Poezi që flasin për ndjenjat, jetën, familjen, atdheun, dashurinë…

0
6733

Trandafile Molla – Baja – “ Vazhdoj të jem “, botoi 2 M Printing – Durrës, 2017

Milazim F. KADRIU

Poetja Trandafile Molla – Baja, ndonëse e larguar nga vendlindja tash e shumë vite, ajo gjithë atë që ndjen për vendlindjen dhe njerëzit e
sajë e shpreh përmes poezisë. Poezitë e sajë përmbajnë fjalë zemre dhe shpirti.

Siç shprehet edhe në poezi poetja konsideron se njerëzit jo vetëm të afërmit dhe miqtë e sajë janë gjëja më e shtrenjtë .
Përmes shumë poezive ajo shpreh dashurinë e madhe që ndjen për vendlindjen, për atdheun e saj. Ajo asnjëherë nuk e harron Durrësin, shkollën, shoqet, mësuesit, të kaluarën e sajë në vendlindje.

Të gjitha çka ndjen ajo i shpreh në mënyrë origjinale përmes poezisë. Gjithat që e ndjen për atdheun e shfaq përmes poezive të saja.
Bazuar në poezitë e këtij vëllimi poetik por edhe të librave tjerë që ka botuar deri tani, autorja premton vazhdimësi në krijimtarinë e sajë.
Autorja edhe si e re është marr me krijimtari letrare, por edhe tash edhe pasi ajo ka bërë një moshë, shpirti i saj krijues e ka gjetur rrugën e shpërthimit. Por, siç e dimë poezia nuk njehë kohë dhe moshë ajo vjen kur tek krijuesi lindin emocionet.

Ajo përmes poezive të saj sjell botën shpirtërore të sajë që edhe pse jeton në Itali ajo është shumë e lidhur me atdheun, posaçërisht është e lidhur ngushtë me qytetin e Durrësit, aty ku kaloi vitet e rinisë, ditët më të mira të jetës së saj.

Për ty o Durrës klasik,
Me det e me valë,
Respekt për poet fisnikë,
Respekt, për kompozitorë e këngëtarë.

Temat e poezive janë nga më të ndryshmet si për fëmijërinë e kaluar të sajë, dashurinë e sinqertë, emocionet, dashurinë ndaj atdheut, por që sjell edhe poezi kushtuar Kosovës pjesë kjo e ndarë padrejtësisht nga atdheu i autores, Shqipëria.

Sa shpejt, kanë harruar moj Kosova trime,
Pse kërkojnë prapë terror dhe krime ?
Ku historia me armë të nxehta veproi,
Dhe tokën martire me gjak e mbuloi.

Edhe vetë autorja siç e citon në fillim të librit ku thotë se “poezitë e saja flasin për ndjenjat, për jetën, për respektin, për familjen, për fëmijët, miqësinë dhe shoqërinë dhe sidomos për dashurinë e madhe për atdheun, për vendlindjen, për jetën bashkëshortore e njerëzore, pra për dashurinë sepse nuk është e lehtë, ashtu siç nuk është e lehtë vetë qenia dhe fjala, DASHURI”.

Dashuri për ty moj natë delikate,
Që thyen zemra e bënë mëkate,
Kur ndjen, frymën e ëmbël dhe të ngrohtë,
Drithëron zemrat dhe shkrin borën, në të ftohtë.

Autorja poezi u kushton edhe datave të festave të ndryshme po edhe atyre kombëtare si është edhe 5 Maji –Dita e dëshmorëve, ku si thotë ajo ulur në gjunjë para një lapidari shprehet :

Lavdi dëshmorëve të heshtur,
Lavdi,atyre që dhanë jetën,
Respekt, për ata që s’janë më,
Për ata që luftuan për të vërtetën.

Shumë poet mërgimtar nëpër vende të ndryshme ku tani jetojnë e veprojnë asnjëherë nuk e kanë harruar vendin e vetë dhe këtë më së miri e dokumentojnë për mes krijimeve të tyre qoftë në prozë apo edhe poezi. Një gjë të tillë e bënë edhe poetja Trandafille Molla – Baja, që edhe pse jeton në Itali asnjëherë nuk e harron Durrësin e saj. Andaj në shumë poezi të saja e hasim fjalën vendlindje, ku ajo shpreh mallin dhe dashurinë që ndjen për vendlindjen.
Poetja Trandafile Molla-Baja, jeton jashtë vendit të saj, por që kokën dhe vështrimin e ka përsëri nga Atdheu.

Atdhe, për ty zemra po më qan,
Atdhe je më i bukuri emër,
Në qdo vend të kërkojë anembanë,
Atdhe ti je ulur në timen zemër.

Gjatë leximit të poezive të poetes Trandafile Molla-Baja nuk mundesh të kalosh pa të zgjuar emocione dhe ty si lexues, ngase poezitë e kësaj autoreje janë ndiesore.
Lexuesi këtu gjen mesazhe që e këshillojnë për ta dashur jetën, ngase autorja poezitë e saja i ka shkruar me ndjenje e shpirt, me art e kulturë dhe sjellin shije të mirë leximi.

Edhe redaktori I librit Agim Bajrami, ndër tjera thotë : “ Poezia e Trandafiles është një valë që lëviz vazhdimisht mes dy brigjeve, sa nga ai italian ku ajo jeton dhe shkruan, dhe sa nga ai shqiptar, ku ajo është e lidhur aq fort me kujtimet e lindjes dhe rritjes, me varret ku prehen babai dhe gjyshet, me rrugicat e fëmijërisë dhe dallgët e Adriatikut. Ndryshimi është se kontakti me këto brigje është një çlirim aq i madh sa materia fizike e autores kthehet menjëherë në një ajër poetik, dhe në një metaforë. Sinqeriteti i vargut shndërrohet kështu vetvetiu në emocion“.