JETIM dhe KARVANE VARFËRIE – poezi nga Pajtim Xhelo

0
717
Pajtim Xhelo

Jetim

Karshi Amanties, mbi malin Tartar,
Një shqipe kryeulur krahërrëzuar,
Tretur shikimin mbi Drin, Ibër, Vardar,
Thiamis dhe Epir mjegullash rënduar.

Një tjetër shkabonjë mbi malin Tomar,
Ulët fluturon nën sy të Perëndisë,
Mbi Osum, Vjosë e Shkumbin, si sipar,
Po reton lotët e mëmatdhetarisë.

Bukuroshja thinjoshe, sqepin si krrabë,,
Sheh Adriatikut dhe kah Dardania,
Mbi malin Korab dallon mëmë dhe babë,
Nën krahët e rëndë, Ja Arbëria!

Mbi malet e Pindit, një gjuhë të vjetër,
Dëgjon te lisi, në Dodonë, dudia,
Pa qeshet e kuvendon me botën tjetër,,
Ku veç pellazgët kish zbritur Perëndia.

Në Selanik, ku la gishtat një fajkua,
Zogu i blertë që iku nga Kosturi,
Mbi një pyll, ku gurgullon i shenjti krua,
Atje ku Leka i Madh kurorën vuri.

Mbi një kodër, në Konicën pranë, aty,
Çdo vit vjen e ulet Shgaba nga Tomari,
Pirro i tha ushtrisë: ” Jemi të dy,
Unë shqipja, ju krahët e mi si guri!”

Në Bosnjën hijerëndë, pranë një fanari,
Një qyqe, me zërin e ngjirur, vajton,
E kupton atë gjuhë vetëm shqiptari,
Kur turist në trojet e tija kalon,

Tri shqiponja, një dudi dhe një fajkua,
Deri dje fluturonin nëpër lavdi,
Sot qyqja e Bosnjës u plak, u harrua,
Shqipe, dudi, fajkua qajnë tani.

Dhe pse u rrëmbyen, u shqyen, kafshuan,
Trojet tona ku bridhnin pela asgane,
Dhe pse krahët e shqipeve u lënduar,
Sërish në qiell, me krenari vigane.

Po sot, më thoni çiltër miqtë e mi,
Ky Atdhe, lënë plagosur, pa mëshirë,
Gjahtarët morën gëzofin, si ari,
Jetim e lanë, me korbat ndaj të gdhirë.

Ulur kryet shqipet, fajkoi, dudia,
Në syt’ e tyre trishtimi derdhi lotë,
Trojet që mbronin i mbyti pabesia,
Dhe qyqja e Bosnjës endet nëpër botë.

Pajtim Xhelo, 6 janar 2020


KARVANE VARFËRIE !

Kush u preu rrugën karvaneve nëpër qiell?
Kush mbi vendin tim u tha të zbraznin varfërinë?
Qyteti im, kaq i ftohtë, edhe pse me diell,
Në shtëpitë pa ngrohje ka strukur dhe rininë.

Në qiell kanë fluturuar ato karvane gjithmonë,
Veç gëzimin nuk na i rrëmbenin asnjëherë,
Paçka, ky dimër polar mbi anëdetin tonë,
Trishtimin e varfërisë sa e paska ndjerë!

Mos dimri polar e kyçi jetën në shtëpitë?
A deti ngriti dallgë dhe njerëzit friksoi?
Jo o Zoti im dhe ju të mirët miq të mitë,
Parlamenti i kusarëve karvanin e ndaloi.

Karvani i varfërisë, i vjetër sa jeta,
Përse nuk eci më tutje, të ndalej mbi Bruksel?
Pa Evropa të kujtonte gabimet e veta,
Që na lanë n’oqean, si një anie pa vel.

Në dimrin e varfërisë ngre dallgët stuhia,
Vetmia shtyn anien, Brukseli është aq larg!
Këtë qytet si ëndër e tkurri varfëria,
Portat shurdhe të Brukselit varën shpresën në varg!

Miq,Evropa na i hodhi herët dimrin polar,
Pa tani fshin sytë nga lotët e krokodilit!
Kameleoni i vjetëruar, mbi zjarr tinzar,
Po na djeg. Në fyt na vuri lakun e katilit.

Paçka, në qiellin e qytetit hëna dhe yjet,
Strukur, venitur, trishtuar, sa larguar janë!,
Rrëzuar varfëria mbi fushat, malet, pyjet,
Dhe pse të pasura i lanë të parët tanë!

Pajtim Xhelo


I HARROI LOTËT

Ca pika loti po ecnin nëpër faqe,
Veç një çast, pastaj gjithë jetën harruan,
Ish vetëm shtatë vjeçe dhe si manushaqe,
Te kasoll’ e dhive u fsheh e tmerruar.

Babanë te rruga,nënën te pragu
Sërbët kriminelë vajzës ia vranë.
Mëngjesit të qetë sa kish dirsur agu,
Pragditën shtatvjeçe jetime e lanë.

Fikën jetët dhe ikën, po er’ e gjakut,
Ëngjëllushen e truar rrëzoi përdhe,
Dhitë dylinde këcyen prej merakut,
Shoqezës së vogël iu qasën atje.

Sytë e përlotur te ato rrebele,
Blegërimat kishin heshtur atë ditë.
Pa dhe kjo ditë, cigane zhelezhele
Endej në rrugë me përtim, me pak dritë.

Trokiste vdekja në pragjet e braktisur,
Legjendat dardane ikën muhaxhirë,
Kurbanë për sllavët ai që s’ishte nisur,
Te faqet e vocrrakëve loti ngrirë.

Çtë bënte vajza, ku të shkonte jetimja?
Në tërë atë fshat të gjallë më nuk kish.
Njomëzake ajo. Sa e madhe dhimbja!
U rrit me minuta, se mes vdekjes ish.

Parë kish që të vdkurit i varrosnin,
Po si t’i hapte ata të shkretët varre?
Katilët sllavë dhe zakonin përdhosnin,
Çhall e zuri, dhimbjen e harroi fare.

Pa me shpirt në dhëmbë një gropë e hapi,
Tërhoqi kufomat, Zoti i dha fuqi?
Në mbrëmje dylindet përfqafe i kapi,
Veç lotët i harroi, s’i ka as tani!

Pajtim Xhelo (Kushtuar spastrimit etnik që u mundua të bënte Millosheviçi në Kosovë në vitin 1999)


KTHIM I TRISHTË

Pranverë ishte kur ika;
Trëndafili i parë kish çelur në oborr.
E këputa dhe e mora nga frika…
Mendova se nuk do këpusja më të tjerë.
Kur u ktheva pemët në oborr mbërdhinin,
Ishte fundvjeshtë,
Pa nuk gjeta as jargavanin, as trëndafilin…
Tharë ishin të dy.
Kur ika vëllait i kish lindur djalë
Dardan e quajta nipin tim,
Kur u ktheva Dardanin e gjeta jetim.
S’më përcolli njeri atë ditë që ika,
( Me të dashurën ishim ndarë paqësisht)
Kur u ktheva në shtëpi i shkova asaj
Si shok, miqësisht.
Për ta uruar se ish martuar një vit më parë,
Për ta ngushëlluar…I shoqi në luftë i vdiq.
Atë ditë përqafova tërë shokët e mi,
Sot që u ktheva asnjë s’po takoj.
Kur isha lash gëzime, këngë edhe dhëmbje.
Ku janë ato tani?
Këta që shoh kanë thyer konturet,
Me vete s’mbartin asgjë:
Pa mendim,
Pa besim,
Pa drejtim;
Të përhunbur në një mjegull që s’di kur davaritet…
Njerëz që kanë humbur kohën,
Kufijtë.
Kur u ktheva solla para,
Veç nuk e blej dot atë që iku!

Pajtim Xhelo (Për vitin 1999 në Kosovë)