Ka intelektualë gegë, që e urrejnë për modernizëm gjuhën standarde shqipe, më shumë se serbishten e turqishten…

0
1230
Arben Çokaj - pikturë

E HABITSHME!

Arben Çokaj

Këta, të cilët unë po u referohem, e quajnë gjuhën standarde shqipe “artificiale“. Por ajo nuk është e tillë. Një gjuhë standarde shqipe duhet, që shqiptarët kudo ku janë ta kenë për referencë. Pastaj a duhet pasuaruar standardi me format leksikore, apo gramatikore të gegnishtes, kjo duhet parë nga gjuhëtarët. Që gjuha të pasurohet, duhet të shtohen edhe format leksike e gramatike të gegnishtes, por nuk po shoh përpjekje serioze në këtë drejtim, e arsyen nuk e di pse. Ajo që po shoh është një numër gegësh, që gjuajnë me shqelma strandardin, e kjo nuk më duket e drejtë!

Kur Berisha ishte President në fillim, kishte këshilltar Kolec Topallin, i cili e futi edhe Jozefinën në politikë. Urrejtja e tij për standardin ishte urrejtje edhe për trashëgiminë e gjuhës shqipe. Në vend që ai të ushtronte influencën e tij gjatë asaj kohe, që shqipja standarde të pasurohet, ai u mor më shumë me heqjen e ë-së nga disa fjalë dhe bëri një Fjalor Etiomologjik, ku e nxirrte shqipen si gjuhë të ardhur nga gjuhët e tjera. Dmth. i shkoi përpjekja në “futja kot”, në destruktivitet.

Destruktiviteti shqiptar i theqafjes del në dritë gjithandej, edhe në këtë rast, nga disa pseudo-inteletualë gegë… Ata nuk përpiqen për asgjë të përbashkët, vetëm për “bythën e vet“, dmth. për gegnishten, e kur vjen puna, as “bythën e vet” kështu nuk mund ta ruajnë… Prandaj nuk është bërë gjë në këtë drejtim, tash 30 vjet!

Pushteti ka ndikimin e vet, padyshim. Me pushtet, regjimi komunist krijoi një standard të gjuhës, duke lënë gegnishten e papërfshirë sa duhet në gjuhën shqipe standarde. Tani me të drejtë, ata që flasin gegnisht, ndihen të prekur, se u duket se gjuha standarde nuk i përfshin edhe aq. Por jo të kalohet në urrejtje e destruktivitet, mendoj, por të gjenden zgjidhje racionale, prapë duke përdorur pushtetin.

Psh. kishim komunizmin, sistemi ishte i gabuar dhe dështoi, ok, por nuk mund të mohohet fakti se si shtet, funksionoi më mirë se ky i sotmi, se u bënë përpjekje që shteti të ishte shtet, kjo nga pikëpamja shtetformuese. Sot zyrtarët qendrorë e lokalë, vjedhin shtetin të gjithë dhe pasuritë tona të përbashkëta. Janë pasuruar kush ka gjë në dorë, me paratë e pronat tona publike, etj. Kjo nuk ndodhi gjatë komunizmit. Duhet pranuar…

Pra, sa i përket shtetit, nuk duhet urryer gjithçka e asaj kohe, vetëm me idenë e urrejtjes. Po ashtu edhe gjuha standarde. Ideja që shqiptarët të flasin me një gjuhë të përbashkët është arritje, pra, shqiptarët të kenë një gjuhë unifikuese, është gjë pozitive, që tetovari e shkupiani, të kuptohen me dibranin e shkodranin e me tepelensin e gjirokastritin, përmes një gjuhe të përbashkët, është diçka pozitive, jo negative. Por problemi qëndron te emëruesi i përbashkët, që u bë duke përjashtuar një pjesë të rëndësishme të gjuhës, gegnishten. Kjo ishte gabim dhe duhet ndrequr. Por si? Nga kush? Nga gjuhëtarët që kanë lidhje me pushtetin… “Toka është pronë e njerëzve të zgjuar“, thoshte një president amerikan, “kur ata kanë forcë!

Ta zëmë, erdhën pushtuesit e huaj, vendosën emrat e tyre të toponimeve, ne i mbajmë ato ende, edhe pse pushtetin e kemi ne shqiptarët. E pse e bëjmë këtë? Se kemi drejtues që duan të pasurohen, e jo të bëjnë shtetin… Dhe kënaqen: “shajmë Enverin e ndihemi mirë!” Por kjo nuk mjafton… Por ata aq dinë dhe aq bëjnë. Ata që dinë, duhet të japin sugjerime e të imponojnë mendimet e mira dhe zhvillimin racional e pozitiv.

Kur u bë Jozefina kryetare Kuvendi, i sugjeruam me një letër, (se ajo mbahet “qytetare e vjetër shkodrane“, e kush më parë se ajo duhet të merret me disa gjëra të mira? :p). “Janë disa toponime, turke, sllave e komuniste, që është mirë të shqipërohen…” – i thamë. “Pushteti vjen e ikën e në fund, çfarë mbetet? Mbetet ajo që bëmë mirë, ashtu si mbetet ajo që bëjmë keq.” Por edhe Jozefina nuk bëri shumë, e dërgoi letrën tonë në akademinë e shkencave dhe kaq.

Asnjë iniciativë ligjore apo shtetërore nuk u mor, që emrat e toponimeve e më gjerë të ndryshohen, të shqipërohen. Me përjashtim të Presidentit Topi në atë kohë, që e përmendi këtë në një fjalim të tij në Korçë… Dhe kaq. Jozefina mbahet mend se u pasurua, i mori disa prona në qendër të Shkodrës… dhe ndihet aristokrate… kjo kishte rëndësi për të, dhe bravo, me anë të pushtetit që mori, ia arriti, se ndryshe, kishte mbetur në harresë…

Me sa mbaj mend, Majko arriti që një fshati me emër shqiptar andej nga Pogradeci, Liqenas, t’i vinte një emër sllav, për hir të një komuniteti maqedonas atje… Pra, Enveri e bëri “liqenas”, Enveri doli ‘kriminel‘, ky tjetri që e bëri emër sllav, doli ‘hero‘… Ec e merre vesh tani?! Kështu edhe me gjuhën shqipe. Sentimentet urrejtëse për Enverin, i bëjnë disa, të ndihen mirë, kur shprehin neveri për çdo gjë që u bë në atë kohë, duke mos qenë në gjendje ta ndajnë qartë të mirën nga e keqja, atë që ishte produktive e shtetformuese, nga ajo që mund të jetë destruktive dhe shtet-shkatërruese…

Komunizmi ishte i keq, por janë disa gjëra, që u bënë mirë, e që as sot nuk po bëhen… E që sot të bëhen ato gjëra, mund të jetë më e lehtë, por duhet vullnet për të bërë, e jo vetëm për të vjedhë! Sot ne po na dominon hajnia, anarkia e urrejtja, e kjo po na shkatërron… Dhe duket se këtë gjë nuk po e kuptojmë mirë si popull!