POEZI DHE SONETE DASHURIE

0
934

PABLO NERUDA
1904 – 1973


TRUP GRUAJE

Trup gruaje, kodra të bardha, kofshë të bardha,
ngjan me botën në gjestin tënd të braktisjes.
Trupi im prej fshatari të thjeshtë – të gërmon
dhe del fëmija nga thellësia e tokës.

Qesh vetëm si një tunel. Iknin nga unë zogjtë
dhe në mua shpërthente nata me pushtimin e saj të fuqishëm.
Për të mbijetuar vetë të temperova si armë,
si shigjetë në harkun tim, si një gur për hobenë time.

Por vjen ora e hakmarrjes, dhe unë të dua.
Trup lëkure, myshku, qumështi i lakmuar e i qetë.
Oh kupat e gjinjve! Oh sytë e mungesës !
Ah trëndafilat e bubisit! Ah zëri yt i ngadalshëm e i trishtë!

Trupi i gruas sime, do të mbetem në bukurinë tënde.
Etja ime, ankthi im pa limit, ecja ime e pasigurt!
Përrenjtë e zymtë ku etja mbetet eterne,
dhe lodhja dhe dhimbja eterne mbeten.

NUK TË DUA

Unë nuk të dua, jo nëse pse të dua
dhe nga të dashuruarit në mos të dashurarit arrij
dhe duke të pritur kur nuk të pres
kalon nga të ftohtit në zjarr zemra ime.

Të dua vetëm sepse unë të dua,
Pafund të urrej dhe duke të urryer të lutem,
dhe masa e dashurisë sime është tepër e madhe
duke mos të parë e duke të dashur si i verbër.

Mbase do të konsumosh dritën e janarit,
rrezen e zhvoshkur, gjithë zemrën time,
duke më vjedhur çelësin e qetësisë.

Në këtë histori, vdes vetëm unë
dhe do të vdes nga dashuria, sepse të dua,
sepse të dua, e dashur, me hekur dhe zjarr.


ËSHTË BUKUR, E DASHUR

Është bukur, e dashur, të ndihesh afër meje natën,
e padukshme në ëndrrën tënde, seriozisht natën,
ndërsa unë çliroj shqetësimet e mia
si të qenë rrjeta të ngatërruara.

Mungestare zemra jote vozit nëpër ëndrra,
por trupi yt kaq i braktisur frymon
duke më kërkuar pa më parë, duke plotësuar gjumin tim
si një pemë që dyfishohet në hije.

Vertikal, do të jesh një tjetër, që do të jetojë nesër,
por me kufij të humbur nëpër natë,
prej kësaj mosqenieje në cilën gjendemi

diçka mbetet që na afrohet në dritën e jetës
sikur vula e hijes të tregonte
me zjarr krijesat e saja të fshehta.


NDJEJ BRISHTËSINË TËNDE

Ndjej brishtësinë tënde t’i afrohet tokës sime,
të përgjojë shikimin e syve të mi, të ikë,
e shoh të ndalet, për të më ndjekur gjer në orën
e shqetësimit tim të heshtur, e ankthit tim për ty.
Ja butësia jote e syve të ëmbël që presin.
Ja goja jote, fjala e pashqiptuar kurrë.
Ndjej që ngjitet myshku i brengës tënde
dhe më rritet në shpirt hamendja pa kufi.

Kjo ishte braktisja dhe, ti e dije,
ishte lufta e errët e zemrës dhe gjithçkaje,
ishte ofshama përçmuese e anktheve mallëngjyese,
dhe dehja, dhe dëshira, të lërë veten të shkojë,
dhe ishte kjo jeta ime
ishte kjo që sillte ujin e syve të tu,
ishte kjo që qëndronte në gropat e duarve të tua.

Ah, flutura ime dhe zëri pëllumbit,
ah, kupë, ah përrua, ah shoqja ime!
Thirrja ime të erdhi, më thuaj, të vinte
netëve të gjata me yje të ftohtë
tani, në vjeshtë, në vallen e verdhë
të erërave të uritura dhe të gjetheve të rëna?

Më thuaj, të vinte
duke ulëritur ose duke ngashëryer,
në çastin e gjakut të fermentuar
kur toka rritet dhe vibron duke pulsuar
nën diellin që e konturon me kodet e tij të qelibarta?
Më thuaj, më ke dëgjuar të kacavirrem
deri në formën tënde për të gjitha
heshtjet,
për të gjitha fjalët?

Ndjeva të rritem. Kurrë s’e kam ditur vete.
Përtej teje. E kupton, motër?
Fruti largohet kur arrijnë duart e mia
dhe rrokullisen yjet para vështrimit tim.

Ndjej që jam gjilpëra e një shtize pa fund,
që depërton larg, kurrë s’do të të shpojë,
tren dhimbjesh lagështish në ikje drejt
së të përjetshmes
duke pikuar në çdo tokë dënese dhe pyetje.

Por ja, forma jote familjare, ajo që është imja,
jotja, ajo që është imja, ajo që ështe jotja dhe më përmbyt,
ja ajo që më mbush gjymtyrët e braktisjes,
ja brishtësia jote,
që spërdridhet në të njejtat rrënjë,
që piqet në të njëjtin vargan frutash,
dhe del nga shpirti yt i thyer nën gishtat e mi
si lëngu i verës nga zemra e rrushit.
Larg dhe e dhimbshme, si të ishe e vdekur.
Pra një fjalë, një buzëqeshje mjaftojnë.
Dhe unë jam i lumtur, i lumtur të mos jetë kështu.

Përktheu Faslli Haliti