MONOGRAFI PËR GJENERATËN E PARË TË NORMALISTËVE ME SHKOLLIM PESËVJEÇAR

0
1594

Zenun Rexhepi “ Shkolla Normale e Prishtinës-Gjenerata e viteve 1954-1959 ”, Valton – Prishtinë, 2014

Mendja e një kombi është arsimi,
zemra e tij është morali i përgjithshëm

(Sami Frashëri)

Milazim F. KADRIU

Vitet e pasluftës gjithnjë e më shumë nga autor të ndryshëm po shkruhen e botohen monografi për gjenerata të ndryshme e sidomos për ato gjenerata të Shkollës Normale të Prishtinës që dhanë një kontribut të çmuar në arsimimin e popullatës shqiptare në Kosovë.
Një monografi të tillë e ka botuar edhe Zenun Rexhepi që i kushtohet gjeneratës së normalistëve të ish – Shkollës Normale të Prishtinës, që ishte gjenerata e parë me shkollim pesëvjeçar që u shkolluan në periudhën 1954 – 1959.

Shkolla Normale e Prishtinës, që historikisht filloi punën vitin 1941 dhe vazhdoi deri më mbarimin e Luftës së Dytë Botërore 1944, pas luftës vazhdoi prej vitit 1946 deri në vitin 1953 në Gjakovë, dhe prej andej u transferua në Prishtinë në vitin shkollor 1953/54,- ishte një vazhdimësi e misionit dhe traditës së Shkollës Normale të Elbasanit, për përgatitjen e mësuesve për mësim dhe edukim në gjuhën shqipe, për shqiptarët jashtë Shqipërisë londineze.

Ndonëse normalistët e gjeneratës 1954-1959 u takuan disa herë por që në takimin e shtatorit të vitit 2014 vendosën që të hartojnë një monografi të kësaj gjenerate me rastin e 60 vjetorit të regjistrimit në Normalen e Prishtinës dhe të 55 vjetorit të diplomimit të kësaj gjenerate që ishte gjenerata e parë e Normales me shkollim pesëvjeçar.

Hapja e shkollës Normale në Prishtinë pas shtatë vjetësh të punës së saj në Gjakovë ishte një ngjarje e madhe për arsimin shqip në Kosovë por edhe për zhvillimet e tjera të më vonshme shoqërore-politike e kombëtare.

Shkolla Normale e Prishtinës një kohë të gjatë ishte e vetmja vatër e arsimit që përgatiste kuadro për shkollat shqipe të cilat gjatë Luftës së Dytë Botërore, e sidomos pas saj u hapën në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare. Autori në këtë libër shkruan konkretisht për gjeneratën e normalistëve që në vitin shkollor 1958/59 e kryen normalen dhe morën titullin e profesionit të shenjtë atë të mësuesit. Shumica nga ta që nga atëherë dhanë kontribut të çmuar në arsimimin dhe edukimin e nxënësve.

Duke folur për rëndësinë e këtij institucioni arsimor dhe mësuesve që dolën nga kjo vatër e diturisë, në parathënien e librit Kryetari i këshillit botues të kësaj monografie Qerim Gashi, ndër tjera thotë : “ Një nga rezultatet domethënëse e fisnike të punë së tyre ishte dhe do të kujtohet gjatë, edhe rezistenca, lufta e qëndresa shumë vjeçare, jo vetëm në mbrojtje të arsimit, por edhe të vendit dhe formimi i UÇK – së së lavdishme, si kurorë, e cila, e mbështetur nga Aleanca Veriatlantike dhe politika e vendeve anëtare të saj, i solli lirinë Kosovës. Dhe, siç pati thënë me një rast zonja e nderuar, Medlin Ollbrajt, ” … qytetarët e Kosovës janë të lirë dhe kurrë më policia serbe nuk do t’iu trokasë në derë ”.

Roli i Normales së Prishtinës në arsimimin, aftësimin dhe edukimin e brezave të mësueseve ka qenë një institucion i pazëvendësueshëm dhe ishte shembull për të gjitha shkollat normale po edhe të drejtimeve tjera në Kosovë e ndoshta edhe më gjerë. Për këtë shkollë janë shkruar edhe monografi tjera të cilat e vërtetojnë këtë mendim për rezultatet e mira të punës dhe kontributin e çmuar në zhvillimin e arsimit në Kosovë.

Në hyrje të librit autori pos tjerash thotë : ” Kjo monografi, e cila i kushtohet gjeneratës së normalistëve (1954-1959), me gjasë kishte numrin më të madh të nxënësve dhe të të diplomuarve në Shkollën Normale gjatë periudhës 1946-1974. Ajo ishte e para me shkollim pesëvjeçar. Numri i përafërt i të diplomuarve sillej rreth 140 sish. Në këtë numër janë përfshirë edhe të diplomuarit nga kursi për mësues të cilët gjatë tre semestrave ( dy të vitit shkollor 1954/58 dhe gjatë gjysmëvjetorit të parë të vitit shkollor 1958/59, me program të shkurtuar ( një vit për një gjysmëvjetor ), i kishin përfunduar ligjëratat dhe për vitin e pestë i kishin marr notat në shkurt 1959, ose pas riprovimeve. Provimin e diplomës e kishin dhënë së bashku me nxënësit e rregull të paraleleve të klasës së pestë të vitit shkollor 1958/59 ”.

Më pas vjen një shkrim me titull “ Një gjeneratë e dalluar e pishtarëve të arsimit e “ Kombinatit të diturisë ” që është shkruar me rastin e shënimit të 40-vjetorit të diplomimit të gjeneratës së viteve 1954-1959 të nxënësve të Normales së Prishtinës, më 26.11.1999.
Në vazhdim autori në librin e tij sjell shkrimin me titull “ Pesëdhjetëvjetori i Normales së Prishtinës “, shkrim që u lexua nga Akad. Prof. Dr. Rexhep Qosja më 30.09.2004 , në Akademinë solemne me rastin e shënimit ët 50-vjetorit të Shkollës Normale të Prishtinës.
Pjesa tjetër e librit është e ndarë në dy pjesë ( I. Drejtorët dhe arsimtarët dhe II. Nxënësit e gjeneratës 1954-1959 ).

Në pjesën e parë jepen:një numër të dhënash, informatash, si edhe shënimet biografike për drejtorët dhe mësimdhënësit gjatë viteve shkollore 1954/55-1958/59 ( Kemajl Deva, Jashar Rexhepagiqi, Sali Nushi, Abdullah Zajmi, Ahmet Mumxhiu, Ali Hadri, Arsim Fehmiu, Dervish Rozhaja, Drita Dobroshi, Enver Gjerqeku, Halil Dobroshi, Halil Jupa, Hasan Mekuli ,Jusuf Shushka, Murteza Luzha, Salih Qilergjiu, Shefqet Veliu, Tajar Hatipi, Vahide Hoxha – Kabashi, Xhavit Spahia, Zekeria Rexha, Zeqir Bajrami etj ).

Ndërsa, në pjesën e dytë janë dhënë biografitë e nxënësve të gjeneratës 1954-1959 e më pas është dhënë pasqyra e emrave dhe e mbiemrave të nxënësve të klasës së pestë dhe suksesi i tyre në fund të vitit shkollor 1958/59, si dhe emiri dhe mbiemri i kujdestarëve të klasës dhe lënda që ka ligjëruar si dhe pasqyra e emrave dhe mbiemrave dhe suksesi i nxënësve ( kursistëve ) që e kanë kryer atë vit shkollor.

Biografitë si të mësimdhënësve të Normales së Prishtinës të asaj kohe dhe nxënësve të gjeneratës që e përfunduan mësimet në këtë vatër diturie në vitin shkollor 1958/59, i ofrojnë lexuesit një letërnjoftim të tyre duke filluar nga data e lindjes, shkollimi, punësimi dhe aktivitetet tjera që kanë zhvilluar gjatë gjithë kohës sa kanë punuar, ndonëse të gjithë tashmë janë pensionist e një numër sish edhe kanë ndërruar jetë por duke lënë pas vetes punën dhe aktivitetin e tyre në ato kohë të vështira. Shumë nga ta përpos kontributit në arsim u dalluan edhe me punën e tyre në rrugën e lirisë kombëtare. Kontributi i tyre ishte i çmuar ku idetë e tyre përparimtare ata i përhapnin edhe tek të tjerët e sidomos tek nxënësit e tyre.

Në fund është edhe një album me fotografi të nxënësve me arsimtarët e tyre gjatë shkollimit pesëvjeçar në Normalen e Prishtinës.