Rënia e qeverisë Kurti

1
435
Pal Shtufi dhe LDK-istët

Pal ShtufiRevista Drini, 12 prill 2020

(rrëfim i premtuar)

Si rugovist i pandryshueshëm, natyrisht që jam edhe lojalist i LDK-së. Por, në të njejtën kohë, jam fanatik i së vërtetës, të cilën e them edhe atëherë kur më kushton shtrenjtë; edhe atëherë kur ajo është kundër LDK-së; edhe atëherë kur shumica nuk e pranon të vërtetën.

Në muajin shkurt-mars 2020, në Prishtinë, e kam pa të vërtetën dhe shkakun e rënies së qeverisë Kurti. Albini dhe Vjosa, në mungesë të pjekurisë politike, kanë gabuar. Për fat të keq, gabimi nuk matet me peshën e dijes ose të padijës, por me momentin kur ndodhi dhe nga cila instancë. Po të ishte në dorën time, sot do t’ua falja gabimin për shkak të dëmit kolosal dhe për shkak të naivitetit politik, që i tipizon këta njerëz të mirë.

Nuk është zbulim ajo që do të rrëfej, por është pikërisht ai rrëfim që e njeh bota dhe për të cilin kanë shkruar pena të ndryshme ndërkombëtare. E bota shkruan vetëm për një motiv të rënies së kësaj qeverie: ultimatumin e SHBA-ve për heqjen e taksës pa kushte.

MOCIONI

Para mocionit, me kaçikun tim, unë e kam paralajmëruar krizën sepse isha aty, isha dëshmitar. Fillova me shkrime që me 20 shkurt (shihni pak në faqen time). Unë nuk shihja ëndërra. E dëgjoja trokun e ultimatumit amerikan që vinte duke u rritur. Unë i dëgjoja porositë, njejtë, sikur të gjithë të tjerët. Nuk i kishim dy porosi, por NJË. Nuk kishim as alternativë. Mbase, porosia më parë shkonte te Albini se te LDK- ja, por Albini injoronte çdo porosi dhe çdo kërkesë. Injoronte me një arrogancë të paparë. Më ka trishtuar heshtja dhe arroganca e Kryeministrit, ndonëse gjysma e qeverisë nuk ishte e tij. Letra e Isës e 16 marsit, nuk ishte e para, ishte sa për ta njoftuar publikun. Ishte, si të thuash, si këmbanë e fundit. Kush e ka lexuar e sheh përgjërimin e Isës në atë letër. Unë për vete kurrë nuk e kam pa Isen duke lutur dikë si Albinin për heqjen e taksës, pra, për ruajtjen e qeverisë.

DHEMBJA NUK ËSHTË ARGUMENT I TË VËRTETËS

Dhembja për humbjen e pabesueshme të qeverisë së shpresës, është e madhe, por ky nuk është argument për ta mbuluar të vërtetën. Nuk është as e ndershme të thirremi në te. E ndershme dhe dinjitoze është edhe të qajmë për atë që ka ndodhur, sepse është tepër e rëndë, por nuk është e ndershme që për shkak të situatës së rënduar, të shtrembërojmë të vërtetën. Siç dihet, nuk është në fuqinë e as në traditën e LDK-së për të bërë veprime spektakulare politike. Jo! Rënien e kësaj qeverie e kanë shkaktuar tre faktorë tjerë:

a. kërkesa ultimative e SHBA-ve
b. injorimi i kërkesave dhe veprimet impulsive të Albinit
c. përkrahja qē Vjosa u ka dhënë veprimeve iracionale të Albinit

Arsyetimet tjera në stilin paranojak, se qeverinë e rrëzuan ata e këta, për ato e keto synime, janë arsyetime për përdorim të brendëshëm të VV dhe, sipas rezultateve që po duken, këto fajësime në adresë të LDK-së, kishin efekt shumë të madh në masë. Në fakt, solucioni: MËRZIA reale për këtë humbje dhe VIKTIMIZIMI i VV, solli një reagim të çuditshëm dhe masiv. Mërzia nuk i la njerëzit ta shihnin shkakun e vërtetë të rënies së qeverisë. As nga Albini nuk duhet pritur pranimin e gabimit, sepse ai i kushton me karrierë – edhe këtë duhet ta kemi parasysh.

PER VJOSËN ose HYJNESHËN

Ne shtator 2019 shkova në selinë e LDK-së. Takova Vjosa Osmanin dhe njerëzit më të rëndësishëm të kësaj partie. U tregova se kam vullnet ta përkrah LDK-në dhe Vjosën, të cilën LDK-ja e kishte nominuar për KM. U pranua me kënaqesi propozimi im. Vazhduam me tërë fuqinë. E di që gjatë fushatës, njerëzit më të rëndësishëm të LDK-së, na udhëzonin kështu: «kudo që shkoni, krahas partisë, Vjosën e favorizoni, sepse Vjosa duhet ta mund Albinin me vota

Kështu kemi vepruar për çdo ditë në terren, me shkrime ose forma tjera të propagandës. Kështu më erdhi motivi ta quaja Vjosën edhe Hyjneshë dhe ky «pagëzim» mori dhenë. Kështu pra, krah qindra ndihmësve të saj dhe një makinerie masive propagandistike të LDK-së, Vjosa mori 176 mijë vota. Vota që i kemi nxjerrë me një angazhim të pashembullt për Vjosën.

PAS ZGJEDHJEVE

Ngjarjet rodhën ashtu siç rodhën, VV fitoi. Pas zgjedhjeve, nga bisedat e shumta me Vjosën, kemi qenë të një mendimi që synimet programore për një bashkëqeverisje të ruhen me çdo kusht. Asnjë kusht dhe asnjë synim tjetër nuk kishim pos ecjen para për një qeveri ndryshe, qeveri të shpresës. Dhe, nga ky bashkëpunim i mirë, Vjosa më ofroi të bëhem këshilltar politik i saj. Në fakt, unë nuk mund t’ia filloja kësaj pune në muajin shkurt, prandaj e patëm lënë që me 10 mars të filloja, sepse kisha ca obligime në Zvicër. Në mars pastaj dihet si rodhën ngjarjet dhe kështu mbeta këshilltar në tentativë.

Pavarësisht këtyre, dua të them, sikur LDK-ja të refuzonte realizimin e pikave të planit bashkëqeverisës, unë sot do të isha me Vjosën. Por, të refuzosh kërkesën ultimative të SHBA-ve, kjo as ka qenë bisedë e as ide mes meje dhe Vjosës. Prandaj, më ka shokuar pozicionimi i Vjosës.

KATËR GABIMET E VJOSËS

1. Përballë Albinit, Vjosa do duhej ta luante rolin e LDK-istës lojalë dhe jo të bëhej shpresë e Albinit për veprimet e tij iracionale dhe impulsive. Sikur Vjosa të dëshmohej se qëndron fort pas kërkesës të LDK-së, Albini do ta kuptonte shumë më herët se i ka hasur sharra në gozhdë dhe do ta hiqte taksen (tarifën) ashtu siç ia kerkonte Shtëpia e Bardhë.

2. Është e pakuptueshme si nuk e njihte Vjosa “religjionin” e LDK-së, Amerikën dhe kërkesat e saja. I pabesueshëm ky gabim me çmim të lartë.

3. Vjosa gaboi që nuk e ndërmjetësoi kontestin dhe nuk tregoi frymë rugoviane. Përkundrazi, gjuha e saj ishte e ashpër, e njëanshme dhe rezolutive. LDK-së i dha të kuptojë se ajo është albinizuar tërësisht. Ky efekt solli kundërefekte…

4. Vjosa gaboi që votoi kundër qëndrimeve të LDK-së, nënkryetare e të cilës është vetë. Tjetër është të bësh thirrje kundër organizimit të mocionit, madje të kritikosh edhe vetë LDK-në, por kur mocioni i mosbesimit tanimë nuk kishte kthim, Vjosa do duhej të qëndronte neutrale, sepse jo gjithçka përfundonte me atë votim. Në demokracitë perëndimore, ky veprim nuk dënohet, por personat që veprojnë kështu, politikisht vdesin. Nuk u beson njeri më.

SOT

Për dallim nga shumë të tjerë, unë nuk i shoh Albinin dhe Vjosën si njerëz negativë. Albini nuk e rrëzoi qeverinë qëllimshëm, por nga mangësitë e tij prej politikani. Vjosa nuk kishte djallëzi, kur përpiqej ta mbronte qeverinë. Asaj thjeshtë i mungoi sensi politik. Unë mendoj se dyrekun për ta evituar shembjen e qeverisë, e vendosi në anën e gabuar, pra andej nga nuk shembej, e me këtë, pa dashje, ndihmoi shembjen e qeverisë. Mendoj se që të dy do duhej të kishin këshilltarë më të urtë dhe t’i dëgjonin ata. Me kryeneçësi nuk bëhet politika e nuk mbahet shteti.

HYJNESHA

Vjosa do të mbetët hyjneshë, sepse është një grua shqiptare me plot energji e dinamizëm. Pavarësisht se me 25 mars 2020, rrugët tona politike u ndanë, Hyjneshën do ta respektoj si gjithmonë, si karrieriste me elan dhe me vullnet të madh për punë. Grua që nuk e njeh lodhjen. Është e re dhe me perspektivë. Asgjë nuk e ndal.

NJË KËRKIMFALJE NGA UNË

Ndjesë Vjosës, të cilen e kam ironizuar dhe e kam kritikuar pak si rrebtë. Kam qenë i mërzitur dhe i goditur keq, si shumë të tjerë në këtë humbje të pakuptimtë.

1 KOMENT

  1. Ky zoteria Pal, “Si rugovist i pandryshueshëm”, ultimatumin e njeanshem te filoserbit Palmer e Grenell, duke favorizuar Serbine, asaj asnje presion por i thone vijo e hiqi njohjet Kosoves, duke poshteruar Kosoven, dhe ky “rugovisti i pandryshueshëm”, e quan ultumatum nga perendia. Por mire qe e pranon vetë, qe eshte rugovist i pandreqshem, dhe si i tille i shtron kurrizin gjithkujt, vetem e vetem te rrije ne pushtet. Pse ka me shumice te tille ne Kosove, prandaj dhe ambasadoret do te bejne siç kane bere tere jeten, duke u tallur vijimisht me kete popull, qe zgjedh politikane te tipit Rugova. Çfare turpi, dhe nuk kan as turp qe ta shprehinm, por perkundrazi, hiqen krenare.

    Shënim: Rugova kërkoi ndihmë nga Perëndimi, për me e çlirua Kosovën me sa më pak humbje, dhe mori mbështetjen e tyre, se Amerika dha kontributin më të madh për lirinë e Kosovës, prandaj edhe e duam. Por nëse tani kanë plane me e dëmtua Kosovën, nuk duhet me qenë shumë entuziatë, duhet me u mundua me e shmangë humbjen… /AÇ

Komentet janë mbyllur.