në logun e luftës, e bashkë me të edhe malli i pashuar. Ndërkaq, kujtesa në këtë sfond është projektuar si një libër i grisur, libër ky i cili do të shfaqet në opusin estetiko-poetik të Sali Bashotës përmes sfondit historik, herë si bibliotekë e djegur e herë si dorëshkrim i ringjallur. Por së pari, ai do të ndalet tek përmasa më e dhimbshme, ajo e prerjes së Etnisë. Sërish janë gërshërët e padrejtësive historike ato që kanë prerë hartën e bekuar të gjeografisë sonë, prandaj pena e poetit nuk lëshon asgjë në misionin për të hedhur dritë mbi të kaluarën tonë të dhembshme historike:

“Gjuha shqipe, e përpëlitur, përvajshëm nëpër dhëmbë, e vetmja pasuri e bartur me vete. dhe malli i pashuar për atdheun. Të përkujtojmë vetëm shek. XV. Pushtimi i katërt me radhë: pushtimi otoman. Fati tragjik i nguljes së arbëreshëve përtej Adriatikut e vazhdon shfletimin e librit të grisur të kujtesës së kobshme brez pas brezi për farën e shkepur shqiptare nëpër botë. Është kjo, e para, prerje e Etnisë. Më e dhimbshmja.”

Duke shpalosur kështu në mënyrë poetike trajektoren historike të mbushur me aq shumë ngjarje tragjike, mërgimi për Sali Bashotën nuk shfaqet ende si një bekim hyjnor, por si një lumë i pandalshëm njerëzor, rrjedhës e së cilit ai e përjeton me një ndieshmëri të theksuar e ku verbi poetik thadron në kujtesën krijuese rrugëtimin biblik. Fatin tragjik të kombit të tij, Sali Bashota e shpalos në sfondin e një përmase e cila mbase edhe do të ishte shpresa e një ditë të re, shfaqja e letërsisë shqipe si faktor i mendësisë së bërjes së Shqipërisë:

“Mërgimi, plagë e pambyllur edhe sot, është ngulitur në mendësinë e shqiptarizmit me shekuj duke e përthekuar shpirtin e përvëluar në udhëtim, duke e shkallëzuar odisejadën e lotve nëpër rrathët e muruar të ëndrrës mijëvjeçare për liri dhe identitet. Kësisoji, edhe letërsia shqipe bëhet dëshmi e trajtimit të këtij fenomeni, sa herë tragjik, nga këndvështrime të ndryshme, tek e artikulon përmasën e re të mallit e të dhimbjes përbrenda qenies krijuese shqiptare.”

Përmes një gradacioni të tillë, në të cilin ai ka kapur përmasën sa poetike po aq edhe historike, Bashota nga sfondi i përgjithshëm i letërsisë zbret fare natyrshëm tek kurora e kësaj letërsie, tek poezia shqipe dhe flamurtarët e shqiptarizmës së rishlindur, siç do të thoshte profesor Selman Riza për misionarët dhe vizionarët e ringjalljes kombëtare:

“Megjithatë, kjo nuk është kryesorja. Janë poetët, ata që “baltën” e atdheut e bartën në shpirt përbrenda kolonive të ndryshme nëpër botë (Turqi, Itali, Rumani, Bullgari, Amerikë, Egjipt, e tjerë) Është pra, ekzodi i shkrimtarëve më të rëndësishëm që jashtë atdheut të tyre krijuan në mendje dhe në letrat shqipe dashurinë për Shqipërinë, duke e bartur atë gjithkund me vete. Është e djeshmja e kolonisë dhe e sotmja e ekzodit (Gjermani, Zvicër, Suedi, Australi, e tjerë), e mbushur, fundekrye, me format e dhembshme të rrnesës mbi të cilat krijohet aq tmerrësisht, fjala, mbase e nemun: kurbet.”

Pasi ka bërë kështu krahasimin e qëlluar në mes të djeshmes dhe të sotmes, pasi që ka shfaqur sfondin e mërgimit si fat i zi e si mall i pashuar, në gjuhën e nëntekstit të tij poetik vërehet qartë se në sfondin e paraqitjes së projektuesve të atdhedashurisë mërgimi zë vend edhe si një bekim hyjnor, ndonëse njëmendësia e ka ruajtuar ende një fjalë me mall të valë përsipër, e që Sali Bashota e rikujton si një fjalë ‘mbase e nemun: kurbet.”

Përderisa në pjesën e parë të triptikut të tij poetik shpaloset sfondi i prerjës së Etnisë me pasojat e shumta, në pjesën e dytë të kësaj programatike të Shqipërisë Etnike, ky sfond del edhe më i përgjakshëm, sepse të tillë e kanë bërë faktorë të shumtë.

Tani, në këtë pjesë, përshkallëzimi i shprehjes është më i ngadalshëm, dhe se çdo pikë e çdo presje shpalos tragjiken e përjetuar thellë, fatin e pafat që e ka shoqëruar këtë komb të përvuajtur si shpata e Damokluet mbi kokë.

Duke e gërshetuar një sfond të tillë me gjuhën poetike të njërit prej shkrimtarëve të cilin ai jo vetëm qe njeh aq bukur, por prej të cilit edhe është frymëzuar, Sali Bashota me fjalën e bukur shqipe përshkon truallin e shqipeve, Gernikën e përgjakshme të këtij kombi, qëndresën epike të Kosovës në shtetrrethime të panumërta:

“Trualli i shqipeve e ndien thellë e më qartë syrgjynërisht ekzilin, ekzodin, shpërnguljen dhe të gjitha format e këtij kompleksi shpirtëror e fizik, të ngujuar jashtë atdheut.

Ndër të parat. Është kjo, Kosova, Shqipëria e Jashtme, siç e quan Mitrush Kuteli, edhe sot e pikturuar përgjakshëm në kujtesën reale e historike. Përbrenda trupit dhe shpirtit të saj zhvillohet lloji i vet i tragjedisë së projektuar nga barbaria serbe. Shpopullimi. Shpërngulja. Kolonizimi. Por, jo edhe shfarosja. Është Kosova, degë e njomë e Atdheut të Plotë, e ballafaquar dhe e kacafytur aq gjatë me dhunën, me shovenizmin sllav, me antilirinë. Është Kosova e rrudhur me pamjen ilirike, dardane – qëndresë e vetëdijes së lartë kombëtare, burim i rezistencës, zë i fortë i kushtrimit. Kurrë e përkulur”.

Kosova shfaqet dhe rishfaqet sërish si latjtmotivi i qëndresës kombëtare, por edhe si lajtmotiv i krijimtarisë poetike të Sali Bashotës. Dega e njomë e Atdheut të Plotë, në prizmin krijues të Sali Bashotës, mbetet gjithmonë një zemërrthirje e kushtrimeve për liri: Kurrë e përkulur.

Një krenari e ligjshme e përshkon qenien prej poeti, por gjithsesi edhe qenien prej shqiptari. Një frymëzim por edhe një përdëllim i thellë për fatet e atdheut e të kombit. Dallëndyshja e poetit të kombit Naim Frashëri, hap përsëri krahët dhe përshkon gjeografinë e Shqipërisë, numëron plagët që kullojnë gjak. Verbi poetik shfaq në sfond për të satën herë kryevargun e Namit. Eni vjen prej Çamërie:

“Dhe fjala tjetër e shkrumbosur: Çamëria. Çamëria e truallit ilir, plagë që kullon ende gjak nga vandalizmi Helen. Gjymtyrë tjetër e Etnisë, tash e mbetur shkret, pa zot. Gjithmonë shqiptare.

Janë trojet etnike në Maqedoni, tokë e kufirit të ndarë që duhej të shtrihej në hartën e Etnisë. Poashtu, gjithmonë shqiptare.

Është Kosova Lindore, pjesë e trungut të prerë, dhe i lashtë i Ilirisë, e futur dhunërisht përbrenda rrethojave të hekurta sllave.

Më tutje, janë viset shqiptare në Mal të Zi, mbi të cilat edhe sot shtrihet gjerë e gjatë hija e truallit ilirik, hija veriake, Malësia e Mbishkodrës.”

Shqiponja në shterrethime, kthetra në hekura! Mizori dhe padrejtësi, sa mbi historinë tonë e sa mbi gjeografinë tone! Molla e kuqe është Mollë e përgjakur, e kujtesa historike shpaloset sërish në përmasat e veçanta të shprehjes poetike, latuar me aq mjeshtëri, menduar me aq hollësi, theksuar me aq dhembshuri:

“Është Toplica deri përtej Naisusit që flet mbi shpirtin antik për ikjet dhe vrasjet, kjo Mollë e përgjakur, në sytë e një poeti kombëtar. Assesi. Fatit të dhembjes atdhetare, nuk i ikën konventa jugosllavo-turke për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, një nga plagët tona më të mëdha të këtij shekulli të fundit.”

Nuk ka dyshim se një rrugëtim biblik me plagët e shtatit që kullojnë gjak, ka gjetur poetin e denjë, i cili në artikulimin e tij poetik ka shkrirë gjithë fjalët shqipe për të risjllellur në kujtesën kombëtare një përfytyrim të paharruar. Dhembja për atdheun dhe gjakimi shpirtëror për lirinë e kombit të shumëvuajtur, vështirë të kenë gjetur shprehje kaq bukur dhe kaq mjeshtërisht sesa tek këto flatra të fjalës shqipe, të derdhura me një ritëm kaq të veçantë e me një stil kaq të goditur të penës poetike të Sali Bashotës:

“Prapë, duke “kënduar” mërgimin e jetës, çelet porta e vetmisë arbëreshe. Copat e vendlindjes së dheut të paharruar të futura nëpër vazot e luleve, të ujitura me lotët e përgjakur, përfytyrojnë e kujtojnë Shqipërinë Etnike. Janë gjurma të mbetura nëpër brigje atdhetare ku skicon e vizatohen rrugët e largëta, rrugët pa kthim, ku dëgjohen dhe humbasion zërat e nënave, të nuseve, të fëmijëve, të të dashurve. Tërë jeta e shkruar nën ritmin dhe shkëndijimet e mallit”.

Në pjesën e tretë ligjërimi për fatin tragjik bëhet, ritmi i të shkruarit shfaqet edhe më poetik, e ku lirika fare natyrshëm gërshetohet sërish me epikën:

“Mërgimi, fat i dhembshëm i kombit të ndarë shqiptar, artikulohet në vargjet e poetëve të sotëm me alfabetin dhe gramatikën e pasthirrmave, e jo rrallë edhe të këngëve lamtumirëse; me fuqinë e shkallëzuar të ndjenjave e të mendimeve, herë kryengritëse, herë pikëllimtare; me heshtjen ideale dhe atë të ëndërruar nëpër plasat e shpirtit që nuk mbyllen aq lehtë nëpër kohë”.

Në sfondin e përpëlitjeve historike zë vend ajo që poeti Sali Bashota e quan një plagomë shqiptare, por që nuk mbetet më pa zë, sepse siç e thotë krijuesi, plagoma tani është artikuluar si një kod i shkruar i dhimbjes shqiptare:

“Kështu formësohen e shformësohen pamjet rrëqethëse. Ekzodi. Ikjet e njerëzve e të turmave nga pozicioni social, e veçan nga presioni pushtues. Të gjitha këto soditen gjatë me tingujt e furishëm të mallit atdhetar. Është kjo, një plagomë shqiptare. Një vizatim i panoramaës së vendlindjes me portretin lirik shprehur në gji. Dhe shpirtëzim i të gjitha lamtumirave.

Shpalimi i temës së mërgimit në letërsinë shqipe, doemos, është shpupuritje nëpër plagën e hapur, nëpër imagjinatën e djegur të mëmëdheut, nëpër realitetin shpirtëror tek i cili shqiptohet vijimisht thirrja, kushtrimi, rikthimi apo qoftë edhe mbetja e gjithmonshme. Ky, në një formë është kodi i shkruar i dhimbjes shqiptare, i krahasuar me thellësinë e mallit, me magjinë e frikës e të shpresës, kur e kur vijëzohet fundi i dhimbjeve, mbarimi i brengave dhe i shqetësimeve njerëzore”.

Tkurrja e atdheut i ka hapur plagët edhe më shumë, e plagosjen e ëndrrave krijuesi letrar sërish e ka shfaqur në sfondin e dhembjes dhe të mallit, të një si rituali që po na përsëritet kaq shumë e nuk ka të ndalur:

“Në botën e largët e të panjohur, njeriu shqiptar rrokulliset padiskutueshën nëpër rrathët e hidhur të asimilimit e të harresës. Aty, jo rrallë, atdheu vizatohet nëpër pëllëmbë duarsh si “parajsë e humbur”. Plotësohet, pastaj kronika e dhembshme me fytyrën e ëndërruar të atdheut vetëm në memorie, vetëm nëpër radiovalët e emisioneve për njerëzit e dashur. Por, të gjitha këto i prodhon mërgimi. Ajo plagë e hapur edhe sot për shqiptarizmin, e cila, ka shkaktuar mungesën, humbjen, vetmin, zymtësinë tragjike për njeriun e truallit ilirik.”

Është njëmendësia e hidhur historike, është plaga e thellë, është përmasa e tragjikes ajo që nuk i hiqet krijuesit nga mendja. Ajo e shqetëson dhe e shoqëron kudo dhe kurdo. Ai me poetikën e tij, me bukurinë dhe me fuqinë e fjalës shqipe, dëshmon amanetin e përveçëm sa dhe të përjetshëm për Shqipërinë Etnike:

“Një varg, një poezi, një vepër e shqiptuar për mërgimin, ekzodin, shpërnguljen është shenjë dhe simbol i dhembjes atdhetare. Ai është ngulitur thellë në trurin shqiptar me përmasat e tragjikës. Ai është formësuar përbrenda hartës estetike si shkak – pasojë e pushtimeve. Ai është realitei ynë i hidhur, në ecjen tonë, vërtet të dhembshme historike.

Dhe krejt në fund: ky libër i zgjedhur dhe i sajuar me prezencën e motivit të mërgimit në poezinë e sotme shqipe, le të përpjetësojë një vijë tematike, të ndërlidhur shtrëngueshëm me fatin e qenies sonë kombëtare nëpër kohë dhe histroi të ndryshme. Se, Shqipëria Etnike, gjithmonë mbetet amaneti i përjetshëm i shqiptarëve, kudo që janë ata: brenda atdheut, në diasporë, në mërgim, në ekzil. Pikën e fundit në kërkimin dhe realizimin e lirisë së plotë”.

Nuk ka dyshim se për mërgimin dhe plagën e tij, për ekzodin biblik të shqiptarëve është shkruar shumë dhe do të shkruhet edhe më. Janë shkruar artikuj, fejtone, libra e ese. Janë bërë dokumentarë të shumtë e janë evokuar kujtime nga më të ndryshmet në gjini të ndryshme letrare dhe artistike, por vështirë të jetë shkruar kaq bukur dhe në mënyrë kaq të thukët si ky shkrim përmasash vërtet antologjike. Madje, duke shkruar kështu në vitin 1995, me një guxim dhe angazhim të veçantë intelektual, autori e ka parandier rrjedhën e ngjarjeve që do të vinin. Ai e ka shpalosur kështu të djeshmen, e ka thënë të sotmen dhe e ka parandier edhe të nesërmen. Ai ka shkruar pra jo vetëm një promemeorie poetike me sfonde të një historie shpesh tragjike, por ai ka përpunuar edhe përfytyrimin e një të ardhmeje të cilën e sheh vetëm sipri një pike: “Pikën e fundit në kërkimin dhe realizmin e lirisë së plotë.”

Ky shkrim antologjik për eksodin tonë biblik, kjo perlë e vërtetë letrare, do të duhej të zinte vend në çdo antologji të letërsisë shqipe. Gjithsesi, duke qenë një shkrim përplot frymëzim dhe artikulim i denjë letrar, poetik, estetik e edhe historik, që të kujton shkrimin njëlloj antologjik të Kristo Floqit Atdheu juaj, ky shkrim që shfaqet në sfondin e shpirtrave të ringjallur, e thënë me gjuhën poetike të Sali Bashotës-përbërë sa nga kujtimet e ringjallura po aq edhe nga dorëshkrimet e ringjallura, ka premisat jo vetëm të një programatike për fatet e Shqipërisë Etnike, por gjithsesi se mund të lexohet sa një parathënie po aq edhe si një poemë liriko-epike, sa një zemër-klithje për të djeshmen po aq edhe një zemër-thirrje për të sotmen dhe për të nesërmen tonë; sa një tekst antologjik po aq edhe një tekst i mirëfilltë dramatik, të cilit do ta kishte për lakmi çdo teatër kombëtar, sepse në radhë të parë, shkrimi antologjik i Sali Bashotës për plagën e hapur të mërgimit, na e kujton misionin dhe vizionin e Naim Frashërit, të përmbledhur aq bukur dhe aq madhërishëm në vargun naimian: Eni vjen prej Çamërie…

E zemër-klithje si këto, zemër-thirrje si këto hyjnë në sfondin e letrave shqipe si memorje historike, si pjesë e vetëdijesimit të domosdoshëm kombëtar, aq më tepër kur zare të reja po luhen mbi hartën e atdheut, si në Shqipërinë e Brendshme-Londineze (siç shprehej Lasgushi) ashtu edhe në Shqipërinë e Jashtme (siç na e përkujton Sali Bashota shprehjen e Mitrush Kutelit).

Prandaj, do të ishte mirë sikur diplomacia shqiptare t’ua hidhte një sy promemorieve kombëtare dhe programatikave të projektuara nga mendësia letrare shqiptare, sepse siç thekson profesori, poeti dhe studiuesi Sali Bashota, fati “i dhembshëm i kombit të ndarë shqiptar, artikulohet në vargjet e poetëve të sotëm me alfabetin dhe gramatikën e pasthirrmave…”

E gramatika e pasthirmmave në gjuhën e Sali Bashotës, rikujton se misioni dhe vizioni i një poeti bëhet misioni dhe vizioni i krejt breznvie orëmira: Naim Frashëri është Shqipërikrijuesi. Ndërkaq, sipas Borhesit të gjithë ata që përsërisin një varg të Uilliam Shekspirit, janë Uilliam Shekspir…

VI. Në fillim ishte drita

Në librin “Ego”(botuar nga Pen Qendra e Kosovës, Prishtinë 2014), duke shpalosur misionin e tij prej poeti, Sali Bashota ka shpalosur gjithashtu edhe arsyet pse shkruan:

“Shkruaj për të kuptuar më qartë rruzullimin e ndjenjave dhe të mendimeve që ikën nga një skaj në skajin tjetër, për të zbuluar kuptimin e ëndrrave magjike, të cilat nuk mund të shpjegohen kurrë deri në fund, apo për t’i bashkuar kujtimet dhe përjetimet në një vend, i cili e kërkon bekimin e gjuhës poetike.

Shkruaj për të kuptuar më qartë preokupimin tim krijues e ekzistencial: Pse Zoti është Një? Pse, pas krijimit të Tokës dhe Qiellit, u krijua Drita?”

Pikërisht, siç pat thënë Miltoni: “Drita që fituam nuk na u dha që të vazhdojmë gjithnjë ta fiksojmë, por nëpërmjet saj të zbulojmë gjëra të reja më të tejshkauara se njohja jonë”.

Ndieshmërinë e veçantë lirike, persiatjen e theksuar filozofike, tingëllimat poetike, reflektimet idilike, Sali Bashota i ka të lidhura ngusht me dhuntinë e tij krijuese, me gjakimin e tij estetiko-poetik, me frymëzimin e tij-me shkrimin. Kjo lidhshmëri e natyrshme shpaloset si një dashuri e përmasave të mëdha, e cila shfaqet çdo ditë, çdo mëngjes, çdo mbrëmje. Magjia e shkrimit për Sali Bashotën sa dhunti po aq është edhe ripërtëritje e jetës, e dashurisë, e dorëshkrimeve të djegura dikur, por të cilat ringjallen prapë sepse ato rrojnë në flakën e frymëzimit, sepse për Sali Bashotën flaka e frymëzimit krijues është si zjarri i rruzllullimit, dhe se që të dyja përshkrohen nga përjetësia.

Në fund të këtij rrugëtimi, në këtë rrugëtim drite e dashurie, poeti krijon sfondin përmbyllës në të cilën shpirtat përshëndeten me ikjen. Një botë mallëngjimi dhe amshimi bashkë, në të cilën ai përkujton se janë poetët ata të cilët, përmes butësisë dhe bukurisë së fjalës, e bekojnë aq shumë botën e dashurisë.
Poeti ia falë zërin zemrës, e fjalën si një mall të valë ia falë dritës, si një kundërpërgjigje për shqetësimin, përkatësisht klithjen se në epokën e modernizmit “po vdes poezia!…”

Me përmbledhjen e tij të fundit poetike, të shkruar në harkun kohor prej tridhjetë vitesh: 20 shtator 1987-20 shtator 2017(botuar nga Pen Qendra e Kosovës, Prishtinë 2017), si dhe në veçanti me strofën e fundit të poezisë së fundit të këtij vëllimi vlerash të veçanta ideo-estetike, Sali Bashota dëshmon sërish se poezia vdes vetëm atëherë kur të vdes dashuria, sepse në universin poetik të Sali Bashotës, dashuria është ashtu siç shkroi Knut Hamsun: “Fjala e parë që tha Zoti!”

Pra, Sali Bashota në gjakimin e tij të njohur krijues dëshmon se dashuria është vetë përjetësia:

Asnjë zjarr nuk e ka flakërimin e shenjtë
Nëse dashuria hesht bashkë me shtrëngatën
Asgjë nuk harrohet mbi sipërfaqen e njëjtë
Kur shpirtrat zgjohen me uratën

Gjithsesi, përmbledhja e fundit poetike e Sali Bashotës është një vepër poetike e cila lë mundësi të shumta të interpretimit të tekstit. Pa dyshim që kjo vepër vlerash të veçanta ideo-estetike, përveç si një vëllim lirikash intime mund të lexohet edhe si një vepër me konotacione të shumta filozofike, apo edhe si një vepër që në sfond ka po ashtu një vel erotik. Gjithashtu, kjo vepër poetike e Sali Bashotës, e titulluar jo rastësisht “Në fillim ishte drita” mund të lexohet edhe si një parodi, përkatësisht si një ironi e kohës sonë, e mbarsur aq shumë me lojëra të shumta politike, shpesh një kohë me shumë zymtësi e me më pak dashuri!…

Në përgjithësi, poezia e Sali Bashotës është poezi e frymëzimit të thellë dhe e mendimit me peshë. Ajo është sa poezi e përjetimit të drejtpërdrejtë po aq edhe e imagjinatës krijuese. Tek Sali Bashota shkrihen në një realja dhe imagjinarja. Veprën e tij letrare e përshkon dhuntia krijuese por edhe intelekti i hollë. Sali Bashota krijon cilësi dhe jo sasi. Ai është poet i gjakimit të përshershëm krijues, i cili në sistemin e vlerave të tij ideo-esetike, ka projektuar dhe ka sendërtuar një univers të veçantë poetik. Duke gjakuar kështu përsosmërinë e formave poetike, ai në të vërtetë ka krijuar simfoninë e këtyre formave.

Krijimet e tij jo rrallë, janë vlera të papërsëritshme poetike e letrare. Si të tilla, ato jo vetëm që përfaqësojnë vlera antologjike, por edhe dëshmojnë se arti i vlerave të tilla, u ka rezistuar dhe do t’u rezistojë të gjitha kohëve: kohës së sotshme dhe kohëve të ardhshme.
Sali Bashota është krijues i cili në epikën e tij (qoftë kur shkruan për fatet e atdheut të fragmentuar, apo qoftë kur shkruan për fatet e kombit të martizrizuar ndër shekuj) ia shtrydh gjakun fjalës shqipe deri në fund, kurse në lirikën e tij ai fjalës ia shtrydh mjaltin.
Në mënyrë të veçantë, me përmbledhjen e tij të fundit poetike “Në fillim ishte drita”, ai ma përkujton thënien e shkrimtarit Okatvio Paz (në librin “Flaka e dyfishtë, ese për erotizmin dhe dashurinë”) se: “Dialogu mes shkencës, filozofisë dhe poezisë, mund të jetë prelud i rikonstituimit të unitetit kulturor”.

Ligjërues i letërsisë, i cili e ka dëshmuar prirjen dhe përkushtimin e tij që në vitet e para të punës si asistent i letërsisë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, studiues i shkrimtarëve të periudhave të rëndësishme të letërsisë shqipe, eseist e kritik letrar me afinitet të veçantë, lërues i prozës poetike e njëri ndër poetët bashkëkohorë shqiptarë më të përkthyer në shumë gjuhë të botës (si në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, hungarisht, italisht, suedisht, bullgarisht, maqedonisht, greqisht, esperanto), për shumë vite drejtues me mjaft sukses i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, Sali Bashota është një indivilualitet i veçantë krijues i kulturës sonë, prandaj të shijosh vlerat ideo-estetike të veprës së tij letrare e publicistike është kënaqësi. Ndërkaq, të shkruar për të dhe për këto vlera, është edhe krenari, gjithmonë sipas mendimit të shprehur nga vetë profesori në një nga intervistat e tij: “Kanë thënë të tjerët se ta zbërthesh shpirtin e poetit është një ndjesi e zbulimit të botës së tij lirike”.

E nuk ka ndyshim se kjo ndiesi është e veçantë, në radhë të parë sepse privilegji është i dyanshëm:
“Është një privilegj i jashtëzakonshëm për poetin, përkushtimi shpirtëror e krijues ndaj temës së dashurisë. Dëshiroj që gjithmonë në krijimtarinë time ndjenja erotike të mbetet thelbi i poezisë sime. Është pasion dhe virtyt i ligjërimit tim. Mendja, shpirti, ndjenja, përjetimi, të gjitha të përfytyruara dhe të sistemuara përbrenda kategorisë estetike të së bukurës, i referohen dashurisë. Poetëve u takon që të ëndërrojnë dhe që të meditojnë gjithnjë për të bukurën. Mua gjithmonë më ka pëlqyer ta artikuloj poetikisht botën e dashurisë së shqetësuar, bashkë me vetminë e shtegtimit të shpirtit.”

Pra, përderisa poeti me të drejtë e ka një privilegj të tillë të jashtëzakonshëm, përse të mos e ketë një privilegj të tillë edhe studiuesi, privilegj të cilin profesori ia ka falur me flatrat e fjalës së tij të bukur shqipe:
“Pse shkruaj?
Shkruaj për ta shpalosur botën time në ballafaqim me imagjinatën, me jetën, me realitetin.
Shkruaj për të ndërtuar vizionin tim krijues në një pikë të ndjeshmërisë shpirtërore, e cila vzhdimisht lëviz përbrenda rrethit të kujtesës, për ta shtresuar magjepsjen e pambaruar të dëshirave.”

VII. Enigma e shkrimit

Për Sali Bashotën shkrimi mbetet një enigma e përhershme, një ftesë dhe një tundim që mbërthen e nuk lëshon dot, një fshehtësi frymëzimi që nuk zbërthehet lehtë, sado që interpretimet nuk mungojnë, sado që të shkruarit nuk rresht, sado që ligjërimi lirik nuk pranë e krijimet letrare nuk kanë të sosur.

Një enigmë të tillë e cila është e përhershme, në librin e tij më të ri me vështrime letrare, ai ua atribuon edhe të tjerëve. Tek depëton thellë me qasjen e tij tepër të veçantë të vrojtimeve kritike dhe të shestimeve letrare, duke u ndalur me thekse të veçanta “në rrafshin e artikulimit të dieve dhe koncepteve”, ai shpalos mjaft qartë shtresat e shumta shkrimore të autorëve shqiptarë të periudhave të ndryshme kohore.

Letërsia romantike arbëreshe është e pranishme edhe në këtë libër, në të cilin Bashota kundron raportet e ndërsjellta në mes të atdheut dhe dashurisë. Duke qenë vetë poet, ai ka kënaqësinë që të risjellë në kujtesën e lexuesit vlerat e mirëfillta ideo-estetike të krijuesve arbëreshë: “Atdheu, dheu i të parëve, si kujtim i ngjallur në përfytyrimet e poetëve romantik arbëreshë (Jeronim de Rada, Françisk Anton Santori, Gavril Dara i Riu, Zef Serembe, Zef Skiroi, bëhen kryetema e ideve dhe koncepteve për të mbajtur gjallë shpirtin arbëror nga harresa dhe asgjësimi”.

Tek përkujton kështu një mision kaq solemn e pse jo edhe të privilegjuar, në gjuhën e nëntekstit kritik Sali Bashota e riakatualizon një mision të tillë, i cili nuk duhet reshtur asnjëherë. Ai shpalos kështu domethënien e ideve dhe të vizioneve, si dhe përmasën e ligjërimeve lirike të poetëve arbëreshë, në mënyrë të veçantë të Jeronim De Radës dhe të Zef Serembes.

Në shijen e tij të hollë krijuese, Sali Bashota mëton gjithmonë përmasën elitare. Nga ky këndvështrim, ai gjykon drejt duke pohuar se: “Jeronim de Rada është kryepoeti, prej nga lëviz bota poetike e romantikëve të tjerë arbëreshë, duke u bërë njëkohësisht model dhe figurë konceptuale e romantizmit shqiptar”.

Përderisa për De Radën shprehet se është “kryepoeti i arbëreshëve” dhe “shkrimtari emblematik” e “rilindje e shpirtit arbëror”, tek i cili “tema adhetare sintetizohet bashkë me temën universale” dhe tek i cili shfaqet gjithmonë një qëllim i shenjtëruar: “Nis e sos, De Rada ëndërronte që atdheu i tij të jetë i lirë.” (në shkrimin Jeronim De Rada Poet), Zef Serembe në ligjërimin kriritik të Sali Bashotës shfaqet me një aureolë të veçantë: “Zef Serembe, poet i himnit për dashurinë e përjetuar deri në vdekje, me poezinë e tij e projekton subjektivizimin dhe ndjeshmërinë më të përsosur, por edhe tragjicitetin shpirtëror e fizik, duke formësuar baladën më sublime për vashën përbrenda një realiteti fatkeq”. (Ligjërimi romantik arbëresh)

E veçanta e vështrimeve kritike të Sali Bashotës është fakti se sa herë që shpalos përmasat e krijuesve të poezisë kulmore, qoftë të asaj atdhetare apo qoftë të asaj lirike, stilin e tij e përshkron një poetikë e theksuar e ligjërimit kritik:
“Ligjërimi romantik arbëresh, në esencë, është himnizues, lavdërues, retrospektiv. Nëpër valët e kërkimit të ideve në tematikë (atdheu dhe dashuria), përcaktuesit e thelbit të këtyre veprave mbështeten tek miti i dheut të të parëve, i cili valëvitet në kujtesën krijuese të poetëve, duke synuar gjithmonë vetëdiijësimin atdhetar. Krijimi poetik, i cili formësohet nga motivi inicial për lirimin e lirikës atdhetare dhe lirikës erotike, e artikulon përftesën e ligjërimit oral për ta fuqizuar një situateë tipike të ritreguar. Diçka si legjendë për atdheun dhe për vashën. Diçka si këndim i përmallshëm i heroizmit të shkuar. Apo si vajtim për dashurinë, herën tjetër.” (Ligjërimi romantik arbëresh).

Njëlloj shprehet ai edhe kur vlerëson veprën poetike të njërit prej mjeshtërve të rrallë të sonetit, veprën e Enver Gjergjekut:”Në fillimet e tij krijuese, esenciale qe përmbajtja e poezisë, pra vetë tema. Diçka nga kujtimet e fëmijërisë. Diçka nga jeta sociale. Diçka nga ëndrrat e brezit të ri. Dhe poezia i vetmti preokupim dhe shqetësim krijues”. (Soneti-mjeshtëria poetike e Enver Gjerqekut).

Një ligjërim i ngjashëm haset edhe tek vlerësimi që i bën poemës “Skëndërbeu” të shkrimtarit Beqir Musliu: “Diçka historike. Diçka magjike. Diçka hyjnore”.
Pra, për Sali Bashotën sa më e arritur të jetë vepra artistikisht, aq më i lartë është edhe vlerësimi, aq më i denjë është edhe adhurimi. Ndërkaq, duke kundruar më tej aktin e frymëzimit në raport me konceptin kohor “koha e autorit dhe koha krijuese”, përkatësisht me rrafshin figurativ të gjuhës dhe kodin ligjërimor (tek shkrimi Koha e krijuesit: Nata), apo duke u ndalur tek rrafshi i ideve dhe rrafshi estetik i poetëve që e kanë himnizuar Kosovën-njërën prej lajtomtiveve krijuese të shkrimtarëve shqiptarë, e gjithsesi edhe të tijën, Sali Bashota jo vetëm që përkujton se Kosova është “përjetësisht shenjtë e shenjtë e dashurisë shpirtërore, frymë e gjallë e krenarisë kombëtare apo shpirt i papërkulur krynegritës, në veprat e krijuesve shqiptarë”, përkatësisht “burim i lavdisë kombëtare”, por ai dëshmon se brenda krtikut letrar jo rrallë është vetë zëri i poetit:
“Në poezinë e këtyre poetëve Kosova është Gjuha Shqipe. Është identiteti nacional. Është fryma njerëzore. Është jovdekja. Kosova është mbijetesë nëpër shekujt për të riprodhuar ndjeshmërinë e zjarrtë të krenarisë kombëtare. Kosova është Atdheu që këlthet për dinjitetin njerëzor e kombëtar”.

Nuk do mend se një ligjërim i tillë poetik brenda diskursit kritik të Sali Bashotës, stilit të shkrimeve të tij në vlerësimin dhe shpalimin e vlerave të mirëfillta letrare, i japin një ëmbëlsi të veçantë, një hijeshi dhe një bukuri të rrallë. Por jo vetëm kaq. Duke botuar kështu të përbledhura esetë, trajtesat dhe studimet e tij letrare, për të cilat sqaron që në hyrje të librit se janë “të shkruara njëzet vjet më parë” (Parafjala), Sali Bashota vë përballë njëra-tjetrës të djeshmen dhe të sotmen, pra Kosovën dje dhe Kosovën sot. Gjithsesi, një projekcion prej rilindasi: Ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet?

Një përmasë e tillë, e gërshetuar me prizmin krahasimtar të vrojtimit kritik, haset edhe në vështrimin për poemthin “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë” të Hafiz Ali Korçës. Shkrimi me titullin simbolik Ëndrra poetike për atdheun, është njkohësisht një ligjërim i veçantë poetik:
“Shqipëria në shtatë ëndrrat e poetit soditet bashkë me dy krahët e saj, Kosovën dhe Çamërinë, nga buron klithja për Shqipërinë Etnike, e artikuluar përmes pyetjes retorike, si kërkim i këngës së lavdit për guxim dhe heroizëm”.

Duke e vrojtuar poemën e Korçës nga prizmi i ngjashmërisë “me “vargjet e Naim Frashërit për Shqipërinë ideale”, përkatësisht me poemën e Pashko Vasës “Mori Shqypni, e mjera Shqypni”, Sali Bashota thekson: “Në “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë” janë shtatë ëndrra dashurie që e kanë fillin dhe mbarimin e tyre, që e kanë mallin dhe dhembshurinë e tyre, që e kanë idealitetin dhe identitetin e tyre”.

Përmes kundrimit të tillë krahasimtar të krijimeve letrare, në kohë dhe periudha të ndryshme historike, Sali Bashota përveç shpalosjes dhe vlerësimit të këtyre vlerave, synon dëshminë historike se ëndrrra për ta bërë Shqipërinë-ashtu siç e kanë ëndërruar gjithmonë breznitë orëmira, është e përhershme, kurse në mënyrë të veçantë, tek poetët dhe kryepoetët e letërsisë shqipe, kjo ëndërr mbetet e përjetshme.

***

Në pjesën e dytë të librit, Bashota ndalet tek autorë të ndryshëm që kanë lëruar tregimin si dhe tek rrafshet e caktuara të tregimit shqiptar. Ndërkaq, në trajtesën Teaksti narrativ i Konicës, idetë dhe konceptet, ai ka shtruar pyetjet, për të cilat mund të thuhet se janë aktuale edhe sot:
“Si mund të flitet për fillet e modernitetit në prozën shqipe duke ikur përfundimisht nga reminishencat e sentimentalizmit dhe të romantizmit, për të depërtuar në botën e letrave, në magjinë e shkrimit, ku detyrimisht flitet për stilin, gjuhën figuracionin, narracionin? Më tutje, si mund të hyhet në tekstin narrative të Konicës për t’i përvijuar idetë dhe konceptet shkrimore të tij?
A lind moderniteti: si teori, vizion, botëkuptim, parim krijues, metodë, duke i artikuluar esencat e shkrimit me cilësorin ‘i ri’ dhe ‘e re’?”
Pyetje po kaq të rëndësishme janë shtruar edhe në pjesën e tretë të librit, në shkrimin Miti i personaliteteve letrare:
“A është shndërruar në mit Jeronim de Rada, kur flasim e shkruajmë për letërsinë romantike arbëreshe?
A është shndërruar në mit Naim Farshëri, kur flasim e shkruajmë për Rilindjen Kombëtare Shqiptare dhe për doktrinën e bektashizmit?
A është shndërruar në mit, madje në antimit, Gjergj Fishta, kur flasim e shkruajmë për format e anatemës në letërsinë shqipe madje dhe për eposin nacional të shqiptarëve?”
Përderisa këtu trajtohet “madhështia apo anatema e krijesit elitist”, në qasjen e titulluar Individualitetet në kritikën letrare shqipe, përveç konstatimit të drejtë se: “Ndryshe konceptohet misioni i kritikut që vetëm interpreton vetëm duke përshkruar dhe, ndryshe misioni i kritikut që vlerëson, duke mbërritur deri tek sintezat studimore.”, sërish shtrohen pyetje për të cilat Sali Bashota me të drejtë thekson se paraqesin temë-dilemat në vazhdimësi:
“Pas të gjitha këtyre karakterizimeve vetvetiu mund të lind pyetja: a e ka krijuar krtika letrare shqiptare identitetin e vet të qëndrueshëm dhe modelin kulturor reprezentues të letërsisë shqipe? A mund të ushqehemi ende edhe sot me idetë letrare të kritikëve emblematikë të viteve të 20-ta e të 30-ta të shekullit XX? Sa ka mbërritur mendimi kritik shqiptar të depërtojë në qarqet kulturore të letërsive të huaja?”
Duhet theksuar se pyetje të tilla të rëndësishme, si këto apo edhe sikurse dhe pyetjet e tjera në pjesën e katërt të librit, lidhur me historinë e letërsisë: “prapë mbetet dilema se kush do ta shkruajë historinë e letërsisë shqipe? Apo kush do ta bëjë rishkrimin apo rivlerësimin e saj?”, apo edhe pyetja e radhës: “ekziston një hamendje se a duhet të shkruhet historia e letërsisë kombëtare apo duhet të shkruhen një varg e vastër historish letrare?”, ende nuk e kanë marrë përgjigjen e duhur në fushën e studimeve tona!
Hylli i Dritës:
tribunë e idealit të shtetit të lirë, zëri monumental i publicistikës shqiptare, frymëzim për mendësinë e lirisë së shqiptarëve
Autori gjitashtu në mënyrë mjaft analitike u është qasur edhe me raporteve të letërsisë së diasporës me atdheun (Letërsia shqipe e diasporës midis integrimit dhe çintegrimit), si dhe raporteve mes poezisë dhe modernitetit (Poezia dhe shoqëria). Ndërkaq, duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të një reviste të papërsëritshme (Revista “Hylli i Dritës” – diskursi mbi idetë), Sali Bashota ka vlerësuar drejt dhe ka përkujtuar me krenarinë të ligjshme: “Nëse do të mund të flisnim për ndërgjegjësimin e elitës kulturore përbrenda hapësirës shqiptare, kjo revistë do të ishte shembulli më i mirë për të mbërritur deri tek esenca se cili është shpirti i vërtetë i shqiptarit, cili është ideali i tij, kultura, edukimi, arti, gjuha, historia, letërsia, identiteti, qytetërimi?”
Për më tepër se kaq, në gjykimin kritik të tij, ajo mbetet: “Një revistë që ka për qëllim kryesor formimin qytetar dhe kombëtar të shqiptarëve, siç është revista “Hylli i Dritës”, ka ofruar rreth vetes elitën intelektuale shqiptare, për t’i funksionalizuar idetë e tyre në dobi të nxitjes, afirmimit dhe qarkullimit të vlerave të shoqërisë shqiptare në përgjithësi.”
Ajo, përkujton Bashota, mbetet “tribunë e idealit të shtetit të lirë dhe të qytetëruar dhe, pa dyshim, zëri monumental i publicistikës shqiptare.” Dhe për më shumë se kaq, përfundon duke thënë se: “Botimi i saj ofron dijen e një shekulli, kodin e një kulture autentike shqiptare, formatin e një qytetërimi europian. Prandaj, histroia, letërsia, kultura, gjuha etj., të paraqitura në këtë revistë, ndër të tjera, do të mbesin frymëzim për mendësinë e lirisë së shqiptarëve”.

Shfaqja e dy figurave gjeniale në letrat shqipe
Duke kundruar personalitettet eminente të letrave shqipe dhe të cultures shqiptare, autori vë në pah se: “Konica është një shfaqje gjeniale në letrat shqipe” (Teksti narrativ i Konicës, idetë dhe konceptet), kurse Fan Noli mbetet “njëri ndër figurat më brilante të historisë”, tek i cili Sali Bashota shquan erudicionin dhe gjenialitetin “në fushën e letrave shqipe në përmasat më të përndritura të kulturën shqiptare”. (Jetëshkrimi për Nolin)
Studiues i cili e ka vlerësuar dhe e vleëson drejt traditën letrare shqiptare, krijues i cili e ka gjykuar dhe e gjykon në mënyrë racionale veprat dhe krijuesit e këtyre veprave, Sali Bashota nuk mbetet thjesht në suazat e një vrojtimi të tillë. Duke shfaqur mendimin e tij kritik për dy figurat nga më eminenetet në letrat shqipe, Sali Bashota jo vetëm që konstaton një fakt si ky, por për më shumë se kaq ai gjakon për një sfond si ky në letrat shqipe. Pra, Sali Bashota nuk është vetëm studiuesi i cili rikujton figurat gjeniale në historinë e letërsisë shqipe. Ai është poeti i cili gjakon me të drejtë sërish për një sfond të tillë në letrat shqipe, dhe se nuk ka dyshim që në një gjakim si ky, ka sa krenari po aq edhe kënaqësi.
Përkujtimi dhe vlerësimi i kolegëve dhe miqve nag ana e poetit dhe studiuesit Sali Bashota
Një hapësirë të merituar dhe një vëmendje të veçantë i ka kushtuar Sali Bashota, njërit prej profesorëve i cili letërsinë e ligjëronte me një përkushtim të veçantë, por i cili do të mbahet mend si njëri prej poetëve shqiptarë që me mjaft zotësi të rrallë e ka vazhduar traditën e lërimit të sonetit në poezinë shqipe, Enver Gjerqeku.
Në shkrimin e titulluar Tre poetë të brezit letrar të viteve gjashtëdhjeta, përkatësisht në pjesën e këtij shkrimi, pjesë e titulluar me mjaft domethënie Soneti-mjeshtëria poetike e Enver Gjerqekut, Sali Bashota e kundron në plotni profilin krijues të poetit:
“Në vazhdim të krijimtarisë së tij, poeti kërkon formën e përsosur poetike, për të ndërtuar gjuhën, stilin, figurën në një pozicion të ri krijues, dhe në këtë mënyrë për të krijuar një vetëdije të re shkrimore. Gjuha e tij poetike e ushqyer me metafora magjike e magjepëse, pra e funksionalizon formën e re të shkrimit të tij: sonetin dhe kurorën sonetike, për të krijuar një ndërlidhje edhe me traditën më të avancuar poetike shqipe. Në ligjërimin e tij poetik, brenda një procesi dinamik, strukturohet forma dhe përmbajtja, me ç’rast krijohen variacione poetike shumë të fuqishme, të cilat bartin mesazhe domethënëse, duke e racionalizuar gjithnjë mendimin dhe duke disiplinuar gjithnjë gjuhën.”
Duke e konsideruar me të drejtë si “mjeshtër i vargut dhe i rimariumit në poezinë bashkëkohore shqipe”, si dhe duke e vlerësuar Enver Gjerqekun si “autori më representativ i sonetit në poezinë e sotme shqipe”, Bashota gjithashtu thekson:
“Në anën tjetër, shprehja poetike e Enver Gjerqekut krijon një koncept vetanak krijues, aty ku motiv inicial i frymëzimit bëhet njeriu, atu ku buron fjala magjike për jetën, aty ku poeti e shpalos aventurën e tij shpirtërore e krijuese, duke zgjuar fshehtësinë e fjalës, dinamikën e dhembjes, fuqinë e shprehjes poetike.
Poeti Enver Gjerqeku i kërkon dhe i koncepton veçoritë simbolike të poezisë së tij. Pikërisht, që nga titujt e librave të tij poetikë funksionalizohet domethënia e tekstit lirik.”
Një vend të theksuar në librin “Enigma e shkrimit” zë edhe shkrimi për profesorin Basri Çapriqi, portreti intelektual i të cilit paraqitet në sfondin prej poeti, studiuesi-kritiku si dhe ligjëruesi-profesori (Vepra e Basri Çapriçit).
Duke e përshkuar jetën dhe veprën e Basri Çapriqit në mënyrë mjaft përmbledhëse, Sali Bashota ndalet me të drejtë tek dy tituj të veçantë të diskurist krijues të mikut dhe kolegut të tij:
“Dy librat e tij më të rëndësishëm, të cilët dallohen për objektin e studimit, për kërkime të avancuara shkencore dhe për rezultate të dëshmuara teorike dhe kritike, janë “Simboli dhe rivalët e tij” (2005) dhe “Paradigma kadareane” (2006). Në librin “Paradigma kadareane”, Basri Çapriqi ka trajtuar praninë dhe ndëryimin e simboleve mitike në poezinë dhe prozën e Kadaresë, duke dhënë shembuj karakterizues për funksionin e tyre brenda universit krijues kadarean.”
Nuk ka dyshim se kjo Fjalë lamtumirëse për poetin dhe mikun, më 16 janar 2018, në vete mbart dhembjen dhe mallëngjimin, por gjithsesi edhe vlerësimin për studiuesin e përkushtuar, librin monografik të të cilit “Simboli dhe rivalët e tij”, Sali Bashota e quan si “projekti më i realizuar dhe më i sukseshëm shkencor i studiuesit Basri Çapriqi”, dhe për të cilin pohon se si i tillë “mund të konsiderohet një ndër librat më të rëndësishëm në studimet letrare shqiptare”.
Ndërkaq, në pjesën e pestë të librit (në shkrimin e vetëm të kësaj pjese), Nëntë kujtime për Ali Podrimjen, Sali Bashota nëpërmes nëntë kujtimeve të thadruara në kujtesën e tij flet me një pietet të veçantë në përkujtim të poetit emblemë, duke përdorur simbolikën e numarve 7 dhe 9.
Në të parën, Kujtimi i shtatë: Pagëzimi i vajzës sime me emrin Rea, në bashkëbisedim e sipër, babai i thotë të bijës se “Bali ka shkuar në parajsë”, pasi që ajo e pyet se ku ka shkuar poeti, duke e bindur se: “Parajsa është vendi ku jetojnë poetët si Ali Podrimja”
Në të dytën, pra në simbolikën e numrit 9, autori i librit paraqet një sfond të rrallë në të cilin bashkëbisedojnë dy poetë. Njëri që ka ikur në amshim, dhe prej ku dëgjohet zëshëm kryevargu i tij, kaq shumë në këtë kohë të pakohë: “Kosova është gjaku im që nuk falet”, dhe tjetri që rron dhe e kujton mes tjerash edhe bisedën e shoqëruar me një buzëqeshje si një emblemë ilire: “I thashë, duke qeshur: Kosova është pjesë e Shqipërisë”.
Në magjinë e shkrimit
Duke trajtuar tekstin narrative dhe idetë e Faik Konicës, Sali Bashota ka përdorur shprehjen e cila librit i rri si një nëntitull i dytë: Në magjinë e shkrimit. Pra, për një krijues si Sali Bashota, shkrimi nuk është vetëm enigmë. Ai është më shumë se kaq. Është magji. Është joshje, është tundim, është frymëzim. Sepse ka diçka magjike tek shkrimi, përkatësisht tek dhuntia për të shkruar:
“Prandaj në librat e moçëm, jo rrallë, është shkruar dhe folur për historinë e veprës së autorit, për historinë e krijimit, për historinë e dorëshkrimeve, për historinë e receptimit, e në fund për historinë e letërsisë, pikërisht aty ku mbetet autori”. (Poema “Skëndërbeu” e Beqir Musliut)
Magjia e shkrimit vetvetiu nënkupton përjetësinë: “parajsa shpirtërore e ëndërrimit është mision i çdo poeti” (Bota poetika e metaforës)
E duke u kthyer tek fusha e tij e preferuar, Sali Bashota ka shprehur mendime të cilat e shquajnë bukurinë e poezisë: “poezia, kjo mbretëreshë e arteve”, apo mendimin për rolin elitar të saj:: “Sot poezia e fuqizon misionin e saj për një shtresë së caktuar lexuesish. Rënia e popullaritetit të saj në shumë vende të botës i ka dhënë mundësi më shumë prozës, si dhe llojeve e formave të tjera të letërsisë. Megjithatë, poezia mbetet arti më elitist, i cili e mishëron sistemin e vlerave njerëzore të qytetërimeve të ndryshme.” Ndërkaq, duke e shpalosur poezinë si pjesë përbërëse të dokumentit shpirtëror, ai ka vënë në pah se: “Diversitetet e kulturave nuk e njohin diversitetin e poezisë. Poezia krijohet bashkë me universalitetin e kulturave, të identiteve, të gjuhëve. Poezia e ka botën e vet. bota e saj është imagjinata. Përmes ligjërimit të veçantë poetik ndërtohet gjuha, ritmi, figurat, fjalori poetik, të cilat bëhen dokument shpirtëror i jetës njerëzore.” (Poezia dhe shoqëria)

Gjuha e ligjërimit kritik të Sali Bashotës
Krijues i cili e ka formuar profilin e vet të veçantë tash një kohë të gjatë, poet i cili në këngëtimet e tij lirike ka dëshmuar dhuntinë dhe pasionin e pareshtur për fjalën e bukur shqipe, individualitet me prirje të theksuara letrare e studiues i zellshëm i letërsisë së traditës si dhe i letërsisë bashkëkohore, kritik i cili ka aplikuar një qasje dhe një metodologji mjaft të veçantë sa dhe origjinale në shpalimin e portreteve letrare, e gjithashtu edhe në vlerësimin e veprave të kryeveprave të letërsisë sonë, Sali Bashota në kodin e ligjërimit të tij kritik ka aplikuar një gjuhë mjaft të rrjedhshme sa dhe të pasur, me terme dhe nocione moderne, gjuhë në të cilën spikat ligjërimi i rrejdhshëm e fjalia e mendimit të mprehtë, shoqëruar me një gjykim të thellë si dhe me një vlerësim të drejtë, si për veprat ashtu edhe për dukuritë dhe fenomenet letrare.
Duke shpalosur idetë dhe temat e krijuesve shqiptarë të etapave të ndryshme, duke analizuar strukturën e veprave letrare të këtyre krijuesve, rrafshin narrativ, stilistik, rrafshin e procedimit të ideve apo edhe rrafshin figurativ; duke theksuar e hera-herës edhe duke e riaktualizuar vizionin e tyre në përmasat e kontekstit të shumanshëm- si fjala vjen të rrafshit historik, letrar apo edhe kulturor; duke u ndalur me tone të veçanta tek fenomenet e shfaqura krijuese apo edhe tek prurjet dhe prirjet e reja që ata krijues kanë manifestuar në veprat e tyre poetike/letrare, duke analizuar kohën e autorit si kohë subjektive qoftë në raport me kohën objektive apo qoftë në raport me kodin ligjërimor, duke kundruar fuqinë e shfaqjes së ideve letrare në prizmin krahasimtar, apo shumësinë e intepretimit si dhe përmasën e frymëzimit; duke u marrë me çështjet e gjuhës dhe të stilit krijues të autorëve të veçantë-qoftë të traditës apo të modernitetit, duke gjurmuar relacionet shpirtërore, shoqërore dhe kombëtare; duke qëmtuar temë-dilemat apo edhe tiparet dalluese që ato ngërthejnë të shfaqura nëpërmjet ideve, stilit, gjuhës, figuracionit; duke gjetur dhe shqiptuar mjaft qartë format e përsosura krijuese të poetëve dhe shkrimtarëve të etapave dhe periudhave të ndryshme kohore, duke njohur mjaft mirë magjinë e fjalës dhe duke e theksuar mjeshtërinë e fjalës shqipe tek autorë të veçantë me prirje të veçanta-qoftë poetike apo qoftë narrative; duke vënë në pah relacionet historike dhe relacionet aktuale të veprave letrare, Sali Bashota në gjuhën e ligjërimit të tij kritik flet për bukurinë e përjetshme, për mrekullinë e gjuhës poetike, për ligjërimin magjepës, për mallin shpirtëror dhe për zjarrin kryengritës, për shkathtësinë e ligjërimit dhe mprehtësinë e mendimit, për dramatikën e ligjërimit kritik, për fuqinë e frymëzimit krijues, për trajtën më të përsosur të dhembjekrijimit dhe të dhembjeshkrimit, për përmasën e shkrirjes së epizmit me atë të lirizmit, për valëvitjen e shpirtit poetik, për autorë emblematikë të letrave shqipe, për ndikimin e muzës në frymëzimin dhe në artikulimin poetik, për funksionalizimin e historisë si kujtim të zbërthimit poetik, për misteret e pafundshme të poezisë, për figurat dhe kryefigurat, për vlerat e mirëfillta dhe të përhershme krijuese, për shenjat e identitetit kombëtar, shtetëror dhe kulturor; për përfytyrimin dhe shpërfytyrimin e situatave lirike, për ndriçimin e kujtesës historike, për dramacitetin e dhembjes dhe të shpresës, për ndikimet që ka letërsia me sfondet e saj të shumta rrezatuese, për parabolat poetike, për zjarrin e ligjërimit poetik, për imazhet e shtresuara apo temat e rikuptimësuara, për përfytyrimin magjik dhe deshifrimin poetik të shpresave, për larminë e ndjenjave dhe relacionet meditative, për fuqinë e imazhit dhe botën e ideve, për përceptimin magjepës të figurës, shkallëzimit e përjetimit; për bukurinë e ligjërimit, për krenarinë kombëtare të gjakuar në shkrime dhe të rikthyer në realitet, për paralelizmin e ngjarjeve apo poliseminë e prirjeve krijuese, për aventurat magjepëse të kërkimit krijues dhe të rrëfimit letrar, për shtresat e shumta kuptimore të tekstit letrar, për rrafshin stilistik e figurativ, për ndërlidhjen e ideve të sintetizuara përbrenda shtresave narrative, për kohën shpirtërore të shkrimtarit, për konceptin artistik dhe për konceptin estetik, për mitin e personaliteteve letrare (mitizimi, demitizimi/përjashtimi), për madhështinë dhe anatemën e krijuesit elitist, për rolin dhe misionin e kritikës letrare, për studimet krahasimtare në fushën e studimeve shqiptare, për ndërgjegjën dhe misionin e kritikut letrar, për individualitetet e kritikës letrare, për estetikën e studimit letrar, për misionin e pakrahasueshëm të kritikut të papërsëritshëm e të profesorit erudit Hasan Mekulit, për rrafshin e domethënieve dhe relacionet krahasuese, për panteonin e studimeve shqiptare dhe për piadestalin krijues, për bukurinë magjepëse të imazheve, për historinë e letërsisë shqipe dhe kërkimin e modeleve, për pranimin apo refuzimin përbrenda kodeve të komunikimit letrar, për modelin estetik dhe etik, për letërsinë shqipe të diasporës dhe raportet e integrimit apo të çintegrimit, për indiviadualitetet letrare dhe identitetin kulturor, për raportet mes poezisë dhe shoqërisë…
Nëpërmes këtyre shprehjeve dhe nocioneve letrare, Sali Bashota ka krijuar jo vetëm kodin e veçantë të ligjërimit të tij kritik, por ai ka dëshmuar njëkohësisht edhe profilin e tij të veçantë prej studiuesi të letrave shqipe, individualitetin e tij të theksuar krijues, i cili nëpërmjet citimit të dy prej figurave eminenete të letrave shqipe, ka përkujtuar se cili duhet të jetë misioni i mirëfilltë i artit të fjalës shqipe, edhe sot por edhe mot: rilindjen e shpirtit shqiptar (Faik Konica), dhe: letërsia është pasqyra e shpirtit të një populli. (Ernest Koliqi).

Leximi me laps në dorë
Në librin e tij “Enigma e shkrimit”, autori Sali Bashota ka cituar shkrimtarë botërorë dhe shqiptarë. Fjala vjen, në shkrimin Koha e krijuesit: nata, ai ka cituar Borhesin: “Koha është substancë nga e cila jam bërë. Koha është një lumë që më merr me vetë, por unë jam lumi; ai është një tigër që më shqyen, por unë jam tigri; është një zjarr që më përpin, por unë jam zjarri”. Apo: “Shoqëria pa lexues të poezisë do të dukej shoqëri e vdekur përbrenda një imazhi të shkretëtirës. Në fakt “poezia nuk mësohet. Ajo ndihet” – thoshte Borhesi. (Poezia dhe shoqëria)
Në shkrimin Koha e krijuesit: nata, duke bërë fjalë për tregimet dhe novelat e Mitrush Kutelit, ai ka cituar V. Shkllovskin: “nata në shumë legjenda ekziston si kohë për intriga dhe kohë për t’i ndryshuar ata që janë në iniciativë”. Apo edhe citimin tjetër, po këtu dhe sërish duke vlerësuar Kutelin: “sepse cikli natyror i netëve dhe i ditëve e cakton kryesisht ngjarjen”.
Po në këtë shkrim, Sali Bashota ka cituar shkrimtar Oktavio Paz: “që prej epokës paleolitike, poezia ka qenë simbiozë në të gjitha shoqëritë njerëzore. Nuk ka ekzistuar shoqëri që të mos ketë njohur njërën ose tjetrën formë të poezisë”.
Në shkrimin Historia e letërsisë shqipe-kërkimi i modeleve, ai ka cituar më tej nga Pol Valery: “Historia e letërsisë nuk duhet të jetë histori e autorëve…Një histori e tillë mund të hartohet pa përmendur as edhe një shkrimtar”.
Në shkrimin Teksti narrativ i Konicës, idetë dhe konceptet, ka cituar mendimin e njohur të Faik Konicës:
“Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë! Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por edhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembimet e gjuhës dhe lajthitjet e shtypit! Ashtu qoftë!”
Citimi i thënieve dhe i shprehjve si këto më lart, dëshmojnë për kulturën e leximit me laps në dorë, por njëkohësisht edhe për shijen ideo-estetike të përzgjedhjes së mendimeve të cituara, të cilat Sali Bashota i shkrinë fare natyrshëm në funksion të tekstit kritik. Ndërkaq, libri Enigma e shkrimit, është një libër që dëshmon prirjen e theksuar të Sali Bashotës për një sintezë studimi në diskursin e tij kritik, qoftë kur shkruan për brezin e konsoliduar të poetëve të viteve 60-ta, qoftë kur shkruan për Kosovën në poezinë shqipe, për individualitetet e kritikës letrare shqipe, apo qoftë kur shkruan edhe për kohën krijuesve të cilat në veprat e tyre paten për motiv natën.
Ky libër, në të cilin autori ka marrë në shqyrtim shkrimtarë, krijues apo edhe studiues të rëndësishëm, përkatësisht më pak të rëndësishëm të letërsisë shqipe, dëshmon për rrugën krijuese të Sali Bashotës.
Pa dyshim, ai është poeti që gjakon në vazhdimësi për të bukurën dhe për të madhërishmen, bota e të cilit përbëhet sa nga kujtimet e ringjallura po aq edhe nga dorëshkrimet e ringjallura.
Ai është krijuesi i cili vihet në kërkim të dritës, dhe i cili edhe kur e gjenë atë e edhe kur e përjetëson atë në vargje të latuara me dhunti dhe me durim, nuk rresht së gjakuari për të. Jo vetëm për të përkujtuar me titullin e veprës së tij “Në fillim ishte drita” – kundruall fjalëve me moshë biblike se “Në fillim ishte fjala!”, por edhe për të dëshmuar se duke qenë njëri prej poetëve i cili e ka vizituar tempullin e Zeusit të Vajmarit, ai nuk ka mundur për t’i shpëtuar frymëzimit që Gëte la në fund të jetës së tij, me fjalët e tij të fundit: “Më shumë dritë!”
Sali Bashota është ligjëruesi, i cili është shquar gjithmonë për përpikmërinë e të ardhurit me kohë, duke dëshmuar në orët e ligjëratave përgatitjen dhe përkushtimin e tij të veçantë.
Ai është profesori, tek i cili provimet e letërsisë nuk mbarojnë vetëm sa për të marrë një diplomë.
Gjithsesi, ai është shkrimtari dhe intelektuali i cili e ka shqiptuar mjaft qartë misionin dhe vizionin e tij, duke besuar fuqishëm se “studioja e shkrimtarit është parajsa shpirtërore”.