Rrëfimi: Si e vrau gjyshi i Sali Berishës priftin e fshatit (një kujtesë për kanunorin Sali)

0
876

TemA

Ka ndodhur shumë kohë më parë, por ende mbahet mend dhe tregohet nga banorët e malësisë së Pukës.

Bëhet fjalë për vrasjen e priftit të fshatit Berishë, nga gjyshi i Sali Berishës, çka më pas do të sillte edhe largimin e tyre përfundimtar nga kjo zonë dhe vendosjen e tyre në Malësinë e largët të Gjakovës.

Është fakt se banorët e zonave malore të veriut të vendit janë përfshirë shpesh herë në hasmëri të ndryshme, që jo rrallëherë kanë zgjatur edhe më tepër se një shekull, por historia e familjes Berisha do të ishte unike.

Kjo për faktin se shënohet e para herë që dikush nga banorët ngre dorë kundër kishës.

Kjo do të thotë që edhe pasojat do të ishin më tepër se një vrasje për gjakmarrje, pra një “damkë” që shoqëron familjen e kryeministrit prej më shumë se një shekulli.

Ndre P., 67 vjeç, e ka origjinën familjare pikërisht nga ky fshat, por prej rreth 20 vitesh jeton në kryeqytetin belg, Bruksel.

Takohemi me të në një bar-kafe në lagjen Uccle, ku bashkëbiseduam rreth ngjarjes së vjetër, çka po e botojmë më poshtë.

Në marrëveshje me të intervistuarin po ruajmë pjesërisht anonimatin e tij, pasi ai vetë pretendoi se një pjesë e mirë e familjes së tij jeton ende në fshatin e origjinës si dhe në qytetin e Pukës.

Nga është origjina e familjes tuaj?

Nga Berisha e Madhe e Pukës. Por prej shumë vitesh familja ime është zhvendosur nga andej dhe tashmë jetojnë të shpërndarë në disa qytete të mëdha. Një pjesë e fisit tonë ka mbetur ende në fshat dhe jetojnë atje në kushte të vështira, pasi mungon thuajse fare infrastruktura.

Përse mendoni se mungon infrastruktura, kur gjatë fushatës elektorale kryeministri ka pohuar se rrugët janë ndërtuar në çdo fshat të Shqipërisë?

Kryeministri mund të deklarojë çfarë të dojë, por është fakt që në zonën tonë nuk ka investuar. Aq më tepër që edhe origjina e tij është nga ky fshat.

Nga ky fshat? Origjina e Berishës dihet që është nga fshati Viçidol i Tropojës.

Kjo është e vërtetë vetëm për kryeministrin Sali Berisha, ndërsa babai i tij ka lindur në Berishë të Pukës. Saktësisht nuk e di vitin, por sipas asaj që tregohet ende në fshatin tonë, ka ndodhur në fillim të shekullit të kaluar, pra rreth 100 vjet më parë. Gjyshi i Berishës ka vrarë priftin e fshatit dhe për këtë shkak është përzënë që andej dhe është vendosur në Viçidol të Tropojës.

Përse janë përzënë, dhe nuk është zbatuar kanuni me vrasje siç ndodh rëndom në malësi?

Sipas asaj që tregohet në kohën që ka ndodhur krimi, Shqipëria ishte përfshirë në shumë rrëmuja që kishin të bënin me vitet e para të shtetit dhe kohën e turbullt para luftës së parë botërore. Por duke mos pasur zgjidhje tjetër banorët e fshatit, pasi e gjykuan rastin në bazë të Kanunit, vendosën që familja e vrasësit të shkishërohej dhe pastaj të përziheshin nga fshati. Ky është fakti që pjesa e mbetur e fisit Berisha në Pukë i përkasin besimit katolik, ndërsa familja e kryeministrit besimit mysliman. Pra në fisin e tyre gjysmat janë katolikë dhe gjysmat myslimanë.

A mban lidhje kryeministri Berisha me kushërinjtë e tij nga Berisha e Pukës?

Po, besoj se po. Kjo për faktin se disa prej tyre i ka shpërblyer duke iu ofruar poste të ulëta apo disa vende pune modeste. Por fshati ka mbetur një nga më të varfrit në zonën e Pukës.

Të rikthehemi edhe njëherë tek përzënia, çfarë pasojash të tjera patën ata?

Fisi i tyre ka qenë i madh dhe i fortë, çka siç duket ndikoi edhe mos ekzekutimin e gjyshit të Berishës, por u mjaftuan me përzënie. Fundja nuk kishin çfarë t’i bënin zemërimit të fshatit, pasi e kishin prekur atje ku nuk mund të shfajësoheshin, aq më tepër që prifti mbante me bukë gjithë njerëzit, përfshi edhe familjen e vrasësit. Sipas asaj që tregohet, hipotezohet se shkak për krimin ishte fakti se prifti e kishte kapur vrasësin duke vjedhur në pronat e kishës. Përzënia ishte më e pakta që mund t’iu bëhej si dënim dhe shpagim njëkohësisht. Kështu që ata kaluan Drinin dhe u vendosën në fshatin Viçidol të Malësisë së Gjakovës. Pas kësaj historia e familjes Berisha është e njohur.

Intervistoi: Fatos Mahmutaj
Shënim: Intervista është bërë nga gazetari Fatos Mahmutaj për TemA disa vite më parë dhe po ribotohet pas deklaratave të Berishës se ai ecën me Kanun dhe ishte gati ta vriste Ramën. Gjë që nuk është e re për familjen e tij, siç e tregon edhe kjo histori