PËR GJUHËN STANDARDE DHE PËR SHQIPTARËT “NJË KOMB-NJË GJUHË”

0
1263
Zymer Mehani - Fadil Curri me poete

Shkruan Prof. Zymer Mehani

REFLEKSIONET E KONSULTËS GJUHËSORE TË PRISHTINËS

“NJË KOMB-NJË GJUHË” ishte moto e pjesëmarrësve shqiptarë të Kosovës dhe të viseve tjera të ish-Jugosllavisë, në KONGRESIN E DREJTSHKRIMIT, Tiranë, 1972.

Duke pranuar bashkimin gjuhësor me të gjithë shqiptarët kudo që janë, duke pranuar si normë Projektin e Rregullave të Drejtshkrimit të Tiranës të vitit 1967, duke hequr dorë nga rregullat e drejtshkrimit të vitit 1964 të gegërishtes standarde, shqiptarët e Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, i dhanë fund rrugës ndarëse gjuhësore, nëpër të cilën kishin ecur në historinë e tyre të gjatë gjuhësore dhe hapën rrugën e bashkimit gjuhësor.

Klasa intelektuale shqiptare, populli, por edhe klasa politike shqiptare, që i dha shtysë e dorë këtij procesi, ishin të vetëdijshëm se një veprim i tillë nuk ishte aspak i lehtë dhe ishte një veprim jo pak sakrifikues, duke pasur parasysh shumë rrethana e momente të zhvillimit të tyre politik, shoqëror e ekonomik, po sidomos arsimor e kulturor, në të vërtetë ata ishin të vetëdijshëm se rruga e përvetësimit dhe zbatimit të atyre rregullave nuk do të ishte punë e lehtë, sepse në Kosovë ende po luftohej analfabetizmi dhe shkalla e tij ishte shumë e lartë.

Megjithatë, dëshira e entuziazmi, po, sidomos, vetëdija e lartë për rëndësinë e këtij veprimi, bënë që, me gjithë vështirësitë, përvetësimi dhe zbatimi në formën e shkruar të shënonte suksese. Zbatimi i rregullave të projektit të drejtshkrimit filloi të realizohej menjëherë në gazetat, në emisionet e radios, në shkolla, sidomos në mësimin e gjuhës amtare, po pak a shumë edhe në mësimin e lëndëve të tjera, më pas në botimet shkollore, botimet letrare e të tjera dhe në institucionet shtetërore, aty ku kishte hapësirë për shqipen. Mund të thuhet se shumë shpejt shqipja letrare fitoi autoritetin e pakontestueshëm.

Rezultatet në përdorimin praktik të saj ishin më së modeste për arsyet e ditura, megjithatë pranimi i gjerë dhe gatishmëria që të mësohej e të përdorej, hapën mundësite që rrjedha e këtij procesi të kishte të ardhme të mirë. Dhe kjo ndodhi. Me gjithë vështirësitë objektive të fillimit, vitet ’70 ishin vendimtaret, që gjuha standarde në këto hapësira të shënonte suksese edhe përtej parashikimeve. Rruga e filluar mirë, fatkeqësisht do të ketë vështirësi pas ngjarjeve të vitit ’81 për t’u intensifikuar sidomos gjatë viteve ’90 për arsyet e njohura.

Kriza politike, shoqërore, ekonomike, solli krizën e madhe arsimore dhe rrjedhimisht edhe gjuhësore, në të vërtetë solli vështirësi në rrugën e zhvillimeve të filluara mirë standardizuese. Pësoi rënie sidomos shkolla shqipe, dhe kjo pati reflektim sidomos në mësimin e gjuhës. Rënia e disiplinës gjuhësore do të sjellë pasoja jo të vogla për kulturën gjuhësore. Megjithatë, asnjëherë nuk u lëkund mendimi e qëndrimi për drejtësinë e vendimit të vitit 1968, në Konsultën Gjuhësore të Prishtinës.