Me krijuesen Flora Peci

0
1128

Ç’të duhet doktoratura?

kur të mungojnë edukata e kultura.
Një letër më shumë se unë ke në xhep
njerëzoren nuk mund ta kesh
kur nënvlerëson të tjerët
shtyllë e ke një letër
por në jetë nuk ke,asgjë më tepër.
Mos shiko nga lartësia
poshtë bie dhe s’të sheh askush
Lavdëratat t’i bëjnë për sy e faqe
ti vlen sa një e zbrazur kanaqe.
Nuk njeh komb as histori
merresh me injorancë e zili
Mos ndaj kombin në kosovarë e shqiptarë
Një trung e kemi,një gjuhë,një nënë.
Kthjellu e zbrit në tokë
se bie shpejt me kokë.

PA ADRESË

Shko,nuk të njoh më
erdhe në adresë të gabuar
trokite për lëmoshë…
Shko…
Nuk i numëroj hapat e gladiatorit
që troket me trokitje të rreme
nuk ke adresë
je i paplang
opingat mbathi,i harron aty ku troket
lëmoshëkërkues,dështakë i lindur
kohën nuk e ndal askush për ty
shko e lësho rrugë
për adresë të qëlluar.

Në rrugët boshe të shpresave të mia

zymtësia myshk ka vënë
bredh mbase gjej gjurmë
të dritës bredharake
shpresë e fundosur
e lodhur nga mendimet
ëndërr e tendosur
nga iluzionet e rreme
unë do t’ju ringjall
nuk fiket shpresa
jeta jeton në mua
kandili do të gjendet
nuk dorëzohem
ishulli i lumturisë
do të lundrojë në mua.
Nuk ju lë vetëm
bashkë do të ecim kah drita
do të ndrijmë në ardhmëri.

IKE DASHURI!

Qiellin e lus të mos më pikojë më pikëllim
Malit i lutem të mos e përhapë
Jehonën e frikshme të dhembjes sime.
Unë liqen pa mjellma, ti dashuri e humbur
frengjitë e dritareve nuk i rihape për lumturi.
Ike dashuri, ike… përse?

NUK FAL

Asgjë nuk dua
Mos m’u përgjëro
Dhemb më shumë
Ti nuk mund t’u ikësh mëkateve
Të janë lidhur nyje
Të janë shkrirë poreve
Si hala të moteve të djerra
Dhe nuk të lëshojnë më
M’sa toka gjethin e shkëputur nga era
Ik dhe përgjëroju vetes
Koha ka rrëshqitur
Si uji i rrëmbyeshëm i lumit
Dhe nuk fal…

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar