Katër shkrimtarë nga Suedia vizitojnë Shqipërinë

0
1156

Apolloninë e kanë krijuar grekët, por shqiptarët ku ishin në atë kohë?

Nuri Dragoj

Disa ditë të fundmuajit qershor, bashkw me professor Zyhdi Dervishin dhe Viron Knoën, u ndodhëm në shoqërinë e katër shkrimtarëve suedez që erdhën për të vizituar Shqipërinë. Anna Matsson, poete, shkrimtare, anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë, perkthyese e veprës së Astrid Lindgren ne gjuhën Kmere; Kristin Bjarndotter, poete, shkrimtare në gjuhën suedeze dhe inslandeze, kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të rajonit të Göteborgut. Dy prej miqve janë me origjinë shqiptare. Sokol Demaku, poet, publicist, gazetar, shkrimtar dhe përkthyes, njëkohësisht kryetar i Qendrës Kulturore Migjeni në Borås të Suedisë dhe Hamit Gurguri, shkrimtar, përkthyes, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve në Göteborg.

Në datën 26 qershor ndodheshim në Fier. Drejtorja e Bibliotekës aë qytetit, Klodiana Gjata, erdhi për të na takuar pranë hotel “Dashamiri”. Biseduam me të lidhur me aktivitetin, pjesëmarrjen dhe pasi e ajo e garantoi shkrimtarin Sokol Demaku për zhvillimin normal të aktivitetit, u largua për të na lënë në shoqërinë e mikut tim, Nuri Plaku, poet, studiues dhe njohës i thellë i muzeut të Fierit. Nuriu na ftoi për darkë në Karavasta, e cila ndodhet rreth 25 km në perëndim të gjysmës së rrugës Fier-Lushnjë, ose një orë udhëtim me makinë. Ishte bashkë me shkrimtarin Lili Gogu.

Pranë Lagunës së Karavastasë
Laguna e Karavastasë është më e madhja në Shqipëri dhe nga më të rëndësishmet e bregdetit Adriatik, me gjatësi 10.6 km, gjerësi 4.3 km dhe thellësi deri në 1.5 m, ose me sipërfaqe prej 4330 ha. Gjithkush që ka interes për të, mund të shohë të dhënat edhe në wikipedia. Ajo ndahet nga deti me anë të pyjeve me pishë të Parkut Kombëtar të Divjakës. Aty gjenden disa lloj pishash dhe veçon një lloj i veçantë Pelikani që quhet Dalmatian Pelican. Kolonia e Pelikanit Kaçurel (Pelikani Crispus) përbën gati 5% të numrit të përgjithshëm të kësaj specie në shkallë botërore. Ajo lidhet me detin me anë të tre kanaleve, një prej të cilëve është hapur për nevoja të peshkimit. Në brendësi të saj gjenden ishuj të vegjël, në të cilët folenizojnë shpendët. Shkalla e kripëzimit të saj luhatet nga 19 gram për kg në dimër, në 35 gram për kg në verë. Duke u konsideruar me rëndësi ndërkombëtare, ajo mbrohet nga Konventa e Ramsarit, nënshkruar më 29 nëntor 1996. Katerina Karugati, specialiste italiane e biodiversitetit, këshillon që kjo lagunë e veçantë për nga lloji në botë, duhet të ruhet me kujdes, pasi mund të çoj në humbjet e specieve të rralla, si ariu, ujku, shumë lloje zogjësh etj. Por sipas saj, gjithçka varet nga qeveria shqiptare, pasi specialistët e huaj mund të japim vetëm rekomandime. Masat konkrete të ruajtjes dhe zhvillimit të saj, mbeten detyrë e shtetit shqiptar.

U ulëm për të darkuar në një lokal buzë lagunës. Ne mesin e bisedës, kur tavolina ishte mbushur plotë, Nuri Plaku u drejtua nga shkrimtaret suedeze dhe u tregoi se gati 100 vjet para tyre, Shqipëria ishte vizituar nga Edith Durham, një grua e shquar angleze, dashamirëse e popullit shqiptar. Kur pati kaluar në malet e jugut, në një fshat i poqën një mish në hell dhe kur u shtruan për të ngrenë, asaj nuk i pëlqeu. Mbase jo shija, por mënyra e të ushqyerit. Ata që e rrethonin, shoqërues dhe organizator të darkës, hanin si të babëzitur, për shkak se qenë të lodhur dhe të uritur. Durham shkruante se shoqëruesit e saj e shqyenin mishin si kanibalë.

– Sot, – tha Plaku, – kemi përpara dy zonja suedeze. – Durham i përket fillim shekullit XX, ndërsa juve, fillim shekullit XXI. Asaj i shtruan mish të pjekur në hell, juve peshk. A mund të na thoni, si ju duket?
-Shumë i mirë, – tha Kristina. – Ne jemi e kundërta e Durham, e pëlqejmë darkën, pasi juve darkoni me kulturë dhe peshku është më i miri që kemi ngrenë deri më sot.

Në bibliotekë dhe muze
Në orën 10 të ditës së nesërme, në bibliotekën e qytetit u zhvillua një aktivitet interesant. Drejtorja e bibliotekës, Klodiana Gjata, falenderoi miqtë nga Suedia për praninë e tyre në Fier. Për çeljen e veprimtarisë ajo kishte gjetur një mënyrë të veçantë. Vajza dhe djem të moshës nën 14 vjeç, hodhën një valle popullore, karakteristike të trevës, e cila e ndezi menjëherë mjedisin dhe I dha karakter gazmor. Pas kësaj e mori fjalën shkrimtari Sokol Demaku, i cili u përqendrua në veprimtarinë e shqiptarëve në Suedi, kryesisht në Borås, si dhe rolin e Qendrës Kulturore Migjeni.

Anna Matsson shpjegoi rëndësinë e shkrimtares Astrid Lindgren, përkthimin e saj në gjuhën Kmere dhe u përqëndrua në romanin për fëmijë, Pipi Çorapegjata. Kristinë Bjarndotter, komentoi rreth letërsisë dhe poezisë suedeze në ditët tona. Të dyja shkrimtaret suedeze recituan disa poezi, që vetëm për nga mënyra e interpretimit tërhoqën vemëndjen e të pranishmëve. Ndërsa Hamit Gurguri foli për shkrimtarët suedez Wilhelm Morberg dhe Strinberg. Gurguri është njëkohësisht dhe përkthyes i veprës së tyre.

Pas veprimtarisë së kryer në mjediset e bibliotekës dhe një kafe mes miqshë, u drejtuam për në Muzeun Historik të Fierit, një godinë dy katëshe e mbajtur mirë, me lulishte e gjelbërim të bollshëm para saj. Nuri Plaku shpjegonte hap pas hapi zhvillimet historike dhe objektet që popullonin brendinë e asaj godine. Muzeu është hapur në vitin 1948, në një nga ndërtesat e sekuestruara të familjes aristorkrate të vrionasve, me një iventar të paktë, mbledhur kryesisht nga pasuritë arkeologjike të Apolonisë dhe relikeve të ndryshme të dëshmorëve të luftës. Në vitin 1953 u transferua në një ndërtesë dy katëshe, duke u ndarë në pavione sipas periudhave kohore, për t’u zhvendosur 25 vite më pas në një tjetër godinë, ku mori fizionominë e tij të plotë.

Në katin e parë përfshihet pavioni i arkeologjisë me objekte të ekspozuara që datojnë nga neoliti e deri në fund të periudhës antike. Këto objekte i përkasin iventarit të gjetjeve në vendbanimet e ndryshme të trevës, si Apolloni, Bylis, Margëlliç, Krotinë, etj. Ky fond arrin deri në 200 objekte, skulptura mermeri, kolona, enë qeramike, fibula, monedha etj. Vizitorët mësojnë se pavioni arkeologjik është mjaft i pasur dhe gati të gjitha objektet e ekspozuara janë origjinale, kur në botë janë zëvendësuar me riprodhime.

Kur bie fjala për vitin 1997, Nuri Plaku ul kokën. Nuk mund ta fsheh shijen e hidhur të gjurmëve vandaliste mbi institucionin e memories fierake, sepse forcat e regresit social dëmtuan disa pavione. Por me ndërhyrjen e ish-kryetarit të Bashkisë Baftjar Zeqaj, ato u rindërtuan me material cilësor, u bënë përpjekje për të korrigjuar diçka, fal dhe kontributit të individëve të veçantë si Kozma Dashi, Kreshnik Muçaj etj.

Periudha e Mesjetës, që më parë ishte e trajtuar në mënyrë të përciptë, u pasurua me data e të dhëna konkrete, si heraldika e principatës së Muzakajve, imazhin e pijësit më të njohur të tyre, Andrea Muzakës, ekspozimi i armëve të tipeve të ndryshme, kobure dhe pushkë stralli, shpata, thika, etj. Shohim pavionin e Luftës së Parë Botërore, foto e dokumente nga kampi i ushtrisë austrohungareze ngritur buzë lumit Seman, çaste nga beteja për marjen e Fierit, marshimi i kavalerisë italiane në fshatin Marinëz dhe autoblindat e para, përdorur në këtë zonë.

Një pjesë të rëndësishme të hapësirave të katit të parë e zënë dy mjedise karakteristike: dhoma qytetare fierake dhe dhoma rurale myzeqare. I përkasin përiudhës së paraluftës. Përballë tyre ngrihet një pus uji karakteristik. Të dyja ambientet janë të kompletuara me objekte dhe orendi tipike, që tregojnë qartazi nivelin e jetesës dhe tiparet dalluese krahinore.

Interesant është pavioni i ikonografisë, ku shohim portikë dhe fragmente ikonostasesh, baldokinë, pitaf, frontore me shqiponjën ortodokse bizantine dykrerëshe, gruaja me fustanellë, flamuj dhe kryqe argjendi, këmbana me simbole e shandanë, pra, shprehja më e lartë e artit ikonografik aplikuar nga mjeshtarat grabovarë në kishat e Myzeqesë përgjatë shekullit të 18-19.

Këto objekte mbartin vlera historike të patjetërsueshme, siç është dera e kishës së Shën Mërisë e vitit 1789, fragmenti me dragoj i ikonostasit të kishës së Shën Gjergjit e vitit 1786. Imazhin e vizitorit e plotëson një kolazh fotografik i ekspozuar me përmasa të bollshme, ku përfshihen të gjitha kishat dhe manastiret e rrethit të Fierit, të shpallura monumente kulture.

Vend të dukshëm zë paraqitja e aktivitetieve tradicionale të kësaj treve, si mjeshtëria e punimit të leshit, baltës, kashtës, drurit, hekurit, tezjahu i rrogozit dhe i copave, lundra e përdorur në Kënetën e Sheqit, këndi i bariut myzeqar me zile, këmborë e orenditë e kasolles, enët e guzhinës prej bakri, veglat muzikore të përdorura nga mosha të ndryshme etj. Kostumografia dhe elementet e tyre fragmentar japin një tjetër pamje tërheqëse në këtë pavion, ku dallohen disa shtresëzime kulturore, sidomos në veshjet karakteristike rurale dhe qytetare, guna me rrëke e zonës së Semanit, veshja kolorative e zonës së Roskovecit, takia myzeqare, veshja mallakastriote burra e gra, veshjet vllahe, kosovare, çame dhe rome, pasuri dhe dëshmi e qartë e larmisë demografike të kësaj treve. Ndërsa veshja qytetare shprehet me nivel elitar, xhaketat, bundet, jelekët dhe bluzat e zonjave fierake mbartin një pasuri të rrallë simbolike, si kultin e selvisë e të shqiponjës, ngjyrat e blerta dhe vishnjen e ndezur të shtresave të larta e sidomos motivet e pasura floreale. Në këtë kontekst është edhe kostumi 100 vjeçar i nuses së Sami bej Vrionit, dhuruar nga i vjehrri, Esat Pashë Toptani.

Pas kësaj vizite mbreslënëse shkuam për të kaluar drekën te Dafinat. Drejtoresha e bibliotekës erdhi bashkë me dy shoqet e veta, punonjëse në të njëjtin institucion, Daklea Hamoniku dhe Edlira Nika. Një drekë e bollshme, me ushqim bio, mjedis tepër gazmor, për të cilën i jemi mirënjohës zonjës Gjata.

Qyteti antik i Apollonisë dhe befasimi i suedezëve
Pasdite shkuam në Apolloni, qytetin antik, ndër më të mëdhenjtë në pellgun e Adriatikut, më i përmenduri ndër 30 qytete të tjera me të njëjtin emër të kohës antike. Apollonia ndodhet 12 km larg qytetit të Fierit. Bënte shumë vapë. Sokol Demaku dhe Hamit Gurguri nuk ngopeshin duke parë, por dhe dëgjuar. Nuk lodheshin duke përkthyer gjithë ditën për suedezet. Kristina dhe Anna merrnin frymë me vështirësi. Uleshin nëpër sofatët e gurtë për t’u shlodhur pak dhe ngriheshin sërish. Donin të shihnin, të dëgjonin ciceronin. Muzeu ishte një mrekulli.

-Kjo është gjëja më e bukur që kemi parë deri tani, – u shpreh Kristina. Ciceroni vazhdonte shpjegonte. Qyteti i Apollonisë është themeluar në fillim të shekullit VI, para erës së re. Gërmadhat e Apollonisë janë zbuluar në fillim të shekullit XIX. Gjurmë të hershme arkeologjike janë disa objekte të epokës së hekurit, tipike të kulturës ilire.

Pas Dyrrahut, qyteti i Apollonisë ishte qyteti më i rëndësishëm në pellgun e Adriatikut, ngritur në një kodër ku zotëron gjithë zonën, me një sipërfaqe prej 140 ha, rrethuar me mur 4 km të gjatë. Fusha që shtrihej për rreth tij, formuar me aluviolet e lumit Seman dhe Vjosë, ka qenë ndër rajonet më pjellore të fushës së Myzeqesë.

Apollonia u themelua nga korinthasit! A kishte banorë vendas, para ardhjes së tyre?
Ciceroni, Lavdosh Jaupaj, vazhdonte të shpjegonte duke kaluar nga një pavion në tjetrin. Thuhet se ky qytet i lashtë është themeluar në shekullin e shtatë para Krishtit nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinthi. Prania e tyre është dokumentuar në vitin 588 para krishtit. Emrin e mori nga perëndia Apoloni dhe ndër 24 qytetet e botës mesdhetare që mbanin këtë emër në antikitet, Apolonia e Ilirisë ishte më e rëndësishme dhe luajti rol të madh në tregtinë midis helenëve dhe ilirëve. Mendohet që të ketë patur 60 mijë banorë.

– Si është themeluar nga grekët? – pyeti me habi Kristina. – Nuk ka patur banorë vendas?
Personi i ngarkuar për të na shpjeguar shtoi se prej shumë autorëve pranohet fakti që Apollonia popullohej nga fiset ilire dhe autorë të tjerë bëjnë fjalë për këmbime të rregullta tregtare të vendasve me popullisnë helene. Për këtë iu referuam dhe të dhënave në Wikipedia. Kjo është e pranueshme, por kur thuhet se klasë sunduese qenë kolonët korinthas, lë vend për dyshime, pasi është e pamundur që në një qendër të banuar nga vendas, të vijnë 200 kolonistë të huajë, pa strehë dhe tokë, pa të mira materiale, dhe të bëhen menjëherë klasë sunduese. Kjo është e pamundur. Ata nuk mund të dominonin sapo vinin, vetëm me rrobat e trupit. Pas shekujsh mund të ndodhte gjithçka, por jo themelimi i qytetit prej tyre. Gjithsesi këto janë produkte të politikave të kohës së shkuar dhe asaj të sotme, mbase dhe në vazhdën e punimeve që synojnë kthimin e trojeve shqiptare në greke. Besoj se fakti që, në gërmimet arkeologjike kanë marrë pjesë dhe shqiptarë, nuk do të thotë që konkuzionet e arritura të jenë përfundimtare.

Teoria e themelimit të Apollonisë nga korintasit, nuk mund të konsiderohet e saktë. E keqja është se ne jemi bazuar në studimet e kryera nga të huajë dhe nuk kemi asnjë studim të pavarur. Nuk dihet nëse kjo është produkt i paaftësisë apo i nënshtrimit ndaj të huajve. Ngjasimi i objekteve me ato të periudhës helene, nuk do të thotë se janë greke, pasi bëhet fjalë për dy popuj fqinjë, ku nuk mund të shmanget ndikimi i kulturave në mënyrë reciproke.

Të mos harrojmë që Straboni thoshte se popullsia e Apollonisë erdhi duke u shtuar nga të mërguarit prej qyteteve helene Kikys dhe Dyspont, të cilët zgjodhën me dëshirë për banim Apolloninë dhe Dyrrahun. Dyshim krijojnë dhe lajmet e gjetjes së objekteve helene në varrezën e madhe tumolare ilire të Gllasinacit në Bosnjë. Përderisa është varrezë ilire, përse objektet qënkan helene? Mos edhe këtu ka pasaktësi, që mund të vijë si pasojë e mos njohjes së kulturës helene, nga fuzionimi i kulturave apo nga qëllimet dashakeqe?

Shpesh përmenden mardhëniet e lirëve me kolonitë, koloni këto brenda popullsisë ilire. Tashmë dihet që marrëdhëniet kryesore të tyre kanë qenë me Dardaninë, prej nga merrnin argjendin. Straboni përmend minierat e Demastionit dhe atë e vendos në prapatokën e Apollonisë. Po ky autor përmend djathin Dardan, ndërsa Plini fletë për “rrathë ari që vinin nga Dardania, prandaj quheshin dardanë”. Marrëdhëiet e tyre shkojnë deri në Pejë të Kosovës dhe ka pak ose aspak të dhëna për marrëdhënie me rajonet që popullonin helenët në jug të Peloponezit.

-Nuk mungojnë dhe mendimet që në Apolloni shkuan kolonë nga Dyrrahu (Durrësi), – shton ciceroni. Por unë mendoj se askush nuk mund të kundërshtojë faktin që kolonët e quajtur korintas të kenë qënë ilir, pasi tërë Epiri banohej nga ilirët. Lidhur me themelimin e Apollonisë, autori antik Stefan Bizantini thotë se “këtë qytet të Ilirisë si dhe Epidamnin e banonin Ilirët”. Më pas aty shkuan 200 kolonë korinthas me në krye Gylakun. Mirëpo ky lajm është i dyshimtë, mund të jetë i sajuar shekuj më pas, pasi në atë kohë, asnjë dijetar nuk e përmend emrin e tij. Gjithsesi thuhet që, më pas është gjetur një mbishkrim me emrin “fusha e Gylakut (Gylakion Pedion).

Deri më sot është zbuluar vetëm 10% e qytetit të dikurshëm të Apollonisë. Me rëndësi aty janë monumenti i Agonotetëve, Odeoni, Biblioteka, Muri rrethues, Portiku, Vila romake me mozaik, Muzeu arkeologjik, Kisha e Shën Mërisë etj. Ndonëse përmenden si kolonë korinthasit, mbishkrimet në Monumentin e Agonotetëve tregon se ai është financuar nga një qytetar me origjinë romake, Kuint Vil Krisp Fur Prokuli, i cili mbante tre funksione: Prytan, agonotet dhe kryeprift i përjetshëm. Romaku e financoi atë, në nderim të vëllait të tij, Valentin, i cili do të ishte bërë agonotet, në rast se nuk do të kishte vdekur Siri.

Në fakt, emërtimin Apolloni korinthase e mori nga fjalët e autorëve të ndryshëm, siç është dhe historiani grek Don Kiasi, që e cilëson në këtë mënyrë.

Ari shqiptar në flakë
Ka shumë autorë që bëjnë fjalë për flakë të vazhdueshme që ndriçonin qiellin e Fierit në shekuj. Digjej ari i zi, siç i thonë ndryshe naftës dhe gazit të nëntokës. Don Kiasit i kishte lënë përshtypje Nymfeu. Ai përshkruan një zjarr të madh që dilte pranë lumit Vjosa (Aos) dhe digjej ditë e natë, por nuk përhapej, madje në afërsi të tij kishte gjelbërim bimësh. Edhe Eliani thotë se “zjarri nuk zë hapësirë të madhe”, që do të thotë se zjarri me siguri ka qenë djegie e rerzervave nëtokësore të gazit, që për shkaqe atmosferike është ndezur dhe ka vazhduar të digjej dersa ka shteruar rezerva nëntokësore në atë territor. Aristoteli shkruante se aty dilte asphalt dhe pisë si curila që shpërthejnë nga toka. Për Strabonin në shkëmb del flakë zjarri që rri i ndezur vazhdimisht dhe nënë të rrjedhin burime të vaktë dhe asfalt. Popullsia vendase duke mos e kuptuar burimin e flakëve, e besonin si burim të perëndive. Këto të dhëna janë hedhur dhe në Wikipedia.

Duke mësuar rreth këtyre ngjarjeve të përshkruara shumë shekuj më parë, mu kujtuan djegiet e gazit dhe naftës në gjysmën e dytë të shekullit XX. Sa shumë naftë dhe gaz ka patur Shqipëria! Në vitin 1957 mori flakë një pus nafte në Marinzë. Duket se gjatë nxjerrjes së naftës qenë cenuar damarët e gazit natyror dhe pusi u gjend në flakë. Për 30 ditë, gjithë treva e Fierit nuk e njihte natën. Flakët ndriçonin gjithçka. Gati 23 vite më pas, dhe pikërisht në vitin 1980, do të ndodhte një tjetër fatkeqëi shqiptare. U përfshi nga flakët pusi gjigant i Drenovës. Për dy vite me radhë flakët pëpinin qiellin.

Ishte aq flakë e madhe, saqë mali i Trebeshinës dhe ai i Taroninës në Përmet, ndriçonin gjithë natën. Shqipëria e quajti fatkeqësi kombëtare. U bënë përpjekje për shuarjen e tij por pa sukses. Mijëra batanije leshi të presuara u hodhën mbi të për ta shuar, por qe e pamundur. Dhejtëraa avionë lëshonin lëndë të ndryshme mbi të për ta fikuar, por të gjitha përpjekjet shkuan dëm, duke marrë me vete dhe miliona dollar për shuarjen e dështuar. Gazeta italiane Coriera della Sera, në korrik të vitit 1980 shkruante se po digjej Banka e Shqipërisë.

Grabiten objekte me vlerë areologjike
Po le të kthehemi sërish në Apolloni. Në vitin 1806, gërmadhat e këtij qyteti janë përshkruar nga Pouqueville. Më pas Ë.M. Lake bënë fjalë për skulpturat, mbishkrimet, murin rrethues dhe një tempull kryegjatë. Shkrimtaret suedeze, Kristin Bjarndotter dhe Anna Matsson, dëgjonin me vëmendje.
– Gjithkush që ka shkelur mbi Apolloni ka rrëmbyer ç’të mundi, – u them unë.
– Si është e mundur? – pyeti ajo. Nuk kishte shtet?
– Nuk ka patur. Përherë ka qenë nën sundimin e të huajve. Kanë grabitur të huaj dhe vendas. Ibrahim Pashë Vrioni grabiti gurët e tempullit për të ndërtuar sarajet e veta, peshkopi i Beratit Anthimi mori skulpturat dhe objektet antike që gjendeshin në manastirin e Shën Mërisë dhe i nisi për në Greqi.

Në Apoloni janë bërë gërmime nga disa arkeolog. Në vitin 1861, aty mbërriti arkeologu Leon Heuzey, i ngarkuar nga Napoleoni II, për të studiuar veprimet luftarake të Cezarit në Iliri, i cili dha informacion me vlerë për disa skulptura.

Në kërkim të të fshehtave të nëntokës së saj, u vu dhe një ekip arkeologësh francez, të kryesuar nga Leon Rei, i cili zbuloi teatrin dhe e quajti Odeon. Ai zbuloi ndërtesën e Agonotetëve që e mori emrin nga vëllezërit e familjes së Villëve, të cilët merreshin me organizimin e shfaqjeve për publikun dhe quheshin “agonotetë”. Gjatë Luftës së Dytë Botërore arkeologu italian C. Sestieri, zbuloi një ndërtesë me oborr qëndror, ku gjeti në tullë vulën “Gimnasiou”, duke zbluar në këtë mënyrë gjimnazin e Apollonisë. Gjatë kësaj periudhe u grabitën një numër i madh monumentesh të zbuluara. Dëmtimet vazhduan edhe më pas me vendosjen e trupave gjermane.

Kundërshtohet rrëmbimi i sendeve me vlerë, pushkatohen tre oficerë shqiptarë
Ishte viti 1916, kur ushtria italiane dhe ajo austriake kishin marrë nën kontroll Shqipërinë, austriakët në veri dhe italianët në jug. Ata bënë të gjitha përpjekjet për të zhvatur sa më shumë nga vendi i zhytur në mjerim. Në Apolloni bëheshin kërkime arkeologjike nga austriakët. Areologët austriak Prashniker dhe Shober, bënë gërmime në murin rrethues të anës lindore, ndërtuar në periudhën klasike, gërmuan në banesa dhe hapën disa varre. Dy austriakët grabitën në numër të madh skulpturash dhe i dërguan në Vjenë, ndërsa rezultatet e kërkimeve i botuan në serinë akademike austriake.

Seria e botimit të tyre mbante titullin “Archaologische Forschungen in Albania und Montenegro” Ëjen 1919, si dhe C. Prashniker, Muzakia und Mallakastra, Ëien 1920. Në radhët e ushtrisë së tyre kishte dhe ushtarakë shqiptar. Midis tyre dhe oficeri përmetar Kamber Bënja. Fillimisht ai nuk shfaqi dyshim për gërmimet e arkeologëve të perandorisë dualiste. Kjo duket qartë në bisedën e tij me të birin, Zenelin, të cilit i fliste për rëndësinë e atyre kërkimeve që tregonin lashtësinë e kombit shqiptar.

-Ta dish biri im, që ne jemi një popull i lashtë dhe kemi të drejtë të mburremi me të kaluarën tonë, – i thoshte oficeri patriot të birit. Sipas tij, të huajt që hynin dhe dilnin nëpër trevat tona, çfarëdo që të bënin, nuk e ndryshonin dot faktin që ne kemi historinë dhe gjuhën amtare. Ata vinin dhe shkonin, por asnjeri prej tyre nuk kishte mundur të tjetërsonte kombin shqiptar. Këtë nuk e bëri dot “as arroganca e Romës së lashtë, as dredhitë e Bizantit, as halldupi i nëmur, as greku dinak e as serbi katil”.

Nuk mundën të shuanin dhe as të vidhnin ekzistencën e vendasve, “të cilën nuk kanë mundur ta përmbysin mijëravjeçarët”. Gërmimet ai i shihte si një hap të madhërishëm, “për të provuar kush jemi dhe nga vijmë”. Kamberi mendonte kështu sepse besonte në deklaratat e Vjenës, në të cilat thuhej se Austria punonte për të mirën e Shqipërisë. Besonte edhe për faktin se Austro-Hungaria dha ndihmesën e vet për krijimin e Shqipërisë, ndonëse me kufij të cunguar. Por në të vërtetë edhe austriakët shihnin interesat e tyre.

Të dy aleatët që “luftonin” për çështjen shqiptare, i patën kthyer armët njeri-tjetrit. Konfuzioni ishte i madh. Populli shqiptar nuk merrte asnjë informacion të saktë mbi zhvillimin e ngjarjeve. Batalionet me vullnetarë shqiptarë qëndronin buzë Vjosës. Vullnetarë të tjerë, nën komandën e Sali Butkës, i qenë drejtuar Korçës. Orientimi ishte i vështirë. Shpresohej të mësohej ndonjë informacion nga robërit austriakë apo italianë, por ata i zmadhonin ngjarjet. Informacionet e dëshmitarëve në përgjithësi nuk qenë të sakta, ndonëse shënoheshin me zell nëpër ditaret ushtarake. Pjesa më e madhe e ushtarëve ishin të lodhur dhe jashtëzakonisht të frikësuar, pasi nuk kuptonin përse po e bënin atë luftë larg vendlindjes së tyre.

Austriakët shtriheshin në krah të Vjosës dhe patën përparuar deri në malet e Korçës. Ata mendonin se shqiptarët nuk ishin pjekur ende si komb për të gëzuar pavarësinë, prandaj qenë të mendimit që të mos fitonin po ato të drejta që u premtoheshin boshnjakëve. Edhe vullnetarët shqiptarë që komandoheshin nga Ahmet Zogu, kishin zënë Vjosën.

Në Pojan të Fierit vazhdonin gërmimet dhe oficerët austriakë tentuan të merrnin disa antikitete për t’i dërguar në Vjenë. Ky veprim u kundërshtua prej oficerëve shqiptarë. Ndër ata që u bënë pengesë ishte dhe kapiten Kamber Bënja, i mbështetur nga Ahmet Zogu dhe shokë të tjerë. Kamber Bënja u trondit kur vuri re që objektet arkeologjike shqiptare, të zbuluara nëpërmjet gërmimeve nga arkeologë ushtarakë austriakë, ishin duke u vendosur në arka. Një tjetër oficer shqiptar, Abaz Taushani, pyeti Kamber Bënjën se përse bëhej një ngutje e tillë, aq më tepër kur ishte fjala për objekte me vlerë të madhe arkeologjike. Besimi i madh që kishte Kamberi te austriakët duket dhe në dialogun e tyre.

– Nënkoloneli është miku ynë, – i tha Kamberi. Të paktën kështu paraqitet. Ka thënë se këto materiale arkeologjike janë grumbulluar për një muzeum shqiptar.
Por tjetri nuk u bind nga përgjigja e shokut të vet.
– Ato janë të sigurta aty ku janë, të ngulura në tokë, – iu përgjigj Abazi. Është folur për muzeum, por nuk thuhet ku do të jetë ky muzeum. Mos është fjala për në Vjenë? Çfarë aleatë janë këta që vjedhin në mes të ditës pasurinë tonë më me vlerë?
Kamberi e shihte shokun e vet drejt e në sy.
– Ke të drejtë, – tha ai pas pak, duke vështruar ngultazi nga Abazi. -Kjo çështje duhet parë sipas gjykimit tuaj, pasi unë deri tani i kam konsideruar si dashamirës të Shqipërisë.

Bashkë me Abazin dhe Bexhet Manastirliun hartuan një protestë. Atë e lexoi Abaz Taushani. Me pak fjalë në të thuhej: “Protestojmë sepse këtu po rrëmbehen të gjitha zbulimet me vlerë arkeologjike, pa lajmëruar autoritetet e vendit. Ne mendojmë se ju keni ardhur në Shqipëri si miqtë tanë, por kjo ngutje për të përcjellë me eskortë të gjitha bustet e mermerit, unazat e floririt e të bronxit me gurë të çmuar dhe gjithë atë qeramikë të stolisur me figura mitologjike, që janë pjesë e historisë sonë kombëtare, është e padrejtë dhe e palejushme”!
Nuk duhej të merrej as arka e gurit që ndodhej në oborrin e gjimnazit turk të Beratit. Ajo arkë, në të vërtetë ishte një krematorium, ku kishte shënime me vlera të rralla për historinë dhe origjinën e qyteteve të tokës së lashtë ilire.

Çështja u bë problem. Oficerët e lartë austriakë filluan të shqetësoheshin. Nënkoloneli G.V., pyeti me ironi: Përse jeni zemëruar ju zotërinj? Ajo arkë guri, a nuk do të ishte për nder që të vendosej në muzeun e Vjenës dhe ta vizitonin mijëra qytetarë nga e gjithë bota, që të mësonin më në fund se GYLAKIA* e juaj, ka qenë djepi i qytetit të lashtë të Apollonisë?

– Zoti nënkolonel, – ndërhyri Kamberi. Ju keni studiuar dhe e dini mirë që Apollonia ishte baza kryesore e Romës, për pushtimin e Ilirisë. Kjo fushë ka qenë një kamp i përjetshëm përleshjesh, ku romakët gjunjëzuan mbretin e fundit të Ilirisë, Gentin. Pas shkatërrimit të atij shteti, këto qytete të mjera kuptuan se Iliria kishte qenë i vetmi shtet që i jepte garanci lirisë së tyre.

– “Takimi për sot mbaroi, – tha prerë nënkoloneli austriak. Shkoni në vijën e parë të frontit dhe i raportoni komandantit për shthurjen e vullnetarëve tuaj”!

Austriakët shfrytëzuan tërheqjen e disa vullnetarëve nga fronti dhe akuzuan tre oficerët shqiptarë, kapiten Kamber Bënjën, toger Bexhet Manastirliun dhe toger Abaz Elbasanin, si nxitës për largimin e tyre. Pas kësaj ata u arrestuan dhe, me një gjyq të shpejtë, u dënuan me pushkatim. Akuza ishte: “Kanë ndikuar në shthurjen e vullnetarëve shqiptarë që ishin rreshtuar në çetat e komanduara nga austriakët”.
Ky fakt pohohet edhe nga arkeologu Hasan Ceka. Sipas tij, austriakët bënë kërkime arkeologjike në Pojan dhe zonat e afërme, mblodhën skulpturat me vlera të mëdha artistike e historike, të cilat donin t’i nisnin për në Vjenë. Ata u kundërshtuan nga tre ushtarakë shqiptarë, të cilët e paguan me kokë. Ata u akuzuan si njerëz të venë në shërbim të italianëve. Për këtë arsye, gjyqi ushtarak i dënoi me vdekje. Përfundimisht, një pjesë e skulpturave u dërguan në muzeun e Vjenës, ku ndodhen edhe sot.

Kapiten Kamber Ali Përmeti, komandant batalioni, toger Bexhet Riza Efendi Manastiri dhe Abas Bej Elbasani, u akuzuan për krim ushtarak, se kishin nxitur ushtarët të braktisnin pozicionet. Në bazë të ligjit ushtarak të Austrisë, ata u pushkatuan më 4 qershor 1916. Në njoftimin e datës 22 qershor, të komandës së Divizionit të Trupës së Fanterisë, thuhej se largimi nga fronti i pjesës më të madhe të rekrutëve, në dy batalionet e Matit, kishte si shkak propagandën e oficerëve shqiptarë. Në mesin e muajit gusht të vitit 1916, ministrit të Jashtëm austriak Burian, i raportohej lidhur me porosinë e dhënë për çështjen e pushkatimit të disa oficerëve shqiptarë.

Në informacionin që i dërgohej Vjenës ngarkohej me përgjegjësi edhe Ahmet Bej Zogu, për qëndrim jo energjik ndaj tyre. Por ndaj tij dhe disa oficerëve të tjerë, nuk u grumbulluan prova të mjaftueshme për t’u marrë masa të rrepta. Ahmet Beu, pa e ditur që pranë batalioneve shqiptare ndodhej kapiteni Botyck, në të njëjtin pozicion detyre me Kamber Ali Përmetin, u largua nga Fieri sapo mësoi për hetimin gjyqësor që po i bëhej çështjes. Austriakët bënë përgjegjës edhe togerin Mahmut Shefkiu, komandant kompanie në batalionin e VIII, sepse, sipas tyre, kishte njoftuar ushtarët të largoheshin për në shtëpi. Për këtë ai u pushkatua në Tiranë, më 15 qershor 1916. Gjyqi arrinte në përfundimin se ky veprim nuk ishte thjesht ide e oficerëve shqiptarë, por ata ishin të shtytur nga jashtë. Gjyqtarët ushtarakë qenë të mendimit se oficerët vendës mund të kishin lidhje me armikun, pasi shpesh herë ishin prerë dhe linjat telefonike.

Në një tjetër dokument pohohej se komanda ushtarake kishte pushkatuar në fshehtësi tre të rinjë shqiptarë, për shkak të qëndrimit të tyre patriotik. Ata ishin Kamber Efendi Përmeti, Bexhet Efendi Kalkandeleu dhe Abas Beu nga Elbasani. Abazi kishte kryer studimet në Itali dhe pati shërbyer për disa kohë në regjimentin italian. Ai mendonte se në ushtrinë austriake do të gjente njerëz të ndershëm, besim të cilin e pagoi me kokë. Sipas këtij burimi, pushkatimi i tyre u bë, pa u dhënë asnjë farë argumenti. Madje gjykata nuk u garantoi as mbrojtjen ligjore të pandehurve.

Meleq Bej Frashëri, në një informacion që i dërgonte komandës austriake, i cilësonte të pafajshëm oficerët shqiptarë të pushkatuar. Sipas tij, largimi i ushtarëve nuk kishte ndodhur për shkak të ndikimit të tyre, por sepse u jepej rroga në bankënota, në një kohë që Italia i paguante me 80 lira ari në muaj. Dokumenti i arkivit të Vjenës jepte hollësi rreth biografisë së informatorit. Sipas tyre, toger Meleq Bej Frashëri kishte qenë në shërbim të Ëiedit, si oficer xhandarmërie. Ai dallohej në punë dhe qe dekoruar për trimëri, por në vitin 1914 u plagos dhe u çua në Vjenë për mjekim, ku qëndroi disa kohë. Duket se për kujdesin e treguar ndaj jetës së tij, ai qe dashamirës ndaj Austrisë dhe informacionet që dërgonte quheshin të besueshme.

Dërgoi për publikim në gazetën Fjala e Lirë, Gjin Musa, gazetar