Rreth ndarjes së Kosovës

0
411
Ndue Ukaj

Ndue Ukaj

Kosovën e kemi ndarë qëmoti. Me muret e larta dhe të pakalueshme që i kemi vu mes nesh; ato mure të urrejtës dhe të mos durimit, që na kanë penguar të shohim përtej vetvetes, ta duam vendin, njerëzit e tij, dhe të punojmë për të ardhmen e përbashkët të tij.

Ka ndarje të ndryshme të shteteve: copëtim të tyre, thyerje, pushtim, por, historia tregon se, ndarja më e dhimbshme dhe ndoshta e pariparueshme për një komb është, kur ai fragmentohet, ndahet kulturalisht, shpirtërisht dhe politikisht.
Ne jemi fragmentuar, por nuk duam ta pranojmë, prandaj edhe shtiremi. Dhe, si pasojë e këtij mjedisi të ndotur moralisht, sot Kosova nuk ka një ide për të ardhmen. Ajo vërtitet e trullosur, në një mjedis të ndotur politikisht dhe moralisht.
Kjo ka shkaktuar një thyerje të brendshme, dhe, në një vend të vogël, me një popullsi sa të një qyteti të Europës, përditë dëgjon kukama, lajme negative, thashetheme dhe mbillet me tonelata urrejtje, mos durim, propagandë. Ata që e kanë lexuar romanin, “Viti i mbrapshtë”, të Ismail Kadaresë, përmes tij, lehtësisht mund t’i lexojnë shenjat e Kosovës së sotme.

Kosovën e kemi ndarë, sepse i kemi dëmtuar rënd raportet tona me miqtë perëndimorë, pa të cilët, nuk do të kishim as liri dhe as pavarësi.
Pa dyshim, këtë e kanë bërë batakçinjtë dhe të paaftët e shumtë, që kanë vërshuar në politikë, dhe kanë marrë vendime për vendin dhe njerëzit e tij, por këtë thyerje, e kanë ndihmuar edhe të gjithë ata që u kanë duartrokitë atyre. Të tillët janë të shumtë dhe të strukur kudo, në institucione të politikës dhe të jopolitikës.

Kosovën e kemi ndarë, sepse e kemi përqendruar diplomacinë në duar të njerëzve të paaftë, të cilët, kur flasin për diplomaci- për këtë art të politikës- kukurisin dhe nuk mund të thonë asgjë. Po, ata dinë të bëhen hipokritë. Këtë zeje e kanë zhvilluar mjeshtërisht, por politika, esenciale, nuk lidhet me broçkulla dhe hipokrizi.

Kosovën e kemi ndarë, sepse, që disa vite, kemi bërë “politikë” thashethemesh, si lojëra kalamajsh, sa për t’ ia kënaqur sedrën njëri- tjetrit. Për pak lavdi e konsum ditor të brendshme, ose, për një lajm dhe një fotografi në Facebook.
Kosovën e kemi ndarë, për shkak të çoroditjes së brendshme dhe mos guximit për të abortuar të keqen brenda nesh, duke mos reaguar dhe refuzuar politikisht dhe kulturalisht.

Ka vite prej kur, Kosova e ka harruar kulturën e refuzimit estetik dhe politik, për të cilën na pati mësuar Ibrahim Rugova, dhe, ka kapërdirë gjithçka që i është ofruar, vetëm për qefin e dikujt dhe që dikujt t’i shkojë kungulli mbi ujë.
Po ashtu, Kosovën e kemi ndarë, sepse e kemi lënë të shkretë. Të pazhvilluar. Përditë e kemi dëmtuar fotografinë e saj dhe tanimë ajo është shumë e zymtë.

Kosova sot është e dëmtuar dhe duket ngjashëm me njeriun me aftësi të kufizuara. Po, vendi ynë është me aftësi të kufizuara për të bërë politikë kreative, sepse, në ballë ka njerëz që më shumë kujdesën t’i stërvitin muskujt sesa mendjen. Në fakt, ka vite prej kur vendi ynë nuk ka bërë politikë, por ka qenë zgjatim i politikave të dikujt tjetër, më së shumi të tiranit të Stambollit.
Politika është dije, është mjeshtëri, dhe, para së gjithash lidhet me kulturën. E këto cilës, kjo klasë politike, i ka me deficit të madh.
Njerëzit e ditur, thoshin: Nuk ka politikë, ka kulturë.

Sot, kulturë nuk ka, politikë sa për t’i kënaqë mëhallët tona, po.
Dhe të besosh se me këtë soj politke, vendi ynë mund të zhvillohet dhe ecë përpara, është njësoj si të besosh se, njeriu me paterica mund ta sfidojë në garë një atlet të stërvitur mirë.