Nuk ka si „nëna jote“, por shqiptarët u adoptuan nga „një nënë tjetër“, ndaj: Mirënjohje Amerikë!

0
516

Alma Papamihali

(Replikë ndaj shkrimit të një zonje, kthyer nga Amerika).

I kam shkruar dhe unë Emigrantit, vetmisë e lodhjes së dyfishtë që ndjen njeriu në vend të huaj. Dihet që ana emocionale është e rënduar prej mallit, e megjithatë sot kur flasim për 20 vite (apo më shumë) pas emigrimit, ndryshon.

Shqiptarët (dhe çdo emigrant) janë të vetëdijshëm, që kudo ku kanë shkuar dhe po shkojnë, do hasin në vështirësi (gjuha, gjetja e punës, banesa, klima etj).

Megjithatë, ata nuk janë të zhgënjyer nga vendi pritës, por pikërisht nga vendi i tyre, ndaj ata u detyruan ta lenë atë, për të udhëtuar larg, qoftë në Amerikë, Gjermani, Suedi, Angli, Itali, Zvicer, Francë, Greqi etj.

Ata nuk duhen të jenë të zhgënjyer nga këto vende, përkundrazi… i janë (dhe duhet t’i jenë) mirënjohës këtyre vendeve, që u shndërruan në „nëna adoptuese“ për shqiptarët, ku ata gjetën punën dhe mirëqënien ekonomike, shkollimin, përkrahjen për një jetesë më të mirë, mjekësi më të mirë, kushte më të mira për familjet dhe fëmijët e tyre.

Pas 20 vitesh ?!

Shqiptarët nuk janë më të huaj në vendet përkatëse, por të integruar pothuajse tërësisht, ashtu si dhe vendasit. Shumica e tyre me punë të sigurta dhe me bizneset e tyre. Më thoni si është një shqiptar pas 20 vitesh në Itali, Kanada, Amerikë, Francë, apo Suedi?!

Ndërkohë, tashmë është lindur dhe rritur një brez i ri në vendet përkatëse, që nuk dallon nga të rinjtë amerikanë apo gjermanë dhe që Shqipërinë e njeh, e do, apo e viziton shpesh si vendlindja e prindërve, por edhe Amerikën (Italinë, Greqinë, Anglinë, Gjermaninë etj.) e do po aq shumë, sepse është vendi i lindjes së këtij brezi të ri. Është brezi që i përket dy-nënshtetësive, dy-gjuhëve, apo dy-vendeve.

Nuk ka si vëndi yt, nuk ka si toka jote, nuk ka si dielli i vëndit tënd, nuk ka si deti i vendit tënd, por njerëzit dhe politika nuk janë e njëjta gjë. Politika e dhjetra viteve i zhgënjeu shqiptarët, nuk i zhgënjeu as Amerika dhe as Kanadaja. Ata njohën atje vështirësinë, të panjohurën, por dhe prekën ëndrrën, njohën forcën brenda tyre dhe mundësinë për t’ia dalë mbanë, që pa këto vende, nuk do kishin mundur mbase kurrë.
Ku nuk shkuan shqiptarët në kërkimin e një jete më të mirë?! Kudo!

Nëse një ditë do kishte jetë në Hënë, shoferi i taksisë do ju përgjigjej shqip.
Jo më larg se para tre muajsh isha në jug të Shqipërisë. Pikërisht, ajo Sarandë e mrekullueshme, që gjatë verës gumëzhin dhe mbushet plot me turistë, në tetor ishte tërësisht e zbrazur. Fola me dy vajza të reja që punonin shitëse dhe flisnin të zhgënjyera. „Nuk arrin dot të nxjerrësh as shpenzimet e qerasë së dyqanit, pas sezonit të verës“, thoshte njëra. „Kam aplikuar në llotarinë amerikane“, tha tjetra.

Nuk i zhgënjeu as Amerika, as Italia shqiptarët, por „nëna e tyre biologjike“, që nuk pranoi njëherë të vërtetën e ikjes dhe nuk bën ende sot gjë për këtë dyndje, sidomos të brezit të ri, që pas shkollimit është gati të punësohet diku jashtë, për një jetë më të mirë.
Jeta të jep shumë leksione, por më e rëndësishmja është „Mirënjohja“.

Duhet t’i jemi mirënjohës vendeve ku jetojmë, që na dhanë një gjuhë të dytë (përveç shqipes sonë, gjuhës së shpirtit) siç na dha mundësitë për shkollim dhe një jetesë më të mirë.

Çfarë merr njeriu me vete pas 20 vitesh jetëse në një vend si Amerika?!
Gjithçka!

Ndër të tjera, perfeksionimin e Anglishtes, përvojën profesionale apo atë jetësore… pa përmendur anën monetare, që dihet që ka një vlerë shumë të konsiderueshme për një familje. Gjithmonë ekziston diçka në jetë që duhet t‘i jesh mirënjohës, por së pari duhet ta kesh gjetur atë.

Ndaj mos harroni të falenderoni Amerikën zonjë, nënën që ju adoptoi për 20 vite me radhë, madje familjarisht.

Mbase një ditë dhe vendi ynë do të shndërrohet në vendin e dëshiruar, dhe askush nuk do mendojë se duhet të iki, apo jo. Kjo dilemë kaq e lodhshme për shqiptarët.

Le të shpresojmë.

Alma Papamihali
Gjermani, 1 shkurt 2019