Ndahet nga jeta prof. Ylli Popa

0
748

Shkruar nga Av. Idajet Beqiri

Lajm shumë i trisht. Profesor Ylli Popa, Akademik, u nda nga kjo jetë. Por për të nuk ka vdekje. Ai do të mbetet përherë i gjallë, do të mbetet një Yll që do të ndriçoj gjithmonë në qiellin e mëmëdheun tonë si një personalitet poliedrik intelektual, shkencor dhe atdhetar i përmasave të mëdha.

Janë të shumta dhe të paharrueshme kontributet e tij në të mirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Por unë do të veçoja një prej tyre. Profesor Ylli Popa, duke qënë në krye të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë në periudhën më të egër antishqiptare të qeverisjes, ju përgjigj pozitivisht ftesës për të marrë pjesë në Kuvendin e Intelektualëve Shqiptarë që u zhvillua në Stamboll të Turqisë në 25-28 Nëntor 1995 ku u hartua Platforma Për Zgjidhjen e Çështjes Kombëtare Shqiptare.

Kjo bëri që gjithë akademikët shqiptar të bëheshin pjesë e kësaj nisme madhore të intelektualëve shqiptarë. Jo vetëm kaq, por në saj të mëndjendritësisë së tij dhe të akademikëve shqiptarë, kjo Platformë u plotësua, u mirëformulua, u përshtatë në përputhje me Konventat Ndërkombëtare dhe doli si vepër dhe si akt i miratuar nga Akademitë e shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Nëse më pas, në vitin 1998, në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë u sanksionua në Preambulën e saj aspirata e shqiptarëve për Bashkim Kombëtar, si dhe gjeti pasqyrim neni 8 i kësaj Kushtetute, Profesor Ylli Popa ka rolin e tij të madh dhe të padiskutueshëm.
Fotua i përket pikërisht muajit nëntor 1995, pikërisht kur u hartua Platforma Për Zgjidhjen e Çështjes Kombëtare Shqiptare…

U prehësh në paqe Profesor i nderuar dhe i respektuar prej gjithë shqiptarëve, Ylli Popa!