POEZI BASHKËKOHËSE POLAKE: WISŁAWA SZYMBORSKA

0
1028

Zgjodhi dhe përktheu nga polonishtja:
MAZLLUM SANEJA

WISŁAWA SZYMBORSKA

FËMIJË TË EPOKËS

Jemi fëmijë të epokës
epoka është politike

Të gjitha çështjet tu, tonat, tuajat
çështje të ditës, çështje të natës
janë çështje politike

Deshe s’deshe
gjenet tua kanë të kaluarën politike
lëkura nuancën politike
sytë aspektin politik
Çfarëdo të flasësh ka rezonancën
ajo për çfarë hesht ka kuptim
kështu o ashtu politik

Edhe kur shkon rrugës, pyllit
bën hapat politik
në trollin politik

Poezitë apolitike po ashtu janë politike
ndërsa lart ndrin hëna por jo më si hënë
me kenë a mos me kenë çështje është
Çfarë çështje përgjigju i dashur
Çështje politike

Nuk duhesh të jesh madje as qenie njerëzore
që të fitosh rëndësi politike
Mjafton të jesh naftë e papërpunuar
ushqim i koncentruar ose lëndë e dytë dytësore
dhe së paku tryezë konsultimesh për formën e të cilës
zihen muaj të tërë

Ndërkohë njerëzit kanë vdekur
kafshët kanë ngordhur
djegur janë shtëpitë
dhe fushat e lëna pasdore
si në epoka të moçme
dhe më pak politike

DASHURIA E LUMTUR

Dashuria e lumtur. A thua kjo është normale,
a thua është serioze, a thua e dobishme –
çfarë ka bota nga dy njerëz,
të cilët nuk e shohin botën?

Të lartësuar njëri ndaj tjetrit pa asnjë meritë,
i pari prej tyre një milion, po të bindur
se ashtu është dashur të ndodh – si shpërblim
për ç’gjë
për asgjë;
drita prej dikah bie –
përse pikërisht mbi ta, e jo mbi të tjerët?
A thua kjo fyen drejtësinë? Po
A thua shkel parimet e grumbulluara me kujdes,
shkel moralin në humnerë? Shkel e shkatërron.

Shikoni ata të lumtur:
sikur vetëm pak të maskoheshin,
të shtireshin si të pocaqisur, duke nxitur ashtu miqtë!
Dëgjoni si qeshin – me ofendim.
Me çfarë gjuhe flasin – të kuptueshme sa për sy e faqe
Ndërsa ceremonitë e tyre, me naze shumë,
obligime të trilluara ndaj njëri tjetrit –
kjo ngjan me komplotin prapa shpinës së njerëzimit!

Vështirë është madje të thuash se gjer ku mund të shpiejë
sikur shembulli i tyre të mund të imitohej.
Në çfarë do të mund të llogarisnin religjionet, poezitë,
për çfarë do të mbahej mend, çfarë do të dënohej,
kush do të dëshironte të mbesë në rreth.

Dashuria e lumtur. A thua kjo është normale?
Takti dhe mençuria urdhërojnë të heshtësh për të
sikur për skandalin nga sferat e larta të jetës.

Vogëlushë të mrekullueshëm lindin pandihmen e saj.
Ajo kurrën e kurrës nuk do të mund të popullojë
rruzullin e tokës,
sepse ndodh shumë rrallë.

Njerëzit, të cilët nuk e njohin dashurinë e lumtur,
le të pohojnë se askund s’ka dashuri të lumtur.

Me këtë besim më lehtë do ta kenë të jetojnë e të vdesin.

TERRORISTI, AI VËSHTRON

Bomba shpërthen në bar në ora trembëdhjetë e njëzet.
Tani është trembëdhjetë e gjashtëmbëdhjetë.
Ca ende do arrijnë t hyjnë,
Ca të dalin.

Tashmë terroristi kalon në anën tjetër të rrugës.
Ajo largësi e mbron nga çdo e keqe,
e pamja – si në kinema:

Gruaja e me xhaketë të verdhë, ajo hyn,
Një burrë me syze të errëta, ai del.
Djelmosha veshur me xhinse, ata bisedojnë.
Ora trembëdhjetë e shtatëmbëdhjetë e katër sekonda,
Ai më i vogli ka fat dhe hip në motoçikletë,
ndërsa ai më i madhi hyn.

Ora trembëdhjetë e shtatëmbëdhjetë e dyzet sekonda.
Vajza, ajo shkon, me kordele të blertë në flokë.
Vetëm se ai autobus befas e zë pamjen.
Ora trembëdhjetë e trembëdhjetë.
Tashmë nuk duket fare vajza.
A thua ka qenë aq budallaqe sa të hyjë apo jo,
kjo do të shihet kur do ta bartin.

Ora trembëdhjetë e nëntëmbëdhjetë.
Disi askush nuk hyn.
Pastaj del një tullac i trashë.
Po ja, sikur kërkon diçka nëpër xhepa dhe
në ora trembëdhjetë e njëzet pa dhjetë sekonda
ai kthehet t’i marr dorëzat e veta të grisura.

Ora është trembëdhjetë e njëzet.
Koha sikur të zvarrisej
Ndoshta tani.
Tani ende jo.
Po, tani.
Bomba, ajo shpërthen.

SHËNIME PËR AUTORIN

Visllava Shimborska ( Wisława Szymborska ) (1923-2012)
u lind në Kurnik të Poznanit(Poloni).Qysh në moshën tetë vjeçare u shpërngul në qytetin e Krakovit, ku dhe jetoi e krijoi deri ne fund të jetës.Studioi dhe kreu sociologjinë dhe polonistikën në Universitetin e njohur të Jagiellonëve në Krakov. Një kohë të gjatë ishte anëtare e redaksisë së revistës “Jeta letrare”. Shkroi dhe botoi një sërë librash, me poezi dhe eseistike, ne mes tjerash: “Ndaj jetojmë”, “Pyetje vetvetes”,”Thirrje Jetisë”,” Kripa”, “Të vdesësh së qeshuri”,” Çdo rast”, “Shifra e madhe”, “Njerëzit në urë”, “Fundi dhe fillimi”, “Pamje me kokrrën e rërës”, “Poezi të zgjedhura” etj.

Visllava Shimborska është laureate e Çmimit Nobel në fushë të letërsisë (1996) dhe e shume shpërblimeve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.

Nuk është thënë më kot se Visllava Shimborska është dama e parë e poezisë bashkëkohëse polake në botë.Këtë mendim nuk e ka thënë vetëm kritika letrare polake, po edhe kritika letrare botërore. Bashkë me Çesllav Milloshin, Tadeush Ruzheviçin dhe Zbignjev Herbertin paraqet një nga emrat më të mëdhenj në letërsinë moderne polake, të cilët me artin e tyre të fuqishëm poetik pushtuan botën.

Në të vërtetë, Shimborska në poezinë e vet shtron probleme ekzistenciale, duke qenë një vëzhguese aktive në shoqëri, e cila e vështon në mënyre analitike dhe kritike realitetin jo vetëm të shoqërisë polake. Të gjitha veprat e saj i karakterizon një precizitet i jashtëzakonshëm i fjalës, një lakonizëm i veçantë me elemente të fuqishme të ironisë. Mendimi intelektual te Shimborska është i mbërthyer me hidhërimin e pezmin e vetëdijes apo të njohjes mbi ngathtësinë e njeriut bashkëkohës dhe pamundësinë që t’ i humanizojë raportet në shoqërinë njerëzore dhe, ky pezëm dendur përshkohet me një humor të lehtë e sarkazëm therës, ndërsa kur poetesha flet për vetveten – edhe me autoironi.

Humanizmi në botën poetike të Shimborskes është një humanizëm pa patos dhe pa fjalë të mëdha. Dhe, pikërisht kjo e bën autentike dhe symprehtë karshi një botë të dehumanizuar, ku e keqja dhe dhembj janë të pafundme.
(M.S.)