Poezi nga Rajmonda Maleçka

0
2009

Rajmonda Maleçka

Atrit Gafurr Bytyçi

Më sillni pak diell në humnerë,
Ka 100 vjet këtu dergjen dhe vuajnë mijra
fytyra burrash trima,
Të premë për krushqi burrash pa frikë e pa tutë,
Të premë për udhëtarë të pazbrapsun
kah rrugën ban drita.
Më sillni pak ajër, këtu ku ka mure vetmie,
Të veçuar me mijra e për jetë bashkë,
Të dini, burra të gjithë dhe këtu ku kemi mbetë,
Për të qëndruar kështjella jonë e lashtë.
Më sillni një fjalë nëne, veç nji fjalë nane,
T’i bëj të gjithë të rënët të dalin vrik në llogore,
T’i harrojmë plagët, thellë në tokë t’i lenë sot,
T’u buzëqeshim nënave e t’i mbajmë për dore.
Më sillni një peng burri,
Ta shlyej vuajtjen 1000 vjeçare të arbërit
e shqiptarëve,
Se fushat, malet, krojet, kullat e kishat
e mija do të jenë,
Se ishin kah mijra vjet trojet e të parëve.
Më sillni një zë gruaje,
T’i besoj kullën, shtëpinë me gurë, një sofër
të madhe burrash,
Se djem azganë e burra me vese moti,
përjetë do të ketë,
Siç ka patur përjetë dhe histori kullash,
ndër këto troje arbnore.
Më sillni një fytyrë vajze të Kosovës,
Ta bëj të ardhmen e Kosovës një kopsht
me mrekulli,
Se lulet më të mira të kopshtit bahen
kurora për dashuritë,
Një kopsht ku secili ta mbjellë andërrën e tij.
Ma sillni një fëmijë Kosove,
T’i them të ardhmes , -bashkë kemi udhë
të gjatë lumturie,
E mos harrojmë zakonin e vjetër të burrave,
E si qëmoti, me kësula e fustanella,
të hedhim valle shqiptarie.
Diellin dhe ajrin, fytyrat e nënave e fjalët e burrave,
Tashmë Kosova i ka në fushë, mal, në kodër e konak,
Mos u çudisni pse kështu flasin të rënët e dëshmorët,
Pse kështu nga të gjallët ca gjëra i kërkojnë nga pak.

“””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””

Abedin Sokol Rexha

Luginës së Drenicës, po vjen një kalë i bardhë,
Por, mbi shalën me gjak s’ka Jakup Ferrin,
Një kalë që sjell zulmat e historisë,
Një kalë që po sjell 1000 trima mbi shpinë.

Kreshtave të Rugovës, po fluturon një shqipe,
Bijtë që nga 100 vjet lindur, mbi fletë i ka,
Një nga një ua lë kreshtave të maleve,
Të bijtë që çdo mal si fëmijë ja mba.

Luginave të Çiçavicës, po vrapon,
një dragua,
Në trupin e lodhur djersë e gjak,
Një dragua që bëhet Mujë e Halil,
Një dragua që bëhet kushtrim e bajrak.

Rrafshit të Dukagjinit, bie dhe ngrihet
një lajmëtarë,
Nuk është Maratonomaku, po ka fytyrë shqiptare,
Një djalosh i ri më rininë në fytyrë e në trup,
Që zgjon hap pas hapi të vdekurit në varre.

Drejt Vojnikut erën e çan një drer,
Një erë që e bën thikë, shpat e plumb,
Vrapon, e zë lëshon kullë më kullë,
Vrapon fushave, mejdanëve e dhimbjen e shkund.

Nëpër natën pa rrugë e shtigje ndriçon
një pishtarë,
Një pishtarë i ndezur nga shqiptari ma i parë,
Ka në dritën e vet “shollën” e yjeve,
Ka në dritën e vet sytë e trimave të vrarë.

“””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar