MONOGRAFI LETRARE PËR TRE DËSHMOR TË UÇK-së

0
757

Gani Xhafolli “ Dielli me tri dritare ”, SHB “Zef Serembe”-Prishtinë, 2001

Milazim F. KADRIU

Gani Xhafolli është njëri ndër krijuesit e mirënjohur jo vetëm brenda vendit tonë por edhe më gjerë. Veprat e tij letrare janë përkthyer edhe në disa gjuhë botërore. Ai ishte dhe mbeti një zë i çmuar dhe me shumë vlerë në letërsinë shqipe e sidomos në letërsinë për fëmijë. Xhafolli me vargjet e tij të realizuara me aq shumë kujdes e dashuri prindërore për jetën dhe bukuritë e saj, mbeti shumë i dashur sidomos për fëmijët dhe vepra e tij do të jetoj gjatë ndër brezni.

Përpos poezisë dhe prozës artistike ai shkroi edhe vepra tjera ku njëra ndër to është edhe monografia letrare “Dielli me tri dritare” kushtuar tre dëshmorëve të UÇK-së, Ilir Durmishi, Hyzri Talla dhe Afrim Maliqi.

Që në hapje të këtij libri në vend të prologut autori flet për ditën e parë në shkollë të Dea Durmishit,vajzës së dëshmorit Ilir Durmishi.

Ajo e kishte vizatuar një diell të madh me tri dritare.
Në dritaren e parë e kishte vizatuar një mollë.
Në dritaren e dytë një lule, në dritaren e tretë një lejlek. Në orën e parë i kishte thënë mësueses merre!
Mësuesja e kishte shikuar me kureshtje diellin dhe lejlekun, lulen dhe mollën.
-Ti je një dallëndyshe e bukur. Duhet të krenohesh…Je bija e dëshmorit. Dhe e kishte përqafuar.

Pastaj librin Xhafolli e ka konceptuar në disa pjesë ku sjell shumë kujtime për dëshmorin Ilir Durmishi dhe bashkëveprimtarët e tij Hyzri Talla dhe Afrim Maliqi që u vranë nga dora e zezë në Prishtinë më 2 dhjetor 1998. E sot emrat e tyre bëjnë dritë në përmendore .

Kjo ishte një vrasje makabre e dëshmorëve Hyzri Talla, oficer i lartë i UÇK-së, Afrim Maliqit, gazetar i “Rilindjes” dhe Ilir Durmishit, student . Ata u vranë nga shërbimi sekret serb në afërsi të Qendrës së studentëve në Prishtinë derisa ndodheshin në një mision ushtarak.
Lufta e UÇK-së e ndryshoi politikën brenda shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve duke treguar përfundimisht se zgjedhja e problemit të Kosovës përkatësisht shqiptarëve mund të arrihet vetëm me luftë.

Veprimtaria politike dhe ushtarake është gërshetim i mençurisë dhe i trimërisë së popullit të Kosovës.
Të flasësh për dëshmorët do të thotë të përfshish një etapë të lëvizjes sonë kombëtare ku ranë shumë dëshmor, ndër ta edhe kolosët e lëvizjes së UÇK-së Hyzriu, Afrimi dhe Iliri.

Autori në këtë monografi letrare ka sjell shumë kujtime të rrëfyera nga prindërit e Ilirit, bashkëshortja dhe motrat e tij. Ata kujtimet e tyre i sjellin që nga lindja e dëshmorit e deri me rastin e rënies së tij, por duke rrëfyer edhe për shokët e tij të pandashëm me të cilët nuk i ndau as vdekja.
Janë shumë prekëse rrëfimet e familjarëve, ato janë plotë me mall e dhembje, por janë edhe krenar që Iliri bashkë me shokët e tij dha jetën për lirin e shumëpritur të Kosovës. Iliri e Afrimi ishin djem hasreti, por për fat të mirë që të tretë pas vetës lanë trashëgimtar të cilët sot rriten në Kosovën e lirë, në Kosovën për të cilën ranë baballarët e tyre në kohën më të mirë të jetës, por që për liri nuk ju dhimbsej jeta.

Iliri vazhdimisht thoshte : “ Në Kosovë do të jemi ne ose ata…me kriminel më nuk mund të jetohet…”

Autori sjell rrëfime të prindërve të Ilirit të cilat janë shumë prekëse ku ndër tjera nëna e Ilirit thotë : “Iliri ishte i vetmi djalë…Ishte shtyllë kryesore e familjes. Vrasja e tij na i dogji zemrat…Na sosi me prush për së gjalli …” Ndërsa babai i tij ndër tjera thotë : “Iliri disa muaj para vrasjes,  gati çdo javë na thoshte: Tash pasi e kam Orgesin edhe nëse vritem nuk është me rëndësi, dikush duhet të vritet…Edhe vdekja është e bukur kur jepet jeta për LIRI.”

Dëshmorët e kombit qenë në mesin e shumë djemve dhe vajzave shqiptare që u mësyn të ecnin shtigjeve të lirisë dhe është vështirë të shkruhet dhe të nxirren në sipërfaqe heroizmat e luftëtarëve të lirisë . Hyzri Talla, Ilir Durmishi dhe Afrim Maliqi tani dëshmor të kombit qenë ndër ata që u mësyn të ecnin këtyre shtigjeve. Vështirë ishte. Këtë e dinë vetëm ata mbi supet e të cilëve peshoi kjo barrë.

Në këtë monografi zë vend edhe intervista e zhvilluar nga Afërdita Skënderi me Shqipe Durmishin, bashkëshorten e Ilirit, e cila flet që nga dita e njohjes së saj me Ilirin dhe deri në ditën e rënies së tij.

Po ashtu familjarët e Ilirit rrëfejnë edhe për kohën e luftës dhe dëbimin e tyre nga shtëpia dhe përndjekja për në Maqedoni si edhe për kthimin e tyre pas luftës në Prishtinë. Në këtë pjesë shpesh herë tregojnë edhe për pyetjet e shpeshta të fëmijëve se ku e kanë babin si gjatë kohës së qëndrimit në Maqedoni, ashtu edhe pas kthimit të tyre në Prishtinë ngase ata ishin atë kohë të vegjël që të kuptojnë se babai i tyre ka rënë për liri.
Në libër ka edhe shumë foto të ndryshme të Ilir Durmishit dhe shokëve të tij po edhe të familjarëve, prindërve, fëmijëve, bashkëshortes, motrave dhe të tjerëve.

Më 28 nëntor 1999 në Prishtinë u bë zbulimi i Pllakës përkujtimore për dëshmorët : Murat Mehmeti, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri, Ismet Krasniqi, Bedri Sokoli, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Agron Rrahmani, Hyzri Talla, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi.
Më pas në libër autori sjell disa rrëfime të shkurta të disa rrëfyeseve për të tre dëshmorët si : Arben Talla, Gazmend Musa, Fatime Mustafa, Violeta Mehmeti, Pranvera Musa, Lulzim Krasniqi dhe gruaja e Hyriut, Sebahatja.

Po ashtu ka faksimile të shkrimeve të gazetave që kanë shkruar për vrasjen e tre pjesëtarëve të UÇK-së në kodrën e Diellit në Prishtinë më 2 dhjetor 1998 si dhe faksimile të dokumenteve dhe ftesave të ndryshme.

Në pjesën e fundit që autori e titullon “Në vend të epilogut” pos tjerash ai shkruan :

”Ujqit kanë hyrë në Tropojë në Ulqin Shkup Sanxhak e Çamëri

Nuk durohet gjarpri rreth qafe
Lulet janë të mbyllura në kornizë
Në Shajkoc Iliri lexon Lahutën e Malcisë
Në Besianë Afrimi e lexon Borhesin
Në Letanc Hyzriu vizaton HARTEN e Ilirisë.

Këta emra të ndritshëm janë yje që ndriçojnë të ardhmen e lirë të Kosovës. Ata janë roje e përjetshme të kësaj kalaje që nuk do të shembet më kurrë, që quhet Kosovë. Sa herë që mund të kërcënohen portat e kësaj Kalaje , janë feniksët e lirisë ata që sërish do të flijohen në themelet e saj. Prandaj, për të gjithë ne është detyrë mbi detyrat të mos i harrojmë për asnjë çast të gjithë ata shpirtra të shenjtë të kësaj toke që ngritën lart flamurin e lirisë, flamurin e Skënderbeut.

Na bënë të shohim veten tonë dhe pozitën në të cilën jemi. Realiteti në të cilin po jetojmë ne sot nuk është ende ideali i luftëtarëve të lirisë për të cilin u betuan dhe u flijuan. Ne sot duhet ti kthehemi vetes tonë dhe të ecim përpara drejtë synimeve tona kombëtare.