KOSOVA – FRYMËZUESE POETIKE (III) – “PUSHKA PLASI U DHA KUSHTRIMI”

0
358

Risto Siliqi
1882-1936

Sinan Gashi Nga Sinan GASHI

Për Kosovën nuk e kanë vështirë poetët për ato që thonë, ngase janë datat historike që kulmojnë aktivitete, si edhe janë heronjtë që rrinë shtatore përpara kohëve.

Shkodrani Risto Siliqi (1882-1936) është jo vetëm krijues letrar dhe talent i lindur, por edhe një atdhetar, që me aktivitete konkrete e dëshmoi deri në ditët e fundit të jetës përcaktimin e njëhershëm. Që i ri, duke qenë i ndjekur nga agjentët turq, kaloi në Mal të Zi më 1907, ku me të tre vëllezërit punoi dhe zhvilloi aktivitete kombëtare në Cetinë, ku kishin restorantin “Albania”.

Ai madje ishte organizatori i kryengritjes së Malësisë së Madhe, kështu që e përshkruan bukur në veprën “Pasqyra e ditëve të përgjakshme”. Pastaj në Shkodër, së bashku me Hil Mosin, nxjerr gazetën “Shqypnia e Re”, përmes së cilës drejtoheshin mesazhe për demokratizimin e jetës, për zgjedhjet demokratike e të tjera. Risto Siliqi edhe një herë u aktivizua në aspektin propagandistik e organizativ, pasi që më 1915 grabitçarët malazias synuan marrjen e Shkodrës.

Ashtu siç ishte dëshmuar me këto aktivitete politike e organizative, po ashtu shpreh mendimet e zjarrta edhe në krijimet e tij poetike, si në poemën “Shkëndijat e zemrës së shqyptarit”, në të cilën shprehet deklarativisht kërkesa mobilizuese për ruajtjen e trojeve tona dhe pjesëmarrjen e kundërvënien ndaj armiqve. Në këto raste ai nuk ndanë anë e krahina, por fton “Djemtë e Hotit, trikma porsi zana”, apo të tjerët që “Jan’ prej Rapshet, jan’ prej Traboinit”, apo nga “… Gruda apo djemt e sajë”, në mos edhe “Ehu! Djema t’Shpatës Elbasanit” që të “shfrejnë ushtima dhe n’fushat Çamëri”.

Si edhe bashkëkohanikët e tij luftëtarë e krijues letrarë problemin e trajtojnë gjithmonë tërësor.

Luftën e Kosovës dhe luftëtarët e saj trima, kësaj radhe kundër turqve, autori e përjetëson në poezitë “Mbas luftimit në Kosovë” dhe “Mbas luftimit në Dukagjin”. Në të parën spikasin organizatorët e kryengritjes në Kosovë, si: Isa Beg Buletini, Idriz Seferi, Hasan Hysen Budakova e Marash Delija.

Bëmat e Isa Buletinit janë të mëdha, andaj edhe fantazia e poetit shton ca madhështinë e këtij personaliteti:

Isa Begu Buletina,
Bir i ndjerës Kosoveshë,
Mbi halldupa, mbi stërvina
Nget e shklet me shpatë çveshë!

E hiç më larg nuk qëndron edhe trimi tjetër Hasan Hysen Budakova, por i cili pasqyrohet në mënyrë tjetër.

Gzou, gzou Budakova
Me Hasan – Hysen uzdajë:
Azijati ra ndër prova,
Nuk po din kah t’ja mbajë!

Me ngjyrime romantike përshkohet e tërë poezia, por gjithherë duke u mbështetur në faktografi historike dhe mbi personalitete që mbetën shtatore para kohëve.

Fundi i poezisë është me optimizëm real: kur fillon të përjetohet gëzimi e hareja për fitoren, kur edhe thurin kurora zanat shqiptare në malet e Sharrit për fatosa e për dëshmorë.

Si para tij Aleks Stavre Drenova – Asdreni, po ashtu Risto Siliqi, Kosovën dhe luftëtarët e saj në poezi i kanë shëmbëllesë të luftës së paepur për liri e ruajtje të tokës amtare. Dhe çka është e rëndësishme këtu: çështja shqiptare, lufta e paqja, gëzimi e krajata, gjithmonë shihen në një sfond të përbashkët, tërësisht të pandashme.

Edhe pse ky është një shkrimtar minor dhe me shkrime të një gjuhe lokaliste ai krijon i frymëzuar nga realiteti i përjetuar dhe angazhimet shumëdrejtimëshe e krijojnë pamundësinë e realizimit të talentit të tij, derisa do të ishte aftësia e tij shprehëse.

Fitorja e shqiptarëve, ndaj hordhive turke, janë dëshmitë e sakrificës, që i shtyri edhe shumë krijues letrarë fjalën artistike ta afrojnë te ajo propagandistike, vetëm me një qëllim: atë të efektit atdhetar.

Gjithçka që kishin, gjithçka që dinin krijuesit e traditës i vinin në shërbim të rrjedhave të kohës së rëndë për fatin e kombit, ndaj të cilit bëheshin presione të natyrave të ndryshme: marrje trualli, shuarje të gjuhës shqipe ose edhe zhdukje të fakteve dokumentare.

Duke qenë këta intelektualët e parë, veç të tjerash, ndienin përgjegjësinë e udhërrëfyesve, me të gjitha mjetet e me sakrifica mjaft të mëdha, për popullin e shkapërderdhur atëherë.

Risto Siliqi i veprimeve organizative, i pjesëmarrjeve në luftëra, i shtegtimeve të kushtëzuara, i nxjerrjes së të përkohshmeve e shkrimeve publicistike, dhe përherë i dëshirës së vetëngritjes intelektuale, la gjurmë edhe në krijimtarinë poetike. Ai i përvidhte kohën për ta përjetuar kënaqësinë gjatë leximit të Naim e Sami Frashërit, por edhe të veprave të Homerit, të Tolstoit e Lermantovit.

Krenarinë për Kosovën dhe sakrificat e saj janë përjetime artistike që i zgjojnë kënaqësi të veçantë autorit, por jo vetëm këtij.

Tallazet e shumta të furtunave lanë dëshmi gurëzit e bardhë në breg pas uljes së tallazeve të detit të tërbuar.

MBAS LUFTIMIT NË KOSOVË

Pushka plasi, u dha kushtrimi,
Pollaba u dridh nën kambë.
Kaçanikun e mbuloi timi, –
Derdhet gjaku për gjith pllambë!

Isa Begu Buletina,
Bir i ndjerës Kosoveshë,
Mbi halldupa, mbi stërvina
Nget e shklet me shpatë çveshë!

Kah Prishtina, kah Peshteri
Topi, pushka o kërset;
Trim i rrallë Idriz Seferi
Para djelmve ban gajret.

Gzou, gzou Budakova
Me Hasan-Hysen uzdajë:
Azijati ra ndër prova,
Nuk po din se kah t’ia mbajë!

Dridhet toka prej duhisë,
N’gjak po lahen gur e dhe,
Kosova e poetëve të traditës_____51_

Fatosat e Shqyptarisë
Po luftojn’ porsi rrufe.

Lot po derdh Sulltan Mehmeti,
I përkulun n’vend u struk:
E, turpnue, Hyrijeti
Mu tu kpucët ndej kacuk!

Shef i mjeri se u nguti
Me tradhti me shkel’Shqypninë,
Xhavit Pasha e Turguti
Ia turpnuen ushtërinë!

Mjekrrën zhgul Mahmut Shefketi!
E tuga e xu në fyt, –
Sa ushtrija qi i mbeti,
Dhe Hyrjeti mbet pa fryt!

Valle Zanat Shqypëtare
Dalin Sharit e gëzojnë,
Mbledhin lule, gemba e bare,
Po punojnë e po këndojnë.

Punojnë, ehu, falë u kjosha,
Po qindisin si kunorë:
Me kunorue sa fatosa,
Sa Fatosa, sa Dëshmorë!

1911
Risto Siliqi