Poezi dhe një tregim i shkurtër nga Nikolin Sh. Lëmezhi

0
461
Nikolin Lëmezhi - pagëzimi te kisha e Shën Eufemisë

Ne ndërtojmë

Sergei Mikhalov

Çdo gjë është e mirë në botë,
gurët, rëra edhe balta.
Çdo gjë është e mirë në botë,
çekiçi, gozhdët edhe dara.

Është lopata dhe janë penjtë,
që të qepni e të gërmoni.
Djema punën mbajeni të shenjtë,
mësohuni punën fort ta doni!

Përktheu nga Rusishtja:
Vëlla Nikolin Sh. Lëmezhi

Gozhda mbi trupin Tënd…

Megjithëse
Ti u ringjalle
të tretën ditë.
Tashmë,
pas mijëra vitesh,
me habi,
mbi trupin Tënd
të shenjtë,
shoh gozhda
përsëri,
o Zot Jezus!
Prandaj,
me zemër të lutem:
Ki mëshirë për mua
dhe për të gjithë ata
që akoma
Ty të kryqëzojnë!

Vëlla Nikolin Sh. Lëmezhi
Shkodër, më 06.09.2018

Sa mister i bukur!

…të dobëtit në sy të botës i zgjodhi Hyji,
për t’i turpëruar të fortët
”. (1 Kor. 1, 27)

Sa mister i bukur,
Ti, o Zot,
se ëmbëlsisht
në vogëlsira
e në hollësira
banon,
më shumë
se kudo,
dhe bota,
pikërisht këtë,
nuk kupton!

Vëlla Nikolin Sh. Lëmezhi
Shkodër, më 24.07.2018

Mbi shkopin tënd…

(Kushtuar nënës Luke)

Me gjithë shpirt duaje babën tënd
dhe mos i harro ofshamet e nënës sate!
Mos harro se s’do të kishe qenë pa ta,
e çka do t’u japësh siç të dhanë ata?
”. (Siracidi 7, 29˗30)

Shkopi ku ti mbështeteshe,
tek e shoh plot mall.
Në zemrën time prej biri,
ç’ndjenja seç më ngjall!

Shkopi ku ti mbështeteshe,
i shkurtër si ti vet’.
I heshtur dhe i palëvizshëm,
o Nënë, sa shumë më flet!

Shkopi ku ti mbështeteshe,
është i shenjtë për mua shumë.
Se aty, tashmë o Nënë,
vazhdimisht mbështetem unë.

Vëlla Nikolin Sh. Lëmezhi
Shkodër, më 07.03.2020

SI ËNDËRR…

“Lini fëmijët të vijnë tek unë
e mos i ndaloni;
sepse atyre u përket
Mbretëria e Hyjit!”. (Marku 10, 14)

Si ëndërr ishte jeta,
kujtoj unë atëherë.
Të mbyllur dhe në terr,
nga një sistem i mjerë.

Fëmijë këmbëzbathur,
thjesht nën një çati.
Zemra seç kërkonte,
veç pak dashuri.

Në jetën si ëndërr,
kurrë nuk e harrova:
«Një shoqe të klasës,
për nuse e mendova».

O Zot, çfarë kujtimi,
sa shumë fantazi!
Një botë përrallore,
ajo fëmijëri.

Tashmë në jetën time,
gëzimi vërshon lumë:
Një nuse ëndërrova,
por m’u dha më shumë.

Vëlla Nikolin Sh. Lëmezhi
Shkodër, më 19.05.2014


Histori të vogla, mesazhe të mëdha…!

Një ditë, njerëzit e fshatit vendosën të luteshin që të binte shi. Ditën e lutjes u mblodhën të gjithë së bashku, por vetëm një fëmijë erdhi me çadër: kjo gjë quhet BESIM!

Kur e hedh në ajër lart një fëmijë dhe ai qesh ndodh kështu sepse ai beson se do ta presësh në krahët e tu: kjo gjë quhet MIRËBESIM!

Çdo mbrëmje shkojmë për të fjetur pa qenë të sigurtë se do të jemi gjallë mëngjesin që vjen. E megjithatë, e vendosim gjithmonë zilen për t’u zgjuar: kjo gjë quhet SHPRESË!

Bëjmë projekte të mëdha për të nesërmen, megjithëse nuk e njohim aspak të ardhmen: kjo gjë quhet SIGURI!

Shohim vuajtje në botë dhe, megjithëkëtë, martohemi dhe kemi fëmijë: kjo gjë quhet DASHURI!

Një zotëri i moshuar mbante një triko me këtë shkrim: “Nuk jam 76 vjeç. Jam një 16˗vjeçar me 60 vite përvojë”: kjo gjë quhet AFTËSI (Praktikë)!

Ta jetojmë kështu jetën, me besim, mirëbesim, shpresë, siguri, dashuri dhe aftësi (praktikë).

Përgatiti:
Vëlla Nikolin Sh. Lëmezhi