Poezi nga Nikoll N. Ulndreaj

0
770
Nikoll Ulndreaj

Nikoll N. Ulndreaj, poeti qe ne çdo rast te magjepes me krijimet e tij brilante.
/Gj.Musa

AH, BJESHKËMIRA IME PO Ç’E DESHE

Ah, bjeshkëmira ime po ç’e deshe
Kur kishe gjelbërim të vësh qeleshe
Gonxhja e luleborës në larë bore çeli
E këngës ia mori çokthi e harabeli
Qiell i qelqtë me re të bardha
Lumi i kaltër me valët pulëbardha
Gjelbrimplot në rudina e rrëza
Flladi këndon sikur thëllëza
Ujëvara e ylbere valle hedhin tek pasqyra
Qesh Tanusha, qesh gurra, qesh natyra
Zemër e shpirt se ç’u ndezën flakë
Me shkri borën mbi zambakë
Ah, bjeshkëmira ime po ç’e deshe
Kur kishe gjelbërim të vësh qeleshe
E tani dridhem të të puth e të përqafoj
Acari më ngrinë, më bën të rënkoj
Dhe ti moj bjeshkë serish m’u shfaqe
Hënën byzylyk, me një nishan në faqe
Njomëza fluturon ndër ograje e pyje
E ty të flakërinë në qafë gjerdani me yje
Ah, bjeshkëmira ime po ç’e deshe
Kur kishe gjelbërim të vësh qeleshe
Gonxhja e luleborës në larë bore çeli
E këngës ia mori çokthi e harabeli
Tiranë me dt. 22. 04. 2017

VERËN SJELL ME SYTË E ZI

Më kish humbur vetja ime
E kam gjetur në sytë e saj
Vjedh më kish një jetime
Buzët llavë e sytë me vaj
Sytë e saj zjarr e pishë
Në lojë me të më futi fati
Fshihte hënë nën këmishë
Në errësirë mbetej fshati
Zemra mbushej afsh prushi
Buza-buzë e dhembje plot
Hëna bëhej kokërr rrushi
Buza në gaz e sytë me lot
Çmend më ka vasha e sertë
Lule kumbull lule qershi
Ku e puth mbi rremb i blertë
Verën sjell me sytë e zi

PIKËLLOHEM PER FATIN TIM

Pjesa e nëndtë
Me ikjen e dallëndysheve ika dhe unë në dheun e huaj
Mbështjellë me ethe duke u dridhur si thupra në ujë
Në muzgun e krisur të një mbrëmje me gjemba
Gjymtyrë-thyer i ndezur flakë po flakën s’mund ta shuaj
Më sillet rreth koke toka me shkëmbinj e dete
Ndihem i mpirë, më errësohen sytë, s’jam më në vete
Më dridhet trupi si një i vrarë i gozhduar në mure
Si për mort po dal nga dyert e kësaj jete
Stinë më stinë nga pas më ka ndjekur një fat katil
Hënë e diell dritë më bëjnë ditënatë veç sa një kandil
Një fill shprese si e ciganit më merr përdore
T’mos humbas pa nishan deti t’më përpi si krokodil
Thënxhinjtë tu të rubintë s’më hiqen nga gjoksi Atdhe
Edhe pse trupi e duart e mia të mardhur ti nuk i nxe
Flet në emrin e profetëve e të perëndive
Zemrën ngrirë kallkan në vullkan pse nuk ma kthe…