INSTITUCION SHKENCOR. QË DI MIRËFILLI ÇFARË VEPRON DHE ÇKA SYNON

0
203
Anton Nikë Berisha - Shkup, nëntor 2020

Anton Nikë Berisha

– Viti 2020 – ishte një vit i veprimtarisë së pasur kërkimore, shkencore dhe botuese i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup

Në shtegtimin e vet shkencor, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup si synim kryesor pati dhe ka punën e mirëfilltë hulumtuese dhe shkencore për ndriçimin e rrjedhave dhe të dukurive që e përcollën dhe e përcjellin botën shqiptare në përgjithësi, me përqendrim të veçantë të rrjedhave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Mirëpo, duhet thënë, po ashtu, se ky Institut fushëvperimtarinë e vet shkencore e shtrin dhe në hulumtimin dhe vështrimin e dukurive të popujve e të kulturave të tjera që në një mënyrë ose në një tjetër përkojnë me dukuritë e botës shqiptare ose e ndihmojnë njohjen e tyre.

Ky përcaktim i Institutit mbështetet në faktin se afrimi i popujve të ndryshëm bëhet më së miri duke i njohur rrjedhat dhe ngjarjet më të rëndësishme që kanë qenë vendimtare dhe e kanë bërë historinë e tyre. Në të vërtetë, njohja e jetës dhe e historisë së një populli tjetër i hap shteg njohjes së vetë popullit shqiptar dhe anasjelltas: njohja e mirëfilltë, shkencore e botës shqiptare mundëson dhe njohjen më të mirë dhe të botës së popujve të tjerë. Asnjë popull s’ka  jetuar i izoluar, vetëm për vete e me veten, por në marrëdhënie me popujt e tjerë.

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup me punën e vet hulumtuese, shkencore dhe botuese ka dëshmuar se është i hapur ndaj të gjitha atyre rrjedhave e çështjeve që shkojnë në të mirë të njeriut, kudo qoftë ai dhe kudo që ai jeton dhe vepron, në të mirë të afrimit e të mirëqenies midis popujve dhe kulturave të ndryshme. Politika e lakolizmit, e interesave grupore ose asosh që kanë ngjyrimin e punës ditore ose ngjyrim politik, ka qenë e mbetet e huaj për këtë Institut.

Ajo që në veprimtarinë e këtij institucioni shkencor ngrihet mbi të gjitha, është ndriçimi i së vërtetës kulturore e historike, mbështetur në dokumente e argumente të verifikuara e të besueshme, në të vërtetën që përligjet përmes hulumtimeve dhe argumentimit shkencor, e jo përmes pohimeve e deklaratave. Them kështu për arsye se gjithë puna e Institutit konkretizohet përmes takimeve, konferencave, tribunave të hapura e të organizuara me përkushtim, me pjesëmarrje të bashkëpunëtorëve te brendshëm dhe të jashtëm si dhe përmes botimeve të ndryshme.

Më duhet të përmend këtu vetëm dy veprimtari të rëndësishme të Institutit: mbajtja e edicionit të dytë të manifestimit kulturor–shkencor “Ditët e Alfabetit”, me rastin e 112-vjetorit të Kongresit të Manastirit, të mbajtura në Shkup e të vazhduan në Strumicë, brenda të cilit u bënë shumë takime e aktivitete dhe ku për herë të parë u bënë homazhe tek varri i iluministit Gjerasim Qiriazi si dhe dy shënimi i përvjetorëve të Nënën tone Tereze, më 6 gusht dhe më 5 shtator. Instituti është i vetmi institucion që merret denjësisht me ndriçimin e veprës së saj.

Duhet thënë se edhe botimet e bëra gjatë vitit 2020 përligjin mirëfilli përcaktimin dhe veprimtarinë e pasur e për shumëçka të vlefshme. Nëpërmjet këtyre librave shkencorë dëshmohet dija shkencore dhe e vërteta shkencore dhe kjo dije përçohet dhe dhurohet përmes këtyre botimeve.

Edhe hapja ndaj institucioneve të tjera të natyrës hulumtuese shkencore dhe bashkëpunimi me një numër të mirë sosh në Maqedoninë e Veriut ose të shteteve të tjera, sidomos atyre fqinje, po dhe me studiues dhe personalitete të veçanta, tregon mirëfilli përcaktimin e Institutit që ta lartësojë dhe ta pasurojë veprimtarinë e vet.

Viti 2020, jo vetëm e dëshmoi përsëri përcaktimin e Institutit që gjatë veprimtarisë së tij të hulumtojë e të ndriçojë një varg dukurish të qenësishme, po e pasuroi edhe më tej, duke i hapur shtigje, që mundësojnë veprimtari dhe rezultate edhe më të mëdha.

Është e njohur se idetë e mëdha shpesh ballafaqohen me kundërshtime të natyrave të ndryshme, sidomos nga ata që punët i shohin përmes interesave vetjake ose nuk vërejnë, siç thuhet, përtej hundës së tyre, po ato (idetë e mëdha) krijojnë të tashme dhe hapin udhën për të ecur përpara, për të përparuar. Mbi këtë strategji ngrihet dhe vepron Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Për këtë arsye Instituti s’ka tema të mëdha e të vogla, po ka hulumtim shkencor, ka gjurmim të së vërtetës së argumentuar, pra ndriçim shkencor dhe i çështjeve të ashtuquajtura “të vogla”, ku fshihen të vërteta të mëdha e të rëndësishme.

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup është shndërruar në një qendër të denjë hulumtuese dhe shkencore për tematika që asnjëherë në të kaluarën nuk janë studiuar në atë përmasë dhe thellësi, duke shërbyer edhe si shembull për institucionet e ngjashme, por duke krijuar dhe traditë. Me pak fjalë, është bërë vatër e fuqishme, ku vëzhgohen edhe me rrjedhat e jetës së përditshme; përfillet ajo që është përparimtare, e drejtë e denjë, dhe u kundërvihet ideve që zgjojnë tundime, urrejtje dhe synojnë ta t’i ndalin rrjedhat që përligjin rëndësinë e ndriçimit të së vërtetës, siç ka ngjarë me reagimin kundër gjuhës së urrejtjes ndaj Holokaustit dhe antisemitizmit. Me këtë mënyrë veprimi, Instituti vetvetiu përligj mbrojtjen e të drejtave dhe të dinjitetit njerëzor, pa marrë parasysh se kjo ka të bëjë me tragjiken e një populli tjetër, në rastin konkret me popullin hebre, që sipas Biblës është popull i zgjedhur i Hyjit.

Duhet përmendur edhe këmbënguljen e organeve të Institutit për mbrojtjen dhe afirmimin e barazisë kulturore e gjuhësore të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, siç ishte rasti me vendosjen e pllakës përkujtimore edhe në gjuhën shqipe për Nënën Tereze në Sheshin e Shkupit.

Se përcaktimi dhe veprimtaria e Institutit ngrihet mbi bazat e përmendura përligjet edhe nga themelimi i dy departamenteve sa të veçanta, aq dhe të rëndësishme: Departamenti për hulumtimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, tashmë e shpallur shenjtëreshë nga Vatikani, dhe i Departamentit për edukimin dhe hulumtimin e Holokaustit, që i kanë dhënë një peshë të veçantë pasurimit të veprimtarisë së këtij Instituti.

Të merresh me trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, të cilën bota e quajti Nënë dhe e shpalli të shenjtë dhe sa ishte gjallë– pikërisht për flijimin e saj për tjetrin, pa dallim besimi, race, krahine. Nëna Tereze gjithë jetën e vet e flijoi për njerëzit e varfër e të braktisur, për ata që shoqëria njerëzore kishte hequr dorë. Këta njerëz ajo i donte me dashurinë e Hyjit. Pra, të bësh të njohur, përmes aktiviteteve dhe botimeve, rëndësinë e veprimit të një personi që jetën e vet e flijoi për tjetrin, domethënë të ngrihesh në rrafshin më të lartë të përkushtimit njerëzor dhe hyjnor.

Edhe hapja e Departamentit për edukimin dhe hulumtimin e Holokaustit, e vë Institutin e trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve në Shkup në rrafshin që e synojnë dhe institucionet më të shquara në botë. Po kujtoj këtu vetëm botimet “Manual për mësimdhënien dhe mësimnxënien e Holokaustit” dhe “Legjislacioni bazik antisemitik i Mbretërisë Bullgare” nga autorët Skënder Asani, Nora Maliqi-Zylali dhe Vllado Popovski.

Më duhet të përmend se thelbin e punës së Institutit të Shkupit e bëjnë, pos të tjerash, katër fushëveprimtari të rëndësishme:

  1. Puna e mirëfilltë hulumtuese shkencore, që përmbushet përmes projekteve të përbashkëta ose të veçanta,
  2. Konferencat, simpoziumet, tribunat e takimet shkencore, që i japin sa një gjallëri aq dhe dëshmojnë lidhshmërinë me kohën në të cilën jetojmë
  3. Botimet shkencore dhe ato të karakterit njohës informues dhe
  4. Bashkëpunimi me institucionet e ngjashme në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe të shteteve fqinje ose edhe më gjerë, në rrafshin evropian dhe botëror.

Bazuar në konceptin që e përmenda, sa të hapur aq dhe modern, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup do të vazhdojë hulumtimin dhe ndriçimin e çështjeve të historisë e të kulturës së shqiptarëve në përgjithësi, edhe ato bashkëkohore, në mënyrë të veçantë të shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, pa lënë anash dhe figurat që kanë bërë emër dhe kanë krijuar histori.

Në këtë Institut vetëm një qëllim është i pandryshuar: puna e mirëfilltë shkencore dhe hulumtimi dhe ndriçimi i së vërtetës. Pikërisht për këtë arsye organet përkatëse shtetërore të Maqedonisë së Veriut duhet ta përkrahin dhe ta ndihmojnë veprimtarinë e tij në mënyra të ndryshme. Këtë duhet ta bëjnë sidomos institucionet që e kanë për detyrë ta bëjnë këtë. Me këtë veprim ata mundësojnë dhe nxisin përparimin e shkencës e njëherit dhe mirëkuptimin midis njerëzve, kulturave dhe popujve dhe i japin jetë të mirëfilltë bashkëveprimit dhe bashkëjetesës në Republikë.

Për punën e mirëfilltë dhe për qëndrimin e denjë të këtij Instituti dëshmojnë edhe mirënjohjet e bëra nga institucionet, personat dhe organet, qoftë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, qoftë të shteteve të tjera. Po përmend këtu vetëm Departamentin e Shtetit Amerikan. Në raportin ndërkombëtar për liritë fetare, për vitin 2019 në Maqedoninë e Veriut, përmendët dhe ndihmesa e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Të njëjtën gjë e dëshmon dhe përkrahja dhe bashkëpunimi me ambasadorin e Izraelit në Maqedoninë e Veriut, Dan Oryan.

Duke pasur parasysh atë që thash më lart dhe të arriturat e deritanishme, mund të them me bindje se Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, ka krijuar një bazë e përvojë të mirëfilltë për ta vazhduar e pasuruar veprimtarinë hulumtuese e shkencore dhe të jetë edhe më tej një vatër dhe një pikë referimi e pikësynimeve dhe e shtegtimit drejt përparimit të jetës së njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe të përfshihet më me lehtësi në rrjedhat e qytetërimit evropian dhe më gjerë.

Më duket me vend që ta mbyll këtë qasje timen për ndriçimin e përcaktimit e të konceptit të veprimit hulumtues e shkencor të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup me fjalët e drejtorit të saj Dr. Skënder Asanit, të thëna në simpoziumin me rastin e shënimit të 552-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar – Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, të organizuar nga Kolegji ILIRIA në Prishtinë me temën: “Skënderbeu në dokumente të panjohura arkivore të vendeve të huaja”: “Shqiptarëve u duhet sot një Skënderbe i Rilindjes Kombëtare, një Skënderbe që i bashkon shqiptarët, që i rrafshon dallimet krahinore e fisnore, një Skënderbe që i shkrin përkatësitë religjioze dhe një Skënderbe që nuk na përplas me asnjë komb tjetër. Në këtë kontekst, Skënderbeu i flet edhe Ballkanit, duke bërë ftesë për paqe dhe bashkëjetesë mes popujve, ndërsa po ky Skënderbe i flet dhe Evropës se shqiptarët, por edhe të tjerët në këtë rajon, do të duhet t‘i kthehen origjinës së tyre të qytetërimit Perëndimor”.

Shkup, 2 mars 2021