KËNGË E VALLE BUZE DETIT

0
1853
Ndue Lazri, San Petersburg

Ndue Lazri

Nga koncerti shqiptar në qytetin e Pesaros

Mbrëmja bie e qetë dhe e bukur në qytetin bregdetar të Pesaros. Piazza della Libertà shkrihet harmonishëm me parkun e blertë që i jep një hijeshi të veçantë shetitores përgjatë bregdetit, ku në këtë sezon shetisin shumë pushues, ndër të cilët edhe turistë nga vende të ndryshme. Në mes të parkut është një vepër e madhe arti e quajtur “Palla del Pomodoro”. Duket si loje fjalësh, por Palla del Pomodoro është një sferë gjigande prej bronxi e instaluar mes një shatërvani të madh e të rrumbullaktë me ujë. Arnoldo Pomodoro është autori i kësaj opere moderne. Ai është si të thuash kubist i skulpturës moderne italiane, sepse veprat e tij i ndërton duke u nisur nga forma të ndryshme gjeometrike.

Gjeometër nga profesioni, artist për pasionin dhe talentin që e karakterizon. Sfera me sipërfaqe të thyer nga ku duken ingranazhet metalike, duket sikur e nxit fantazinë e njeriut të zbulojë çfarë ka brenda. Kjo sferë me diametër mbi 3 m e me peshë disa tonelata, është realizuar për herë të parë në Montreal të Kanadasë. Pastaj kopje të saj janë vënë edhe përpara selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, përpara Ministrisë së Jashtme italiane në Romë, në Vatikan, në Lugano të Zvicrës etj. Veprat moderne të këtij autori gjenden që nga Los Anxhelesi në Kaliforni, në Japoni, Dublin e Kopenhagen, Moskë e në dhjetra qytete kryesore të Italisë.

Pikërisht në një ambient të tillë artistik është ngritur edhe skena ku do të zhvillohet koncerti i organizuar nga shoqata “Nënë Tereza” e Pesaros, në bashkëpunim me Federatën FNAI, në të cilën ajo bën pjesë. Tani gjatë verës në këtë shesh ka çdo mbrëmje koncerte e spektakle muzikore. Me kolegët Hamit Çorrogjafi e Klodian Cami dhe familjet e tyre kemi ardhur që një natë përpara koncertit, për të shijuar edhe detin. Ka ardhur edhe Erio Korani nga Riva del Garda me djemtë e tij. Drejtuesit e shoqatës së Pesaros, Fitim Kajo e Dashi Zguro bashkë me kolegët e tyre Bledian Xhanin e Luan Stambolliun na shoqërojnë pranë sheshit dhe shikojmë bashkërisht një spektakël të organizuar me të apasionuarit e tangos.

Të shtunë në darkë sheshi merr tjetër pamje. Dalëngadalë ai mbushet me shqiptarë, familje që kanë ardhur bashkë me fëmijët e tyre nga Pesaro e Urbino. Por kanë ardhur përfaqësues të shoqatave të tjera të Federatës edhe nga larg. Fatmir Behluli e Luan Hallulli kanë ardhur që nga Molise e Abbruzzo, Piero Agai me kolegë të tjerë të shoqatës vijnë që nga Macerata, Haki Maze, kryetar i shoqatës “Shqiponja” ka zbritur me familjen që nga Rexhio Emilia. Mes publikut ka edhe shume italianë e turistë të tjerë, që i ka tërhequr atmosfera e krijuar me tingujt e këngëve shqiptare që transmetohen nga qendrta e zërit para fillii të shfaqjes. Tek sheshi i koncertit, ndërsa bisedojmë me Hamitin, na afrohet Agur Muça, një djalë i ri i cili ka ardhur nga Senigallia. Ai fillon e interesohet për organizimin dhe funksionimin e shoqatave dhe të federatës. Pastaj nxjerr nga xhepi disa letra e na thotë: -Bashkë me disa miq jemi duke menduar të organizojmë një shoqatë edhe në qytetin tonë e pastaj të bëhemi pjesë e Federatës. Në Senigallia ka shumë shqiptarë e duam të organizohemi që të gjallërojmë edhe jetën e qytetit tonë me aktivitete të tilla,-thotë ai. Pastaj na shpalos ato letrat dhe tregon që ato janë statuti i shoqatës në krijim.

Midis njerëzve të shumtë takoj edhe Gjergj Merlikën, që ka ardhur nga Bolonja bashkë me bashkëshorten dhe me djalin e tij, Asllanin, i cili është një sipërmarrës i njohur shqiptar me aktivitete të rëndësishme private. Ata ka disa kohë që i ndjekin aktivitetet tona dhe shprehen se tani e tutje duan të jenë të pranishëm në to, kudo që i zhvillojmë dhe kërkojnë cili do jetë aktiviteti i ardhshëm. –Në Riva del Garda, me 3 shtator,- u themi.

Ndërkohë sheshi është mbushur. Në mes është lënë një hapësirë mjaft e madhe për të vallëzuar. Në skenë , midis duartrokitjeve, ngjitet prezantuesja e talentuar dhe e bukur e aktiviteteve të Federatës, sekretarja e shoqatës së shkrimtarëve dhe artistëve, Lori Duka. Pas përshëndetjeve të bëra nga kryetari i shoqatës “Nënë Tereza”, Fitim Kajo dhe nga presidenti i Federatës, Lori fton në skenë artistët. Poetja Angjelina Verori reciton nje nga krijimet e saj. Pastaj mikrofonëve u afrohen artistët e ardhur nga larg, këngëtarja Teuta Zhapa Pango dhe Bardhok Ndoci e Mark Kameri. Të veshur me kostumet e bukura popullore, ata tërheqin përnjëherësh vëmendjen e publikut edhe me zërat e tyre.

Ndonëse kanë bërë mbi 20 orë rrugë me traget për të ardhur që nga Athina, ata nuk reflektojnë lodhje. Përkundrazi janë dinamikë në interpretim. Teuta entuziazmon publikun me këngën “Oj e bukura Morè” dhe këngë të repertorit të së paharruarës Vaçe Zela. Ndërsa Bardhoku e Marku, virtuozë në instrumentin e çiftelisë, këndojnë këngë trimërie e patriotike, por edhe lirika popullore nga krahinat e veriut. Këta këngëtarë janë anëtarë të Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi dhe kanë ardhur në kuadrin e bashkëpunimit midis dy federatave. Udhëtimi i tyre është sponsorizuar nga imprenditori Klodian Cami.

Pastaj në skenë ngjitet grupi “Spartiti per Scutari” (Partitura për Shkodrën), i cili vjen nga qyteti Forli. Ky grup i ngritur para 10 vjetësh ka një histori e aktivitet të pasur. Krijues i tij është muzikanti shkodran Bardh Jakova. I kisha takuar ata edhe para disa muajsh në Reggio Emilia, ku bënin promovimin e një filmi dokumentar me udhëtimin e tyre muzikor në Kosovë e në Shkodër.

Bardh Jakova është nipi i kompozitorit të madh e të pavdekshëm shkodran, Prenkë Jakova. Ai e ka ruajtur dashurinë për këngën e për artin shkodran dhe i ka hyrë një pune delikate, por cilësore e me shumë vlerë. Ka mbledhur partiturat e vjetra originale të shumë këngëve të hershme shkodrane, disa prej të cilave e kapërcejnë shekullin, i ka orkestruar për ato instrumente me të cilat janë luajtur dikur dhe ka krijuar një grup prej 12-13 vetash instrumentistë e këngëtarë, kryesisht të moshës së re. Dhe ajo çka është më interesante, në tërë grupin vetëm Bardhi është shqiptar. Gjithë pjesëtarët e tjerë janë italianë. Ai i ka mbledhur, i ka bashkuar, ka ngjallur tek ata dashurinë për muzikën dhe këngën shkodrane e shqiptare. I dëgjon tek luajnë në instrumente e këndojnë e për një çast të duket vetja sikur je në ndjekje të një koncerti me artistë shkodranë në sallën e Teatrit “Migjeni”. Këngëtarët këndojnë në dialektin shkodran, duke u qëndruar me besnikëri notave dhe fjalëve të secilës nga këngët e interpretuara.

Koncerti është cilësor, shumë profesional dhe publiku, i tërhequr prej tij, e ndjek gati si të ishte në një sallë koncerti e jo në një shesh publik, i cili pret të gjallërohet edhe nga vallja. Ngrihen si me ndrojtje disa nga pjesëmarrësit, shikoj vajza e djem te rinj që janë të tentuar të hyjnë në valle, por sikur ngurrojnë ende. Në një moment futet Rudina Ismaili, e cila ka ardhur me familjen që nga Ancona. Vallëzimi i saj është dinamik dhe sikur e elektrizon ambientin. Sheshi fillon e mbushet me vargje valltarësh, duke i dhënë atij atë gjallëri karakteristike që jemi mësuar të shikojmë në aktivitete të tilla. Midis tyre valëviten edhe flamujt shqiptarë, që duket sikur ndjekin ritmin e valleve.

Në mes të kësaj atmosfere vjen edhe kryetari i bashkisë i qytetit të Pesaros, Matteo Ricci, i cili sapo është kthyer me familjen nga plazhi.-Më falni që nuk jam i veshur si për ceremoni zyrtare, por nuk mund të rrija pa përshëndetur komunitetin shqiptar të Pesaros, që është bërë një faktor i rëndësishëm në jetën e qytetit tonë, si dhe këtë publik të pranishëm që i ka dhënë bukuri të veçantë këtij sheshi sonte,-thotë ai, duke përshëndetur.

Pastaj koncerti vazhdon deri pas mesnate, duke e bërë edhe më magjike këtë mbrëmje të bukur bregdetare pesarese.