“I pandreqshmi” Ukshin Hoti

0
3648

Dionis Xhafa

Në historinë e njerëzimit qysh nga lashtësia kanë zënë vend në zemrat e njerëzve, sidomos ato persona që iu kundërvunë pushtetit gjakatar dhe ishin në krah pikërisht të jetëve njerëzore. Dëshmi për këtë është Sokrati e deri tek perëndia Promete, që zjarrin e Olimpit donte tua jepte njerëzve dhe jo ky zjarr të mbahej peng nga ana e Zotave e nga Zeusi.

Por se njerëzit e drejtë, “të pandreqshmit” e disidentët ekzistuan edhe në shekujt e konsideruar si më të modernizuar. Diktatura e Stalinit në Bashkimin Sovjetik dhe bunkerët e tjerë diktatorialë të ndërtuar në Lindje të Europës hasën në kundërshtimin e shkrimtarëve dhe të antikonformistëve të pashoq.

Disidentët janë ata që po vlerësohen me të drejtë në kohët që po i jetojmë. Kundërshtarja e ideve të Stalinit, Svetlana Aleksievich fitoi çmimin “Nobel për Letërsi” me “Zëra nga Çernobili”.

Por se disidentë kemi edhe ne shqiptarët – qoftë nga diktatori ynë Enver Hoxha ashtu edhe nga fashizmi i Serbisë. Disident i pandreqshëm i diktaturës hoxhiste ishte Kasëm Trebeshina që kaloi 13 vite burgjeve të komunizmit vetëm se mendonte ndryshe nga pushteti. Ndërsa si disident kundër fashizmit serb kemi Ukshin Hotin, filozofin, shkrimtarin dhe pedagogun që gjithë jetën ia kushtoi lirisë të popullit shqiptar kundër dhunës barbare serbe. Padyshim “i pandreqshmi” Ukshin Hoti është zemra e lirisë së Kosovës martire të çliruar nga thundra e pushtuesit serb.

Ku është varri i Ukshin Hotit?!

Në Prishtinë, mbrapa statujës së Zahir Pajazitit ku ndodhet konvikti studentor gjendej një stampim në mur ku shkruhej “Ku gjendet Ukshin Hoti?”. Filozofi dhe politologu shqiptar u mor nga ana e serbëve, u burgos për 17 vite dhe u torturua në mënyrën më ç’njerëzore. Aq e torturuan autoritetet e Serbisë, e sakatuan, gjakosën, sa e bënë të mundur, që edhe vajza e tij e vogël në atë kohë t’i distancohej babait.

Regjim gjakatar e kryekëput ç’njerëzor që jo vetëm të dënon për atë se mendon ndryshe, por edhe të distancon nga familja. Regjimi serb sa duket fill pasi e liroi nga burgu, e zhduku Ukshin Hotin. Nuk i la as nam e as nishan. Por siç edhe thonë: Një njeri mund ta burgosësh, ta torturosh, ta gjakosësh dhe madje dhe ta ndash nga familja, por nuk mundet t’i burgoset ideja dhe ideali i tij!

Ukshin Hoti nuk duket gjëkundi me siguri prej dorës kriminale e gjakatare të Serbisë, por idetë e tij triumfuan. Ideali për të cilin Ukshin Hoti ishte i gatshëm të jipte jetën ngadhënjeu në shekullin e ri. Bota u rrokullis në diametrin e vet dhe Kosova e martirizuar u shpall shtet i pavarur nga Serbia. Sikundër një perëndi e keqe që lëshon zjarr mbi njerëz të pafajshëm ishte Serbia.

Ndërsa “prometenjtë” janë ata që sakrifikojnë deri edhe lirinë individuale në hir të interest të përgjithshëm. Ukshin Hoti ndoshta nuk është gjallë, por idetë e tij janë mes nesh. Zjarrin që ai e ndezi për lirinë e Kosovës nuk ka dorë gjakatare pushtetare serbe që ta shuajë.