Një shoqëri e hapur dhe një shtet i së drejtës?!

0
448

Nga Av. Sergjio Mazreku

A jemi ne një shoqëri e hapur dhe e çliruar nga çdo mendësi dhe praktikë komuniste sot, njëzet e shtatë vjet pas rënies së murit Stalinist gjysëmshekullor dhe nisjes së startit të lirisë e të demokracisë? A është demokracia jonë një demokraci funksionale apo një amalgamë përzierjesh dhe rudimentesh të shoqërive të indiktrinuara dhe ku pushteti i elitave politike është absolute?! A po ndërtojmë ne shqiptarët një shtet të së drejtës apo ligjin e bën klani më i fortë dhe çdo reformë synon paprekshmërinë e “peshqve të mëdhenj”?! Këto pyetje nuk anojnë detyrimisht nga njëra anë, por kanë diçka nga të dyja anët. E vërteta kurrë nuk mund të jetë bardhë e zi dhe as kritizerët e trazncionit, as lustraxhinjtë e tij, nuk kanë plotësisht të drejtë, por vetëm pjesërisht.

Që në krye të herës duhet thënë se këto vite të traznzicionit postklomunist, pavarësisht çfarë thuhet e çfarë konsiderohen edne si plagë, janë arritur përmirësime të mëdha të jetës së shqiptarëve, që nga mendësitë deri tek mënyra e jetesës, kushtet e jetesës dhe infrastruktura sociale e psikolgjike e shëndetit të tyre fizik, shpirtëror e mental.

Raportet mes individit dhe shoqërisë, në këtë epokë të hapjes dhe çlirimit të energjive, qoftë të individit, qoftë të grupeve dhe shtresave shoqërore, kanë pësuar një ndryshim pozitiv, duke i bërë raportet dhe interesat e ndërsjella më atraktive dhe më luajale. Kështu, nëse zbulimi i plagëve të shoqërisë aktuale shqiptare na çon tek deformimi i raporteve të sotme mes individit dhe shoqërisë, mes individualizmit ekstrem, që na mban peng dhe kolektivizmit dogmatik, që i përket të kaluarës së afërt, kjo na bën të kuptojmë njëherësh dhe rëndësinë e këtij raporti, që mund të konsiderohet “Leva e Arkimedit” për ecjen përpara të dy vektorëve: individit dhe shoqërisë.

Për inerci të një realiteti të dyzuar, ku na bie të përpëlitemi, ngaqë ende nuk jemi mësuar plotësisht me rregullat dhe lojën e ekonomisë së tregut dhe sfidat e lirisë, individi sot ndihet i dizilizionuar, ndërsa shoqëria, nën një shtypje të shumëfishtë, për shkak të presionit që vjen nga rudimentet e strukturave ish-komuniste, nga vegjetimi për hir të një inercie ideologjike, e cila në një farë mënyre, rreket për të na angazhuar në aventurën e saj të pakuptimtë dhe nga e cila nuk fiton askush. Kjo ka ndodhur për shkak të deformimit të mësimeve të së kaluarës komuniste, të cilën politika e ka përdorur si “mace të zezë”, për të trembur çdo reformim real të individit dhe shoqërisë, duke e reduktuar gjithçka vetëm në shërbim të lobingjeve të rrotacionit politik, pa marrë mesazhe të drejtpërdrejta për atë kohë, tashmë të mbetur në të kaluarën e pakthyeshme dhe rrisqet e avantazhet e pashembullta që na ofron kjo kohë që jetojmë, pra koha e demokracisë.

Ndoshta, karakteri ynë i fortë, i ndikuar prej grykash të thepisura me gurë e shkëmbinj, por edhe i butë njëherazi, si pllajat dhe lëndinat e mbuluara me bar e tërfil, na ka bërë ta shfaqim edhe jetën tonë mes ekstremesh.Ne jemi endur midis shpirtit të vrazhdë e të egër dhe shpirtit të butë poetik njëherësh, si midis Shillës dhe Karibdës, në kërkim të identitetit tonë psikik, etik, social e kombëtar. Mes të kaluarës së mungesave të skajshme, por me një fasadë të çngjyrosur sigurie për individin, nga njëra anë, dhe të sotmes së tejngarkuar dhe stresante, por me tregje të mbushura plot dhe mundësi të pafundme realizimi të individit, shoqëria shqiptare ka pranuar këtë fundit.

Në një kohë jo dhe aq të lagët, lamë peng jetën tonë personale si qenie individuale humane, për hir të fiksacioneve dhe dogmave, por në këtë kuadër, edhe jetën tonë shoqërore, duke u identifikuar kështu, jo vetëm si individë, por edhe si qenie sociale me një vektor të humbur të historisë së vjetër e të re. Në këtë tranzicion të vështirë, përtej çdo limiti, por me farin e shpresës të ndezur, kërkojmë të vetëplotësohemi, duke u përballuar me vetveten dhe të tjerët, të çliruar nga izmat dhe tabutë e kota.

Pra, duke luftuar për këtë vetëpërmbushje, nuk bëjmë tjetër veçse konfirmojmë, se jeta e gjithkujt është personale, është dhurata që i përket çdonjërit, por është edhe sociale, përderisa njeriu, nuk mund të jetojë pa tërësinë e elementëve të jetës shoqërore, të krijuara e të vendosura në kohë dhe prej kohësh.

Por lind me të drejtë pyetja: Përse jeta jonë shqiptare ka njohur vetëm ekstreme?! Nga njëra anë, ka ndodhur një shoqërizim ekstrem në disa periudha të historisë sonë dhe individualizëm po kaq ekstrem në të tjera kohë. Shoqërizim mbi bazën e gjakut, mbi bazën e familjes së madhe, si dhe të fisit, për të përballuar punët e shumta, por edhe rreziqet dhe mbrojtjen e jetës, nderit dhe pasurisë së brezave tanë. Shoqërizim, mbi baza etnie, feje dhe idesh, si dhe shpërbërje sa herë këto janë dyshuar dhe goditur deri në braktisje, për të mos qenë pjesë e humbjes totale, substancë që mund të ngelte si një precipitat ngjyrosës në vetëdijen tonë kolektive. Ajo që ka përbërë themelin, në të gjitha kohërat dhe që ka siguruar jetën shoqërore, është gjithë veprimtaria, që ka të bëjë me nevojat për ushqimin shpirtëror, ku do të veçoja arsimimin, për ushqimin fizik, d.m.th. të ushqyerit, si dhe gjithçka tjetër, për sigurinë dhe mbrojtjen e jetës fizike, shpirtërore, mentale, etnopsikike të elementëve të saj.

Mungesa e shoqërizimit na ka bërë të pavetëdijshëm aq dhe si duhet, se prolemet e mëdha, siç janë mungesa e shtetit të së drejtës, mungesa e rregullave dhe lojës së ndershme të tregut, mosfunksionimi si duhet i dhënies së pronave pronarëve legjitimë, për shkak të një kaste gjyqtarësh të korruptuar etj zgjidhen me një shoqërizim të ideve dhe qasjeve, si presion ndaj klasave dhe elitave politike, për të ndërmarrë reforma të forta që të mund të na çonin drejt shtetit real të së drejtës. Qasjet inidviduale mund të zgjidhin përkohësisht çështjet tona indivudale, por “thembra e Akilit” mbetet aty, e pacënuar,kërcënuese dhe problematike.

Ajo që do të doja të evidentoja është se shoqërizimi i bën mirë gjithë shoqërisë, është i shëndetshëm për një shoqëri njerëzore dhe mban më të sigurta themelet e saj për të ardhmen që ajo ndërton. Kjo, për aq kohë sa ky shoqërizim nuk bëhet në emër të kauzave false, që shërbejnë për të ngritur në majë të pushtetit dallkaukët e radhës.

Pra raporti mes kolektives dhe individuales, tek ajo që shoqëria detyrohet të bëjë për të garantuar lirinë dhe standardet e individit dhe, nga ana tjetër, se sa ky individ ka detyrime për të përmbushur obligimet e tij morale e ligjore ndaj kësaj shoqërie, në këtë hapësirë po ndërlokohen gjithnjë e më shumë faktorët nxitës dhe kandari po anon gjithnjë e më shumë tek ndërgjegjësimi kolektiv, për të bërë presion mbi ata që kanë në dorë ligjet dhe zbatimin e ligjshmërisë,mbi pushtetin ekzekutiv dhe të gjitha pushtetet, që të ndikojnë në përmirësimin e standardeve.

Pra, në thelb, individi nuk është lënë në hije, me liri abstrakte e të përfytyruar, por ka një liri reale, që lidhet me ekzistencën e tij normale dhe dinjitoze, siç janë puna, prona, shërbimet e ndryshme etj. si rrjedhojë edhe shoqëria nuk është në hije dhe në krizë, për arsye se nuk ka humbur legjitimitetin e idealitetit dhe nuk ndihet e braktisur, e lënë në mëshirën e fatit, por ka një orientim që buron nga vetë starti i lirisë.

Ka pasur dhe raste ku individi ka rënë në grackën e dogmave; thënë ndryshe, strategjia e “tokës së zezë”, që aplikua në Shqipëri pas viteve ’90, në emër të një lufte fantazmë kundër komunizmit, bëri që individi të çoroditej disi dhe të ndihej i traumatizuar, i mbështjellë në një koracë egocentrizmi deri në patologji, ndërkohë që shoqëria, e mbetur pa prona publike, pa kapitale të përbashkëta, që mund të shërbenin për edukimin dhe prosperitetin e saj, pa idealitetin e çdo shoqërie normale për vetëpërmbushjen e saj, u ndodh udhëkryq.

Por tashmë kjo ka kaluar. Rruga demokratike, me gjithë kthesat dhe sprovat e vështira që i duhet të përballojë, është e pakthyeshme. Individi është bërë i përgjegjshëm, se lufta kundër idealitetit të shoqërisë është luftë kundër vetvetes, kundër familjes, kundër vetë lirisë, që nuk mund të identifikohet kurrsesi me anarki dhe kaos. Lufta për kauzat kolektive, siç janë ndërtimi i një shoqërie thellësisht të hapur dhe të një shteti demokratik të së drejtës, është dhe luftë për triumfin e kauzave individuale e grupale të gjithëkujt në këtë vend, që ka nevojë të shijojë frutat e bekuara të lirisë, sigurisë dhe prosporitetit.

Dërgoi për publikim Dakagjin Hata, gazetar