PËRSE HESHTIN SHEKUJT?!

0
782
Xhemail Ali Peci

Xhemail Peci

Solomon, mos ma pre foshnjën, mos e pre, n’emër t’Zotit,/ le të mbetet pjella ime e paprekur, pa cenuar!/ Dhe ju, o perëndi të qiellit, ju o perëndi të paqes,/ jepjani mollën e sherit drejtësisht, kujt i takon. (Naim Frashëri-poeti kombëtar). Dëshmitare, ty të thërras,/o e tepruemja duresë shqiptare,/ ti që vuen pa za,/e bren pa ndie,/e kjan pa ankim,/e therr pa vra… (Ndre Zadeja-poeti i ëmbëlsisë)

Përse heshtin shekujt në kalvarin e gjatë të historisë,
përse mendohen shekujt në kërkim të krimeve,
rënë mbi ne nga furtuna e fatit të pafat,
rënë si vetë Shpata e Damokleut mbi sfidën tonë të gjatë,
rënë në sofrat tona, në vatrat tona e mbi kokat tona,
rënë përmbi qëndresën në rrethim-gjithë kujë, lebeti e trishtim,
lënë vetëm, fillikat-vetëm në vetminë e gjatë të shekujve?!
Përse heshtin shekujt për plisin e shqiptarit,
ngritur si raketë me rreze të gjata veprimi,
plisin kryengritës-shenjë qëndrese e krenarie të ligjshme,
zgjatur drejt horizonteve të pafundshme të kaltërsive qiellore,
zgjatur plisat e dheut të arbërit si koka krynegritëse e shqiponjës,
zgjatur në përgjigje të padrejtësive e për një ëndërr hyjnore.
Përse mendohen shekujt për lashtësinë ilire me gjurmë gjaku,
për gjuhën dhe për librat e shkruara me ngjyrë dhe me gjak,
për brezat dhe gjeneratat e shqiptarëve me armët ngjeshur,
që vetëm gjak kullojnë lirisë dhe paqes së Europës?!
Përse heshtin shekujt për xhufkat me ngjyra ylberi,
për xhamadanët e kuq e për fustanellat nëpër beteja,
për xhybet e zeza me kindet e tyre si flatrat e shqiponjës,
për festën e bardhë dhe për perkrenaren e shpatën,
për tufat e kuqe të opingave çelë barut mbi trëndafila?!
O përse mendohen shekujt,
o i shekujve shpirtbardhë,
o shqiptar?!
Përse heshtin shekujt,
për kufomat e shqiptarëve lënë matanë kufijve,
për kurmet e mbetura që presin familjarët në ankth:
nënat, nuset, motrat, bijtë dhe bijat, baballarët?!
Përse mendohen shekujt në kujtesën e tyre të trishtë,
vallë përse heshtin mileniumet për varrezat masive,
për varret e të parëve që nuk dihen,
për emrat e gurëve që nuk njihen,
për burrat që s’u kthyen kurrë më,
për bijtë që s’i pamë më kurrë,
për nuset dhe gratë e mbetura me duart në gji,
për fustanellën e Ilirisë me emrin Shqipëri,
për lumenjtë e larë me gjak,
për kokat e rëna në prag,
për Drinin e përmallshëm e Ibrin e bardhë,
për zemrat që rëndojnë si gurë,
për lotët që rrjedhin si gurrë,
për qytetin e ndarë në dysh,
për të drejtën demokratike e legjitime,
sa njerëzore po aq edhe hyjnore,
për këngët e zanave dhe të shtojzovalleve,
vrarë në shkëmbinjtë e thepisur në Tivar,
dhe nëpër grykat e mbuluara me borë,
hedhur në det e mbetur pa varr,
500 në Manastir…e 5000 në Tivar:
o zemër në dysh e çarë,
o dhe i bekuar i ndarë në pazar,
o toka bujare e gjakut e hequr zvarrë,
o këngë e shenjtë, o vrull i gjakut,
o lulëkuqe e mbirë sipër pragut,
o ëndërr e vrarë pabesisht në prita,
e vrarë hijeshisë dhe bukurisë,
ti bekim i bardhë i djepit,
ti orëbardha e amshuar e lirisë?!
Përse heshtin shekujt,
për horizontet e fluturimit të shqipeve,
për hapësirat paqësore të territoreve tona,
për sfondet hyjnore të shqipes dykrenore,
për atë shpend të shenjtë që kombi si feniks e mbanë,
për pikëllimin e lahutës ra në vaj,
për melodinë e gëzuar të fyellit,
për lartësitë ku krenare ngre çerdhen shqiponja,
për këngët e lirisë kënduar nga Drini dhe Valbona,
për armët e kryetrimit ndry në Muze të Vjenës,
për gurëzimin e nuses dhe krushqit e ngrirë,
për Urën e Shenjtë dhe mbishkrimet e gurëve,
për pushkatimet pa gjyq e për masakrat pa varr:
500 në Manastir… e 5000në Tivar…
Për besën e të vëllait dhënë të motrës,
për fjalën e dhënë sofrës dhe votrës,
herë pelerinë e shiut e herë pelerinë e gjakut,
ardhur si ëngjëll i bardhë me mallin e pragut:
Nënë, hape portën ! Jam unë, Doruntina !?
Nënë! Më solli Konstantini i Vogëlth!
Hape! Nënë! Jam unë: Rina!…
Përse heshtin shekujt në hapjen e portave tua,
përse heshtin mitet dhe legjendat me kronika gjaku,
për poetët e pushkatuar pa gjyq, varur në litar;
për duart e lidhura me tela, qëlluar prapa shpinës,
prapa kokës qëlluar, si nata qëlluar:
pabesisht dhe gjithmonë tinëz?!
Përse heshtin shekujt,
për trishtimin e pikave të shiut përmbi varrezat masive,
për bulëzat e njoma të lotëve mollëzave të faqeve,
për netët e përgjakura të llahtarisë së krimit makabër,
për pikat e shiut-dëshmitare të trishtuara në pirgjet e krimit,
për kufomat e hedhura në puse e në kazane plehrash,
për kokat e prera dhe për kurmet në kamionët me frigoriferë,
për trupat e djegur dhe të karbonizuar,
në shkritore e nëpër furrënalta?!
Përse heshtin shekujt për krahët e prerë të shqiponjës,
për lumenjtë e gjakut Golgothës sonë të pafund,
për shtëpitë me tapi kthyer në strehë kafshësh:
në Janinë, në Filat e në Follorinë…në Çamëri?!
Përse heshtin ndërgjegjet e fjetura të parlamenteve,
konferencave të ansambleve me mjekrra të thinjura,
për plisabardhët e ngulur në hunjtë e gardhit,
për trupat e shqiptarëve nëpër lumenj ngrirë,
për eshtrat mbetur kontinenteve e për varret e eruditëve,
për muret e spërkatura nga gjaku – të shpuara nga gjylet,
për trëndafilat e këputur me rafale mitralozësh,
për trupat e prerë me plumba mizorësh,
hedhur nëpër puse,
nëpër furra pjekur,
me cigare djegur?!
Përse nëna nuk e di ku i është varrosur djali,
gruaja nuk e di ku i është varrosur burri,
motra s’e di se ku i është tretur vëllai?!
Mish nga mishi ynë,
sy nga sytë e tanë,
asht nga ashti ynë…
Përse herë të çojnë në Auli e herë në Tauridë?!
Beselam, përse më flijojnë?!
Përse, Ifigjeni ?!
Ti diell dardanësh, Dardani!
Përse të ngrejnë kurthe,
përse të vënë prita,
përse shqiponjat s’i lënë të fluturojnë,
lirshëm dhe pa viza?!
Përse, ti diell dardanësh Dardani?!
Është zanë Dielli,
e nuk po ban dritë,
është ndalë Hana,
e nuk po ecë!…

Londër, nëntor 2018