Kushdo që shkruan e flet për emigrantët, duhet të lajë mirë e mirë gojën!

0
431

Nga Çapajev Gjokutaj

Fundjavën që kaloi dhjetra mijëra rumunë mbushën sheshet. Protestonin kundër korrupsionit dhe kundër përpjekjeve për kontroll politik mbi drejtësinë. Një pjesë e mirë e tyre ishin emigrantë të kthyer në Rumani jo për pushime, por për protesta.

Këto protesta u bënë shkak që në media dhe, sidomos në portale e rjetet tona sociale të gëlonin zërat kundër shqiptarëve letragjikë, pa kursyer as emigrantët tanë.

Dhe u bë zbulimi i madh se këta, d.m.th emigrantët tanë, nuk vijnë për të protestuar, por për të pushuar, për të parë ijet, për të rregulluar dhëmbët e krimbur apo për të gjetur ndonjë nuse të qepur te gjinekologu.

Medemek s’ke ç’pret nga emigrantët tanë, aq të vobektë e primitivë, me mendësitë e kohës së baba Qemos.

Duhet thenë që në fillim se kushdo që shkruan e flet për emigrantët duhet të lajë mirë e mirë gojën.

Kushdo pa përjashtim: politikan a gazetar qoftë, akademik a aktivist, njeri i ngeshëm kafeneje a shkarrashkrues fejsbuku.

Natyrisht emigrantët janë një grup i larmishëm. Ka mes tyre njerëz punëtorë e të ndershëm, ashtu siç ka edhe batakçinj e kriminelë; ka profesorë e doktorë, ashtu siç ka edhe analfabetë e injorantë.

Por ndaj tyre, si grup shoqëror, kemi qenë dhe mbetemi borxhlinj.

Me ikjen e tyre të mundimshme e të dhimbshme në dhera të huaja, ndikuan sadokudo që bashkësia jonë të shtendosej e të shmangeshin përplasjet sociale.

Pa emigracionin, si valvulë shkarkuese, tensionet e konfliktet rrezikonin të kalonin gradën e anormalitetit.

Jo vetëm kaq, për më shumë se çerek shekulli kanë dërguar e vazhdojnë të dërgojnë remitanca, thënë shqip, dërgojnë para për të ndihmuar prindërit dhe të afërmit.

Dhe s’janë pak, por afro një miliard dollarë çdo vit.

Këto dërgesa janë të barabarta me më shumë se gjysmën e të ardhurave të eksportit dhe sa 70% e investimeve të huaja direkte.

Më shkoqur, çdo vit na dërgojnë harxhet për të ndërtuar një tjetër Rrugë Kombi.

Dhe ç’kemi bërë ne, d.m.th shteti amë për ta? Shumicës nuk u siguruam ikje të rregullta, i lamë të largoheshin ilegalisht dhe të nisnin golgotën e punës në të zezë, në mëshirë të informalitetit, të mafies e të krimit.

Mbi 90% të pareve që dërgojnë, përdoren nga prindërit dhe të afërmit për të jetuar. Thenë ndryshe shkojnë nga vijnë, për të blerë në tregjet e botës ushqime, veshje dhe mjete të tjera jetese. Se falë politikave largpamëse vendi prodhon pak, fare pak.

Me pak fjalë kemi ndërtuar një skemë ideale. Ikën vëllai i madh, punon e rropatet, dërgon pare që prindërit, vëllezërit e motrat të ushqehen.

Kur vëllezërit dhe motrat vijnë në moshën e punës, marrin dherat e huaja dhe historia nis nga e para.

Dhe ne vazhdojmë gërmërrin, traditën tonë shekullore.