PROMOVOHET NË SHKUP DORACAKU I ANTON NIKË BERISHËS PËR GONXHE BOJAXHIUN – NËNËN TEREZE

0
547
Anton Nikë Berisha - Nënë Tereza në tre gjuhë

Të premten, më 5 shtator, në përvjetorin e katërt të shenjtërimit të Nënës Terezë, në Shkup u bë përurimi i librit të Anton Nikë Berishës “Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë: ‘E desha tjetrin me dashurinë e Hyjit’”, botuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore Shqiptare (ITSHKSH).

Drejtori i ITSHKSH, Skënder Asani, në fjalën e rastit, e cilësoi këtë libër si veprën më sintetizuese për Nënën Terezë.

Ndonëse për Nënën Tereze janë shkruar shumë libra dhe sigurisht do të shkruhen akoma, megjithatë jam i bindur se ky doracak, i botuar nga Instituti ynë në këtë përvjetor, një kohë të gjatë do të jetë vepra më sintetizuese për Nënën Tereze. Përveç kësaj, botimi i realizuar në tri gjuhë, është një kontribut modest pikërisht siç ishte jeta dhe vepra e Nënës Tereze“, tha Asani.

Ai shprehu kënaqësinë që ky libër u botua pikërisht në Shkup, aty vajza shqiptare Gonxhe Bojaxhiu u nis në rrugën e shërbimit ndaj Hyjit dhe njerëzve të uritur, të vuajtur e të sëmurë.

Një vajzë e re nga Shkupi ia nisi jetës në fillim të shekullit të kaluar pikërisht në këtë qytet me përkushtim të veçantë për Zotin, ndërsa e përfundoi shekullin duke u bërë gruaja më e famshme e qindvjeçarit të 19-të dhe shenjtorja e shekullit të 20-të. Për një njeri që i përket botës sonë ky është një sukses që na bën të mburremi shumëfish: para së gjithash si njerëz, ndërsa veçanërisht si shqiptarë, por pse jo edhe si shkupjanë. Gonxhja e jonë sot është shenjtore që e nderon kombin dhe, përtej kësaj, lënda me të cilën ajo e arriti këtë famë është modestia, dashuria dhe bamirësia. Andaj, ne nuk jemi as patetikë as nuk e teprojmë kur themi se letërnjoftimi ynë si shqiptarë dhe si shkupjanë është pikërisht emri Shën Tereza“, tha Asani.

Zëvendës-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, tha se botimi i librit “Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë: ‘E desha tjetrin me dashurinë e Hyjit’” nuk është thjeshtë shenjë e nderimit për shenjtoren Terezë, por edhe ndaj vetvetes – ndaj kombit.

Do kishte thënë Niçe, që kombet nuk vlerësohen aq shumë për nga numri i njerëzve të mëdhenj që kanë, por nga mënyra se si sillen dhe si i trajtojnë ato njerëz që i kanë në gjirin e kombit”, u shpreh Grubi.

Shkrimtari dhe publicisti Emin Azemi, në një vështrim përmbledhës, tha se ky botim plotëson shumë boshllëqe në njohuritë për jetën dhe veprën e Shën Nënës Terezë.
Ai tha se autori i librit, Anton Nikë Berisha, ka gjetur mbase mënyrën më të duhur për afirmimin e figurave që kanë ushtruar ndikim të pakrahasueshëm në botën e civilizuar, siç është Nëna Terezë.

Të shkruash për figura të mëdha, siç është Nënë Tereza, është sfidë në vetvete, sepse duhesh të zgjedhësh rrugët më pak të rrahura nga autorë e studiues të tjerë. Por Anton Nikë Berisha, me përvojën e studiuesit dhe lëvruesit të shkathët të problemeve letrare e kulturologjike ndër ne, ka arritur të na ofrojë një model interpretimi që mund të konsiderohet mjaft i avancuar, si për nga koncepti i materies, ashtu edhe për nga metodologjia e trajtimit të përmbajtjes së pasur të jetës dhe veprës së Nënës Tereze“, tha Azemi.

Që nga titulli i këtij botimi, autori ka dashur të na përgatisë për një lexim kreativ të tekstit, duke i dhënë profilit jetësor e shpirtëror të Nënës Tereze trajtat e një mendimi të gjallë që në vetvete ka sensin për të zbuluar hyjnoren në veprimet e kësaj gruaje të madhe të njerëzimit“, theksoi Emin Azemi.

Kryetari i shoqatës qytetare “Shkupjanja Nënë Tereza“, Dimçe Petrushevski, tha se Nëna Terezë i bën të gjithë qytetarët e Shkupit, pavarësisht prej përkatësisë etnike, fetare, kulturore e gjuhësore.

Përmes saj afirmohemi të gjithë ne si shoqëri, pa dallim të përkatësisë nacionale dhe fetare. Ne jemi krenarë që e kemi bashkëqytetaren tonë përfaqësuese në botë dhe që identifikohemi me të”, tha Petrushevski.

Autori Anton Nikë Berisha, në fjalën e tij të rastit, tha se për këtë botim ka shfrytëzuar tekstet e vetë Nënës Terezë, ndërsa ka përdorur edhe disa librat më të rëndësishme për Terezën të botuar në gjuhën italiane dhe në disa gjuhë të tjera.

E para, këtu, për herë të pare, flitet në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi tekstet që i ka lënë Nëna Terezë. Janë tekste nga të cilat, në bazë të analizës, dalin të gjitha mendimet që janë brenda. E dyta, këtu janë shfrytëzuar librat më të rëndësishëm për Nënën Terezë në gjuhën italianë dhe gjuhët që i di unë“, tha Berisha.