Me mallin për Ju, deri në vdekje, por gjithnjë edhe krenarë që u patëm të tillë!

0
1185
Avni e Liman Dudi

Avni e Liman Dudi, ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Më të dashurit tanë vëllai Avni dhe babi Liman, 2 korriku i vitit 1999, dhe 2016, për ne është ditë malli dhe dhembje, që s’shuhet kurrë.

Këtë dhembje që rëndon si plumb në zemrat tona tash 21 vjet, përkatësisht 4 vjet, na lehtëson vetëm fakti që babë e djalë me të themeluar Ushtria Çlirimtare e Kosovës, u rreshtuat në radhët e saj, duke marrë armët në duar në mbrojte të Kosovës-Dardane, nga kriminelët ardhacak të Karpateve.

Edhepse të ballafaquar me motin e atij dimri të egër Ju, dhe shokët Tuaj, qëndruat beden i pashembur në Betejën e Llapashticës.

Me heroizmin Tuaj, turpëruat gjeneralë serbë, e mentorë të tyre rusë, të cilët deri atë ditë pandehnin se shqiptarët e Kosovës, në fushën e artit luftarak janë totalisht të panjohuri dhe të papërgatitur.

Ditën që veshët uniformën e UÇK-së, me të dalë nga pragu i shtëpisë thatë” Do të bëhemi hi e pluhur e këtë uniformë simbol lire s’do ta turpërojmë asnjëherë”.

Ashtu edhe ndodhi. Ishit çdoherë aty ku e kërkonte nevoja. Kontributin Tuaj e nderuan dhe e nderojnë jo vetëm bashkëluftëtarët e UÇK-së-Zona Operative e Llapit, por i gjithë populli shqiptar në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Kosovë Lindore dhe Shqipëri.

Andaj, krenaria që u patëm të tillë mund çdo dhembje. Me kujtimin për shpirtrat Tuaj, engjëllorë dhe veprën e lavdishme që latë pas, do të jetojmë deri në takimin me Ju, në botën e përjetshme!

U kujtojnë me mall: nëna, gjegjësisht bashkëshortja Zylfije Ejupi–Dudi, me nipin Ilirin (djalë i Avniut atëbotë pesë muajsh) si dhe djemtë Bedriu, Nexhmiu, Remziu, Fadili, Ajeti, me vajzën Havën, rejat, nipat, mbesat, dhe gjithë familja Dudi, nga Llausha e Besianës.

Përgatiti Arif Ejupi