“OPOZITARË” POR VËLLEZËR. POLITIKË.

0
749

AV. XHABIR ZEJNUNI

Zoti Edi Rama.

Atëherë.

Lulzim Basha deklaron: “Më gënjeve njëherë, është turpi yt. Më gënjeve dy herë, është turpi im” (….)! Lakonizëm perfekt, me “intensitet e nëntekst të lartë politik”. Ose ashtu duket.

Edi Rama deklaron: “LB (supozoj se bëhet fjalë për Lulzim Bashën dhe jo Luajmë Biliardo!) është koha për të vënë drejtësinë mbi frikën nga drejtësia; dialogun mbi çdo mjet tjetër politik; negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE mbi gjithçka, që na ndan në parti të ndryshme”.

Duket se Lulzim Basha nuk ka mbetur i kënaqur nga Pakti HistErik i 18 majit. Për këtë arsye, ai mundohet t’i krijojë idenë publikut se herën e dytë nuk do e hajë atë kokërr ulliri (ose kokrra ulliri) që të bëjë pakt tjetër me Ju. Pra, duket.

Kurse Ju rrini e i bëni lutje VËLLAIT Tuaj politik për takime të tjera kokë më kokë (ose kokë për kokë!) për Kryeprokurorin, apo negociatat për hyrjen e Shqipërisë në BE.

Por, unë habitem shumë se pse i bëni këto lutje, kur Ju keni “gurin dhe arrën” në dorë (madje “gurët dhe arrat”!).

Për Kryeprokurorin, mjafton që të zbatoni Ligjin Nr. 97.2016, nenin 109, par. 2 (të votuar më 86 vota, përfshirë edhe ato të bashkëopozitares së sotme LSI!!), i cili parashikon se “Në rast se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm përfundon përpara kohe, përpara krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (rasti ynë. XH. Z.!)!), funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, me vendim të Kuvendit, caktohet t’i kryejë përkohësisht një nga prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve dhe që përmbush kushtet dhe kriteret e kreut IV, seksioni I, të këtij ligji”.

Ja dhe Kryeprokurori i Përkohshëm u zgjodh me votim të thjeshtë(uar). Ai do jetë ama vetëm sa për FIGURË, sa për të thënë se ja nuk jemi pa Kryeprokuror. Lum si ne. Pasi ne patëm edhe Llallën (apo e kemi akoma?!) për 5 vite, i cili ishte “figuranti më aktiv” në Prokurorinë shqiptare.

Pastaj, avash-avash krijoni edhe KLP-në, e cila nga ana e saj avash-avash do seleksionojë personin më të përshtatshëm dhe spikatur për të udhëhequr akuzën e lavdishme shqiptare për SHTATË VITE me radhë.

Duhen 84 vota ama për zgjedhjen e Kryeprokurorit. Asnjë problem nuk do krijohet në këtë rast. Ju do kërkoni votim të “FSHEHTË”. Opozita do “ulërijë” duke kërkuar votim të hapur. Do fitojë variant i Juaj sigurisht.

Më pas, Kryeprokurori do votohet me 84 vota (ose edhe më shumë vota!): votat e socialistëve plus “FRANCHI TIRATORI”, ose votat e “tradhëtarëve opozitarë”.

Ashtu siç ndodhi edhe me DY votat e opozitës PRO zgjedhjes se Gramoz Ruçit si KryeKuvendar.
Ja dhe Kryeprokurori u zgjodh.

Opozita do ngrihet në protesta, revolta dhe greva urie. Do shpojë goma makinash dhe biçikletash, do thyejë xhama duke kundërshtuar Kryeprokurorin e zgjedhur në mënyrë “të njëanshme”. Ju do e kundërshtoni.
Koha do kalojë si pa kuptuar dhe asgjë nuk do ndryshojë.

Po VETTINGU kur do bëhet?
Kush do e bëjë?
Hë të keqen.